21/11/2024

Flet “Nderi i Kombit” Reshat Arbana

0

Flet “Nderi i Kombit” Reshat Arbana: Nuk harrohen të talentuarit Pandi Stillo, Sokrat Miho, Kujtim Spahivogli, Mihallaq Luarasi, Muharrem Fejzo

Ju tregoj  regjisorët e mëdhenj shqiptarë dhe rolin e tyre në skenë dhe ekran

-Më vonë me shumë sukses debutonin regjisorët Esat Oktrova, Fatos Haxhiraj, Dhimitër Pecani, Andon Qesari dhe të tjerë si, Drita Agolli dhe Milto Zoto

– Pirro Mani ishte një mjeshtër i madh i intuitës dhe nuhatjes

– Po kështu spikati Sulejman Pitarka tek “Shënomëni dhe mua”

– Robert Ndrenika, Margarita Xhepa, Marika Kallamata, Luan Qerimi, Ahmet Pasha, Mërkur Bozgo, Roland Trebicka mbeten unikë

Nga Albert Z. ZHOLI

Regjisorët dhe roli i tyre

Arritjet dhe realizimet e dramave e komedive, vënë në skenë në Teatrin Kombëtar, pa dyshim që kanë brenda tyre përpjekjen dhe punën e madhe të regjisorëve që niste që nga zbërthimi ideoemocional e deri tek gjetja, zgjedhja e aktorëve për rolet respektive. Regjisori është për teatrin, si dirigjenti i një orkestre i cili e udhëheq orkestrën deri në imtësinë e tingullit më të hollë. Ai e ndjek, e nuhat, kur skena nuk ecën, kur skena nuk frymëzon, nuk ka grafik, nuk arrin të sjellë mesazhin që kërkohet. Regjisori e di, e vëzhgon, e udhëheq, e çon drejt figurës aktorin dhe dramën. Aktori ndërton një grafik, një diagram që e çon shfaqjen tek mesazhi dhe porositë e kërkuara nga autori.

Cilët regjisorë  do të  veçonit  nga plejada e vjetër?

Teatri ka patur regjisorë të shquar. Që nga plejada e parë me të talentuarit Pandi Stillo, Sokrat Miho, Andrea Malo, Andon Pano, Kujtim Spahivogli, Mihallaq Luarasi etj. Reshati nis punën më 1974 në teatër, ku gjen si regjisor gjeniun Pirro Mani, njëherësh edhe udhëheqës artistik i Teatrit. Me shumë sukses debutonin regjisorët Esat Oktrova, Fatos Haxhiraj, Dhimitër Pecani, Andon Qesari dhe të tjerë si, Drita Agolli dhe Milto Zoto. Ka patur fatin të punojë me të gjithë, por më shumë e kanë angazhuar Fatos Haxhiraj, Dhimitër Pecani, Qenan Toro, Drita Agolli, Esat Oktrova e Milto Zoto. Të gjithë këta regjisorë, realizuan e i dhuruan spektatorit drama të qëlluara, me karaktere e figura që mbetën në histori. Ishte vërtet kënaqësi të punonte me Pirro Manin. Pirro e angazhoi tek “Arturo UI” në rolin e prokurorit. Tek “Komunistët” rolin e  Xha Demit.

Pirro Mani ishte një mjeshtër i madh i intuitës dhe nuhatjes.

Ai e zbërthente personazhin në detaje. Intuita e tij, energjia e tij gati-gati luaneske, nervi që kishte si njeri, pamja e tij që herë- herë të ngjallte frikë por që kishte një forcë bestiale, padyshim manifestohej edhe në ndërtimin e karaktereve, por më e rëndësishmja në ecurinë, rrjedhën dhe ndërtimin e një grafiku tepër interesant të shfaqjes. Nuhatja e tij e rrallë bënte që, veprimi dramatik të ecte natyrshëm, rrjedhshëm e në moment vinte një goditje skenike, tamam kur spektatori e priste. Vërejtjet që bënte Pirro, bënin që pas çdo prove në tavolinë, aktorët të vinin në rritje të interpretimit, e të afroheshin sa më shumë karakterit, ashtu siç e kishte imagjinuar autori, dramaturgu dhe siç e ndiente Pirro dhe si e kishte imagjinuar ai. Pa diskutim, që aktori  punën e tij me ndihmën e padiskutueshme  të regjisorit e çonte atë më lart, e më tej, ose atë që autori e përshkruante me imagjinatën e tij. Në premierat e vëna në skenë nga Pirro, edhe sot tek spektatori vijnë të gjalla figurat e karakteret e stolisura me ar e filigramë, aq të hollë, aq mjeshtërorë, realizuar nga aktorët e magjishëm të kohës. Kujton dhe njëherë figurat e Arturos nga Kadriu tek “Arturo UI”, por kujton me respekt të jashtëzakonshëm, Ndrek Lucën, Prokop Mimën, Pjetër Gjokën, Luan Qerimin, Sulejman Pitarkën, Robert Ndrenikën, Violetën, Dritën, Margaritën, Antonetën, Sandër Prosin, Gjon Karma e sa e sa të tjerë që ende nuk kanë ardhur më në skenën e teatrit. Ata plotësuan një ansambël të paparë.

Të ndalemi te “Shënomëni dhe mua”

Po kështu spikati Sulejman Pitarka tek “Shënomëni dhe mua”, dramë ku interpretoi me sukses Ilia Shyti, Robert Ndrenika. Sulejmani solli një figurë të mrekullueshme. I paharruar, plot sharm e vërtetësi skenike është fiksuar tek spektatori roli i Jovan Bregut në komedinë “Pallati 176”, i realizuar plot dashuri, lirshmëri e natyrshmëri nga aktori i njohur Roland Trebicka. Ndër vite dhe sa herë do transmetohet kjo komedi, spektatori do qeshë e do reagojë me Jovanin e paharrueshëm të Rolandit. Loja dhe arti i aktorëve është një shkollë e madhe dhe duhet studiuar  në Institutin e Arteve. Aktorët e rinj duhet t’u referohen këtyre aktorëve të mrekullueshëm. Asgjë nuk nis nga hiçi, po e ka një bazë që nis nga shkolla. Eksperienca dhe interpretimi i tyre, do të jetë si një trampolinë që do i çojë përpara këta djem e vajza që i kanë hyrë një rruge të vështirë, të bukur, artit dramatik shqiptar. Çdo aktor i madh i teatrit ka sjellë diçka të veçantë me lojën e tij, diçka që e veçon e bën të jetë vetja me lojën, hirin, përshtatshmërinë, organicitetin, jetësoren. Është fatkeqësi dhe humbje për aktorin e ri nëse ai nuk njeh, nuk mëson se çfarë ka sjellë njëri apo tjetri aktor i Teatrit Kombëtar, me jetën artistike të tij, me rrugën e ndjekur, për realizimin e figurave artistike.  Edhe në dramën “Komunistët” e R. Pulahës, me shumë vërtetësi ai diti të japë, nëpërmjet aktorëve të talentuar, figura të realizuara nga Robert Ndrenika, Margarita Xhepa, Marika Kallamata, Luan Qerimi, Ahmet Pasha, Mërkur Bozgo, Roland Trebicka, etj.

Një ngjarje interesante për teatrin shqiptar ishte premiera  “Prefekti” i B. Levonjës, të cilën Pirro e rivuri në skenë.

Tashmë “Prefekti” do të vinte në interpretimin e shkëlqyer të Robert Ndrenikës, që mbetet roli më i përkryer, realizuar prej mjeshtrit të madh. Të gjithë e dinë që komedia tallet me  prefektin e Tiranës gjatë kohës së pushtimit fashist. Komedia bazohet në stereotipe. Karakteristikë e kësaj komedie është e folura në dialekt të Tiranës që është përdorur me qëllim të caktuar, për të stigmatizuar personazhet dhe ajo e folur është mjet artistik, që ndihmon figurën, pra është pjesë e humorit.  Të jetuarit e Pirros në një lagje tiranasish, me shokë tironca, kishin bërë që ai të njihte nga afër mentalitetin e tyre. Komedia “Prefekti” u shfaq e rishfaq 150 herë, a më shumë, dhe salla ishte plot e përplot. E shihje dhe ngazëlleheshe me lojën e mahnitshme të aktorëve. Pirro Mani i dhuroi spektatorit premiera që lanë gjurmë të pashlyeshme te spektatori shqiptar, dhe ai patjetër që zë vend në panteonin e artistëve më të mirë shqiptarë. Pirro, si shumë shqiptarë të tjerë, me nisjen e demokracisë u vendos me familjen e tij në Amerikë, kur mund t’i jepte më shumë skenës, teatrit, me eksperiencën e talentin e tij të afirmuar. Por Pirro mbetet një shkollë për shumë regjisorë të rinj, që e patën pikë referimi, si Taqo Pecani, Fatos Haxhiraj, Andon Qesari, Alfred Bualioti, e të tjerë.

“Gjëmimi i atij dimri”

Dhimtër Pecani vuri në skenë “Gjëmimi i atij dimri”, i T. Laços, “Përballë vetes” i R. Pulahës e të tjera pjesë.  Ai ishte  komunikues, kërkues në punën e aktorit. Kështu premierat dilnin me sukses dhe ndiqeshin me shumë kërshëri. Veçon nga punët e tij dramën e Ruzhdi Pulahës “Përballë vetes”, një dramë në të cilën lëviznin e vepronin karaktere të veçanta dhe të qëndisura nga autori dhe të materializuara  bukur dhe me dashuri aq të madhe, deri në detajet më të holla.  Reshati në këtë dramë interpretonte rolin e Delo Sinanit. Një kryetar kooperative, njeri i ndershëm, kërkues, i papajtueshëm me dredhitë dhe në indiferencën e njerëzve, për punën dhe hallet e fshatit. Por ai ishte njeri pa shkollë që jeta e kishte lënë prapa dhe shkenca ecte përpara dhe drejtimi dhe organizimi  punës i kërkuan të tjera elemente të domosdoshme. Me këtë rol  Reshati fiton çmimin e parë, në një festival të dramës që zhvillohej në rang kombëtar. Për këtë rol Reshati shprehet: “Rolin e Delo Sinanit e kam të zemrës. Nuk e di, po këtë figurë e ndiej shumë pranë, brenda vetes që në kontaktin e parë që e kam lexuar këtë dramë. Këtë rol që e vendos në rolet e mia më të realizuara, e kam dashur shumë.  E ndjeva që më erdhi pranë dhe i thashë vetes “Ky rol është i imi! Dashuria ndaj rolit, puna e madhe me ndihmën e regjisorit dhe partnerët që më ndihmuan, bëri që të vinte në skenë  një Delo Sinan i vërtetë. Një shqiptar i ndershëm, kërkues llogarie deri në gjërat më të vogla, njeriu që i dhimbsej prona e popullit. Ishte një njeri që i donte njerëzit, shpesh në mënyrën e tij nevrike, të sertë, i drejtë, i papajtueshëm me të keqen dhe me hileqarët. E ndiente që arsimimi i tij kishte mbetur pak prapa, por ai vepronte me gjithë fuqinë dhe ndershmërinë e shpirtit. Ndonjëherë merrte kot dhe nuk shihte me sy kur vërente shkelje në jetën e fshatit dhe vepronte.” Sigurisht që Reshati ndien keqardhje që kjo dramë  është regjistruar në mënyrë vizive dhe nuk e kupton pse nuk transmetohet në televizion. Ruzhdiu i kishte thënë, se këtë figurë e kish shkruar, duke patur parasysh figurën, sjelljen, korrektësinë e Reshatit…Kjo gjë i kish pëlqyer, dhe e besoi Ruzhdiun, sepse ai këtë gjë e ndiente, në çdo detaj e sjellje të Delos.

Shumë interesant ishte dhe bashkëpunimi me regjisorin  Fatos Haxhiraj.

Fatosi ishte shumë i veçantë, i hollë, nuhatës dhe orientues e drejtues që me shumë zgjuarsi të çonte drejt figurës. Mban mend një rol në një komedi të R. Pulahës “I harruari”. Ishte roli i parë i tij në një komedi dhe i dukej sikur nuk e gjente veten lehtë dhe ndjeu një përgjegjësi shumë të madhe kur i besuan këtë rol.  -Ku ma gjete mua këtë more Fatos? A jam unë për komedi?

-E kam menduar mirë, ja do shohësh. Komedia të bën për të qeshur, jo vetëm me personazhe që  përpiqen të bëjnë humor. Ti sillu seriozisht, jetoje seriozisht dhe do shohësh. E rëndësishme është të jesh serioz, të vlerësosh drejt situatat dhe ngjarjet e komedisë dhe humori vjen vetë.

Fatosi kishte të drejtë. Këtë gjë e tregoi premiera. Çudi e madhe iu duk mënyra se si e priti spektatori. Dhe puna më e shkëlqyer dhe më e rëndësishme  e Fatosit ka qenë në dramën “Vdekja e një komisioneri”. Aty, tregoi se ishte një regjisor me të dhëna të veçanta, me fantazi, plot botë e nuhatje regjisoriale. Figurën e Uill Lomenit, e mban mend si një ndër arritjet e tij më të mira të tij. Ish një punë dhe luftë e përbashkët për të arritur figurën. Uill Lomeni, për Reshatin është roli që renditet ndër gjashtë – shtatë figurat e krijuara në teatër që mbeten si arritjet e tij më të mira. “Uilli më ka lodhur shumë, aq shumë sa kur mbaroja shfaqjen, nuk isha vetja, njësoj si te “Lumi i vdekur” në rolin e Pilos. Edhe jetoja, edhe ecja rrugës për në shtëpi si Uill Lomeni. Drama e madhe që kishte jetuar në jetë Uilli, nuk e linte asnjë minutë të qetë, e ndiqte pas. Burrë fisnik, prind i mirë, por ja që një ditë jeta e shtyn në një hulli të papritur, të paimagjinueshme. Thyhet, para një tundimi, që nuk ia fali kurrë vetes. Një ditë tek ndodhej në një qytet, ku flinte në një hotel i qepet pas një femër dhe e shtyn drejt mëkatit, që do e zbulonte dhe i biri dhe kjo ngjarje e tronditi fort. Dhimbja u bë e madhe, vuajtja e padurueshme. Tradhtia që i kish bërë të shoqes që e donte shumë, nuk e linte të qetë, deri sa një ditë e shtyn veten drejt humbjes së jetës, me pishmanllëkun e madh që nuk pati guximin t’ia thotë kurrë gruas së tij të mrekullueshme”. Ishte ky një rol që pati fatin e madh ta interpretonte si aktor dhe që duhet të jetë një rol që duhet ta luaj çdo aktor kalibri në karrierën e tij. Dramaturgu Artur Miler me këtë dramë ka treguar se është një gur i rëndë themeli në plejadën e dramaturgëve të mëdhenj.

Regjisorët e asaj kohe nuk vunë në skenë pjesë “moderne”, por komunikuan me sukses me spektatorin shqiptar me dramat realiste. Spektatori shqiptar është i prirur drejt të natyrshmes, reales. Ai kërkon jetën e ngritur në art, vërtetë sa më jetësore, sa më të besueshme e të konceptueshme. Duhen vënë në skenë dhe pjesë alternative. Pjesë të teatrit modern. Në një vit nëse realizohen pesë gjashtë premiera, një prej tyre mund t’i përkasë llojit alternativ. Po ai është i sigurt se asnjë lloj alternativ nuk mund të krahasohet me teatrin klasik dhe me komedinë realiste. Figura e regjisorit në një shfaqje teatrale është kruçiale. Dhe të mendosh që figura e regjisorit në një shfaqje teatrale në botë u shfaq vetëm në fillimet e shekullit të kaluar. Ishte i pari kompozitori i famshëm Ëagner që e solli këtë profesion të panjohur më parë. Ai i pari zbuloi që spektatori duhet të ishte pjesë e skenës. Dhe në kaq pak kohë, me asnjë prejardhje të lavdishme, regjisorët shqiptarë prekën majat me punën dhe përkushtimin e tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok