21/12/2024

Flet Prof. Alqi Naqellari: Borxhi publik ka kaluar 80% pavarësisht se nuk dëshiron ta pohojë këtë të vërtetë

0
Alqi-Naqellari1

– Politikat ekonomike që aplikon qeveria shqiptare ndikojnë pak ose nuk ndikojnë fare në uljen e borxhit…

Nga Albert Z. ZHOLI

Borxhi publik në Shqipëri ka vite që vazhdon të rritet, pavarësisht nga premtimet e qeverisë që do punojë për uljen e tij. Nga ana tjetër niveli i pagave në Shqipëri është mjaft i ulët. Të dhënat e rrogave janar dhe prill 2021 tregojnë për shifra dhe shpërndarje skandaloze të fondit të pagave duke treguar se Shqipëria ka hendekun më të thellë në krahasim me vendet e Ballkanit. Këto janë disa nga problemet që do të lexoni në këtë intervistë…

Borxhi publik në Shqipëri kaloi 80% çfarë ndikimi ka në ecurinë ekonomike shqiptare ky borxh? Politikat ekonomike shqiptare a ndihmojnë në uljen e borxhit?

Borxhi publik në Shqipëri ka vite që vazhdon të rritet, pavarësisht nga premtimet e qeverisë se do punojë për uljen e tij. Për mendimin tim borxhi publik ka kaluar 80% pavarësisht se nuk dëshiron ta pohojë këtë të vërtetë. Qeveria shikon vetëm pjesën e borxhit absolute, por nuk merr shumë në konsideratë Prodhimin e Brendshëm Bruto, i cili llogaritet duke pasë parasysh disa parametra, të cilët janë të pasakta. Shifra absolute e borxhit është e saktë dhe ajo vazhdon të rritet, por shifra relative, përqindja ndaj PBB-së nuk është e tillë. Në PBB të dhënat nuk janë të gjitha të mbështetura në -shitje dhe blerje -por shumë prej tyre janë të llogaritura me sondazhe. Kështu në PBB, në sektorin e bujqësisë përfshihet edhe konsumi që realizojnë fermerët nga produktet e tyre, humbjet dhe përdorimi për blegtorinë. Shifrat bukë janë të matëshme dhe nuk janë të shoqëruara me dokumentet përkatëse. Kështu sipas INSTAT(2020) në Shqipëri prodhohen 233.4 mijë ton grurë dhe rreth 399.1 mijë ton misër, gjithsej drithra buke 684 mijë ton, që do të thotë 273 kg/frymë. Nëse këto shifra do ishin të vërteta Shqipëria nuk do kishte nevojë të importonte rreth 260 mijë ton grurë e miell gruri. Prodhohen perime 1.2 milion ton, 7.1 milion ton foragjere, 254 mijë ton patate etj. (Ja si thuhet në Metodën e llogaritjes së PBB. Faza e parë është llogaritja paraprake vjetore e PBB të vitit (t) sipas të dyja metodave brenda njëmbëdhjetë muajve pas përfundimit të vitit (t+11) dhe bazohet në burime të të dhënave paraprake të Anketës Vjetore Strukturore pranë Ndërmarrjeve dhe burimeve administrative… Për vlerësimet e PBB-së përdoret informacioni i siguruar nga burime të ndryshme statistikore dhe administrative. Të dhënat e përdorura mund të jenë prodhim statistikor i vetë INSTAT (anketa të ndryshme) ose i institucioneve të tjerë), dhe më tej: Llogaritjet e PBB përfshijnë të gjitha prodhimet e shërbimet aktuale të destinuara për treg si dhe ato të prodhuara për konsum për vete nga të gjitha njësitë rezidente që veprojnë në territorin të cilësuar “ekonomik” të Shqipërisë). Këto metoda dhe të tjera të përdorura e rritin PBB-në në mënyrë artificiale. Kjo rritje dhe mosllogaritja e detyrimeve, që ka qeveria ndaj personave që paguan nga fitimet e gjyqeve,brenda dhe jashtë vendit nuk merren në konsideratë. Kështu që borxhi real është më i lartë se 80%.

Ky borxh i lartë nuk ka ndikim pozitiv në ecurinë e ekonomisë shqiptare sepse:

-Borxhi nuk përdoret për funksionimin e ndërmarrjeve prodhuese, sepse shteti ka fare pak të tilla. Ai përdoret për shpenzime të përgjithshme dhe për investime jo prodhuese. Nëse qeveria do investonte për shembull paratë e borxhit për Kombinatin e përpunimit të naftës në Ballsh atëhere do thoshim se do ndikonte në rritjen ekonomike, por qeveria ndikon në rritjen e investimeve jo prodhuese, prej të cilave nuk merret asnjë lekë fitim.

-Një pjesë e konsiderueshme e tij përdoret për shlyerjen e borxheve të vjetra që maturohen.

-Një pjesë përdoret për shpenzime operative dhe në shpenzime për PPP-të dhe Koncensionet.

Politikat ekonomike, që aplikon qeveria shqiptare ndikojnë pak ose nuk ndikojnë fare në uljen e borxhit..

Qeveria shqiptare ka shpallur si prioritet të saj sektorin e shërbimeve, turizmin dhe bujqësinë, dhe nuk ka si prioritet sektorin e industrisë nxjerrëse e përpunuese, sektorin e energjitikës. Këto sektorë, të cilat kanë qënë prioritare kanë dështuar në arritjen e objektivave të tyre. Nga turizmi i cili propagandohet në çdo ditë të vitit realizohen rreth 4% e PBB-së. Nga turizmi (Akomodime dhe shërbim ushqimor). Këtu prej shumë institucioneve përfshihen edhe hotele, kafene dhe restorante, pra përfshihet edhe një pjesë e tregëtisë me pakicë. Të mos harrojmë se TVSH-ja në sektorin e hotelerisë është vetëm 6% nga 20% që është për drejtimet e tjera. Pra kontributi i turizmit në të ardhurat e buxhetit është tepër i vogël. Sa i përket bujqësisë duhet të theksojmë se ajo ka një sërë pikësh negative, të cilat frenojnë rritjen e vazhdueshme të saj. Bujqësia shqiptare:

-Është tepër e copëtuar, ka 350 mijë fermerë me rreth 2 milionë parcela.

-Shkalla e mekanizimit është tepër e ulët, një traktor për 28 familje nga 1 traktor për afro 2 familje që ka Kosova. Parcelizimi ka bërë që edhe sot shkalla e mekanizimit dhe teknologjia e punimeve të jenë në shkallë shumë të ulët dhe të prapambetur. Nuk bëhet bujqësia vetëm me Myzeqenë apo me 2000 ha sera, por duhet që e gjithë toka të sistemohet prej ligjit famëkeq 7501.

-Bujqësia shqiptare nuk subvencionohet. Ka vetëm dy tre zëra që stimulohen. Kosova ka 27 zëra subvencionimi dhe shpenzon dyfishin e sasisë që shpenzon qeveria shqiptare për bujqësinë.

-Fuqia punëtore në bujqësi është e plakur, përgjithësisht fshatrat e rretheve malore janë të boshatisura prej familjeve. Nuk ka fuqi punëtore për të mbarështruar të imtat dhe për të punuar tokat. Kjo është njëra nga arsyet që numri i krerëve në fshatrat e zonës malore jo vetëm që nuk është rritur në vitet e fundit, por ka filluar të bjerë.

Rrogat në Shqipëri janë të ulta kur çmimet janë rritur. Buka është rritur me 20%, vaji 15%, perimet 20%, çmimet e shportës 20%. Sa të varfëra janë familjet shqiptare sot?

Niveli i pagave në Shqipëri është mjaft i ulët. Tabela e mëposhtme tregon nivelin e pagave minimale dhe mesatare sipas INSTAT në Shqipëri për vitet 2018-2021. Në 2021 në sektorin shtetëror ka qenë 67538 lekë në muaj, ndërsa paga minimale ka qenë vetëm 30000 lekë. Në grupin e njerëzve të varfër përfshihen ata që marrin më pak se 5.5 $ në ditë ose(5.5*107 lekë*30 ditë=17655lekë në muaj).

Të dhënat e rrogave janar dhe prill 2021 tregojnë për shifra dhe shpërndarje skandaloze të fondit të pagave duke treguar se Shqipëria ka hendekun më të thellë në krahasim me vendet e Ballkanit pavarësisht nga statistikat që deklarohen. Konkretisht në listën e janarit nga 637 mijë të punësuar 80700 kanë qenë pa asnjë lekë të deklaruar, ndërsa kjo shifër është rritur në muajin prill dhe ka shkuar në 115185 persona.

Pagat në lekë(ALL)
Vitet Paga mesatare mujore në sektorin shtetëror Paga minimale e miratuar
2,018 61,023.00 24,000.00
2,019 63,084.00 26,000.00
2,020 643,89.00 26,000.00
2,021 67,538.00 30,000.00

 

Nën 30 mijë që ka qenë paga minimale, me të dhënat e janar 2021 kanë qenë 141549 punonjës ose 22.2%, me 30000 kanë qenë 23.5% ose 45.7% e të punësuarve kanë pasur një pagë deri në 30 mijë lekë. Në këtë mënyrë 45.7% e të punësuarve kanë përfituar vetëm18.6% të fondit të pagave. Nëse ju referohemi të dhënave të muajit prill 48.8% e të punësuarve kanë pasur pagën poshtë nivelit 32000 lekë dhe vetëm 51.2% e kanë pasur mbi 32000. Paga mesatare duke marrë në konsideratë 694 mijë të punësuar ka qenë 44933 lekë, nëse heqim ata që deklarojnë zero lekë kjo shifër shkon në 53868 lekë. Këto shifra rrëzojnë pagat mesatare të shpallura nga qeveria, siç paraqiten më poshtë.

Në Maqedoninë e Veriut koeficienti Gini ka qenë (0.36), në Serbi (0.34). Në vend të tretë renditet Bosnjë-Hercegovina (0.33), në vend të katërt Mali i Zi (0.32), Kroacia në vendin e pestë (0.31) dhe Kosova (0.27).

Shifrat e mësipërme tregojnë se shpërndarja e pagave ka krijuar një hendek të dukshëm midis të punësuarve. Kjo ka bërë që koeficienti Gini për Shqipërinë të jetë në shifra tepër të larta. Nëse marrim shpërndarjen me 637 mijë të punësuar dhe nivelin e pagave ky koeficient shkon në  0.485 ose  në 48.5.

Pabarazia në shpërndarjen e të ardhurave shikohet jo vetëm në shpërndarjen e fondit të pagave, por edhe në shpërndarjen e depozitave të kursimit, ku 5.6% e depozituesve zotërojnë 57.5% të depozitave. Konkretisht: Në 2017 sipas Raporteve të ASD-së, shihet se 96.4% e individëve zotërojnë 42.5% të shumave të depozituara. Nga këta 40% e individëve kanë llogari, që kanë shumën 100 lekë. Pjesa tjetër e këtij grupi (56.4%) ka kursime  individuale në shuma, që arrijnë deri 2.5 milionë lekë. Ndërkohë, 5.6% e depozituesve zotërojnë 57.5% të totalit të depozitave, ku çdo individi të këtij grupi i takon mesatarisht 5.7 milion lekë.

Cilat janë problemet themelore të ekonomisë shqiptare në këtë kohë? Si mund të dilet nga kriza?

Problemet ekonomia shqiptare i ka të shumta. E para, dhe më kryesorja janë problemet strukturore. Sot është e qartë se drejtimi i turizmit dhe pritshmëra ndaj tij është rrëzuar. Turizmi ku do mbështetej ekonomia shqiptare ka dështuar. Ka dështuar, sepse është një sektor shërbimi i cili në përgjithësi varet nga ardhja e turistëve të huaj, varet nga situatat politike dhe konomike që kalon vendi jonë dhe që kalojnë edhe vendet e tjera. Eshtë i varur edhe nga situata shëndetësore e vendeve, sepse do mjaftonte një pandemi si covid-19 dhe ta linte jashtë loje.

Ekonomia shqiptare nuk duhet të mbështetet në sektorët e shërbimit, por duhet të mbështetet në pasuritë nën dhe edhe mbitokësore që ka Shqipëria në sektorin e karburanteve duke rishtetëzuar një pjesë të sektorëve të saj dhe duke rivendosur në eficiencë Kombinatin e Ballshit. Duhet të shikojë sektorin e nxjerrjes dhe përpunimit të mineraleve, sepse këto janë dy sektorë prej të cilave merret shumë pak e ardhur në formën e tatimeve. Këto sektorë kanë paga dhjetra milionëshe dhe paguajnë pak detyrime në buxhet.

Krahas këtyre sektorëve duhet bërë një reformë thelbësore në rishpërndarjen e tokës bujqësore. Shqipëria nuk duhet të rrijë akoma me rreth 2 milionë parcela dhe me fshatra të braktisur. Duhet të ngrihen kooperativat bujqësore të tipit perëndimor, përndryshe nuk do zhvillohet kurrë.

A kanë ndikuar negativisht në ekonominë shqiptare PPP-të dhe pse?

PPP-të janë veprime, që bëhen jo në vende ku ka shtet ligjor, por në një shtet me demokraci funksionale. në një shtet të së drejtës dhe jo në një vend autokratik si Shqipëria. PPP-të në Shqipëri nuk kanë ndikuar në rritjen ekonomike të saj përkundrazi kanë ndikuar në rritjen e shpenzimeve jo efektive të qeverisë dhe në rritjen e borxhit publik. Të gjitha PPP-të që ka realizuar qeveria në sektorin e shëndetësisë kanë qenë jo eficiente, sepse qytetarët shqiptarë gjatë periudhës së pandemisë kanë rritur mbi 7% shpenzimet për medikamente. Çmimet e barnave janë rritur dukshëm, ashtu sikundër çmimet e ushqimeve bazë. Konsumatorët shqiptarë mbetën pa një mbrojtje sociale nga qeveria dhe nga shteti shqiptar, sepse institucionet e pavarura u bënë palë me firmat e furnizimit me miell e produkte të tjera.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok