15/11/2024

Flet piktori Gëzim Tirana: Në tregun aktual ku piktura origjinale njihet pak jeton me vështirësi

0

– Piktura nuk vlerësohet nga politika e sotme pasi shumë pak politikanë blejnë piktura .

– Kryeministri e ka mundësinë të hap ekspozitë jashtë shtetit, por shumica nga ne jo!

– Deri dje piktura konsiderohej  luks, sot shihet si domosdoshmëri për zbukurimet e ambienteve familjare.

– Problemi më i madh i piktorëve sot është sepse , nuk i përshtaten kërkesave të tregut.

Intervistoi Albert Z. ZHOLI

Gëzimi është natyrë e qeshur dhe e dashur. Gjithë ditën e shen në atelien e tij duke punuar. Madje deri në orët e vona të natës. Ka një jetë mes telajove, bojrave të vajit dhe fotove të mijëra pikturave që i studion. Pikturën e ka filluar në moshë shumë të vogël. 5-6 vjeç. Në fillim ka bërë disa piktura me laps dhe pastaj me ngjyra. Pra që para 4 dekadash organizoi një koleksion pikturash që edhe vetë se besonte që në atë kohë mund të hapte një ekspozitë. E veçanta është se para 37 vjetësh ka bërë dhe disa piktura të veçanta me bojëra vaji që sot i ka të gjitha motra e tij e vogël në një vilë që është tek pazari i ri. Ajo i ruan si pasuri pikturat e tij. Ato kanë qenë pikturat e para që i ka bërë me shumë pasion dhe shumë dëshirë. Tashmë në fondin e tij janë mbi 400 piktura ku mbizotëron peisazhi, natyra e qetë dhe portreti.

Sot flitet shumë për pikturën. Flitet se piktorët shqiptarë kanë bërë emër jashtë, por kanë ngelur të varfër brenda. Si është jeta e vërtetë e piktorëve shqiptarë këtu në Tiranë?

Së pari dua të them se Tirana ka shumë piktorë të talentuar që kanë bërë emër. Ata janë shumë dhe unë nuk mund të përmend asnjë pasi ndoshta harroj dhe miqtë më të mirë dhe fillon debate. Shkolla shqiptare e pikturës ka qenë dhe mbetet e veçantë pasi piktorët tanë kudo që kanë shkuar kanë bërë emër, por edhe janë pasuruar. Por në Tiranë  nuk mund të flitet për pasuri. Piktorët shqiptarë në Tiranë mundohen të mbijetojnë. Me raste të veçanta shumica e kanë të vështirë të jetojnë mes të mirave. Kjo së pari pasi Tirana nuk ka treg, apo marketing për piktorët. Mungon organizimi dhe mënyra e reklamës. Çdo gjë bëhet në mënyrë individuale. Këtu nuk veprojnë me menaxher, apo me shoqëri reklamuese për të nxjerrë në dritë punën tonë. Dhe vendet e ekspozitave janë tepër të kufizuara dhe bëhen me nisma private. Muzeu Kombëtar, apo ambiente të tjera shtetërore duan  një investim, por edhe që nuk reklamohen nga televizionet. Problem tjetër mbetet se në Tiranë janë shumë të paktë njerëzit që e njohin pikturën origjinale dhe rëndësinë e saj. Por janë akoma më të pakët ata që e blejnë pikturën origjinale e para se nuk është kthyer në kulturë dhe e dyta ata që e njohin mirë nuk kanë mundësi blerjeje. Por problem kryesor është mbytja e tregut nga piktura falco, të imituara në mënyrë seriale pa dorën reale të piktorit. Në çdo dyqan me sende të piktorëve apo në sheshe do shohësh këto piktura të imituara, falso që dominojnë tregun. Por mbi të gjitha piktura nuk vlerësohet nga politika e sotme. Kryeminsitri e ka mundësinë të hap ekspozitë jashtë shtetit, por ne jo. Por megjithatë jemi krenar që nga gjiri ynë ka dalë një kryeministër.

Por ne flasim vazhdimisht bashkë. Vitet e fundit ka një ndryshim. A mendon se në Shqipëri është kultivuar dashuria për pikturën këtë dekadë?

Po! Me atë që kam parë unë në 10-vjeçarin e fundit unë kam konstatuar që njerëzit kanë filluar pikturën ta blejnë. Deri dje ajo konsiderohej luks, sot shihet si domosdoshmëri për zbukurimet e ambienteve familjare.

Pra duke e parë në këtë këndvshtrim natyrshëm të lind pyetja…Sot, a mund të jetojë një piktor vetëm me pikturat?

Kjo pyetje është me spec. Ka shumë ngjyra brenda përgjigja e saj. Siç e rroka më parë piktorë të veçantë edhe mund jetojnë me pikturë, pasi kanë emër, kanë menaxher, kanë kontakte me botën e pikturës jashtë etj…Po të punosh me vullnet dhe të bësh pikturë të mirëfilltë mund të jetosh dhe të përballosh jetesën. Por duhet ta njohësh tregun. Pikturat të jenë shum dimesionale.  Ta njohësh mirë pikturën si vlerë artistike dhe si vlerë materiale. Duhet një gërshetim i të dyjave.

-Sigurisht ekspozitat janë ato që i japin emër autorit. Ku  dhe kur është hapur ekspozita e parë  dhe me sa piktura? Çfarë risie sollinë jetën tuaj profesionale?

Sigurisht, pa ekspozita piktori është në terr. Ekspozita e hapur në Durrës në vitet 2002 në plazhin e Durrësit tek Apollonia. Atje ishin 12 punë që i kisha bërë së fundmi me disa pamje nga deti dhe nga Vlora, si dhe Gjiri i Lalzit. Ishin piktura të bukura, por njerëzit nuk kishin filluar akoma ta kuptonin pikturën time me veçoritë e detit.

Suksesi më i madh ka qenë kur erdhi një përfaqësi e një studioje të madhe gjermane. Flitet për studion numër dy në botë për postera nga Frankfurti. Kjo studio bëri përzgjedhje me piktorët më në zë në Tiranë duke futur këtu Sali Shijakun, Alush Shimën dhe të tjerë. Ato kaluan rastësisht në dyqanin tim që kam edhe sot dhe panë që unë përdorja ngjyrën e verdhë, blu dhe të kuqe të papërzier, të plotë, me ngjyrën reale. Duke kaluar në rrugën që unë kam studion, menaxheri gjerman ndalon dhe sheh nga jashtë me interes pikturat. Shoqërues i tij ishte një djalë shqiptar që e dinte gjermanishten shumë mirë. Ai më merr në telefon (pasi nr e cel e lë në derë të varur) dhe më thotë se ku ndodhem. Shkoj menjëherë dhe ata thonë se duam disa postera dhe pikturat duam që të na i bësh ti. Do të japim tre telajo me 60×80 dhe do të na bësh tre piktura. Një lule e bardhë me një sfond fishnje, një perëendim dielli në Afrikë dhe disa  gra afrikane. Ato i shumfishonin edhe me stamp dhe i shesin në të gjitha supermarketet në botë. Dihet se sot në botë përdorin vetëm postera dhe jo piktura origjinale sepse edhe kostoja e pikturave origjinale është shumë e lartë. Unë i mbarova për dy ditë dhe i thashë që të vinin t’i mirrnin. Ata u çuditën nga koha shumë e shkurtër e që unë i kisha gati. I morën dhe i pëlqyen. U bë përzgjedhja nga komisioni që drejtonte këtë punë dhe më marrin në telefon dhe më thonë se je i përzgjedhuri jonë dhe do të sjellim të gjitha materialet që duhen nga firma për bashkpunim (nga Gjermania).

Erdhën materialet të gjitha dhe për një muaj e gjysmë unë kam bërë 50 piktura të cilat dhe i çuan në Gjermani.

-Po jashtë shtetit a ke hapur ekspozita?

Kam hapur vetëm një ekspozitë në Milano vjet. Në 25 piktura që çova, 17 i shita. Ishte një ditë e bukur për mua. Ishte ekspozita e parë. Pashë një interesim dhe vlerësim. Pra fitova një eksperiencë të re.

-U ndalëm te problemet e përgjithshme…Kush është problemi më i madh i piktorëve sot?

Problemi më i madh i piktorëve sot është se nuk i përshtaten kërkesave të tregut. P.sh unë kam kapur ndjenjën e tregtarit, kam kapur sensin e përditdshmërisë, dëshirën e tjetrit se sa dëshirën time personale. P.sh dëshirë personale kam portretin. Por tregu nuk kërkon vetëm portrete. Këtu ka qenë edhe kulmi i rezultatit tim, sepse unë i jam futur të gjithë zhanerave të pikturës. Unë çdo gjëje i jap kujdesin kulturor, artistik, komercial.

-Kush është teknika juaj e punës?

Teknika ime është teknika e shpatullës. Me bojëra vaji, “Sharmil” franceze të cilat kanë shkëlqimin e tyre të veçantë dhe nuk e humbasin bukurinë. Ato (bojrat franceze), sa më shumë rrinë aq më shumë zbukurohen. Ndërsa bojërat kineze sa më shumë rrinë aq më shumë veniten dhe boja prishet. Meqenëse Franca ka pasur disa koloni afrikane e merr aty lëndën e parë të kësaj boje të veçantë. Është një dru i veçantë nga del kjo lëbë e parë e përpunuar.

-A je penduar që ke lënë biznesin dhe i je futur pikturës?

Jo. Në këtë moshë që jam sot jo. Fëmijët janë të rritur dhe kanë zgjedhur profesionet e tyre. Kam dashur të bëhej dikush piktor, por… Jam i lumtur që merem vetëm me pikturën. Tek piktura gjej veten, gëzimin, qetësinë shpirtërore, sigurinë e jetës, por edhe kënaqësinë që u fal të tjerëve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok