22/12/2024

Flet këngëtari i mirënjohur Hysni Hoxha: Deri tani repertori im ka 60 këngë nga të gjitha trevat e Shqipërisë

0
Hysni-Hoxha

Si zura Çmim të Parë në Kosovë me “Amaneti i Bashkimit” me tekst të Jorgo Papingjit

Nga Albert Z. ZHOLI

“Amaneti i Bashkimit” me të cilën zuri vend të parë në Kosovë dhe “Çamëria” janë dy këngët e reja të këngëtarit Hysni Hoxha. Ai tashmë e ka plotësuar repertorin me këngë nga të gjitha trevat e Shqiëprisë. Suksesin ai e sheh dhe tek teskstet e këngëve ku bashkëpunimi me “Mjeshtrin e Madh” Jorgo papingji është prioritar për të…

-Keni këngë nga shumë treva. Përse realizuat një këngë për Çamërinë? Kush ishte shtysa?

I frymëzuar nga bukuritë Çame, tradita, këngët e bukura çame , më lindi dëshira  të këndoja me pasion dhe unë një këngë Çame , e cila do të pasurojë repertorin tim të larmishëm të trevave të ndryshme duke ruajtur dhe kultivuar më tutje vlerat e kulturës dhe të traditës..I mahnitur nga bukuritë e veshjes tradicionale të vajzës çame …më bukur flet kënga, e cila përcjell këtë mesazh e realizuar në bashkëpunim me Edmond Rrapin, i cili bëri orkestrimin dhe autorin ( tekstin) Afërdita Hoxha .

– Sa kohë punuat për këtë kënge dhe ku e promovove?

Kam punur gati rreth 6 muaj dhe është promovuar në një event i organizuar nga Shoqata Atdhetare “Jehona Shqiptare….”

– Cili është çmimi i fundit që keni marrë me cilën këngë dhe ku?

Me Çmimin e Parë u vlerësova në festivalin Kombëtar Folklorik që u mbajt në Komoran, Kosovë në 20 Nëndor 2021 me këngën “Amaneti i Bashkimit” me tekst të “Mjeshtrit të Madh”, Jorgo Papingji , muzika & orkestrimi i maestro Edmond Zhulali ku u vlerësova nga juria si kënga më e mirë ..

– A mendoni se kënga popullore tashmë është kënga kryesore që pëlqejnë në Shqipëri?

Preferencat janë të ndryshme, por besoj se kënga popullore zë një vend të rëndësishëm në vendin tonë.

-Ju keni pasur gjyshin pjesëtar të Luftës Nacionalclirimtare, cili është vlerësimi juaj për këtë luftë? A keni bërë ndonjë këngë për luftën Nacionalçlirimtare?

Pa diskutim që kam bërë. Dhe jo vetëm një, por disa me tekst të shkrimtarit, poetit studjusit Agim Qoku që titullohet “Çermenika s’ju harron”, “Çermenikasit dëshmorë”  që  ju kushtohet Dëshmorëve të Çermenikës.

Si djalë i një familje me tradita atdhetare dhe patriotike do të ruaj dhe do të përçoj më tutje tek fëmijët e mi dashuri dhe respekt për këto figura patriotike.

– Cilët janë kompozitorët dhe poetët me të cilët bashkëpunoni?

Kam patur fatin të bashkëpunoj me emra të  mëdhenj të muzikës shqiptare si kompozitor maesto Edmond Zhulali. Edmond Rrapi. Gjin Prenga, Shpëtim Rexha, Jetmir Mehmeti, e të tjerë. Me poetët Jorgo Papingji,  Agim Doçi, Gjok Beci, Agim Qoku, Afërdita Hoxha, Çaush  Kullafi, aktori i ndjerë Muhamet Muca & Koçi Petriti e shumë të tjerë.

-Cilët janë këngëtarët/ et që ju bashkëpunoni?

Kam eksperimentuar dhe do të jem i hapur për bashkëpunime të tjera të frytshme për të nxjerrë realizime të bukura e unike , siç ishte dhe realizimi i këngës së fundit “Moj e bardhë që m’sheh n’sy “me këngëtaren e njohur bilbilin e veriut Vitore Rusha.

-Ju këndoni vetëm këngë popullore jugore apo dhe të trevave të tjera shqiptare?

Jam munduar dhe kam punuar me pasion për të pasur një repertor të larmishëm nga të gjitha trevat …

– Kënga më e bukur që ju veçoni nga repertori juaj?

Varet nga momenti dhe situata, pasi secila këngë përcjell një mesazh të caktuar dhe kur një këngë është në një moment të caktuar që të “prek telin”, është më e bukur….

– Sa këngë keni në repertorin tuaj?

Deri tani repertori im ka 60 këngë. Shpresoj që ky numër të vijë në rritje …..

– A mund të jetohet sot me këtë profesion?

Nuk mund të themi që jetohet në këtë kohë me këtë profesion megjithatë ka këngëtarë që jetojnë me këtë profesion.

-A jeni penduar që keni zgjedhur këtë profesion?

Të jesh këngëtar do të thotë të përçosh ndjenjë dhe emocione nëpërmjet këngës, të depërtosh dhe të reflektosh tek dëgjuesi .., pra nuk ka më bukur se të këndosh…

-Këngëtaret femra sot janë më të preferuara se meshkujt. A është e vërtetë dhe pse?

Besoj që suksesi i takon atij që e meriton , qoftë këngëtare, apo këngëtar ….preferencat janë të ndryshme, kështu që ka vend për të gjithë.

– Cilët janë idhujt tuaj në këngë?

Unë mendoj se në art nuk mund të ketë idhuj pasi arti i të kënduarit ashtu si dhe degët e tjera të tij përbëjnë një koncept të gjërë e me shumë elementë ku jo kushdo i plotëson të tëra në mënyrë perfekte. Ndërsa në një kuptim më të ngushtë secili mund të ketë një model të preferuar qoftë në elementë e cilësi personale të vokalit apo të zhanerit që këndon. Unë personalisht adhuroj dhe dua Luçie Miloti, Fitnete Rexha , Hasfa Zyberi etj……

-Sa angazhim kërkon në ditë profesioni juaj ?

Po u more me art je gjithë kohën në punë pasi në çdo moment të ditës një situatë ndryshe të vë në lëvizje. Unë mendoj se duhet punuar çdo ditë pasi arti bëhet dhe pjesë e sjelljes njësoj si sporti dhe po e le të lë. Në fakt unë jam përpjekur që të krijoj një raport të drejtë mes këngës familjes e punës e të gjej kohë për të gjithë dhe pa u sforcuar.

Falenderime e mirënjohje për intervistën pasi më dhatë mundësinë të shprehem e të merrem me diçka ndryshe në këto ditë të vështira për të gjithë në raport me shëndetin për shkak të pandemisë , por dhe të shpreh mendimet e mia në raport me këngën.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok