22/12/2024

Figura e fundit madhështore e qytetërimit romak

0
Dardania

Nga Prof. Blerim Latifi

Gërmimet në bazilikën e shekullit të gjashtë, e cila u zbulua vjet në Ulpianë, kanë nxjerrë në dritë një zbulim tjetër fantastik:  një mozaik që përmban një dedikim për kishën nga perandori bizantin Justiniani i Parë dhe gruaja e tij Teodora.

Në mbishkrimin e dedikimit përmendet edhe Dardania. Kjo tregon peshën e madhe që ky vend kishte për sundimtarin më të madh të Bizantit, i cili edhe vetë ishte me origjinë nga Dardania.

Dhe një gjë tjetër: edhe sa dëshmi të tjera duhet të dalin në dritë, në mënyrë që stërhollimet skolastiko- etimologjike për emrin e Prishtinës, që e lidhin origjinën e këtij emri me gjëra krejtësisht periferike, me folje e ndajfolje, me parashtesa e prapashtesa fjalësh, me emra përrockash e me dreqin e t’birin, të marrin fund dhe të pranohet se Prishtina e ka marrë emrin nga Justiniani i Parë, Primus Justinianus.

Me njeriun që ndërtoi Hagia Sofinë, dhjetëra e dhjetëra kisha të tjera, nga Mali Sinai në Lindje e deri në Ravena në Perëndim, që kodifikoi të drejtën romake dhe ngriti qindra fortifikime kundër dyndjes së sllavëve në Ballkan. Me njeriun që nga një bari dhensh në fushat e Dardanisë, u bë figura e fundit madhështore e qytetërimit romak.

________

18 vjet burg. 19 vjet internim. Kishte arsim të lartë, si pak gra shqiptare të asaj kohe. Kishte edhe talent letrar të dëshmuar. Por e detyruan të mbante frymën gjallë duke punuar pastruese rrugësh në Mirditë, e kur ju shfaq kanceri, askush nuk iu gjet pranë për t’ia qetësuar dhimbjet e sëmundjes mizore. Dhe krejt kjo se dikur kishte pasur guxim të hidhte në letër një fjali: Unë mund ta dua Shqipërinë edhe pa qenë komuniste.

Kalvari i vuajtjeve të Musine Kokalarit, i cili u përmbyll si sot 40 vjet më parë, mbetet dëshmi e përjetshme se çfarë krimesh monstruoze mund të ndodhin në kohët kur njerëzit e ligj dhe fanatizmi ideologjik bëhen bashkë në pushtet.

 

________

Ata që kanë sadopak njohuri nga shkencat sociale e dinë se koncepti i degjenerimit, i marrë nga biologjia dhe i aplikuar në jetën sociale, është i lidhur ngushtë me racizmin e fashizmin.

Janë racistët ndër të parët që gjatë shekullit të XIX e futën këtë term në të folurit për shoqninë, politikën e kulturën.

Në emër të “luftës kundër degjenerimit” racistët e fashistët kanë kryer krime të pafundme, gjithandej botës.

Grupet ekstremiste fetare e kanë huazuar teorinë raciste të degjenerimit, duke i dhënë asaj një kuptim tjetër.

Për to krejt moderniteti me liritë e tij që vijnë duke u zgjeruar, është një proces degjenerimi i jetës njerëzore. Prandaj aspirata e tyre është rikthimi në idealet e jetës mesjetare paramoderne.

Problemi themelor i yni është se ne, si shoqni, nuk kemi kapacitete për të debatuar mbi vetë konceptin e degjenerimit, mbi origjinën e tij, bazën ideologjike, kontekstet historike të lindjes së tij, mitet e tij, përdorimet e tij politiko-fetare dhe në fund për ta kuptuar se  degjenerimi nuk është një e dhënë natyrore, por një konstruksion social, prapa të cilit gjithmonë fshihen ose fashistët ose ekstremistët fetarë.

________

Kjo protesta në Prishtinë, në të cilën iu dha përkrahje pushtetit dhe u kërkua që “analistët të sillen para gjyqit” më kujtoi atë thënien e cila rëndom i përshkruhet Ajnshtajnit: “Dy gjëra janë të pafundme: Universi dhe budallaku njerëzor; dhe vetëm për Universin nuk jam i sigurt”.

________

Fantastik ky Festivali Ndërkombëtar i Arteve dhe Vallëzimit ‘New Born’, që po mbahet në Prishtinë. Qindra performues nga kultura të ndryshme, me veshjet dhe vallet e tyre tradicionale, janë një dhuratë e çmuar për kët’ vend që po përpiqet të dalë nga moçali kulturor.

U lumtë atyre që e kanë ideu dhe realizu kët’ event!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok