24/12/2024

Flet “Artisti i Popullit” Luftar Paja

0
luftar dhe albert zholi

Rrogën e parë e bëra rrush e kumbulla, babait i thashë se dhurova 500 lekë për luftën në Vietnam

– Si shkova në studion 1 vjeçare në Tiranë, pranë Teatrit Popullor, me profesorë Andrea Malon, , Selman Vaqarrin, Pjetër Gjokën

– Në kurs njoha nga afër ikonat Naim Frashëri, Kadri Roshi, Mihal Popi, Sulejman Pitarka, Kujtim Spahivogli, Sandër Prosi, Violeta Manushi, Prokop Mima, Margarita Xhepa

-Në shkollë fillore, e kisha keq punën me vajzat të cilat bënin si komandante

-Intepretimi im i parë ka qenë një poezi për Stalinin të cilën e recitova si fatos i dalluar

– Si dhuratë më dhanë një kovë me vizatime anash që ishte mbushur plot me portokaj

– Aty njoha regjisorin tim të parë Ndrek Beltoja, që kishte një palë gjyzlykë, një hundë butaforike

– Kam hyrë nga dritarja për të parë filmin “Lulja e Zambakut” por operatori më rrahu keq

-Si u regjistrova fshehurazi babait në shkollën elektrike Kuçovë

-Në shkollë kishte rregull, disiplinë, orar veprimesh dhe mësues serioz

– Debutimin tim serioz si profesionist , e realizova me rapsoditë e Azis Ndreut

Nga Albert Z. ZHOLI

Luftar Paja mbetet një figurë poliedrike, që ndërsa e takon përditërisht, të duket një njeri i dashur, i thjeshtë, muhabetçi, por në skenë shpërthen përmasat e vërteta. Atje duket se nuk bën asnjë kompromis përveçse me zotësinë e tij, duke arritur të realizojë personazhin që merr përsipër në përmasat reale.

Në vitet e para pas Luftës së Dytë Botërore jeta ishte e vështirë. Po shkolla si ishte atë kohë, a kishit kushte, a kishte shkollë në ccdo fshat? Çfarë kujton nga ato vite?

Isha fëmijë i hedhur, i shkathët, por dhe me mësime kam qenë mirë. Me vajzat të cilat bënin si komandante e kisha keq punën. Nga koha e fillores më janë skalitur ca shenja nëpër trup. Njërën e mbaj mend shumë mirë. Në kohën e pushimit vajzat vizatonin ca katërkëndësha me një kryq në mes dhe me një pllakë guri hidheshin nga njëri kuadrat te tjetri. Ajo që e nxirrte petën jashtë kuadratit pa e vënë këmbën në tokë bëhej fituesja. Realizonin dhe një lojë tjetër, që quhej shtëpi me bukagjella, ku vizatohej një shtëpi, sajoheshin pak orendi dhe vajzat bënin si amvisa. Si fëmijë trazovaç që isha u hodha njëherë papritur në mes të lojës. Vajza më e madhe, që luante rolin e nënëmadhes, më dha një të shtyrë te cepi i murit, që rastësisht qëlloi gur i thepisur e m’u gdhend një shenjë e mirë në kokë. Më rrodhi gjaku vu dhe për fat ma pushoi një plak, duke ma presuar me duhan të grirë. Vazhdoj ta kem edhe sot e kësaj dite një vizë të gdhendur mbi ballë. Prindërit nuk e vranë shumë mendjen kur më panë të lyer me gjak, madje më thanë: “Mirë ta bëri, se i ke ngacmuar vetë.” Plagën ma qepi infermierja e Patosit, Neta. Ndenja një javë pa shkuar në shkollë dhe ajo që më vinte më shumë keq ishte, jo se isha vrarë dhe do më mbetej një shenjë për gjithë jetën, por se si ajo feçka mendjemadhe më kishte shtyrë me paturpësinë më të madhe, duke shitur mend se kishte pasur të drejtë. U bë ajo! Gjatë asaj kohe më rrëmbente inati dhe ndonjëherë doja t’ia shkulja flokët e t’ia jepja në dorë! Por ndonëse më vinte inat, në jetë nuk kam qenë hakmarrës. Kam qenë njeri që i kam dashur të tjerët dhe jam munduar t’i kuptoj dhe në mendjemadhësinë dhe kapriçot e tyre. Si rrjedhim i rezultateve në shkollë, në fund të vitit u zgjodha fatos i dalluar dhe u caktova të përfaqësoja klasën time në klubin e Qafës ku organizoheshin koncertet e fundvitit. Aty më mbeti në mendje regjisori i parë, Ndrek Beltoja, që kishte një palë gjyzlykë, një hundë butaforike dhe një palë mustaqe të ngjitura bashkë dhe sa i vinte ato luante me kitarë dhe këndonte parodi. Mësuesja më caktoi të recitoja një vjershë për Vitin e Ri. Sigurisht, programi shkollor nuk lejonte që ti të lexoje, por, duke qenë nxënës i shkathët vjershën ma mësoi mësuesja. Ishte një vjershë për Stalinin të cilën e recitova në rusisht. Interpretimi im i parë, mbaj mend, që u prit me shumë duartrokitje. Si dhuratë më dhanë një kovë. Kova kishte të vizatuar anash një fytyrë butaforike dhe ishte mbushur plot me portokaj. M’u duk një dhuratë shumë e madhe dhe e paparë. E ku ishim mësuar ne fëmijët me dhurata të tilla?! Mund të them se jam lëvduar shumë me atë kovë përpara miqve dhe të afërmve. Në atë koncert më spikati Ndreka dhe i tha mësueses që të më regjistronte në rrethin e fëmijëve sepse kisha prirje aktrimi. Ndrek Beltoja me këtë këshillë, por mbi të gjitha me karizmin e tij, do të bëhej njeriu më i dashur i jetës sime. Regjisori i parë me të cilin kam pasur fatin e madh të takohem e të punoj. Një njeri të cilit i kam shumë borxhe artistike. E kam përmendur disa herë, deri tani, zhvillimin e Patosit. Është e vërtetë se ka qenë kështu. Në Patos ka pasur një vëmendje shumë të veçantë ndaj artit sepse ishin specialistët e huaj. Plus ishte koha që shteti i kushtonte vëmendje shkollave dhe një vëmendje të veçantë, argëtimit. Ajo që ishte dhe pjesa më interesante e kësaj qyteze naftëtarësh ishte kinemaja e qytetit që shpejt u bë vendi im më i preferuar. I rehatuar në një poltronë dhe para teje ndodhte një ngjarje me njerëz të vërtetë, që vraponin, jetonin, këndonin, qanin e mallkonin, duke të pasuruar shpirtin me diçka të jashtëzakonshme. Aty servirej jeta si një përrallë. U dashurova si i çmendur pas kinemasë. Por isha i vogël dhe nuk kisha mundësi financiare për të ndjekur gjithë filmat që doja, ndaj shpesh më është dashur të hyj tinëz. Më kujtohet se përpiqesha gjithë natën të gjeja ndonjë strategji të veçantë për t’u fshehur poshtë poltronave nga operatori dhe vetëm kur të fikeshin dritat të dilja për të shijuar çastet e mrekullueshme të filmit. Por jo gjithnjë ia dilja mbanë. Përgjegjësi i kinemasë ishte një operator, i quajtur Dhimo Vrushi dhe, Dhimua ishte një njeri shumë i rreptë. Nuk i afronte fare fëmijët. Shpesh detyroheshim të hynin nga dritarja e shkollës, meqë kinemaja ishte pranë murit të saj. Mbaj mend se njëherë kam hyrë nga dritarja për të parë filmin “Lulja e Zambakut” dhe më ka rrahur paq sa ta mbaj mend. Atë ditë bëra shurrën në pantallona. Isha vetëm 8 vjeç. Por ndonëse u frikësova, kinemanë nuk e braktisa kurrë. Nuk mund të them se ishte si ndodhia e një viti më parë kur unë rrezikova të kisha shenjtët kundra vetes. Kur e mendoj sot atë dëshirë fëminore më duket e çuditshme. Por më e çuditshme më duket dalldia e Dhimos. Të bësh të vdekur një fëmijë sepse ka kërkuar të shohë një film. Kohërat kur jam rritur unë ishin të vështira dhe për sa i përket marrëdhënieve të mitur-të rritur. Të rriturit të rrihnin paq menjëherë sa t’i shkelje një rregull. Për ta ligji ishte mbi gjithçka, le më pastaj të flasim për argumentin e marrëdhënieve mësues-nxënës. Në kohën time, mësuesit të dërgonin te lofatat, të porosisnin të këputje një degë, ta qëroje dhe t’ia dorëzoje atij. Më kujtohet se mësues Niko më ka goditur për herë të parë me thupër sepse nuk rrija urtë dhe ngacmoja shokët e klasës. Por ne ishim mësuar me këtë lloj “diktature” ndaj mendoj se mësuesit kanë qenë shumë të mirë siç i mendoj me mendjen e sotme për sa i përket përgatitjes së tyre. Le të ishe sa të duash i pavëmendshëm, por forma se si shpjegonte mësuese Aretia të bënte të vëmendshëm se s’bën. Patjetër që me kalimin e kohës i kam vlerësuar shumë raportet e mia me mësuesit. Zakonisht mësimi merrej me shumë seriozitet dhe sot, kur mendoj se nxënësit venë në shkollë me një mungesë të theksuar serioziteti, e vras shumë mendjen për të ardhmen e brezit të nesërm shqiptar.

-Për vetë kushtet ekonomike dhe që ishit shumë fëmijë, babai kërkoi që të futeshe në punë, por ju fshehurazi siguruat të shkonit në shkollën elektrike në Kuccovë? Çfarë kujton nga jeta konviktore?

Po! Kjo ishte situata që unë se pranova. Doja shkollë dhe vetëm shkollë. Fshehurazi babait nëpërmjet shokëve arrita të gjej seksionin e arsimit në Fier. Dija se aty punonte një fshatar i yni, Teki Sadiku, një burrë i shkëlqyer, që më pas u bë “Mësues Populli”. E mashtrova atë pa teklif, duke i thënë se më kishte dërguar babai për t’më gjetur një shkollë. Ai më kërkoi dokumentet, që unë nuk i kisha. Duke hequr të paditurin, ai më sugjeroi shkollën elektrike të Kuçovës, ku nxënësve në atë shkollë u jepnin rroba për të veshur dhe një mijë lekë në muaj se bënin praktikën te puset e naftës. Vendosa menjëherë të studioja në shkollën elektrike. Më pëlqeu si shkollë, por mbi të gjitha më erdhi mirë për atë një mijë lekëshin. Bashkëfshatari më dha një letër dhe u nisa në Kuçovë vetëm me rekomandimin e Tekiut. Aty gjeta një nëndrejtor shkolle, të liruar nga aviacioni. Ishte mësuar me diktatin dhe pasi i dhashë letrën, ky i fundit më tha se rekomandimi nuk më pinte ujë. Shtrydha mendjen. M’u kujtua një shok i babait, që ishte caktuar kryetar dege në Kuçovë, me të cilin kishim qenë komshi. Gënjeva xhaxhi Hamdiun se më kishte dërguar babai të më ndihmonte për shkollën. Pasi i tregova ç’më kishte ndodhur, ai mori në telefon drejtorin e shkollës. Me ndihmën e tij u integrova mes një gjenerate nxënësish të cilët do vazhdonin shkollën elektrike. Ia dola! Nuk thotë kot populli: “Më mirë një mik se një çiflig…!”. Të jetuarit në konvikt ishte një mrekulli më vete. Ishim të lirë, të pavarur nga familja, pavarësisht se në atë kohë disiplina ishte ligji numër një. Unë isha mësuar që në fshat të ngrihesha pa gdhirë, sepse kur punoja më duhej të isha në orën 6 në punë. Në shkollë ngrihesha çdo ditë në orën 7, kryeja tualetin e mëngjesit, vishesha dhe nxitimthi shkoja në mensë. Çdo mëngjes në tavolinat e gjata servirej një çanak me çaj të nxehtë, një copë bukë e madhe, e zezë, një copë djathë dhe marmelatë molle ose fiku. Më pas të gjithë vëllazërisht nxitonim drejt shkollës teknike, duke i vënë ndonjë stërkëmbësh humbamenove të shkollës ose duke komentuar atë çka na servirte e papritura. Mësuesit e shkollës teknike ishin të rreptë dhe fytyrëngrysur. Ishte metoda autoritare ajo që sundonte në të gjitha shkollat shqiptare të kohës. Vendi ishte në kulmin e miqësisë me rusët dhe metodat moskovite ishin eksportuar edhe në sistemin shkollor shqiptar. Kërkohej me çdo kusht disiplinë, rregull, bindje dhe nënshtrim. Mësuesi im i preferuar ishte ai i fizkulturës. Quhej Pipi Vallja. Ishte një sportist shumë i mirë dhe kishte edhe aftësi të tjera përveç komunikimit vëllazëror. Më mësoi xhezin në ato mbrëmjet e veçanta të pallatit të kulturës “18 Tetori”, një vend të cilin unë kisha nisur ta frekuentoja me shumë dëshirë. Aty ishte një kor të përbërë prej 150 vetash, që kishin mbaruar jashtë shtetit. Ishin inxhinierë të diplomuar në vende të ndryshme të demokracisë popullore në vendet e lindjes, kryesisht: Bashkim Sovjetik, Çeki, Rumani sepse Kuçova ishte qendra më e rëndësishme e naftës dhe aktiviteti artistik ishte shumë i zhvilluar. Profesori i fizkulturës drejtonte grupet artistike të shkollës dhe ishte një dirigjent dhe xhezbandist i shkëlqyer. Unë luajta rolin tim midis të tjerëve dhe, dua të them se jam shumë modest kur them që spikata, por jo sa të bija në sy në Kuçovë. Isha një nxënës që merrja pjesë me dëshirë në të gjitha aktivitetet e zhvilluara nga shkolla, por aktivitetet ishin të nivelit diletant.

-Po kur mbaruat shkollën ku të emëruan?

Menjëherë pas mbarimit të shkollës u emërova në Patos si teknik elektrik në ndërmarrjen e telefonave që kishte nafta. Më kujtohet se me rrogën e parë që mora bleva ca rrush e ca kumbulla, domethënë i bëra lekët rrush e kumbulla dhe për në shtëpi s’më mbeti kokërr leku. Për t’u justifikuar sajova dhurata për fejesa, martesa, ditëlindje deri dhe 500 lekë për luftën në Vietnam. Përveç se rriteshe dhe ishe më i pavarur edhe ekonomikisht, kënaqësia më e madhe ishte fakti se në atë vend pune ritakova Ndrekë Beltojën, kripën e gjellës së Patosit. Profesionistit të cilit i rridhte humori vetvetiu dhe gjithnjë kishte punëtorë që i lypnin të bënte ndonjë numër dhe ai nuk përtonte kurrë. Na shkrinte së qeshuri. Por nuk harroj edhe këshillat të cilat nuk m’i kursente asnjëherë dhe që kishin gjithnjë lidhje me talentin që ai mendonte se unë zotëroja. Në vitet për të cilët flasim, Estrada e Peshkopisë fitoi shumë emër dhe midis të tjerëve në trupën e saj kishte një talent i cili quhej Azis Ndreu, një krijues shumë i mirë i rapsodive. Debutimin tim serioz në atë, që unë do e bëja profesionin tim të jetës, e realizova me rapsoditë e Azis Ndreut. Për moshën që kisha, pata shumë sukses. Isha thjesht imitues i tij, sepse me atë artist nuk më lidhte asgjë. Pata sukses dhe spektatori më priti shumë mirë. Me disa partnerë të talentuar si Adem Ruka dhe Sokrat Robo ndërtuam një spektakël dhe shëtitëm gjithë Jugun e Shqipërisë. Ishte hera e parë që ngjitesha në një skenë të rriturish. Iu hap nami kësaj shfaqjeje sa drejtori i industrisë së naftës, që ishte nga Dibra, kur pikasi një dibran mbi skenë më thërriti në zyrë. Unë isha natyrë e krisur dhe nuk e kisha problem të bëja shaka me drejtuesit dhe të futesha në rol. Mendoj se ky ishte origjinaliteti im. – A dibran je? – Po. – Nga ç’vend i Dibrës je? – Jam nga Zalldardha.  Ai arriti deri aty sa nuk e kuptoi fare që unë isha një imitues i dibrançes sepse origjina ime ishte mallakastriote. Dhe më foli për Azis Ndreun. Më pyeti nëse kisha ndonjë lidhje me të dhe unë e gënjeva se e kisha dajë. Klubi i kulturës “Mustafa Matohiti”, që më vonë u bë pallat i kulturës, kishte një aktivitet shumë të dendur artistik në atë kohë sepse qyteti i naftës ishte më i rëndësishëm se Fieri. Specialistët ishin rusë dhe mbizotëronin brigadat e famshme ruso-shqiptare. Aty pashë për herë të parë ansamblin rus “Beriozka”. Por ndërsa kisha nisur hapat e parë në karrierën time artistike nisën dhe pengesat.Në vitin 1962 më nisën kontradiktat me kryeinxhinierin e ndërmarrjes ku punoja, në elektrik-telefona të naftës. Ai më thirri një ditë në zyrë e më tha: “Ti djalë i mbarë ose mbaj profesionin e elektricistit e përkushtoju atij ose mbaj pallatin e kulturës!” Vendosa prej hallit të punoja turni i tretë, që të isha i lirë gjatë ditës sidomos pasdite në pallat, por edhe kjo nuk ishte zgjidhje. Ia shtrova problemin drejtorit të pallatit në atë kohë, Ylvi Ganiut (Agalliut) për të cilin ruaj respektin më të madh. Ai me këshillat dhe sugjerimet e tij më ndihmoi si një prind i mirë. Pas shumë rrahje mendimesh dhe debatesh u gjet një zgjidhje: si artist amator i dalluar m’u dha mundësia të shkoja në studion 1 vjeçare që u hap në Tiranë, pranë Teatrit Popullor, ku kam pasur profesorë Andrea Malon, mjeshtër i skenës, Selman Vaqarrin dhe për të folurën skenike Pjetër Gjokën. Në kurs njoha nga afër ikonat e artit skenik, të mëdhenjtë si: Naim Frashëri, Kadri Roshi, Mihal Popi, Sulejman Pitarka, Kujtim Spahivogli, Sandër Prosi, Violeta Manushi, Prokop Mima, Margarita Xhepa etj. Nga gjithë frekuentuesit, u dallova pak më shumë se 27 të tjerët dhe vetëm unë e vazhdova fushën e artit ndërsa një pjesë e tyre u larguan ose debutuan në klube amatore. Kursi 1 vjeçar më ndihmoi në pikësynimet e mia. Tashmë ëndrra ime ishte të bëhesha një artist profesionist. Një mënyrë për të ushtruar talentin në nivelet më të larta.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok