18/12/2024

Flet “Artisti i Popullit”, Luftar Paja: Ndihem i vlerësuar nga fjalët e Agollit dhe Kadaresë

0
u6_luftar-dhe-albert-zholi

-Në Greqi pronari i djalit  të madh ishte si sozia ime, e shikonim njeri tjetrin dhe qeshnim.

– Dëgjo, o babai yt në Greqi, o babai im në Shqipëri, diçka kanë ngatërruar!

-Pronari djalit i dha 20 ditë në dispozicion vilën në det, u mrekullova dhe thosha ah sikur ta kisha kur isha në muajin e mjaltit!

Nga Albert Z. ZHOLI

Kur ishim në Greqi, takoheshim shpesh tek kafe “Myzeqari”, në Athinë. Si i përcjell ato momente?

Shkoja shpesh tek kafe “Myzeqari” një kafe në Athinë që sigurisht ia kam vaftisur unë emrin kështu. Bëheshim gjithsej 10 burra shqiptarë dhe grekë e uleshim të pinim nga një teke ujë të bekuar. Sapo kisha ardhur nga Shqipëria dhe isha i trishtuar, sepse e lashë vendin tim me disa probleme, si gjithnjë politike që me punë mendoj se do t’i rregullojmë. Mbaj mend se si ja fillova bisedës së parë ku të gjithë më shihnin me habi: Ne në Shqipëri i jemi përveshur punës që Europa të mos heqë akoma siklet për ne. Ndërkohë që emigrantët shqiptarë e kanë pak keq se nuk i bëhen letrat për legalizim. 70% e familjes sime është duke u përgatitur seriozisht për këtë problem. Është kthyer në fakt, në një epidemi, sepse mbi tavolina e karrige shoh gjithnjë karta të ndryshme në greqisht. “Janë për legalizimin” më thonë. “Bëjini, bëjini!” u them se do ju duhen! Unë vazhdoj të punoj në Shqipëri , ndërsa “lejen e krijimtarisë” e bëj në Athinë. Ndoshta kush e di! Në të ardhmen mund të luaj ndonjë rol emigrantësh dhe jam duke studiuar karaktere. Sa herë vij në kryeqytetin grek gjëra të reja mësoj, sepse byrazerët tanë pjellin për çdo ditë karaktere. Nuk e kuptoj pse janë kaq pjellorë këtu në dhè të huaj dhe jo në Shqipëri?

Një nga miqtë e mi është Idajet Beqiri. Me të kam gjetur belanë. Sa herë që takohemi, kur na ndodh të trokasim ndonjë gotë ai më uron për Unitetin. Edhe unë kudo që vete, sa herë trokas gotën, ngre shëndenë për unitetin. Edhe në shtëpi, trak gotën dhe këtë avaz, kam.

– More burrë, po ne në unitet jemi në familje?

– Dëgjo grua! – i kthehem, – për këtë llogari kërkoi Idajetit e jo mua. Ma ngjiti që ma ngjiti…”

– Hajde gëzuar, për Unitetin ( sërishmi).

Gruaja ime, Qamilja, i ka për zemër aktivitetet e emigrantëve. Së bashku me Sofika Toporen merr pjesë në të gjitha aktivitetet e emigrantëve. Në fakt në shtëpinë tonë ne i kemi të ndara takimet. Unë në aktivitete serioze nuk shkoj, se po të diskutoj unë ndonjë prej të pranishmëve mund të qeshë. Ndërsa Qamilja është tepër me namuz. Kam bërë të qeshë edhe veten time, ndërsa gruan time, jo. Asaj i shkojnë aktivitetet me peshë, ku flitet për gjëra të mëdha. Mua më kanë privuar nga kjo e drejtë. Edhe po të vete, do të rri jashtë radhe, ose jashtë liste… Ajo në çdo aktivitet emigrantësh është e para, por në asnjë gazetë, s’ia kam parë emrin.

Kam nisur të zgjas flokët. Jo, s’i kam rritur për ndonjë rol, por i kam lënë për qejf. Edhe gruaja kështu më thotë, “Priji!”, por unë jam burrë dhe nuk marr urdhra nga gratë. Flokët i lashë të gjata kur filluan t’i shkurtojnë pjesa tjetër e “ekuipazhit” të shtëpisë. Dua që në shtëpi edhe me flokë të kemi një masë mesatare, që t’i përgjigjet “nivelit” mesatar të jetesës. Por me flokët kam gjetur edhe një bela tjetër. Pronari ku punon djali, i ka flokët taman si unë. Dhe jo vetëm flokët. Edhe nga trupi, edhe nga surrati, more.. Një ditë u ulëm në një tavolinë dhe shikonim njëri-tjetrin me vëmendje. Ai shiko mua me habi, unë shiko atë. Unë prishja buzët, ai ngrinte supet. Unë psherëtita, ai fërko sytë. Pastaj më tha:

– Jemi njësoj.

– Sikur je sozia ime!

– Dëgjo, o babai yt në Greqi, o babai im në Shqipëri, diçka kanë ngatërruar.

– Ka qenë ndonjëherë babai yt në Greqi?

– Është “arratisur” një ditë në kohën e luftës. Ia këputa kot.

-Lëre! – më thotë dhe më përqafon…

Në emigracion ka shumë vështirësi, por kalohen dhe ditë të bukura.

Beharin që shkoi ai “vëllami” im më dha çelësat e vilës në një fshat bregdetar në periferi të Athinës. Ç’e do, ç’vilë ishte…? Ndenjëm 20 ditë si në përrallë. Na dukej vetja si mbret. “Ah, s’e patëm fat që muajin e mjaltit ta bënim në një vilë të tillë – i thashë gruas. – Konita re, konita… Jo gjel fare, por edhe gjel hëne gjeje aty brenda në frigorifer. Çdo dhomë dhe korridor televizor. Po të kërceje mbi dy metra, bije në det. Qejf o qerrata! Telefon edhe në banjë. E provova edhe një herë të flisja nga banja. Pse të mos e provoja? Mbase s’më vinte më ai rast.

Kanë thënë për Luftar Pajën:

Pëllumb Kulla

Është një aktor i rrallë, me zë të kadifenjtë, me sy të gjallë e të kthjellët. Është një aktor, që porsi bletët e ka mbledhur nektarin lule më lule, vëzhgim pas vëzhgimi, bisedë pas bisede, këmbëkryq pas këmbëkryqi, me durim shembullor. Kështu ky artist i rrallë ka prodhuar mjaltin më të mirë në kosheren e shquar të trupës profesioniste të Estradës së Fierit. Karakteret e tij janë të papërsëritshëm, se janë fryt i një mjeshtërie, që sot ende është vështirë t’i gjendet shoqja. Çobo Rrapush nuk bën më nëna! Cane Rrykën nuk e harrojmë dot me ato opingat e tij për në ahur dhe me frazat e tij për parlament! Të paharrueshëm mbeten dhe ata njerëzit e veckël, se dridhen nga rrjedha që mund të marrë lufta e nuk e kuptojnë, se përse, befas, u gjendën në mes të saj. Unë mund ta krahasoja talentin e Luftarit me të shumë aktorëve të shquar, vendas dhe të huaj. Por pa teprimin më të vogël dhe pa përfillur shtrembërimin e buzëve që mund të ndeshë ky pohimi im, unë pohoj se nuk kam njohur dhe nuk kam parë, në mëmëdhe dhe jashtë tij, në skena dhe ekrane, një lojë më të përsosur në situatat e vuajtjes maksimale, nuk kam parë përfytyrim më të vërtetë të riskut të jetës, nuk di të kem ndeshur një lypës mëshire që të shkaktojë një keqardhje aq të ngrohtë se sa Luftar Paja. Për këtë pa dyshim e ndihmojnë me të tepërt dhuntitë e natyrës dhe nektari që ka mbledhur me përkushtim ai vetë e që unë ia përmenda më lart. Ai beson në mënyrë bindëse situatën e autorit, sytë e tij e pasqyrojnë mirë këtë, zëri i tij qaraman ka një pasuri nuancash që rrallë u ka dhënë natyra aq bujarisht aktorëve të tjerë. Le të kujtojmë arixhiun, kur gjermanët kontrollojnë sazexhinjtë dhe këta, ngaqë nuk dinë ku të fshehin koburen, ia lenë atë në trastë dajrexhiut kurbat. Apo “Hapmi sytë e zes” kur Luftarit i duhet të këndojë një metër larg tytës së kobures, asaj tyte të hollë që i ri para gojës si këta mikrofonat modernë të ditëve tona. Le të kujtojmë Rakon që nga çasti në çast mund të bjerë nga lartësitë e ndërtesës! Nuk harrohet roja balliste se nga tërë ata që duhet të ndalë tek postblloku, nuk di cili prej tyre është guerilas, cili gjerman dhe cili ballist. Unë shpesh me shaka thosha, që për të bërë spektakël, a për të improvizuar një skenë të tensionuar komike, nuk më duhej as penë, as letër, as tekst! Më duhej vetëm një revolver dhe sytë e Luftar Pajës! O Zot, ai ishte gjigant! Dhe asnjëherë i njëjtë! Dhe asnjëherë nuk thoshe dot se këtë figurë e kish të përsëritur. Lemëni të përmend një vuajtje më të pakët se ajo para pushkatimit: le të marrim “Telefonin e ri në shtëpi”. Le të veçojmë atë plak të mirë, që ka dalë në pension si postier dhe, tani, sapo në apartamentin e tij instalon telefonin – që atëherë ishin aq të rrallë! Në një ndërtesë gjashtë katëshe, mund të gjendej vetëm një! – Tani, postieri veteran, që duhet të pleqëronte i qetë, vete dhe troket prapë derë e më derë e kat më kat, të lajmërojë banorët e pallatit se i kërkojnë te telefoni i tij, që ai e ka lënë të hapur për ta. Vërtetësia e lojës së këtij artisti është nga më të rrallat dhe duhet pa mëdyshje mostruar për mësimdhënie në akademitë e aktrimit.

Në cilësitë, që e ndihmojnë artistin të bëhet popullor është edhe marrëdhënia shoqërore që krijon ai me njerëzit e përditshëm edhe shokët e tij. E pranoj se kjo gjë nuk është nga faktorët kryesorë, pasi mund të jesh nursëz, koprrac, intrigant e servil e mund të jesh nga aktorët më në zë, nga më të mirët dhe më të dekoruarit e vendit. E megjithatë jetën e përditshme qytetare e zbukuron një natyrë si e Luftarit, një njeri dashamirës, bujar, përkrahës pa interesa, mikpritës dhe i papërtuar. I tillë pra, ishte dhe është miku im, kolegu i vyer, protektori i trupës, partneri skenik i gruas sime, Xhuljetës. Edhe në ditët më të acarta që na qëllonte të kishte familja jonë, në varësi nga temperaturat që zbrisnin nga Byroja Politike e Enver Hoxhës, Luftari, edhe pse ndjekës i përpiktë i direktivave, ishte mjaft i hapur me nevojat njerëzore që na paraqiteshin ne.

E paharrueshme mbetet një natë e vitit 1977, kur partia në teatër rikonfirmoi heqjen e të drejtës sime të botimit dhe më hoqi nga repertori dramën e porsa shkruar “Motive nga kantieri i madh” Ka qenë një nga periudhat më të vështira për ne. U bë edhe më e vështirë, sepse na lajmëruan se ime vjehrrë në Kuçovë ishte sëmurur rëndë. Ishte mbrëmje, ne nuk kishim ku të linim fëmijët e vegjël që të ndiqnim kamionët e rastit për të shkuar me ngut pranë mamasë së Xhulit. Për taksi, në ato kohëra, as që bëhej fjalë. Na erdhi në ndihmë Luftar Paja. Në orën 10 të natës ai i pat kërkuar një drejtori të naftës veturën e ndërmarrjes, kish marrë Qamilen për t’i bërë shoqëri Xhulit dhe trokiti te porta ime. Unë ndenja të kujdesem për fëmijët, Xhuljeta u nis me ta me lot në sy. Shkoi pranë të ëmës dhe ndenji deri afër mëngjesit. Luftari me Qamilen dhe shoferin e naftës, ndenjën pa vënë gjumë në sy, e pritën dhe e sollën time shoqe në shtëpi kur kish filluar të zbardhte…

Por kjo ngjarje dhe të tjera, përbëjnë kapituj më vete, që ndoshta për t’i trajtuar, meritojnë një libër tjetër, një temë tjetër e një kohë të mëvonshme.

Në estradën e Fierit përqindja e aktorëve të mirë ishte shumë e madhe, por përfaqësimi im më i shquar, pa dyshim është bërë me talentin e Luftar Pajës. Bashkëpunimi im me të ishte shumë i veçantë nga pikëpamja e përjetimeve të përbashkëta, por sidoqoftë qe një bashkëpunim i përsosur dhe frutdhënës. Unë Luftarin e shihja në rol që sapo vija para vetes një fletë të bardhë dhe hapja kapakun e stilografit. Dhe ai e dinte këtë. Unë atij i detyrohem shumë në karrierën time regjisoriale dhe në atë emër të mirë që thuhet se kam bërë në fushën e humorit dhe satirës.

Kadri Roshi

Është pak të thuash për Luftarin që është artist i madh…

Luftari është shkollë dhe për të kuptuar se çfarë është paradoksi, bëhet shkollë për të tërë kombin, për të tërë artin skenik shqiptar.

Birçe Hasko

Mua me Luftarin më kanë lidhur shijet artistike që i kemi të njëjta. Ndërsa si qytetar më ka lidhur ndershmëria. Këto të dyja janë themelet e lidhjeve të mia me të. Gjëra që unë s’i lëviz. Që të dy nuk kemi lëvizur. Luftari është aktor shumë i zoti i shkëlqyer në skeç, është aktor shumë i mirë në kinema, dhe aktor shumë i mirë në teatër. Pra, ka tre dimensione. Unë jam dashuruar mbas Luftarit, mbas natyrshmërisë së tij. Ose e thënë shkurt: “Luftari në interpretim është vetë natyra.” Në skeç Luftari dhe Tano Banushi janë të paarritshëm. Siç kanë meritën e tyre parodistët e Vlorës, Zef Deda në pantomimë. Pa marrë rolin e kryegjykatësit mendoj se në këto drejtime gjithkush ka vlerën e vetë jo të zakonshme. Unë me të përveç të tjerash kam qenë në komisionin e pranimit të studentëve dhe, tek ai kam parë ndershmërinë e thellë dhe vlerësimin e saktë. Ai ndjente atë që ishte e natyrshme tek ata që paraqiteshin, atë që ishte e vlefshme, komunikuese, njerëzore. Nga këto binim në ujdi dhe së bashku. Mendoj se kjo është shumë, është intuitë, art është perspektivë, kulturë, i ka të tëra. Në këtë kuptim them që ai është i papërsëritshëm në thjeshtësinë e tij kur interpreton. Bashkë me thjeshtësinë ka dhe kulturë se kulturë nuk ka njeri popullor që ai nuk e bën. Sepse ai është njeri i thjeshtë, konkret. Ka një shoqëri të jashtëzakonshme. Pse e ka? E ka fituar nga arti. Siç është në skenë është dhe në jetë. E thënë më shkurt: “është për ta pasur zili”. Dhe unë që e kam mik dhe shok e kam zili, për të tëra këto që thashë. Luftari kurrë nuk ka bërtitur as në skenë dhe as në jetë. Asnjëherë nuk ka kërkuar t’i bëjnë ndere, çdo gjë e ka fituar. E ka merituar, jo se e ka kërkuar. Të gjithë këto tek Luftari përbëjnë artistin dhe njeriun. Shumë njerëz e paragjykojnë të thjeshtën. Po këtu është merita e tij. Unë do citoj Aleksandër Xhuvanin që e ka thënë për gjuhën: “Një gjë quhet e thjeshtë, kur nuk ka gjë tjetër brenda përveç natyrës së vërtetë” dhe Luftari e ka këtë. Luftari është një aktor model, që ta jep në pëllëmbë të dorës atë që mendon e që ia thotë shpirti dhe mendja. Kjo vjen dhe nga një gjë tjetër. Ai shpesh tregon se takon shumë njerëz. Njeh në mënyrë të shkëlqyer jetën. Pse e njeh jetën? Sepse ka shkuar në vend. Disa e quajnë njohjen e jetës si realizëm socialist, por ajo shërben për të njohur njeriun. Të njohësh jetën nuk do të thotë të njohësh pallatet, pyjet, ujërat, por të njohësh njeriun. Dhe Luftari njeh njerëz. I gjen në mënyrën e tij. E ka shumë modeste njohjen. Bën muhabet dhe komunikon vazhdimisht me njerëzit. Dhe unë për këtë thjeshtësi dua ta puth në ballë. Për këtë thjeshtësi dhe modesti të njohjes së jetës dhe të interpretimit të personazhit. Luftari hyn në ata aktorë të kinemasë dhe komedisë që e duan të gjithë. Është i adhuruar nga të gjithë.

Mehdi Malkaj

Po. Luftar Paja? Hyn tek ata aktorë të poshtër që drejtorinë qendrore të humorit e morën nga Shkodra dhe e çuan në Fier. Ky është Luftar Paja. Mos ma zini më në gojë. Nuk dua t’i shoh bojën.

Pavlina Mani

Luftar Paja me punën e tij ka hyrë ndër ata aktorë që kanë lënë emrin e artistëve të mirë. Dhe këtë e ka arritur me punën e tij. Kam pasur fatin të luaj me Luftar Pajën në teatër dhe ta ndjejë këtë dhunti të tij.

Gazmend Paja

Unë jam djali i vogël i Luftarit. Është kënaqësi e madhe që kam marrë rrugën e babait. Shpresoj që të eci në rrugën e tij. Dua të kem popullaritet siç e ka ai sot. Është fat për mua që përveç shkollës dhe punës kam dhe shkollën e tij në darkë.

Dritëro Agolli

Jetën artistike të Luftar Pajës unë e kam ndjekur gati të gjithë. Kanë ndikuar edhe kushtet, sepse ka pasur televizion dhe mjete të tjera për t’u informuar. Më ka bërë përshtypje diçka tek ai sepse ka qenë një artist i veçantë dhe një nga më të shquarit. Nuk ka qenë nga ato artistë që kanë krijuar tipa, por ka krijuar individë. Ka artistë që e nxjerrin mirë si tip fshatarin ose nëpunësin, por nuk arrijnë ta nxjerrin si individ. Nën interpretimin e tij Luftari ka nxjerrë një Çobo Rrapush shumë interesant që ka mbetur në memorien e gjithë shqiptarëve. Është një artist nga më të shkathëtit dhe më të kulturuar. Është njeri që e ka skalitur personazhin për ta bërë prezent mes njerëzve. Kam vënë shpesh herë buzën në gaz për tipat. Ai ka arritur të thjeshtojë kaosin që mbizotëron sot në botë.

Fuat Boçi

Luftari si aktor nuk ka dhënë vetëm në skenën e Fierit, nuk e ka zhvilluar aktivitetin e tij aktorial vetëm në rrethin e Fierit, por është një aktor kombëtar. Luftari nuk është vetëm aktor i humorit të skenës, por aktor i televizionit, i filmit. Ka luajtur me dhjetëra role nëpër filma. Pra, është një aktor me potencë të madhe.

Todi Llupi

Luftar Paja. Eh… Njerëzit kanë shoqërira dhe miqësira të ndryshme. Unë jam myzeqar dhe Luftari mallakastriot. Ai mbetet shoku më i mirë i jetës. Ne jemi lidhur si aktorë dhe më vonë si qytetar, shok, miq familjar. Ne kemi një rrugë të madhe të jetës që kemi ecur bashkë. Ai njëkohësisht mbetet një nga mësuesit e mi. Pasi është një aktor i madh dhe njeri me zemër të madhe. Si aktor do të shprehesha që të gjithë brezat e aktorëve kanë ç’të marrin nga jeta e tij aktoreske. Një fuqi e gjetjes së gjërave, karaktereve, një fuqi zhbiruese në të veçantat e humorit popullor. Kur do bënte rolin e një plaku në estradë ose teatër Luftari i sillte regjisorit Pëllumb Kulla, 4-5 pleq dhe ai zgjidhte atë që i përshtatej më mirë rolit. Shikohej ecja, komunikimi, mënyra e pirjes së duhanit, e kollitura, krehja, qylafi, mënyra e debatit e dialogut. Një nga rolet e mia me Luftarin është tek komedia e Çobo Rrapushit, ku unë kisha rolin e një pseudoshkrimtari në kontakt me popullin. Është një nga rolet më të spikatur të Luftarit. Një rol i veçantë që të ngjall emocion ku ai ka dhënë të gjitha energjitë dhe të fshehtat e akumuluara në skenë për realizimin e këtij roli kaq të vështirë dhe të bukur. Edhe sot Luftari është identifikuar me këtë rol. Një rol tepër i spikatur që vetëm një aktor me përmasat e Luftarit mund ta realizonte. Sot mund të them se me Luftarin jemi si vëllezër.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok