Flet “Artisti i Popullit” Luftar Paja: Edhe unë kur e kujtoj “Po ai që e vodhi nuk kishte faj?” qesh me vete

– Në demokraci populli ynë trim dhe liridashës rri dhe pa bukë, por jo pa politikë
– Emrin e kam Luftar, por nuk kam marrë pjesë në asnjë luftë
Nga Albert Z. ZHOLI
Sa herë ulem me aktorin e madh të humorit patjetër do të zbuloj diçka të re. Ai është si një minier ari pasi ka njohje të shumta, me intelektualë, aktorë, regjisorë, shoferë, kamerierë, njerëz të thjeshtë, por edhe të ndërlikuar. Kjo është merita e tij që e gjen gjuhën me të gjithë. Në bisedat me të për disa çaste i harron hallet. Bota e tijë emocionale është kaq e gjerë dhe interesante, sa kushdo në raportin aktor-spektator e kupton se nga çdo karakter i tij buron humor, ngrohtësi e mirësi. Për mua dhe shumë të tjerë “Çobo Rrapushi me shokë”, dhe “Po hajduti nuk ka faj”, janë dy nga rolet që ndoshta i kanë sjellë lavdinë e përjetshme dhe ngacimet e tërë hapësirës mbarëshqiptare. Këto dy personazhe të veçuara (ndoshta nuk është vetëm mendimi im) janë tipa kaq karekteristik (të marrë nga masa e gjerë), saqë duket se, ato personazhe dha ato portrete, kanë lindur enkas për të, apo ndoshta këto tipa nuk erdhën rastësisht dhe u ndalën tek ai. Ja si shprehet ai për Telegraf.al….
– Ka kohë që Luftari është shmangur tërësisht nga politika, por e ndjek politikën. Por shihet se sot politikanët janë pjesë e humorit. Pra shihet një tendecë sot në disa krijues të humorit për të futur gjerësisht humorin politik ?
– Ky lloj humori është bërë pjesë e jetës sonë pasi shumë politikanë e kanë bërë veten për humor. Eshtë një risi në humorin e sotëm për vetë faktin se, në monizëm thuajse nuk ekzistonte një humor i tillë. Ishte e pamundur të talleshe me një antar të Byrosë Politike. Ndërsa sot, rrugët janë të hapura për këtë humor. Bile, duke pasur parasysh se populli ynë trim dhe liridashës rri dhe pa bukë, por jo pa politikë, ky humor gjen shumë terren. Ka shumë humor me politikanët e sotëm. Ata vetë dashje pa dashje të japin material të bollshëm. Por edhe në këtë rast, tejkalohet masa. Kalon masa, prishet cilësia. Raportet janë të domosdoshme në humorin kërkues. E them kërkues, pasi e kërkuara ka jetgjatësi. E konsumuara “vdes” pas minutës që interpretohet. Rendja shpesh herë pas gjestikulacioneve të sforcuara, i heq personazhit kostmumin e bukur të fjalës, interpretimit. Ky kostum do të thosha është magjik. Magjia e fjalës është e pazvëndësueshme në një skeç. Sado të jesh një aktor i madh me një plastikë mahnitëse, pa fjalën e bukur, të ndërtuar në funksion të plastikës, skeçi apo humori do të ishte artificial, i sforcuar, duke ju shmangur lidhjes organike, plastik- ndërtim lënde.
-Të flasim tani për dy rolet që për mua përbëjnë majën e aktrimit tek ju. “Po ai që e vodhi nuk kishte faj?” dëgjohet të transmetohet si pyetje tek Luftari sa herë ai del xhiro rrugëve të Tiranës. Ku është magjia e kësaj shprerjeje të goditur ?
– E vërtetë! Me këtë shprehje më ka gjetur beleja. Aq sa dhe vetë kur e mendoj qesh. Ndonjë thotë iku dhe Luftari, ka filluar të qesh me vete. Se në këtë botë, tani të gjithë flasin me vete. Kush më pak dhe kush më shumë. Por kur qesh me vete, ndryshe se kur flet, ka diçka akoma më të veçantë. Sepse, sot vjedhja është kthyer në një ves masiv të dembelëve dhe parazitëve. Dhe ti vësh faj në një shoqëri demokratike, pronarit dhe jo hajdutit, është diçka paradoksale. Fabula e humorit është e gjetur, e spikatur në ëmbëlsinë e të thënit bukur dhe me humor. Humori i bazuar tek fjala e gjetur, e bukur, tek fjala inteligjente, është humori më perfekt, më i latuar, më i saktë që të lë mbresë. Ndryshon tejet nga humori i bazuar në fjalën e keqtrajtuar apo zhargonet. Ndoshta, kjo është arsyeja që kjo batutë është bërë kaq popullore. Hallet, problemet, shqetësimet gjejnë fjalë të rralla dhe ngjizin karaktere të spikatur.
– Flitet shumë për humorin sot madje thuhet se nuk ka humor të bukur, elegant, real. Me sa më lart mos vallë mund të themi se sot humori është në krizë?
– Jo se është në krizë tamam, tamam. Por nuk është në vendin që i takon. Humori është një nga gjinitë më të vështira të krijimtarisë. Humori do studim, hulmutim, përqasje nga krijuesit. Janë shumë arsye që deri diku e kanë çuar në një farë krize humorin. Mos pasja e një tregu konkurues, investimet e pakta në këtë lloj tregu krijimtarie, veprimtari të shkëputura, krijimtari pa kritikë, institucione të specializuar thuajse inegzistente, krijimi i rretheve vicioze në mes aktorëve etj. Sot me sa shoh unë, në drejtim të humorit rendet pas sasisë, se sa pas cilësisë. Ndoshta ekonomia e tregut nuk ka arritur në atë stad që të gjehet e duhura por e lira, e lehta, konsumueshmja. Si puna fruta perimeve në tregun fshatar, të gjithë rendin tek më e lira tek më e konsumushmja, ku gjurma është e papërfillshme. Koha do ta çoj në vendin e duhur humorin. Humori është bukuria dhe jetgjatësia për njerëzit. Nuk duhet t’ja heqim këtë funksion dhe rol që e ka fituar në shekuj. Edhe humori në një sistem demokratik duhet t’i përshatatet rregullave të ekonomisë së tregut “Nuk jam i pasur që të blej lirë”.
– Humori më i mirë, si njeri i thjeshtë në ç’moment është për Luftarin ?
– Ndoshta nuk do ta besosh as ti, por as lexuesi. Ndoshta është një tek e karakterit tim, apo ndoshta një dhunti e veçantë që zoti e ka futur pa dashje tek unë. Por për të shuar kureshtjen, e them me plot gojën dhe buzën në gaz se, kur jam i mërzitur kam më shumë humor.
-Ju bëni të tjerët të qeshni. Po ndonjë ngjarje që ndoshta ke hasur që të ka bërë natyrshëm të qeshin të tjerët, por edhe vetë?
-Një ditë komshia më bëri të qesh me vete, por edhe komshijve të tjerë që ishin prezent në oborr. Komshia m’u drejtua: “Këtu në pallat mua nuk ma var njeri, se jam grua pa burrë”. Unë i thashë do vetë të rrish beqare apo pallati ?
Ajo ngriti supet, ndërsa unë duke vazhduar përgjigjen i them? “Vëri një gur zemrës dhe martohu, që dhe komshijtë të ta varin. Jo gabim, të të respektojnë”.
– Kush është në qendër të kritikës në humorin tuaj?
– Veset. Ato më të këqijat, që mundohen të përhapen si murataja në shoqërinë e sotme. Ato vese që të mbysin Në radhë të parë, të gjithë ato karaktere njerëzore që janë me këmbët në ajër. Pastaj më pëlqen t’ju heq nga një kamzhik hajdutëve, kriminelëve, politkanëve gënjeshtarë, femrave lakuriqe, tregëtarëve hileqarë… edhe atyre që vjedhin …lopët e fukarenjëve.
– Ç’urreni më tepër në jetë?
– Ata që qeshin kur është për të qarë dhe e kundërta.
– A jeni i kënaqur nga jeta?
– Jeta është e bukur. Ajo është me ngjyrat e ylberit dhe ne duhet ti shohim këto ngjyra. Nuk jam dakort me ata që e shohin jetën bardhë e zi. Apo vetëm me syze të errëta. Ngjyrat e Ylberit në jetë janë famlja, nipërit dhe mbesat.
– Flitet shumë për emrin tuaj…Luftar Paja emër interesant, shumë pa i përhapur në Shqipëri, ç’mendim keni për veten tuaj ?
– (Qesh). Pak veta e kanë. Shumë më thonë Luftëtar! Emrin e kam Luftar, por nuk kam marrë pjesë në asnjë luftë. Luftrat nuk i kam qejf. Dua paqe, gaz dhe mirëqënie për të gjithë. Luftoj më shumë për të sjellë në humor të tjerët dhe t’u heq nga mendja luftën dhe krismat. Se ne shqiptarët në ç’do kohë, pa pak kallash dhe barot nuk rrimë dot. Na ngjiten vetë pas gishtit. Jo se i kërkojmë. Ata janë në faj, jo ne. Pra Kallashi dhe baroti që janë dashuruar me ne dhe jo ne me ata. Pra me shumë fjalë dhe pak peshë, Luftar Paja në jetë është Paqësor Paja. Në skenë Luftar Paja. Aty jam në luftë me vetveten. Për të arritur më të mirën. Prefeksionin. Aty luftoj deri në fishekun e fundit.