21/12/2024

Flet “Nderi i Kombit”, Bujar Kapexhiu: -Në Festivalin e 11-të na udhëzuan ta bënim Festival modern, pastaj na dënuan

0
Bujar-Kapexhiu

Flokët më kanë rënë në sheshet e xhirimeve dhe në studiot televizive.

-Edi Luarasi ishte një prezantuese moderne dhe një artiste e madhe.

-Edi Luarasi ja hoqi me forcë xhaketën Bashkim Alibalit para se të dilte në skenë.

-Në kombinatin “Jordan Misja” ku shkova si i dënuar nuk harroj respektin e madh të të gjithë punëtorëve.

-Estrada e Tiranës ishte një institucion i rrallë i humorit shqiptar.

Nga Albert Z. ZHOLI

Ai mbushi 80-vjeç, por është tepër energjik dhe prodhimtar. Takimi i djeshëm ishte i veçantë pasi ishim të ftuar në një emision special mbi krijimtarinë e këngëtarit të talentuar Bashkim Alibali. Biseda ishte e shkurtër para fillimit të emisionit, por që foli shumë puna e tij. Kapexhiu studioi për aktor në shkollën e lartë pranë Teatrit Kombëtar, si edhe kursin e lartë pasuniversitar për regjisor po aty. Më 1968 filloi punë si regjisor në Teatrin e Estradës së Tiranës ku shkroi shumë skeçe, parodi, kuplete si edhe u mor me karikaturë për organet e shtypit. Pas një periudhe 2 vjeçare largimi nga Tirana, për shkak të “shfaqjeve liberale dhe moderniste” në Festivalin e 11 të Këngës në RTSH ku ishte autor teksti dhe konferencier, u rikthye më 1975 si regjisor dhe piktor në sektorin e sapo ngritur të filmit vizatimor pranë Kinostudios “Shqipëria e re”. Filmi “Zhgarravinat” (1977) ku Kapexhiu krijoi vizatimet, skenarin dhe regjinë u vlerësua me çmimin e Parë të Festivalit të III-të të filmit Ballkanik të organizuar në Stamboll, Turqi, 1979 ; me Kupën e Festivalit të III të Filmit Shqiptar, 21-28 prill 1979 si dhe me çmim në Napoli të Italisë në 1984. Deri në vitin 1985 xhiroi rreth 20 filma vizatimorë në shumicën e të cilëve është skenarist ose bashkëskenarist, regjisor dhe piktor ; mes tyre spikat edhe Pipiruku, personazhi i dashur për fëmijët i ndërtuar prej tij. “Pipiruku pret 2 miq” u vlerësua me çmim të dytë në Festivalin e VI të filmit dokumentar e vizatimor. Pas vitit ’85 iu përkushtua zhanrit të kinokomedisë duke u shquar për individualitetin e spikatur. Në një kohë mjaft të shkurtër xhiroi katër filma artistikë : “Dy herë mat”, 1986, “Tela për violinë”, 1987, “Stolat në park”, 1988, “Edhe ashtu, edhe kështu”, 1989.

 Mbushët 80-vjeç, por dukeni shumë i ri, energjik dhe me një memorie perfekte. Vetë ju si ndiheni në këtë 80-vjetor?

–   (Qesh) Si ndihem? Fare mirë mes shokësh mes miqsh mes këtij spektakli apo emisioni special për mikun tim Bashkim Alibali. Për më tej kohën e kam mbushur me karikatura, libra, promovime dhe aktivitete shoqatash. Pra me një fjalë nuk kam kohë të lirë. Nuk më lë jeta të qëndroj dhe të plakem. Ku ke miq të mirë dhe ide për të punuar mosha të largohet nga trupi. Pa punë gjithçka do të ishte e plogësht dhe pa tharm.

  Sot jemi mbledhur për Bashkim Alibalin. Kur e keni njohur Bashkimin? Çfarë kujtimesh keni me të?

Me Bashkimin jam njohur shumë vite më parë kur ai ishte një djalosh i ri simpatik. Ishte një djalë energjik, me zë të bukur që kishte ambicie në jetë. Mendoj se takimin e parë e kam bërë në festivalin e dhjetë të RTSH. Festivali i 10-të u zhvillua nga data 24 deri 26.12.1971. U prezantua nga aktorët Edi Luarasi dhe Viktor Zhusti. Bshkimi u paraqit me këngën “Qyteti punëtor” me muzikë të Alfons Balliçi. Por më mirë e njoha në Festivalin e 11. Festivalin më shumë të diskutuar në të gjithë historinë e Festivaleve shqiptare. Festivali i 11-të i Këngës në RTSH u zhvillua më 22 dhe 25 dhjetor të vitit 1972 në Tiranë. Prezantues ishim unë dhe  Edi Luarasi.  Në këtë Festival Bashkimi u paraqit me këngën “Mbrëmja e fundit” me muzikë dhe tekst të Enver Shëngjergjit.

-Në këtë Festifal të çuditshëm, çfarë  të veçantash mban nga takimet me Bashkim Alibalin?

-Ky Festival filloi me shumë zhurmë.  Me urdhër nga lart na udhëzuan që Festivali do të bëhej ndryshe nga të tjerët, pra do të bëhëj një Festival modern. Edhe ne u befasuam. Kur më thahë do të jesh prezantues edhe u habita paksa. Nejse! Orientimi ishte se veshja nuk do ishte standarte, do ishte moderne. Edhe lëvizjet skenike nuk do ishin shumë të kufizuara. Unë pata shansin që të isha me aktoren dhe njeriun e shkëlqyer Edi Luarasi. Regjisor i festivalit ishte Mihal Luarasi, bashkëshorti i Edit. Mihali ishte një regjisor i shkëlqyer dhe me shumë intuit. Kishte një vizion perëndimor për regjinë që në atë kohë. Pra duke na udhëzuar se do të kishim paksa ; liri në krahasim me festivalet e mëparshme ishte një lehtësim në punë. Edhe veshjet tona u ideuan ndryshe. Gjatë provave kisha takuar disa herë Bashkimin. Ditën e Festivalit Bashkimi na vjen me një kostum klasik të bukur, por shumë klasik, Veshje diplomatike se sa skenike. Me jelek dhe me kollare. Sa e pamë ne i thamë jo me këtë veshje. Çuditërisht të gjithë ishim me veshje ndryshe. Gjithmonë në skenë Bashkimi vishej shumë bukur, edhe këtë radhë kishte një kostum të ri shik. Por kishim të tjera orientime. I thamë hiqe këtë kostum. Duhet të dalësh më modern. Jo thoshte Bashkimi nuk e heq, e kam bërë të ri. Vazhduam disa debate. Lerma mua këtë punë tha Edi. Ju afru Bashkimit dhe me forcë ja hoqi Bashkimit xhaketën. Ne u habitëm me forcën dhe këmbënguljen e saj. Kështu Bashkimi doli në skenë me jelek dhe me kollare. Por më e keqja me Bashkimin ishte kur shkoi në shtëpi. E pyet babanë si dola? Babai rrinte i mërzitur. Si si dole? Ti e di si dole. A të bëmë ksotum të ri? Ku e kishe xhaketën. Me ksotum do dukeshe më i bukuri aty. Ke mend apo jo? Si e hoqe xhaketën? Kur na e tha Bashkimi ja plasëm të qeshurave.

  Pra kjo ishte një situatë shumë interesante me Bashkimin, besoj të kësaj natyre nuk ke pasur më me të?

–  Me bashkimin jemi miq të afërm. Kam shumë ngjarje dhe rrëfenja për të. Por  dua të theksoj së dyti se në recitalin e tij të parë në vitin 1985 unë kam qënë ideatori i postereit të Koncertit Recitalit të tij. Ndoshta ishte i pari Konvert Recital në Shqipëri. Një recital që u dha për herë të parë në Tiranë në sallën e Estradës ku salla për mëse 30 shfaqje ishte gjithmonë e mbushur plot. Pastaj me këtë Recital Bashkimi vazhdoi në Vlorë, Fier, Elbasan dhe Tropojë.

-Pra me Edi Luarasin keni drejtuar Festivalin më të rëndësishëm në historinë e Festivaleve shqiptare? Cili është mendimi juaj për Edi Luarasin?

Kur kam marrë vesh lajmin e largimit në përjetësi të Edit jam ndjerë keq. Edi ka qenë një intelektuale e përkryer, një aktore e  rrallë, një njeri me shpirt të madh, një artiste e plotësuar. Për mua ajo mbetet një nga aktoret më të shquara që koha po e lartëson, sepse ka lënë gjurmë të thella në ekran dhe në teatër. Kur iku në përjetësi kam thënë se: “Nga qielli i artit shqiptar, u shkëput ylli më i ndritshëm, për të bërë dritë në parajsë. Jam i sigurt se shumë dhimbje kanë për miqtë e kolegët e saj, por edhe spektatorët. Me atë që ajo ka lënë ajo do mbetet e paharruar për të gjithë. Kemi qenë të dy bashkë dhe për duartrokitjet, ovacionet, suksesin, por edhe të tjerat gjëra që pësuam nga regjim”. Në festivalin e 11 ka qenë një bashkëpunim shumë i ngushtë dhe shumë i bukur. Artiste si Edi që kaloi aq shumë vuajtje, aq shumë vështirësi dhe prap me kokën lart rrallë mund t’i vijnë skenës shqiptare. Për mua mbetet e veçantë.

– Pra ju dhe Edi pas festivalit të 11-të, ju larguan nga arti, nga skena. Si i kujton ato kohë?

Ishin kohë të vështira. Edi e pësoi më shumë se unë pasi u dënua bashkë me të shoqin. U dënuan dy artistë të mëdhenj. Pra disa muaj pas Festivalit erdhi dhe dënimi. Zot i amdh. Orientimi i tillë ishte që të bëhej Festival modern, por më pas u dënua për këto direktiva që vetë i kishin dhënë. Kur nuk e prisja u dënova me motivacion se “Paraqita si moderator para popullit një festival që përhapte kulturën borgjeze, kulturën perëndimore, që binte ndesh me parimet dhe mësimet e partisë dhe të shokut Enver Hoxha”. Në atë kohë isha regjisor në Estradën e Tiranës ku ishim në kulmin e sukseseve. Dhe ja një ditë e lashë punën e regjisorit dhe përfundova punëtor në kombinatin “Josif Pashko”. Pra punëtor krahu.  Jeta m’u duk sikur m’u mbyll me dryn të zi. Punëtorët më shihnin dhe më flisnin me respect, por unë nuk dija çfarë të thoja. Eh, ishin momente që nuk dua t’i kujtoj, por që nga ana tjetër më bëri mirë se njoha më shumë hallet e njerëzve, njoha më shumë problemet dhe shqetësimet. Njoha më shumë si ishte ndërtuar sistemi që më ndihmuan në krijimtarinë dhe punën time sot e kësaj dite.

-Sa kohë ndenje në prodhim? Pra ky ishte dënimi kohës në prodhim me klasën punëtore?

Po! Ky ishte dënimi. Unë  për 3 vite punova në kombinatin “Josif Pashko”. Them shyqyr o zot që i shpëtova burgut pasi shumë shokë të mi u dënuan. Por mendoj se isha dhe një njeri me fat pasi kisha një opinion të mirë në kolektiv, në shoqëri dhe në jetë. Vlerësimet e të gjithëve e lehtësuan dënimin tim. Shikoja se të gjithë puntorët mundoheshin të më jepnin ndihmë, të më qëndronin pranë që të hiqja mërzinë dhe të mos ndihesha si i dënuar. Mos harroni se puna ishte e vështirë. Punoja në linjën ku prodhoheshin tubat e betonit. Një punë që donte forcë fizike dhe falë asaj që unë miresha me sport, nuk kisha vështirësi fizike. Më vonë kalova në fabrikën e çimentos që ishte më keq. Tym kudo. Nuk më hiqet nga mendja kur hanim bukë mes tymit. Por me ata njerëz kalonte gjithçka. I kujtoj të gjithë me respekt. Ishin njerëz të rrallë që m’u ndodhën afër në një situatë të vështirë. At’here dënime të tilla ndikonin në familje ndoshta dhe në fis, për shkak të opinionit të mirë dhe fatit.

-Ku për 6 vjet keni qenë regjisor i Estradës së Tiranës. Si e kujtoni Estradën?

Estrada e Tiranës ishte  koha nga më të bukurat në jetën time. Unë punova nga viti 1967 deri në vitin 1973 dhe aty gjeta një staf të talentuarish. Ndër vite në atë estradë kanë kaluar aktorët dhe këngëtarët nga më të mëdhenjtë e Shqipërisë. Disa nga artistët më të njohur, të cilët u angazhuan me pjesëmarrje aktive në trupën e estradës së Tiranës ishin: Ramazan ZyberiMelpomeni ÇobaniEnver DautiAna KçiraLin NdokaTonin KonçiSkënder SallakuVitore SallakuSkënder PlasariXhemal MyftiuAnita TakeAleksandër LaloKoço DevoleAgim BajkoVeli RadaLuan ZheguXhevahir ZeneliIrma LibohovaBujar KapexhiuMarjana KondiMet BegaVasillaq VangjeliVegim XhaniRita LatiArben ShakaPavlina NikaLiljana KondakçiuKozma DushiEma Qazimi. Mbaj mend frymën e kolektivitetit, punën e palodhur. Nuk kishte ndodhur kurrë që salla të mos mbushej plot kur kishim shfaqje. Ne jepim shfaqje 6 ditë në javë dhe të hënën bënim pushim. Mbaj mend se në Estradë futa për herë të parë dhe karikaturat. Pra bëra apo solla një risi në këtë skenë të humorit që sot i mungon Tiranës.

  Si ishin marrëdhëniet e tua me Skënder Sallakun dhe Arben Shakën?

–  Të dy ata ishin aktor të mëdhenj. Sollën vetëm kënaqësi në skenat ku dhanë shfaqje.

Të dy këta humoristë gjithë jetën qeshën vetë, por mbi të gjitha me gjithë zemër na kanë bërë dhe ne të qeshim, pasi ky ishte misioni i tyre, i karrierës së tyre. Ne të afërmit që i takonim çdo ditë, i kujtojmë si gjithmonë me respekt pasi ata në çdo takim vetëm shaka dhe, humor na falnin. Njeriu mund të harrojë në jetë atë me të cilin ka qeshur, por nuk mund të harrojë atë me të cilin ka qarë. E qarë, do të thotë lot. Pra dhe ne nuk mund ta harrojmë Skënderin dhe Shakën pasi me të kemi qeshur me lot. Këtë na kanë sjellë ata në jetë. Skënderi psh ishte kthyer në simbolin e buzëqeshjes, në simbolin e së qeshurës.

Festivali i 11-të në RTSH

Festivali i 11-të i Këngës në RTSH u zhvillua më 22 dhe 25 dhjetor të vitit 1972 në Tiranë. Ky festival u dënua nga udhëheqësi i asokohshëm i Shqipërisë si një festival që përhapte kulturën borgjeze (diçka e shpallur në kundërshtim me parimet shtetërore) perëndimore dhe shumë nga organizatorët dhe pjesëmarrësit u dënuan me burgime të gjata. Regjisor i festivalit ishte Mihal Luarasi. Prezantues ishin Edi Luarasi dhe Bujar Kapexhiu. Kënga fituese “Kur vjen pranvera” kënduar nga Tonin Tërshana. Këngëtarët që kënduan në Festivalin e 11 të Këngës në RTSH ishin:

Kompleksi i Elbasanit këndoi këngën “Rruga e Dibrës”

Juria e kryeqytetit ishte ajo që përmbysi rezultatin e votimit, në përfundim të natës finale, duke i dhënë çmimin fitues këngës “Kur vjen pranvera”. Në dimrin komunist të viteve ’72 besohej për një “Pranverë” në jetën e shoqërise shqiptare. Nuk është aspak e rastit përse fitoi kjo kënge: anëtarë të jurisë së kryeqytetit ishin studentet e vitit të fundit të inxhinierisë elektrike. Në këtë festival këngët u kënduan vetëm nga një këngëtar, nuk u përsëritën. Gjithashtu u dha vetëm një çmim i parë, njw i dytë dhe një i tretë.

Titujt

Kapexhiu mban titujt: “Artist i merituar”, “Profesor” dhe Mjeshtër i Madh i Punës”.

Presidenti i Republikës i akordoi dt. 17/12/2015, nr. dekreti 9363 zotit Bujar Kapexhiu Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” me motivacionin: “Në vlerësim të arritjeve të spikatura në fushën e regjisurës, karikaturës e të interpretimeve të paharrueshme kinematografike, të cilat kanë karakterizuar veprimtarinë e tij profesionale të shumanshme artistike si dhe për vlerat e çmuara në edukimin, formimin dhe përgatitjen e disa brezave artistësh të rinj”.

Më 22 Mars, 2019, në ceremoninë e çeljes së ekspozitës “Ndërkombëtarët” në ambientet e Universitetit Europian të Tiranës, mjeshtri Bujar Kapexhiu është nderuar me dekoratën “Nderi i Kombit”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok