08/09/2024

Flet piktori Edomnd Kojani

0

Para viteve 1990 janë vlerësuar pikturat “Nënat dhe gratë që shkojnë ndihmë te partizanët” apo “Ikja e rusëve nga baza e Vlorës”

-Veçoj pikturat e Sali Shijakut “Zjarri partizan”, Skënder Kamberit, “Në Vjenë duke parë Skënderbenë”, “Bajram Curri” i Guri Madhit, “Gjyqi i Sinjës” i Vilson Kilicës

Intervistoi Albert Z. ZHOLI

Me Edmondin kam mëse 10 vjet që njihem dhe vazhdimisht ndjek pikturat e reja që ai sjell nëpër ekspozita kolektive, apo individuale. Një njeri i dashur, që gjithë jetën e ka lidhur me pikturën. Në Vlorë dhe më tej ai njihet si një piktor me vlera. Ai është një ndër piktorët e paktë shqiptar që ka hapur ekspozitë qysh në sistemin socialist. Vlora i ka dhënë atij aromën e detit për një ideim dhe forcë interpretuese krejt të ndryshme. Plot 17 ekspozita që ka hapur (në Vlorë të parën në vitin 1988) në Vlorë, Greqi, Tiranë, Durrës, Fier, Sarandë, Berat, etj dhe rreth 150 piktura në gjininë e peizazhit përbëjnë arkivin e tij që do ta kishte zili çdo piktor. Por ekspozitën e tij më të bukur për mua e ka hapur në vitin 2017 në Muzeun Kombëtar “Udhëtim në kohë” të cilën dhe ai e quan të veçantë për specifikën e tij. Qëllimi i ekspozitës ishte promovimi dhe sjellja në vëmendje e monumenteve të kulturës dhe siteve arkeologjike si pjesë e trashëgimisë sonë kulturore. Por pas saj Edmondi ka hapur dhe 5 ekspozita të reja me shumë krijime që kanë tërhequr vëmendjen e kritikës.

Piktura një profesion i bukur, frymëzues dhe shtysë vizionesh, si lindi dëshira për pikturë dhe kush e zbuloi talentin tuaj ?

-Fillimet e mia me pikturë janë që në klasë të pestë, kur shkonim në Shtëpinë e Pionierit, ku mësonim vizatim dhe pikturë, me bojra uji (akuarel).

-Në shkollë kush ishte mësuesi që ju mbështeti për këtë rrugëtim. Cilat ishin mësimet e tij për ju?

Në Lice mësim na jepte i ndjeri Skënder Lako dhe Gjergji Marko, ndërsa në Institut të Arteve, Guri Madhi pikturë, dhe Pandi Mele, grafik. Guri të shtynte drejt një pikture me penelata të ngjeshura në drejtim modelimi dhe pikturim me ngjyrë të plotë. Kurse nga Pandi Mele mësova të kompozoj. Ai të mësonte një kompozim lakonik, ku lexohej menjëherë ajo që deshe të shprehje.

-Kur dhe si konkurruat për pikturë, çfarë ju dhanë për të pikturuar dhe kush ishte në komision? Cili ishte vlerësimi?

– Në Lice konkursi ishtë me një pllakë allçi, lulja e njohur trigjethëshe e me një bisht të stërgjatur poshtë. Në Vlorë ishim të përgatitur mirë deri në klasë të tetë me kurset, që bënim, sa të mos ishte fare problem ai lloj konkursi, kurse në Institut konkursi ishte me një portret vizatim dhe një portret me ngjyra vaji. Dola shumë mirë, pasi kisha punuar mjaft portrete me laps e me vaj duke qenë që dhe dihej që konkurimi bëhej me portret dhe vazhdimisht shkoja tek Skënder Kamberi dhe Agron Dine në Vlorë për konsultime.

– Kur e keni hapur ekspozitën e parë dhe ku? Sa piktura kishit dhe çfarë gjinie ishin pikturat?

– Ekspozitën e parë personale e hapa në vitin 1988, tre vjet pasi kisha mbaruar Institutin e Lartë të Arteve, në Galerinë e Arteve Vlorë., aty ku i thoshnin  “Rruga e çifutëve”, godinë e bukur trekatëshe. Ekspozita kishte 40 punime, përgjithësisht peizazhe, ndonjë kompozim me figurë dhe portret. Kisha vënë synim paraprakisht dhe kisha shkuar deri në Lurë për të pikturuar, Tiranë, Sarandë, Qeparo e Gjirokastër.

-A janë pedagogët e shkollës së pikturës shqiptare të nivelit Europian? A kishte prirje për të parë piktorët e huaj me famë në sistemin komunist?

– Pedagogët e shkollës sonë kanë qenë shumë të mirë. Mendimi i krijuar, në kohën e qenurit studentë, ka gjetur vërtetësi dhe me kalimin e viteve. Pjesa më e madhe e tyre kishin studiuar jashtë dhe ishin edhe të përkushtuar. Për mua ishte fat që jetoja në Vlorë dhe studio e Skënder Kamberit dhe Agron Dines ishte shkollë e vërtetë. Atëherë kishte shumë frymë pune e diskutimi. Flitej për formën, mjetin artistik për të krijuar vepra arti të mirëfillta. Ka  patur një dëshirë, tendencë për të parë autorë të huaj dhe sidomos ata, që ishin të ndaluar. Interesi ishte i natyrshëm se kishte komente që qarkullonin për kulturë e art me elemente frymë e shprehje ekspresive, si në konceptin e përgjithshëm, ashtu edhe teknikën realizuese.

– A është bërë kulturë mbajtja e një pikture origjinale në shtëpitë shqiptare? Apo vazhdohet me piktura të kopjuara seriale ?

– Mbaj mend që në Vlorë, që shpejt para viteve ’90, kishte dëshirë nga qytetarët të kishin në shtëpitë e tyre një pikturë. Kjo, dhe falë asaj klime krijimtarie si në asnjë qytet tjetër. Sot pa diskutim që është bërë kulturë prania e pikturave në shtëpi, zyra, lokale e hotele. Madje janë krijuar koleksione private me piktura nga një numër i madh personash që me pasion grumbullojnë piktura nga artistë të ndryshëm. Madje në Vlorë para disa muajsh është krijuar i pari muze arti privat Muzeu “Selami” në ambientet e Kuzum Babasë.

– Si do ta cilësoni pikturën e realizmit socialist pasi sot ka kritika të ashpra ndaj saj…A ka pasur vlera?

Piktura e realizmit socialist ka patur vlera të padiskutueshme, i referohem pikturës më të mirë të asaj kohe me vlera piktorike, teknikë e  zgjidhje kompozicionale të gjetur. Një profesionist i mirë di t’i dallojë këto. Jashtë veshjeve ideologjike të kohës, ka gjithmonë diçka në art që vjen në kohën tjetër, nuk ështe vetëm kriteri ideologjik për vlerësim, por bukuria estetike e veprës, forma, akoma dhe elementë të tjerë përbërës të veprës, shoqërorë, etike e morale, që jetojnë natyrshëm në shoqëri të ndryshme. A nuk është e bukur piktura e Sali Shijakut “Zjarri partizan”, “Zëri i masës”, “Mic Sokoli” e sa të tjera. Po Vrana Konti i Skënder Kamberit, “Buka e duarve tona”, “Në Vjenë duke parë Skënderbenë”, e mrekullueshmja “Vajza e valëve”, po kështu Bajram Curri i Guri Madhit, “Dorëzimi i armëve, “Gjyqi i Sinjës” i Vilson Kilicës e sa e sa vepra të tjera të Ismail Lulanit, Danish Jukniu, Pandi Meles, Agron Dines, e Nestor Jonuzit apo e Bashkim Ahmetit. Ata që dinin të bënin art, e bënin atë  edhe kur futnin në tabllo pushkën apo kazmën.

– Në sistemin komunist a keni pa momente të vështira për mënyrën e pikturës. A keni pikturuar ndonjë ish-udhëheqës komunist dhe a keni takuar ndonjë prej tyre?

– Vetëm një rast kur kam bërë një portret grafik të Enver Hoxhës. Portreti ishte i realizuar nga marrëdhënia e të kuqes dhe të bardhës të fletës dhe pritej poshtë nga jaka. Nuk kishte vazhdim të supeve, por nga ana formale nuk të shqetësonte, nuk krijonte ndonjë mungesë se loja grafike e zgjidhte këtë. Puna u pëlqye dhe u vendos në ekspozitë në Vlorë. Pak para çeljes të ekspozitës, më thërret Skënder Kamberi që e pëlqente shumë dhe më tha që duhet ta hiqnim .se kishte vërejtje nga Komiteti Partisë. Arsyeja ishte mungesa e supeve.

– Sa ekspozita ke hapur deri më sot ? Vlerësimet…?

– Kam hapur 17 ekspozita. Besoj se janë pritur shumë mirë nga artdashësit, publiku, kolegët e koleksionistët.

– A mund të jetosh sot me pikturë?

– Edhe munden disa.

Cilat janë pikturat tuaja më të vlerësuara?

-Ka patur disa, para ’90; kompozimi me : “Nënat dhe gratë që shkojnë ndihmë te partizanët” apo “Ikja e rusëve nga baza e Vlorës”. Pas viteve ’90 janë pëlqyer peizazhe me det, vjeshtat nga Korça e mjaft të tjera nga Gjirokastra.

-Cilët janë piktorët në botë që ju impresionojnë?

  1. Pintoretot për kompozimet dinamike; Goja për frymën piktorike; impresionistët për dritën dhe Plenerin, dhe ekspresionizmi për mënyrën e forcës shprehëse.

-Piktorët janë pijedashës pasi i nxit për frymëzim, cila pije është më e preferuara dhe pse?

  1. Besoj se përgjithësisht janë.Mendoj që jo shumë para punës, se sa pas saj. Atëherë pija i ndihmon të qetësojnë impulse emocionale, të mendojnë disi çfarë kanë bërë e çdo të bëjnë.

-Cilat janë problemet e piktorëve shqiptarë sot dhe cilat janë pikturat më të preferuara ato kalsike, apo abstraksioniste?

Nuk ka një treg të mirëfilltë arti të strukturuar, apo kodifikuar. E kam fjalën per mungesë menaxheri, apo galerie që me kredibilitetin e tyre të krijojnë pak a shumë statuse artistësh, kuotim vlerash. Shkohet me opinione kolegësh e deri diku të disa segmenteve me një fare asesi në këtë drejtim. Gjithsesi po krijohen disa koordinata të këtij sistemi, por të orientuar mbase në vektorin e artit postmodernist.

-Portreti, natyra e qetë, peizazhi, kompozimi, cila gjini dominon në pikturat e tua, apo më mirë në cilën gjini e gjeni më mirë veten?

Peizazhi dominon si gjini në krijimtarinë time. Aty gjendem në burimin e përhershëm të përjetimit ndjesor.

-Je penduar që je bërë piktor?

Jo aspak. Do pikturoja sikur dhe një tjetër jetë të kisha, pasi ndjej që kam e dëshiroj të bëj shumë gjëra në pikturë e me pikturën.

-Pikturat tuaja janë në vaj, kjo është teknika-boja që ju preferoni dhe pse?

Teknika e vajit të jep mundësinë të shprehesh maksimalisht në thellësi e në gjerësi. Me anë të kësaj teknike arrin të thellosh efektin fillestar emocional dhe pasurinë e dëshiruar koloristike.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok