04/10/2024

Flet ish operatori i mirënjohur të TVSH,  Bujar Kore

0

Greva e studentëve të dhjetorit 1990 pati mbështetjen e madhe të popullit të Tiranës

-Gjithë televizonet japin xhirimet e mia në ditët e dhjetorit, por asnjëri se përmendi emrin tim si kameraman.

-Momentet më të vështira në ato ditë ishte takimi që bëri përfaqësia e studentëve me Ramiz Alinë.

Nga Albert Z. ZHOLI

Edhe tani pas 31-vjetësh ai i cilëson xhirimet e lëvizjes studentore si më të vështirat. E tillë ishte situata. Emri i tij është shumë i lakuar për vetë profesionin duke qenë një nga operatorët më jetëgjatë në RTSH qysh në sistemin monist. Ai ka kaluar në atë institucion ngjarje nga më befasueset  ku  ka xhiruar jo vetëm kronika pa fund e dokumentarë, por edhe ka xhiruar portretet e të gjithë udhëheqësve shqiptarë të pas-Luftës së Dytë Botërore.  Flitet për atë kohë ku çdo gabim paguhej me kokë, pasi nuk ishte e lehtë të xhiroje që nga Enver Hoxha, Mehmet Shehu, Haxhi Lleshi, Ramiz Alia dhe në demokraci  deri te Sali Berisha, Fatos Nano, Leka Zogu e Ilir Meta… Lëvizja studentore e dhjetorit 1990 ka hyrë në historinë e rinisë shqiptare si një lëvizje tepër e veçantë. Ishte kjo lëvizje që solli përmbysjen e sistemit monist, krijimin e PD-së dhe fitoren e demokracisë në Shqipëri. Po ajo që duhet të veçohet në ato ditë është, se kishte vetëm një televizion dhe kamerat e atij televizioni kanë xhiruar historinë e demokracisë shqiptare. Kameramani i vetëm dhe i parë që ka xhiruar këtë grevë më 8 dhjetor ishte Bujar Kore, një ikonë e TVSH . Ja çfarë thotë ai për ditët e grevës së studentëve dhe më pas atë të rrëzimit të monumentit:

Flitet shumë për lëvizjen e studentëve të dhjetorit, komentet janë nga më të ndryshmet. Kush ishin mbështetësit kryesorë të kësaj lëvizjeje?  Ju jeni ndoshta i vetmi operator nga TVSH që keni filmuar grevën e studentëve në ditët e para në Qytetin Studenti ndaj keni shumë kujtime?Ato ditë si harroj kurrë. Ishin ditët më të vështira të jetës sime si operator. Por një gjë ju them me bindje se mbështetja më e madhe e kësaj lëvizje ishte populli i Tiranës. Ndërtesa ku ishin futur studentët ishte ditë natë e rrethuar nga populli i Tiranës. Ata i mbronin si fëmijtë e tyre. Pa këtë mbështetje -nuk besoj se ajo lëvizje do të kishte sukses pa popullin liridashës.

-Pse ishte detyra më e vështirë për ty.

Pasi atëherë nuk kishte televizione të tjera, as kamera private, pa folur për celularë. Dy institucione ishin në atë kohë që kishin kamera. Ishim ne dhe Kinostudio. Por ne ishim të vetmit që dilnim për kronika dhe për filmime e xhirime të ndryshme në terren apo në institucione. Kamerat tona shkonin në çdo kantier ndërtimi, në çdo minierë, në çdo vepër industriale, në çdo koncert, në çdo vizitë të delegacioneve e të tjera. Pra kudo ku kishte lajm dhe kudo ku kishte aktivitete të ndryshme. Madje dua të theksoj, se edhe filmimet në Teatër bëheshin nën regjinë e TVSH, pa diskutim që ishin kamerat tona. Ndërsa kamerat e Kinostudios përdoreshin vetëm për filmat dokumentarë dhe artistikë dhe rrallëherë për ndonjë punë tjetër. Pra sot të gjitha pamjet që japin televizionet private janë marrë nga xhirimet e mia në TVSH. Mirë bëjnë që i kanë marrë, port ë paktën të përmendet emri. Kanë një autor ato xhirime.-Ju tek studentët shkuat vetë apo ju dërgoi drejtoria? A ju lejuan?Jo, shkuam me urdhër. Sigurisht atë kohë as që bëhej fjalë për të shkuar në mënyrë spontane apo me mendjen tënde. Ende çdo gjë ishte e sinkronizuar, e drejtuar nga Drejtoria e RTSH-së. Ne që në hyrje të qytetit  ‘Studenti’ na filluan të na thumbojnë dhe të na shohin me dyshim. Ende nuk kishin besim të plotë tek TVSH. Na quanin instrument të partisë. Por me gazetarin Fiqiri Sejdiaj duke njohur shumë veta, ju treguam se ne duam të filmojmë, të bëjmë punën tonë, detyrën tonë. Na lejuan me shumë dyshime dhe me shumë vështirësi. Unë nuk e hoqa kamerën nga supi. Filmova me orë të tëra. Dita e parë ishte shumë e vështirë. Hera e parë që njiheshim me situatë të tillë. Ku njihej atëherë greva në Shqipëri? Me shumë vështirësi mundëm të shkonim deri tek dhomat e ngujimit të studentëve. Gjithë qyteti ishte mbledhur rreth asaj godine. Të gjithë jashtë. Dukej sikur do zhvillohej një ndeshje ndërkombëtare futbolli, aq shumë njerëz ishin. Një situatë inkandeshente, që mund të pëlciste nga çasti në çast. Fiqiriu bëri shumë intervista me studentët, madje me pyetje të guximshme për kohën. Ishin pyetje tepër profesionale dhe ndonjëherë provokative. Nuk e di sa orë filmuam. Ndieja uri. Plus i ftohti bënte punën e vet.

-Kush u tregua më dashamirës dhe më i afruar me televizionin nga grevistët?Ah, këtë nuk e harroj. E mbaj mend si tani. Ishte Mesila Doda. Ajo sa mori vesh, u tha të na linin. Madje u shpjegonte që ata kanë punën e tyre. Media është e rëndësishme, sado me censurë. Fjala e saj zuri vend. Falë saj, falë argumenteve të saj ne na lanë hapësirat e domosdoshme. Madje Mesila sa herë shkuam na priste me buzëqeshje dhe jepte mendimin e saj pa asnjë rezervë. Mund të them, se ishte më vizionarja në atë grup.A u dhanë të gjitha filmimet e ditës së parë të grevës së urisë së studentëve?Jo. Pjesërisht ose mund të them shumë pak. Ne kishim filmuar me orë në lajme u dhanë vetëm disa sekuenca. Ne nuk e prisnim këtë. Menduam se do të jepeshin më shumë filmime, pasi situata ishte e rëndë. Po më shumë punë na prishi deklarata e ish-Kryeministrit Adil Çarçani.Pse çfarë tha Adil Çarçani dhe çfarë pune ju prishi?Atë mbrëmje ish-Kryeministri Çarçani deklaroi, se greva ishte e jashtëligjshme. Pra me këtë donte të thoshte që greva duhej të mbaronte dhe se do zbatohej ligji. Në fakt deri atë kohë ligjet tona të sistemit monist nuk i lejonin zhvillimet e grevave. Ne nuk i njihnim fare këto greva. Prandaj kjo deklaratë na prishi punë. Pse pyetët ju? Sepse të nesërmen ne na shihnin më me dyshim se më parë. Na shihnin me një mosbesim të tejskajshëm. Nuk na besonin më. Pra të nesërmen kur së bashku me Fiqiri Sejdiajn u drejtuam për tek studentët nuk donin të na lejonin. Që në hyrje na ndalën. Por ne tashmë kishim krijuar lidhjet tona. I kishim sqaruar se nuk është në dorën tonë transmetimi i plotë apo i gjymtuar. Ne bëjmë detyrën tonë si profesionistë, si gazetarë, si operatorë. Madje Fiqiriu shkoi dhe më tej duke u bërë të qartë se është mirë që të filmohet çdo gjë, pasi duhet të mbahen në arkiv. Nëse nuk filmohen do humbasin si dokumentacion kohor dhe nuk do ketë asnjë dokument filmik për këtë ngjarje të madhe. Vetëm me këtë mënyrë, vetëm me këtë lloj komunikimi na hapën rrugën. Turma ishte e pasosur. Nuk dihej ku ishte fillimi dhe fundi i kësaj nisme kaq të panjohur.

Arritët të futeshit brenda grevës? Po me popullin rrugës dhe kureshtarët a morët prononcime?Sigurisht. Me shumë mund. Kemi pamje të shumta. Interesant ishte me prononcimet e popullit. Shumica nuk besonin në transmetimin tonë, po ashtu shumë të tjerë nuk besonin në vërtetësinë e grevës. Pra, ishte një dyzim i madh. Pështjellim. Por një gjë e tillë na ka ndodhur edhe në grevën e minatorëve të Valiasit. Ne hymë brenda në galeri dhe filmuam të ngujuarit e grevës. Më parë aty kishte shkuar Besnik Bekteshi për të arritur një marrëveshje, por nuk kishte arritur gjë. Madje të gjithë grevistët ishin acaruar së tepërmi me të. Kur hymë i gjetëm tepër të nervozuar. Kur mbaruam xhirimet dhe donim të iknim ata na mbajtën peng. Nuk ju lejojmë të shkoni na thanë, se nuk besojmë në transmetim. Për një moment u shtangëm. Pas disa minutash i afrohem Gëzim Kalasë dhe i them, mos na mbani kot. Për mendimin tim sado pak të japim nga greva është në interesin tuaj. Sado pak, qoftë shqiptarët, qoftë të huajt do marrin vesh se jeni në grevë dhe çfarë kërkoni? Pa asnjë lloj njohje të realitetit më keq është për ju. Do ti që iu mbush mendja? Na lanë të lirë. Ikëm dhe në të vërtet shumë pak transmetuam, por të paktën çdo gjë u bë publike.

Në këtë takim ishim dy kameramanë dhe dy gazetarë. Nga gazetarët ishin Engjëll Ndocaj dhe Gëzim Gjyrezi, ndërsa me kamera isha unë dhe Gaspër Shllaku. Në takim detyrat tona ishin të ndara. Gaspri do të fokusohej tek Ramiz Alia, ndërsa unë tek studentët, përfaqësia e saj. Përfaqësia e studentëve përbëhej nga, Azem Hajdari, Arben Imami, Arben Demeti, Blendi Gonxhe, Pandeli Majko, Ilir Meta dhe shumë të tjerë…

Në gjithë këto filmime mes shumë vështirësish, çfarë ju bënte që të ndiheshit keq?Më bën të ndihem keq, se marrin rolin e protagonistit disa që nuk kanë qenë fare, apo e kanë parë nga larg këtë lëvizje heroike. Madje më vjen keq, që në atë kohë shumë gjëra nuk u transmetuan dhe shumë gjëra kanë humbur. Sot lexoj lloj-lloj gjërash të pavërteta nga njerëz që s’kanë qenë prezent dhe më vjen çudi për imagjinatën e shfrenuar. Tjetra më vjen shumë keq, që të gjitha televizionet private japin filmimet e mia dhe kurrë nuk kanë thënë autorësinë. Pra autorësia është tjetërsuar dhe unë që isha në rrezik, as më përmendet  fare emri që kam xhiruar në situata të pa imagjinueshme. Thjesht mbetem operatori i parë që xhirova ato momente historike.

Gjithë kohën që ishin në grevë studentët kërkonin me çdo kusht takim me Ramiz Alinë. Pas shumë tratativave ky moment erdhi. Më kujtohet si sot takimi i Ramiz Alisë me përfaqësuesit e studentëve. Ndryshe nga herët e tjera ne shkuam në këtë takim dy grupe xhirimi ku gazetarë ishin Engjëll Ndocaj dhe Gëzim Gjyrezi ndërsa operatorë Gaspër Shllaku dhe unë. Gaspri ishte fokusuar tek Ramiz Alia, ndërsa unë merrja përfaqësinë e studentëve. Meqenëse gazetarët tanë mbetën në fund dhe e kishin vështirë të lëviznin, unë dhashë mikrofonin tonë Azem Hajdarit, i cili filloi të bënte rolin e gazetarit e të lëvizte mikrofonin atje ku e kërkonin studentët. Përveç Azem Hajdarit aty ishin dhe Arben Imami, Arben Demeti, Blendi Gonxhe, Pandeli Majko, Ilir Meta etj. Studentë që më parë nuk njiheshin, pasi askush nuk ju jepte aq interes studentëve më parë. Por pashë një grup studentësh trima dhe me kulturë. Paraqisnin kërkesat dhe mendimet me shumë kompetencë. Kam xhiruar orë të tëra në këtë takim. Mbeten xhirimet më të vështira. Të gjitha xhirimet e asaj dite që jepen në televizionet private janë xhirimet e mia. Mund të them se ndihem i gëzuar. Unë jam i gëzuar që këto pamje shërbejnë për diçka, por njëkohësisht jam i trishtuar, sepse asnjëherë nuk përmendet se cilët janë realizuesit e tyre. Kjo ka të bëjë me të drejtën e autorit, që, për të thënë të vërtetën, nuk respektohet në Shqipëri.

Çfarë bëtë në këtë kohë, a shkuat më në Qytetin ‘Studenti’?

Po! Më duket e pabesueshme. Atë kohë ishte shumë -shumë e vështirë të hyje aty. Nuk mendohej se mund të hyhej. Nuk na besonin. Na quanin dhe provokatorë, por këmbëngulja e gazetarit Fiqiri Sejdia dhe imja bënë të mundur që ne të futeshim. Konkretisht në këtë situatë kam regjistruar grevën e studentëve me shumë detaje dhe kemi marrë shumë intervista që gazetari Fiqiri Sejdia u mori studentëve të ngujuar. Por të jem korrekt jo të gjitha u dhanë, sepse censura bënte të vetën dhe studentët u zemëruan me ne në disa momente. Ky acarim erdhi pasi kryeministri Adil Çarçani ditët e para të grevës deklaroi se greva ishte e paligjshme. Por ne nuk u tërhoqëm. Këmbëngulëm! Si ekip sërish u futëm, sepse dhe unë kisha disa miq brenda në greve, me të cilën e gjeta shpejt gjuhën e përbashkët dhe sërish arritëm të merrnin intervista të reja, pasi dhe situata ndryshonte me orë. Duke dëgjuar kryeministrin shumë njerëz ende s’kishin besim që atë që thoshin do t’u transmetohej. Kështu na ndodhi dhe me grevistët e minierës së Valiasit.

-Po aty çfarë ndodhi?

Aty na gjeti belaja. Situata erdhi dhe më e tensionuar. Kur ne u futëm në galeri, nëntokë, për të regjistruar grevën e tyre. ata na mbajtën peng, sepse nuk kishin besim qe ne do t’i transmetonim intervistat e tyre. Një grupi xhirimi që kish qenë para nesh u ishin censuruar shumë materiale. Përpara nesh atje kishte shkuar dhe Besnik Bekteshi, por që s’kishte arritur asnjë marrëveshje, dhe ata ishin shumë të acaruar. Atëherë i thashë Gëzim Kalasë që ishte organizatori i grevës: Se TVSH vërtet mund të transmetojë pak nga greva, por në fund të fundit do ta japë atë, ndërsa po na mbajtët peng, nuk do ta keni as këtë mundësi. Pra nuk do merret vesh asgjë se çfarë do bëni. Më mirë pak se asgjë. Kështu do ngeleni të izoluar. Atëherë minatorët na lanë të lirë të ktheheshim në Tiranë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok