Filloi Festivali i VI-të Mbarëkombëtar i Foklorit “Rapsha 2022” – Malësi e Madhe
Nga Gjekë Gjonaj
Sot, më 19 gusht 2022, një vit më v0në seç ishte planifikuar, për shkak të Covid-19,filloi Festivali Mbarëkombëtar i Foklkorit “ Rapsha 2022”- Malësi e Madhe, i cili do të mbahet në Vitojë-Tuz. Kjo ngjarje e rëndësishme kulturore organizohet nga Shoqata Kulturore – Artistike “ Rapsha”-Drume, e cila ndër vite është kultuvuese e kulturës dhe traditës së shqiptarëve si popull me tradita që jetojnë me shkeuj të stërlashtë në trojet e tyre etnike në Malin e Zi. Në skenën e hapur të këtij festivali, siç ka bërë të ditur organizatori nga data 19-21 gusht pritet që shoqatat ansamblet dhe grupet artistike folklorike të shpalosin vlerat e folklorit të zonave të ndryshme shqiptare nga Mali i Zi, Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Bujanovci, Presheva dhe diaspora, Nju-Jorku e Detroiti (SHBA). Për fat të keq sivjet, siç na konfirmoi David Junçaj, kryetar i SHKA “ Rapsha”, nuk do të kenë mundësi të marrin pjesë grupet folklorike shqiptare nga Greqia, Italia dhe Zvicra. Megjithatë, do të jetë kjo një festë e madhe mbarëkombëtare, një dasëm me qindra dasmorë (krushq) e dasmoresha të grupmoshave të ndryshme, të cilët do t’i japin Tuzit dhe Malësisë së Madhe hijeshi dhe bukuri me veshjet (kostumet) e larmishme popullore , si pasuri e veçantë e kulturës sonë materiale me vlera të rralla etnografike nga treva të ndryshme shqiptare.
Kjo sofër kombëtare edhe këtë vit, si shumë vite më parë, do të bashkojë në një vend artistë, këngëtarë, valltarë, instrumentistë, e të tjerë, do të dëshmojë se folklori dhe kultura e popullit shqiptar buron dhe gjallon në të gjitha hapësirat e jetës së kombit tonë. Kjo magji artistike dhe njerëzore do ta bëjë Tuzin qendër treditore të kulturës shqiptare.
Pritet të jetë një festë e vërtetë me momente të rralla e të papërsëritshme të cilat e pasurojnë dhe e fisnikërojnë jetën tonë shpirtërore.
Gjatë ditëve të festivalit, mes shumë emocioneve, do të mbizotërojë më e bukura e trashëgimisë sonë materiale dhe kulturore, kultivimi i valles dhe këngës së bukur shqipe. Do të prezantohen këngë lirike, të dashurisë, dasmës, kurbetit, këngët më të vjetra të mbërritura në ditët tona “ përkryekrahut” ose “majekrahut” , me një origjinalitet mahnitës si dëshmi e periudhës pagane dhe një perlë e traditës së lashtë shqiptare, këngët epike përmes së cilave shqiptarët kanë fiksuar trimërinë dhe historinë e të tjera. Të gjitha këëto do të përcillen me vegla tradicionale siç janë: lahuta, çiftelia, sharkia, fyelli, kavalli, defi, lodra apo tubani e shumë vegla tjera muzikore tradicionale. Artistët popullorë me artin e tyre do të sjellin para publikut malësorë (shqiptarë) ngjarje të rëndësishme historike, figura personalitetetesh të historisë, valle burimore, lojëra popullore, kontribute dhe ngjarje të tjera të cilat përbëjnë prurje burimore të kulturës dhe historisë sonë kombëtare.
Prurjet e këtij festivali do të dëshmojnë se shekuj me radhë është kënduar dhe është kultivuar në mënyrë të pandërprerë etnosi dhe kënga arbërore. Gjithashtu ky festival do të shërbejë në gjallërimin e jetës kulturore-artistike të Komunës së Tuzit dhe në shtimin e artdashësve dhe vizitorëve vendas dhe të huaj në veprimtaritë e trashëgimisë shpirtërore.
E gjithë kjo veprimtari dhe punë me vlerë kombëtare e organizatorit dhe grupeve folklorike shqiptare pjesëmarrëse synim kryesor ka ruajtjen e foklorit burimor shqiptar (traditës folklorike) nga harresa dhe përcjelljen e tij nga brezi në brez. Aty ku nuk ruhet dhe kultivohet vallja dhe kënga e bukur shqipe, nuk ka dhe nuk do të ketë shqiptarë.
Shoqatat, ansamblet dhe grupet folklorike në të gjitha trevat etnike shqiptare dhe diaspora e largët kjo veprimtari kombëtare sjellin vlera të mëdha të trashëgimisë kulturore shpirtërore tradicionale shqiptare. Prandaj ato do të duhej patjetër të mbështeten financiarisht nga institucionet e kulturës, të shtohen fondet nga viti në vit për kulturën, sepse kultura është vlera më e çmuar që kemi ne si komb arbëror.
Edicioni i sivjetëm, i gjashti me radhë, i këtij eventi të madh të trashëgimisë folklorike me karakter konkursi ( garimi) parashikon edhe akordimin (ndarjen ) e çmimeve nga juria profesionale, sipas kritereve të paracaktuara artistike në statutin e tij.
Organizimin e këtij manifestimi, ku do të takohen trashëgimia shpirtërore me atë kulturore, e ndihmuan donatorë vendas dhe diaspora të Malesisë së Madhe nga Nju-Jorku dhe Detroiti (SHBA), sikurse edhe Komuna e Tuzit.