Flet “Mjeshtri i Madh” Bashkim Alibali: Pandemia na largoi nga aktiviteti dhe nga shoqëria

0

-Po punoj për freskimin e këngëve të luftës dhe atyre patriotike

-Si këndonim, serenata me Tonin Tërshanën nën dritaret e konviktit të shkollës pedagogjike

-Si na hodhën një kovë me ujë në kokë vajzat e shkollës pedagogjike

-Në moshën 17 –vjeçare, mora pjesë në Festivalin e Këngës së qytetit të Shkodrës

Nga Albert Z. ZHOLI

Pandemia ka lënë gjurmë te çdo këngëtar. Për mëse 15 muaj asnjë aktivitet që solli dhe  një qetësi në koncerte, dasma, festivale. Kënga humbi shumë këto vite. Por tre vjetë më parë  këngëtari i talentuar Bashkim Alibali mori titullin e ëndërruar nga çdo këngëtar “Mjeshtër i Madh”. Ndërsa po një çmim inkurajues ai e mori para disa ditësh nga Fondacioni “Harpa”. Bashkim Alibali një nga këngëtarët më në zë shqiptar. Lindur në Tiranë dhe rritur në Shkodër, ai ka një jetë interesante, mbushur me ngjarje, ku pasioni dhe këmbëngulja i kanë dhënë një vend të nderuar në radhët e këngëtarëve më të shquar shqiptarë. I qeshur dhe plot humor, ai ka ditur të ngrihet mbi çdo barrierë të kohës, ku magjia e zërit ka qenë çelësi i sukseseve në jetë. Si shumë këngëtarë bashkëkohës Festivali i 11-të e mënjanoi nga skena, por jo nga dëshira për këngën. Në biseda shokët shpesh e ngacmojnë për rigorozitetin e tij në veshje dhe pamje. Është ndoshta i vetmi këngëtar shqiptar, që nuk ka dalë asnjëherë nga shtëpia pa i hequr një brisk faqeve. Miqtë e tij janë kompozitorët, këngëtarët, autorët e teksteve me të cilët diskuton gjerësisht për këngën, huazimet dhe rolin dhe pozicionin që ajo duhet të ketë në kulturën dhe shoqërinë e sotme shqiptare. Deformimet e këngës shqiptare për të janë shembull i keq që denigrojnë shtratin më të ngrohtë dhe më të sinqertë të kulturës së mirëfilltë shqiptare. I qeshur, i qetë, jetën e përkufizon si një udhëtim, ku njeriu duhet të punojë për të gjetur vetveten, duke respektuar vlerat dhe shmangur të kundërtat.

Pandemia, si ka ndikuar te kënga? Po te Bashkimi?

Si ka ndikuar? Si mos më keq? E mendon këngëtarin të rri në shtëpi? Ja fol dhe shkruaj. Këngëtari do koncerte, festivale, sheshe me podiume kënge, do salla që gumëzhijnë. Jeta pa këngë është e zbrazët. Sidomos muajt e parë të mbylljes ishte tmerr, ishte diçka e paimagjinuar. Mbyllur në shtëpi, ku secili mbyllej në vetvete se çfarë do ndodhte të nesërmen. Nëse Pandemia ndikoi kudo tek kënga, muzika ndikoi shumë. As dasma nuk u bënë. Këngëtarët ishin si në burg.

-Një nga miqtë tuaj më befasoi kur më tha se po punoni për sjelljen në kohë  të këngëve patriotke dhe atyre të luftës?

E vërtetë. Ka kohë që po punoj për këtë gjë. Kam kohë që po gjej të gjitha këngët e bukura patriotike deh atyre të luftës për ti sjellë të freskëta, më orekstrim të ri dhe frymë të re. Gjithmonë i kam dashur këto këngë pasi më frymëzojnë dhe më ngrenë moralin. Patriottët shqiptarë në shekuj kanë luftuar për atdheun, kanë dhënë jetën për të ashtu sikundër lufta nacional-çlirimtare mbetet një luftë unike që bota përparimtare e respekton. Këto këngë janë  pjesë e historisë së Shqiëprisë ndaj duhet të respektohen dhe të vlerësohën nëçdo situatë.

Dy vite më parë pra disa muaj para Pandemisë ju morët titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”?

Ky titull erdhi në një moment kur unë kisha disa angazhime dhe më dha më shumë forcë, energji dhe më rriti kërkesat ndaj vetes. Pas atij momenti po shikoj më larg dhe me gjakftohtësi objektivat e mia. Tashmë duhet më shumë kujdes, më shumë punë, më shumë rendiment, më shumë art, pasi mban në gjoks një titull që të vesh me përgjegjësi. Sot titujt nuk duhen parë vetëm si vlerësim, por dhe si një përgjegjësi atdhetare dhe profesionale, Falënderoj shumë Presidentin e Republikës z. Ilir Meta, që më dha këtë titull të madh, që sipas shumë miqve të mi duhej ta kisha marrë më parë. Por asgjë nuk gjykohet ose paragjykohet, kryesore është që vjen koha dhe drejtuesit e shtetit dinë të vlerësojnë me objektivitet.

-Pas këtij titulli ju morët dhe një çmim nga Fondacioni “Harpa”?

Po ishte një tjetër vlerësim që ka dhe ai peshën e vet. Këngëtari duhet të jetë si vera që sa më shumë kalon koha, sa më i vjetër në moshë aq më i ëmbël, aq më i besueshëm, aq më i respektueshëm duhet të bëhet.

-Një jetë në skenë. Nëse hedhim vështrimin në kohë si u lidh Bashkimi me këngën në fëmijërinë e tij??
Edhe unë kur jam vetëm shpesh herë e hedh vështrimin në vitet e fëmijërisë. Kam një jetë shumë-shumë interesante. Kam lindur në Tiranë në maternitetin e Tiranës në fund të rrugës “Zogu i Parë”, (qesh), por në moshën tre vjeç kemi shkuar familjarisht në Shkodër. Në qytetin interesant (Shkodër), banoja në rrugën e Murgeshave (emër i vjetër). Në këtë rrugë kam shumë kujtime, kam rininë time, kam lidhjet e mia miqësore, në këtë rrugë kam filluar të këndoj me shokun tim të vegjëlisë Tonin Tërshana, si hobi për qejf. Këndonim serenata nën dritaret e konviktit të shkollës pedagogjike. Jo se Shkodra nuk kishte dhe nuk ka vajza të bukura, por atëherë ne e shihnim si argëtim shkuarjen pranë këtyre konvikteve duke kënduar për natë. Dhe një natë si shpërblim mora një kovë me ujë. Ishte një dush i ftohtë që më bëri mirë. Edhe qesha, por edhe korrigjova shënjestrën. Ndoshta vajzat kishin të drejtë të mos i shqetësoja.
-Pas kësaj kove nodshta rritët përgjegjësinë për tu bërë një këngëtarë i mbarë dhe me emër?

(Ahahhaaah). Mbase! Këngëtari nuk vjen rastësisht pa një përkrahës apo udhëzues. Dua të theksoj një emër, i cili më zbuloi si talent dhe më çoi drejt kësaj rruge të bukur. Nuk e besoja se do shkoja drejt kësaj rruge. Një natë, duke kënduar jashtë shtëpisë një serenatë, më dëgjon një komshiu im. Ai më afrohet dhe më thotë, se ti ke zë të bukur dhe duhet të këndosh në skenë. Nuk duhet humbur ky zë vetëm rrugëve dhe netëve për serenata. Ai më çon tek Pallati i Kulturës së qytetit të Shkodrës për të bërë provë. Nuk e mora me shumë kënaqësi. Isha me mëdyshje. Drejtuesit e Pallatit të Kulturës më thanë se çfarë dija të këndoja? Unë atëherë nuk dija asnjë këngë të saktë shqiptare. Këndoja vetëm këngë italiane. Kështu u thashë edhe drejtuesve të Pallatit të Kulturës, që dija të këndoja vetëm këngë italiane. Këndo ç’të duash më thanë ata. E pëlqyen zërin tim. Më aprovuan të marr pjesë në Festivalin e Këngës së qytetit të Shkodrës. Tek ai që më zbuloi doja të ndalesha pak më shumë. Ishte një njeri i talentuar, një njeri i mirë, një njeri që thuajse ka zbuluar 80% të të gjithë këngëtarëve dhe artistëve shkodranë. Ai quhej Nard Bushati (Leonard Bushati). Ai ishte përgjegjës tek Shtëpia e Kulturës “Heronjtë e Vigut”. Ai kishte një veçori, që nuk e kanë sot njerëzit. I zbulonte talentet dhe i detyronte të hipnin në skenë, i detyronte të shkonin të këndonin. Ne shumë këngëtarë dhe artistë shkodranë i detyrohemi shumë këtij njeriu. Ai na hapi rrugën e skenës me thjeshtësi, me dashuri, me përgjegjësi, me korrektësi. Por gjithmonë njerëz të tillë rrinë në heshtje. Ata nuk dalin të kërkojnë lavde dhe, detyrimisht, njerëz të tillë të punës humbasin, kalojnë në një harresë që s’e meritojnë. Kështu ishte dhe Nard Bushati, njeri i heshtur me punë shumë të madhe.

-Shkodra djepi i këngës…. Pra Shkodra ju hapi dyert e skenës në moshën 17 –vjeçare, pra në këtë moshë morët pjesë në Festivalin e Këngës së qytetit të Shkodrës?
Me Shkodrën kam lidhur çdo sukses. Ky qytet magjik nuk më kuresu asgjë. Isha qime pa dirsur,isha thuajse i njomë kur Shkodra më afroi në gjirin e kënëgs. Në këtë moshë skuqesha nga çdo emocion. Dola në skenë. Pra, ishte dalja ime e parë në skenë me një publik të gjerë. Ishte një moment emocionues. Këndova një këngë për elektrifikimin. Në atë kohë lëvizja artistike kulturore në qytetin e Shkodrës ishte shumë e gjallë. Ka pasur shumë aktivitete sidomos amatore. Jo vetëm Pallati i Kulturës, por ka pasur shumë ndërmarrje që organizonin estrada, festivale apo aktivitete të tjera. Unë kam punuar në fabrikën e telave të Shkodrës. Në këto aktivitete kam njohur Eduart Jubanin, Violeta Zefin, Xhorxh Vasian e shumë të tjerë. Fabrika e cigareve ka pasur Gëzim Krujën. Kanë qenë dhe grupet amatore të NSHN, uzinës “Drini”. Të gjitha këto ndërmarrje kanë pasur aktivitete të tilla prestigjioze që konkurronin dhe trupat profesioniste. Pak më vonë fillova të aktivizohem me trupën e qytetit të Shkodrës. Ishte viti 1969. Në këtë kohë u aktivizova dhe më trupën e Estradës profesioniste të qytetit. Futja ime në këtë trupë përkon me ardhjen në Tiranë me një aktivitet. Kënga e parë që kam kënduar në Tiranë në sallën e Estradës së kryeqytetit ka qenë “Mes jush”.

Festivalet e RTSH në atë kohë mbeten magjikë. Kur është ngjitur në skenën e këtij Festivali Bashkim Alibali?
Kjo është e vërtetë absolute. Ato festivale për nga kërkesa e llogarisë, të kënduarit drejtpërdrejtë, për nga konkurrenca e ndershme nuk vijnë më. Jam ngjitur në festivalin e dhjetë. Me këngën “Stacioni i dashur”. Po ç’ndodhi?! Para provave të përgjithshme ma hoqën këngën për interpretim ekstravagant, mbasi unë bëj disa lëvizje. Jo se i bëja me qëllim, por instinktivisht, pasi ndIeja këngën. Mora rrugën për në Shkodër. Ishte Alfons Balliçi pastaj që bëri përpjekje të tjera që të kthehesha dhe të ngjitesha në skenë. Atëherë më dhanë një këngë tjetër “Qyteti punëtor”. U ngazëlleva. Ishte një moment i veçantë. E kalova me sukses. Nuk ishte e lehtë të merrje pjesë në një Festival të tillë në atë kohë. Kishte shumë kërkesa nga ana profesionale.

Si i kujtoni emocionet e Festivalit të dhjetë në RTSH?
Atëherë e kujtoj si sot se kam ndjerë dy palë emocionesh. Emocioni më i vështirë, kur më hoqën këngën nga konkurrimi. M’u duk vetja si në një shkretëtirë. Sikur nuk do të ngjitesha më në skenën e festivaleve të RTSH-së. Pasi nuk kishte arsye. Unë përçoja në skenë (paraprovat) ato lëvizje që bëja kur këndoja serenatat poshtë konviktit të vajzave. Pjesa e dytë kishte të bënte me ngjitjen në skenë. Moment magjik. Po realizohej ëndrra ime më e madhe. Ëndrra që këngëtarët e asaj kohe e kishin në çdo hap të jetës. Në fillim më dridheshin gjunjët. Më dukej sikur nuk do të më dilte zëri. Kur hyra në skenë më dukej se të pranishmit më shihnin me mosbesim. Këmbët filluan të më dridheshin. Më dukej se zëri nuk do të më dilte. Kur filloi muzika magjia e saj sikur më zgjoi. Ai ishte lajmërimi që duhej të kontrolloja veten. Në fytyrë më erdhi një buzëqeshje e brendshme. E mblodha veten. Muzika hyrëse po më rregullonte gjithë atmosferën e brendshme. Kur erdhi momenti të filloja, emocionet i kisha flakur. Zëri erdhi i plotë, i qartë, i pastër, ashtu si e doja unë.

Po le të ndalemi te i shumëdiskutuari Festivali 11-të, i cili shkaktoi furtunë dhe bujë. Si ishte Bashkim Alibali në raport me të?
Ashtu mbetet plot bujë, plot enigma, plot diskutime, Mora pjesë me një kompozim interesant për studentët. “Mbrëmja e fundit” titullohej kënga. Pra, kur studentët mblidhen në natën e fundit, duke kujtuar me shumë dashuri ditët e shkollës, sepse nesër do shpërndahen. Teksti dhe muzika e Enver Shëngjergjit. Nën orkestrimin e Aleksandër Lalos. Ishte një këngë e suksesshme, natën e parë të pranishmit më kthyen dy –tre herë. Ishte koha që studentët kishin ndikim në jetën kryeqytetase. Por, çuditërisht kjo këngë nuk fitoi asnjë çmim!! Megjithatë dola i kënaqur nga Festivali. Kënga ishte e bukur dhe u pëlqye. Por të këqijat erdhën mbrapa. Ky festival u kritikua shumë. Këngëtarët më të mirë u kritikuan për tendenca borgjezo-revizioniste. Për shfaqje të huaja. U kritikuan ashpër Sherif Merdani, Françesk Radi. Dhe për mua në Shkodër në ndërmarrje u zhvillua një mbledhje që zgjati 4 orë. Pas mbledhjes mua më hoqën të drejtën e këngës për 7 vjet, konkretisht, të mos merrja pjesë në Festivalet e RTSH-së. Pra, sërishmi më kritikuan për ekstravagancë dhe kush? Njerëz që nuk e kishin parë fare Festivalin. Pra, deri në vitin 1978, këndoja vetëm në Estradën e Ndërmarrjes këngë popullore. Muzikën e lehtë nuk e lëvrova. Më dukej vetja bosh.

Dhe….kur u kthyet sërishmi skenës së Festivalit?
Në Festivalin e 17-të. Përsëri mora pjesë me një këngë të Enver Shëngjergjit. Pas këtij Festivali kam marrë pjesë me ndonjë shkëputje në të gjitha festivalet në RTSH.
Tani të flasim për çmimet. Kur keni marrë çmimin e parë në festivale?
Në Festivalin e 20-të kam marrë çmim të parë me këngën “Çel si gonxhe dashuria” me muzikë të Kotanit dhe tekst të Arben Dukës. Unë isha këngëtar i parë, sepse këndohej në dy variante. Varianti i dytë ishte një duet. Por në finale e këndoi dueti, pasi unë isha me “cen në biografi” (qesh).
Por jo vetëm Festivalet në RTSH… Eksperiencë tjetër përveç Festivaleve në RTSH?
Do të veçoja “Kur vjen Pranvera” në vitin 1985, ku mora çmim të parë. Këtë çmim ia dedikoj të madhit Fredinand Deda. (“Në duart e nënës”, me tekst të Gjergj Lekës) Takova rastësisht Gjergj Lekën në Tiranë dhe ai më tha për këngën. E mora menjëherë dhe ja bëra prezent Ferdinandit. Atij i pëlqeu shumë. Por numri i këngëve ishte mbyllur. Ishte ndërhyrja e Ferdinand Dedës që kjo këngë të futej në konkurrim. Pra, kjo këngë u fut jashtë konkurrimit paraprak vetëm 3 ditë para se të fillonte koncerti. Për artistin nuk kishte rëndësi rregulli, por arti. Ky ishte koncerti i parë “Kur vjen Pranvera”, ku një këngë u fut jashtë konkurrimit të përzgjedhjes paraprake.
Këngë e veçantë për Ju cila mbetet. Pra, ju e veçoni këngën “Në duart e nënës”?

Sigurisht, jo unë. Por të gjithë. Kudo që shkoj ajo është bërë si këngë shtëpie. Nëna është në çdo hap të jetës sonë. Çmimi i këngës “Në duart e nënës” thuajse kaloi në heshtje. Isha në Shkodër. Në shpirt kisha festë, pasi këtë çmim e prita si pret burri që gruaja t’i lindë djalë. Doja të bëja një mbrëmje me këngë e me pije me shokët. Por gëzimi im kaloi në heshtje, pasi ato ditë kishte vdekur Enver Hoxha. Por kjo këngë u bë këngë popullore dhe tregoi se edhe një këngë e muzikës së lehtë mund të bëhet këngë popullore. Pra, kënga që përqafon populli bëhet ose quhet këngë popullore.

Sa çmime të tjera ka marrë Bashkimi nëpër festivale dhe koncerte?

Katër çmime të dyta dhe tre çmime të treta.

Bashkëpunimet kryesore me cilët kompozitorë dhe autorë tekstesh i keni pasur?
Për tekstet kam bashkëpunuar me Zhuljana Jorganxhi, Arben Dukën me Betim Muçon, ndërsa kompozitor; Gjergj Leka, Jetmir Barbullushi, Flamur Shehu, Vladimir Kotani Enver Shëngjergji etj..

Dita më e keqe skenike?
Kur në vitin 1971 më hoqën nga transmetimi këngën “Letër në kufi”. Ishte një këngë që po regjistrohej për Koncertin e Vitit të Ri. Një këngë që në daljen e parë në skenë u bë shumë e njohur që e këndonin dhe fëmijët. Ditën e fundit të regjistrimit atë e fshinë fare nga regjistrimi dhe kënga nuk u përfshi në koncert. Ishte një këngë që e kisha shumë për zemër. E kritikuan sërishmi për tendenca moderniste, si muzikë e ndërthurur me elementë të muzikës sllave dhe greke. Kjo këngë u këndua më vonë, ku populli i dha notën dhe vendin që i takonte. Kjo këngë pati po aq jehonë sa “Në duart e nënës”, “S’ma njohe zemrën”. “Lule delet”, “E imja Shota”. Për mua këngët popullore nuk është vetëm ajo që këndohet me klarinetë, por ajo këngë që këndohet nga gjithë populli.

Në shumë vlerësime të jurive këngëtarët kanë qenë të pakënaqur. Keni ndonjë mendimin tuaj mbi vlerësimet?

Ka shumë arsye. Por duhet të theksoj se Juria ka mendimin e vet, por kundërshtitë vijnë kur ti je në skenë, këndon, merr duartrokitje të zjarrta më shumë se kushdo dhe nuk merr asnjë çmim. Këtu lindin dyshimet dhe kontradiktat.

Bashkimi, këngëtar i muzikës së lehtë, por edhe këngëtar popullor. Ku e gjen sot më mirë veten, tek cila gjini kënge?

Unë e kam shumë për zemër muzikën e lehtë. Ajo më jep forcë. Por duke parë se në ambiente familjare këndohet më shumë kënga popullore jam dhënë edhe pas kësaj kënge. Për këtë kam ndjekur shembullin e këngëtarit të shquar të këngës popullore shkodrane Bik Ndoja. Ai ngelet për mua një këngëtar i pazëvendësueshëm në qytetin karakteristik këngëdashës. Edhe tek kjo gjini kënge unë i jam përmbajtur këngës tipike shkodrane. Atje shoh fëmijërinë time, jetën time. Në repertorin e këngës shkodrane numërohen rreth 250 këngë si; “Lule borë”, “Ti më je si një gonxhe”, që kam kënduar unë, ndërsa Shkodra ka me qindra këngë popullore të tjera. Por sot edhe kjo këngë është deformuar.

Në sa vende të botës ka dhënë koncerte Bashkimi?
Në Angli, Greqi, Kanada, Austri, Gjermani, Itali, në shumicën e vendeve, ku ka emigrantë shqiptarë. Vendi që më ka lënë më shumë përshtypje për nga pritja dhe brohoritjet ka qenë Greqia. Ndoshta, ngaqë në këtë vend ndjehet më shumë racizmi dhe ksenofobia. Në këto koncerte këngët janë kënduar së bashku me mua dhe shpeshherë të gjithë janë çuar në këmbë. Në ambiente të tilla gjithmonë kam ndjerë diçka të veçantë. Në këto koncerte kam kënduar edhe këngë popullore edhe këngë të muzikës së lehtë. Kam shkuar me një repertor të zgjedhur si kënga “Në duart e nënës”, e cila ka qenë më e kërkuara.
Edhe ju vetë gjatë intervistës e theksuat, se sot ka një deformim të këngës së mirëfilltë popullore dhe asaj të lehtë. Ka huazime që nuk lidhen me këngën e mirëfilltë shqiptare, nga se nxitet?
Nuk e di se nga kush nxitet kjo lloj fryme. Këngëtarët në radhë të parë duhet të kenë të qartë që duhet të këndojnë këngë të atdheut të tyre. Të tabanit. Shoh që po punohet që të mos kemi një identitet kombëtar në artin tonë. Shumë herë këngët tona kanë marrë pjesë nga muzika dhe këngët greke, sllave, turke që të bën ta shohësh këngën shqipe si një rrobë me arna që s’ke ku ta kapësh.
Mendoni se dhe shteti ka pjesën e vet të fajit në këtë huazim dhe deformim?
Sigurisht. Shteti duhet të luajë rolin e vet, të ruajë të drejtën e autorit, me anë të specialistëve të mos lejojë daljen në treg të CD që nuk janë krijim i mirëfilltë shqiptar. Shteti nuk duhet të lejojë t’i bëhet reklamë kësaj lloj kënge. Shteti duhet të investojë me festivale të veçanta me specialistë për të ruajtur dhe kultivuar këngën e mirëfilltë. Duhet të veprojë si në Itali kur po depërtonte kënga amerikane. Atëherë shteti ndërhyri duke investuar seriozisht në festivale apo specialistë dhe këngëtarët më të mirë që kënga italiane është aty ku është sot. Maratona e Këngës Popullore në TV Klan mbetet një nismë e bukur, por aty u kënduan dhe këngë greke apo u imituan këngëtarë grekë. Nuk do të ishte më mirë që këngëtari grek të këndonte një këngë shqiptare?! Ne po tregohemi servilë, po tregohemi inferiorë. Një këngëtar i huaj pritet nga Presidenti apo kryeministri shqiptar, kur këngëtar të mëdhenj tanët janë pa punë apo nuk kujtohet njeri t’u japë një vlerësim. Nuk kujtohet askush për ata këngëtarë që i kanë dhënë Shqipërisë emër. Nuk kujtohen as për Vaçe Zelën.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok