23/12/2024

Flest shkrimtari vlonjat Çlirim Hoxha

0
Albert-Zholi

Flest shkrimtari vlonajt Çlirim Hoxha: Si luajta në dramën “Pranvera që s’vonoi” të Bashkim Hoxhës, “Në vitet e para” të Ferhat Çakërrit, “Lidhur si fishek gjerdani” të Bashkim Kozelit

Nuk harroj rolet në dy filma, “Gunat përmbi tela” të regjisorit Muharrem Fejzo dhe “Vëllezër e shok” të regjisorit Dhimitër Anagnosti.

28 marsi i vitit të mbrapsht 1997 tragjedia e Otrantos, nuk e harroj dot. Atë ditë në Vlorë u mblodh Komiteti Kombëtar i Shpëtimit Publik

– Dhe dita tjetër e vështirë në punën time si gazetar ka qenë 9 janari 2004, kur ata dibran të shkretë ngrinë nga të ftohtët në ujërat e detit.

Intervistoi: Albert Z. ZHOLI

Shkrimtari Hoxha dhe pse kishte dëshirë dhe prirje për aktrim pas viteve 1990 ai ju përkushtua krijimtarisë artistike. Por në periudhën e realzmit socialist ai nuk ishte anëtar i Lidhjes të Shkrimtarëve dhe Artistëve të Vlorës ku bënin pjesë emra të spikatur si; poeti Nexhat Hakiu, poeti Hiqmet Meçaj, poeti Ferhat Çakërri, Fadil Zeqiri, poeti Bardhosh Gaçe, poetja Maro Pasho, Andrea Petromilo, bardi popullor Lefter Çipa, Pali Shtëmbari, Luan Toto, Odise Goro, Jani Malo e Merita Caci. Shkrimtari Mihallaq Qillieri, Shefqet Tigani, etj. Dramaturgët Bashkim Kozeli, Miliano Stefa, Harallamb Fandi, Ferdinand Hysi, etj. Piktorët e Popullit Skënder Kamberi e Nestor Jonuzi. Piktorët e talentuar, Petrit Ceno, Agim Sulaj, Agron Dine, Sabaudin Xhaferri, Hilmi Bani, etj. Skulptorët Zeqir Alizoti, Skënder Tena, Bujar Elmazi etj.

-Si e kujtoni Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë përpara viteve ’90?

Unë nuk kam qenë anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë përpara viteve ’90. Nuk kam qenë, sepse nuk kam  botuar asnjë libër në atë kohë, pavarësisht se rrekesha të dërgoja ndonjë poezi drejt gazetës “Drita”, të cilën nuk ma botonin. Di që kryetari i saj në Vlorë ka qenë piktori i ndjerë Ilmi Bani. Unë kam filluar të shkruaj pas vitit 1990, pra i përkas erës së re të letërsisë dhe gazetarisë. Kam qenë i prirur për t’u bërë aktor, një pasion i hershëm  qysh në fëmijërinë time. Isha i të dyja planeve, atij dramatik dhe atij komik, por fati nuk donte. Tentativa ime për të ndjekur Institutin e Lartë të Arteve dështoi, jo për mungesë talenti, por për mungesën e një miku dhe ca arsye të tjera të kohës. Megjithatë, u aktivizova në disa premiera të teatrit “Petro Marko” në Vlorë, në dramën “Pranvera që s’vonoi” të Bashkim Hoxhës, “Në vitet e para” të Ferhat Çakërrit, “Lidhur si fishek gjerdani” të Bashkim Kozelit etj, si dhe në dy filma, “Gunat përmbi tela” të regjisorit Muharrem Fejzo dhe “Vëllezër e shok” të regjisorit Dhimitër Anagnosti.

-Kë kujton nga krijuesit apo Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, dega Vlorë në sistemin monist?

Me aq sa di, Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, dega Vlorë, ka pasur gjallëri dhe emra të spikatur në të gjitha artet. Kam qenë i pranishëm në mjaft përurime të librave të rinj, në mjaft konkurse letrare që organizonte Biblioteka Publike “Shevqet Musaraj”, pallati i Kulturës “Labëria” apo në lëvizjen amatore mes qendrave të punës apo shkollave. Kam qenë prezent në diskutimet kritike që bëheshin pas hapjes së ekspozitave me piktura. Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve” të Vlorës kishte disa seksione, siç ishin ai i letërsisë për fëmijë dhe të rinj, i letërsisë së realizmit socialist, i pikturës dhe skulpturës, i arteve pamore. Gjithashtu i muzikës dhe artit skenik etj. Në lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Vlorës bënin pjesë emra të spikatur si; poeti Nexhat Hakiu,poeti Hiqmet Meçaj, poeti Ferhat Çakërri, Fadil Zeqiri, poeti Bardhosh Gaçe, poetja Maro Pasho, Andrea Petromilo, bardi popullor Lefter Çipa, Pali Shtëmbari, Luan Toto, Odise Goro, Jani Malo e Merita Caci. Shkrimtari Mihallaq Qilleri, Shefqet Tigani, etj. Dramaturgët Bashkim Kozeli, Miliano Stefa, Harallamb Fandi, Ferdinand Hysi, etj. Piktorët e Popullit Skënder Kamberi e Nestor Jonuzi. Piktorët e talentuar, Petrit Ceno, Agim Sulaj, Agron Dine, Sabaudin Xhaferri, Hilmi Bani, etj. Skulptorët Zeqir Alizoti, Skënder Tena, Bujar Elmazi etj.

– Po Kadare apo Agolli a kanë ardhur dhe bërë takime me anëtarët e Lidhjes së Vlorës dhe personalisht vetë a i keni takuar? Keni mbresa?

Me sa mbaj mend, në Vlorë vinin shpesh si Dritëro Agolli, që ishte Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, por edhe Kadareja. Me Agollin shkrimtarët dhe artistët vlonjat kishin më shumë kontakte për shkak të pozicionit të tij si kryetar i lidhjes. Të gjitha krijimet letrare dhe artistike në atë kohë u nënshtroheshin diskutimeve, sepse kritika kishte një rol parësor në evidentimin e vlerave të një vepre dhe ndikonte në përhapjen e jehonës së saj në popull. Përpara viteve ‘90 mund ta botoje një roman, një vëllim me tregime, një vëllim poetik, mund të vije në skenë një dramë, por nuk kalonte shumë dhe mund të përfundoje në burg për modernizëm, për mungesën e rolit të partisë në jetën e përditshme, për sfumimin e rolit të Enver Hoxhës në udhëheqjen e vendit, për zbutje të luftës së klasave etj mbroçkulla të kohës. Libri jot mund të hiqej nga qarkullimi dhe të kthehej në karton, si rasti i të madhit Petro Marko apo disa të tjerëve. Po kështu ndodhte edhe në artet e tjera.

Në atë system kush ishte gazeta juaj e preferuar dhe me cilat gazeta bashkëpunonit?

Siç e theksova në fillim të kësaj interviste, gazeta më e mirëpritur e kohës për krijuesit vlonjat e jo vetëm, ishte gazeta “Drita”, organ i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, e cila dilte çdo të diel. Oh, me sa kuriozitet e prisnim ne rinia e asaj kohe, që kishim prirje nga artet. “Drita” ishte një gazetë e këndshme dhe e pa përsëritshme. Të gjithë korifejt e artit shkruanin aty, apo ishin prezent me krijimtarinë e tyre të freskët.

Konkurrenca mes artistëve në ato vite ishte shumë e madhe. Madje, më kujtohet kur bëhej përzgjedhja e veprave më të mira që do të paraqiteshin në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë, me rastet e përvjetorëve të festave të çlirimit apo të pavarësisë. Kishte një qejf-mbetje të madhe tek ata që nuk u përzgjidhej krijimtaria, sidomos në pikturë apo në skulpturë. Kjo bënte që makina që do të çonte veprat e përzgjedhura në Tiranë të vonohej, sepse nuk e linin të ikte ata që pretendonin se vepra e tyre ia vlente të paraqitej në galerinë kombëtare në Tiranë. Ndonjëri prej tyre e fuste me forcë në karrocerinë e makinës veprën e tij, mjafton që ajo të ekspozohej në Galeri.

– Po sot a ka Lidhje krijuesish në qytet?

Sot gjërat kanë ndryshuar. Ka një liri të gjerë për krijuesit vlonjat, si për ata të letërsisë, ashtu edhe për ata të artit pamor. Ajo që të dhemb është përçarja. Nuk ka më Lidhje të Shkrimtarëve dhe Artistëve, që mbështetej nga shteti. Sot shkrimtarët kanë ngelur të vetmuar, organizuar në disa shoqata që hiqen zvarrë. Veprat e tyre nuk publikohen, nuk mbështeten financiarisht. Botohet me sforco të madhe duke iu lutur herë njërit e herë tjetrit biznesmen. Botohet me lekët e pensionit, apo edhe me kredi nga bankat?! Sot krijuesi është i detyruar të rropatet me libra në krah derë më derë e librari më librari për të përhapur letërsinë e tij. Askush nuk i fton të marrin pjesë në konkurset kombëtare. Kanë ngelur konkurset kombëtare në disa emra të përvitshëm, sikur letërsi të bëhej vetëm në Tiranë. Më qesharak bëhen ata që organizojnë Panairin kombëtar të librit çdo nëntor. Ndajnë çmimet letrare ditën e parafundit të panairit pa i lexuar fare krijimet e fituesve. Si mund t’i lexosh brenda tri ditëve?! Dhe pastaj kur dëgjojmë në televizor se çmimin e fitoi filan shkrimtar. Çmime të paravendosura pa filluar panairi. Ore, bëjmë pyetje ne, po pse vetëm ky qenka çdo vit fitues, ose një herë në dy vjet?! Vetëm ky shkruaka bukur, të tjerë nuk paska?! Ç’pyet për atë punë. Gjëra që mbajnë erë dhe që demoralizojnë të gjithë ata krijues që bëjnë letërsi të bukur, por që nuk ua var njeri teneqen. Letërsia shqiptare është në krizë. Unë i kam propozuar Drejtores së Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, z. Alda Bardhyli që të interesohet për një bashkim të të gjithë shkrimtarëve  shqiptar në një organizëm të vetëm, por e mbështetur nënë kujdesin e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit. Është shumë e nevojshme dhe e rëndësishme që letërsia e re shqiptare të dalë në dritën e diellit dhe të jetë e pranishme edhe jashtë vendit. A e kuptoni, na mbyti letërsia e huaj, ku botuesit kanë gjetur thembrën e Akilit. Të mjerët autor të gjallë, lere ata që nuk jetojnë më, të cilëve u zhvatet e drejta e autorit dhe bëhen miliona?! Një problem tjetër që lidhet me krijimtarinë letrare në Shqipëri është mungesa e bashkëpunimit me medien televizive. Kjo medie nuk ka interes t’i bëjë publicitet letërsisë shqiptare, me ndonjë përjashtim, kur dihet se libri sot përjeton krizën më të madhe për shkak të konkurrencës që i bën teknologjia. A shikoni më sot të rinj me libra në duar? Jo, vetëm me telefon dhe me kokën poshtë. Interneti përveç komunikimit ndër-njerëzor dhe lajmit të shpejtë, të tjerat i ka negative. Fëmijëve u vret kreativitetin, u dëmton sytë dhe u trullos trurin. Për mua interneti apo telefoni janë drogë elektronike, që shkakton varësi torturonjëse. Edhe shpikësi i inteligjencës artificiale në SHBA, Lamier, u bënë thirrje prindërve që të kenë kujdes me përdorimin e teknologjisë nga fëmijët. Çfarë t’i thuash një prindi që fëmija i tij mbushi 2 vjeç dhe për dhuratë ai i fali një telefon celular të tipit më të fundit. O Zot çfarë bëhet kështu?! Në do ta bësh një njeri skllav, jepi një telefon celular. Po libri ku është? Ku është shpikja më e madhe e njerëzimit, ai që të ndriçon trurit dhe truri që ndryshoi botën?!

-Keni qenë gazetar në disa gazeta qendrore. Kush ka qenë dita më e vështirë si gazetar? Si i kujton muajt e vitit 1997 në Vlorë?-Saranda një qytet libra dashës. Sa libra ka pasur libraria e qytetit? Cilat mosha lexonin më shumë?

Kam qenë gazetar në disa nga gazetat kombëtare gjatë këtyre viteve dhe kam parë dhe ndeshur shumë ngjarje dhe episode që më kanë lenë mbresa në kujtesën time. Dy kanë qenë ngjarjet më rrëqethëse që kam përjetuar. Kam shkruar me disa emra apo pseudonime, për shkak të situatave të nxehta, apo për shkak se punoja në disa medie njëkohësisht. Sazan Karaburuni, Ilir Ruci, Gani Kanina, Çlirim Hoxha e ndonjë tjetër. 28 marsi i vitit të mbrapsht 1997 tragjedia e Otrantos, nuk e harroj dot. Atë ditë në Vlorë u mblodh Komiteti Kombëtar i Shpëtimit Publik në sallën e madhe të Gjimnazit “Ali Demi”. Kishin ardhur, në mos gabohem,  Sabri Godo, Preç Zogaj, Frok Çupi, Skënder Gjinushi, Paskal Milo, Petrit Kalakula, Kurt Kola etj politikanë të kohës. Mbledhjen e drejtonte Kryetar Koçiu dhe ai i Vlorës Albert Shyti. Në fund të mbledhjes do të përpilohej një deklaratë që do t’i shpërndahej shtypit dhe përfaqësive diplomatike. Deklarata kërkonte mes të tjerash dorëheqjen pa kushte të Presidentit Sali Berisha për qetësimin e situatës, si shkaktar të tragjedive të ndodhura pas shembjes së firmave piramidale. Kundër kësaj pike ishte Sabri Godo, por, pro kësaj pike ishte Frok Çupi dhe shumica e të pranishmëve. Debati zgjati ca dhe si përfundim u miratua sipas asaj që këmbëngulte Frok Çupi. Ndërkohë njerëzit ishin mbledhur në sheshin e flamurit dhe prisnin krerët e komitetit të Shpëtimit Publik ardhur nga të gjitha rrethet e vendit. Aty u mor vesh se nga Porti i Vlorës ishte nisur atë pasdite një anije me refugjatë dhe seç po pëshpëritej nëpër dhëmbë. Kur mbërritëm në shtëpi atë natë në lajmet e orës 20 dëgjuam për tragjedinë e Otrantos. Më besoni, kisha frikë të hapja dritaren, mos dëgjoja ndonjë klithmë të mbytur. Lajmi u përhap me shpejtësinë e dritës. Kush kishte njerëz në atë anije të zezë po kalonte në krizë. Vlora mbante frymën e pagjumë deri në agim. Menjëherë ndoqa lajmet te Rai Uno dhe mora emrat e të mbijetuarve. Pamjet ishin të frikshme. I shtypa gjithë natën në makinën e shkrimit dhe të nesërmet ngjita listën te Banka Tregtare në sheshin e flamurit. Njerëzit u grumbulluan dhe po lexonin emrat me frikë në zemër. O tmerr ku je! Situata në qytet ishte tepër e nderë. Gra me të zeza, që iknin kuturu duke pyetur për fatin e të dashurve të tyre. Ata të zhdukur, që nuk u gjetën kurrë, ishte e vështirë të përshkruhen, sepse njerëzit e tyre luteshin ditë e natë: O Zot, të lutem më thuaj, ku janë, a janë gjallë???

Dhe dita tjetër e vështirë në punën time si gazetar ka qenë 9 janari, kur ata dibranë të shkretë ngrinin nga të ftohtët në ujërat e detit, kur gomonia me të cilën ishin nisur pësoi defekt e u shua. Telefona që kërkonin ndihmë deri në shkarkimin e baterive. Dallgë që u hipnin sipër duke i lagur në palcë. Erë që kuiste si e marrë, ku shkoni bre burra?! Shpirtra që u ngjitën në qiell… Ne, gazetarët e Vlorës ishim mbledhur në kokë të Portit të Vlorës dhe prisnim me ankth. Anija italiane që i kishte tërhequr nga pas Karaburunit i kishte çuar në ishullin e Sazanit dhe po vonohej sjellja e tyre në port. Dikush nga autoriteti portual tha se, po i sistemojnë, sepse kanë ngrirë në pozicione të ndryshme. Ky ishte një tmerr i vërtetë. U vonuan, por mbërritën. Për së largu anija ushtarake italiane që po i sillte jepte shenja zie. Dhjetëra autoambulanca ishin rreshtuar në bankinën e portit në pritje. Edhe sot e kësaj dite ata dibranë fatkeq kërkojnë shpagim. Shqipëria në ato vite ishte një shtet që rrokullisej ku ta shpinte fati. E për të gjitha këto gishti drejtohet nga politika, ajo e ka në dorë shtetin, rregullin, policinë, ushtrinë, drejtësinë.

Kam shumë për të thënë e shkruar, sepse e tillë ka qenë puna ime si gazetar investigativ. Ka të tjera episode të vështira, që duhen përmendur, por po e le me kaq pa u zgjatur më për të vazhduar edhe pak me librat.

Në vitin 1997 Biblioteka Publike, “Shevqet Musaraj” e Vlorës kishte 120 mijë ekzemplar libra dhe ndodhej brenda mjediseve të Pallatit të Kulturës “Labëria” në Skelë. Gjatë trazirave ajo u sulmua dhe u grabit. Nga 120 mijë libra mbetën vetëm rreth 30 mijë. Drejtoresha e atëhershme e kësaj biblioteke, zonja e nderuar Liljana Gjika, arriti të shpëtonte librat e rrallë që kishte biblioteka në fondin e saj. Ajo gjeti një furgon dhe me ndihmën e djalit të vetëm, Yllit, mori nga biblioteka enciklopeditë dhe të tjerë libra të rrallë dhe i siguroi në shtëpinë e saj. Për librat e tjerë u tha se, ata, pra grabitësit, vodhën kulturë dhe me kaq u mbyll kjo histori. Biblioteka Publike “Shevqet Musaraj” u vendos në një godinë tjetër, duke zënë dy katet e një pallati në Vlorë, por ky qytet libërdashës, siç është njohur Vlora në vite, meriton një bibliotekë dinjitoze në mes të qytetit. E kam kërkuar kudo ku më është dhënë rasti gjatë dhjetë viteve që e drejtova këtë bibliotekë, por klithmat e mia prej shkrimtari e gazetari i fshiu era e jugut.

– Cilat janë problemet e krijuesve vlonjat sot?

Gjatë këtyre viteve të tranzicionit letërsia në qytetin e Vlorës ka vazhduar të pasohet nga brezi në brez dhe sot rrezikon të shuhet, sepse ata që shkruajnë kanë ngelur në pak emra që numërohen me gishtat e dorës. Dua të përmend këtu disa emra, por kam frikë mos harrojë ndonjë. Po e nis me ata që nuk janë më, si një homazh për kontributin që dhanë mbi truallin e Vlorës mëmë e më gjerë. Petro Marko e Fatos Arapi. Miliano Stefa, Petrit Qejvani, Anastas Bita, Vangjel Pici, Luan Toto, Avni Varfi, Lefter Çipa, Astrit Hajdini, Nertesi Asllani, Zenepe Luka. Qofshin të pa harruar në kujtesën e Vlorës dhe vlonjatëve.

Sot vazhdojnë aktivitetin letrar emra të tillë si, Bardhosh Gaçe, Eqerem Canaj, Vilheme Vranari Haxhiraj, Idajet Jahaj, Albert Habazaj, Theodhori V. Baba, Elma Rama, Theodhori Proko, Luto Memokondi, Pëllumb Velo, Kleo Lati, Petraq Pali, Laureta Petoshati, Fate Velaj, Andi Meçaj, Kristo Çipa, Alisa Velaj, Rudina Papajani, Anila Toto, Zamira Agalliu, Gëzim Zilja, Kozma Billa, Neki Dredha, Pajtim Xhelo, Ruzhdi Bajrami, Alma Feruni, Natasha Limaj, Çlirim Hoxha etj. Disa të tjerë për shkak të moshës janë tërhequr nga krijimtaria, ose nuk shkruajnë më, por mbeten pena të nderuara në panteonin e letërsisë vlonjate si, Hiqmet Meçaj e ndonjë tjetër.

Po e mbyll këtu këtë udhëtim  nëpër vite, duke lenë të hapur portën për të tjera përshkrime, mbresa, kujtime dhe meditime.

Mos harroni: Libri ndriçon mendjen. Mendja ndryshon botën!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok