22/12/2024

Figura shumëdimensionale e Akademik Gazmend Zajmit

0
Monografia-Gazmend-Zajmi

Vështrim për monografinë për Gazmend Zajmin

Nga Anton Marku, Vjenë

Monografia ‘‘Gazmend Zajmi – një jetë për Kosovën’’ me autor gazetarin dhe publicistin e shquar Nuhi Bytyqi është vazhdimësi e kujtimit të figurave të mëdha të kombit, të cilat lanë gjurmë të pashlyeshme në etapat më intensive të zhvillimit të tij. Është ky një botim voluminoz dhe serioz, i cili dëshmon për përkushtimin e autorit për të pasqyruar me sa më shumë besnikëri të gjitha fazat e jetës dhe veprimtarisë së Rektorit të Universitetit të Prishtinës dhe Kryetarit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, tashmë të ndjerit profesor dhe Akademik Gazmend Zajmit.

Në aspektin kombëtar jeta e tij si studentë e më pas edhe profesor dhe Akademik do të brumoset me atdhedashurinë dhe patriotizmin e axhës së tij, ushtarakut Tahir Zajmi, njeri nder themeluesit e Lidhjes së Dytë të Prizrenit dhe nacionalizmin dhe antifashizmin e dajës së tij, ish funksionarit të lartë të Kosovës, Xhavit Nimanit.

Për të kuptuar më mirë rezistencën e shqiptarëve të Kosovës, sidomos atë lëvizje progresiste, të udhëhequr nga një grup intelektualësh më në zë të kombit, sidomos asaj bërthame të angazhuar në Universitetin e Prishtinës dhe atë që nga themelimi i tij, duhet kthyer në retrospektivë dhe njohur me konfliktin njëqindvjeçar shqiptaro-serb e sidomos me zhvillimet politike, shoqërore dhe ekonomike në çerekun e fundit të shekullit të kaluar, e të cilat i kanë paraprirë kësaj rezistence, e cila që në thelb ishte sa mbarëpopullore po aq edhe qytetare dhe shumëdimensionale. Ajo bazohej në veprime ilegale, protestë jo të zëshme dhe të hapur, padëgjueshmërinë individuale dhe kolektive si dhe fuqizim të institucioneve dhe strukturave ekzistuese në raport me regjimin shtetëror serbo-jugosllav.

Në vitet e 60ta dhe të 70ta të shekullit 20. Kosova përjetoi një emancipim të hovshëm, sidomos shoqëror dhe kulturor edhe pse ekonomikisht vazhdonte të mbeste prapa rajoneve të tjera në ish-federatën jugosllave. Në këtë periudhë nisën të intensifikohen komunikimi dhe bashkëpunimi me Shqipërinë, të cilat deri atëherë kishin qenë shumë të kufizuara. Kjo hapje ngriti vetëdijen kombëtare të shqiptarëve të Kosovës duke i bërë ata që të mendojnë se si të ngritin statusin e tyre juridik në shtetin e përbashkët fillimisht nga niveli i krahinës në atë të republikës. Këto kërkesa u bënë publike në demonstratat e studentëve të marsit dhe prillit të vitit 1981, një vit pas vdekjes së Titos. Këtyre protestave ju bashkëngjitën edhe shtresat tjera të shoqërisë, ndërsa u mbështetën edhe nga një pjesë e funksionarëve të lartë të Kosovës së asaj kohe. Edhe pse këto protesta u shtypën me dhunë ato ishin sinjali i parë i rënies dhe shpërbërjes së shtetit artificial e shumëkombësh të quajtur Jugosllavi.

Para viteve te 90-ta çështja apo problemi e Kosovës ishte shumë pak i njohur në botë. Me themelimin e partive te para politike nisi internacionalizimi i çështjes së Kosovës. Në fazën e parë bota filloi t’i dëgjonte kërkesat e shqiptarëve të Kosovës, në fazën e dytë t’i kuptonte ato dhe fazën e tretë të kishte mirëkuptim për to dhe t’i mbështeste.

Në fillim të viteve të 90-ta shpërthen lufta në Slloveni, Kroaci dhe më pas në Bosnjë e Hercegovinë. Organizohen shume konferenca ndërkombëtare në tentativë që të arrihet një zgjidhje paqësore por nuk arrihet te shmanget konflikti i përgjakshëm i cili me pas do te prek edhe Kosovën.

Orientimi politik i Akademik Gazmend Zajmit ishte ishte perëndimi dhe qytetërimi perëndimor. Ai ishte i njohur me vlerat e tij qëkur ishte student. Lëvizja progresiste e Kosovës, sidomos ajo e viteve të 70-ta deri në vitet e 90-ta është e lidhur ngushtë me emrin e Akademik Gazmend Zajmit. Ai shënoi një epokë të tërë. Historia më e re e Kosovës nuk mund të shkruhet pa të. Ai do të mbahet mend gjatë, sidomos për modelin autentik intelektual që krijoi.

Edhe pse Akademik Gazmend Zajmi ishte orator i shkëlqyer, ai më shumë preferonte të shkruante sesa të fliste. Argumentimet dhe analizat në nivel akademik, jurisprudenca dhe Filozofia ishin dashuria dhe pasioni i tij më i madh. Dhe ai i bëri këto në mënyrë shumë të mirë. Si askush tjetër më parë. Në dashuritë tjera të tij bëjnë pjesë edhe letërsia dhe muzika të cilat ai i kultivoi me pasion të pashoq, duke qenë, ndër të tjera, edhe autor i tekstit të këngës së dashur nga të gjitha gjeneratat, asaj me titull ‘‘Martesa’’ të interpretuar bukur sidomos nga Ismet Bogujevci.

Në fund, duhet falënderuar dhe shprehur mirënjohje autorit të kësaj monografie Nuhi Bytyqit për përkushtimin dhe punën kolosale që ka bërë në ndriçimin e figurës sa të thjeshtë e po aq komplekse të njërit ndër emrat më të mëdhenj të kombit, Akademik Gazmend Zajmit.

Autori është kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri ‘‘Aleksandër Moisiu’’

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok