FESTË E POEZISË, E MIQËSISË DHE E BASHKIMIT KOMBËTAR

0
Hysuka-Vjeshta-poetike-Vlore1

Nga Hamdi Hysuka

Më 31 tetor 2026, në kuadër të Tetorit, Muajit të Letërsisë dhe të Arteve, Shoqata e Shkrimtarëve dhe Poetëve “Petro Marko” Vlorë organizoi veprimtarinë tradicionale letrare “Vjeshta poetike” 2026, e cila mblodhi poetë, shkrimtarë dhe krijues nga Shqipëria, Kosova dhe hapësirat e tjera shqiptare. Në këtë takim morën pjesë anëtarë të shoqatës organizatore dhe të ftuar nga shoqata e klube letrare brenda dhe jashtë vendit. Përtej një veprimtarie artistike, ky takim dëshmoi se letërsia është një hapësirë e përbashkët komunikimi, ku fjala shqipe, identiteti kombëtar dhe miqësia krijuese kapërcejnë kufijtë.

Veprimtaria u çel me fjalën përshëndetëse të poetit Myrteza Mara, kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Poetëve “Petro Marko” Vlorë, i cili vlerësoi rëndësinë e Tetorit si muaj i veçantë për letërsinë dhe artet. Ai theksoi se kjo periudhë është festë për krijuesit dhe artdashësit, kohë kur poetët, shkrimtarët dhe njerëzit e artit mblidhen për të ndarë krijimet e tyre, për të shkëmbyer mendime e përvoja, për të diskutuar mbi zhvillimet e letërsisë dhe për të nxitur rritjen e cilësisë artistike. Por, siç nënvizoi ai, këto takime janë edhe mundësi të bukura për t’u ritakuar, për t’u njohur më nga afër e për t’u çmallur me miq dhe bashkudhëtarë të së njëjtës rrugë krijuese.

Në fjalën e tij, Myrteza Mara kujtoi emrat e mëdhenj të letërsisë shqiptare: Dritero Agolli, Migjeni dhe Gjergj Fishta, krijimtaria e të cilëve përbën një pasuri të çmuar të kulturës sonë kombëtare.

Duke e lidhur këtë traditë me historinë letrare të Vlorës, ai përmendi me respekt figura të shquara si Petro Marko, Ali Asllani dhe Fatos Arapi, pena të spikatura që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në letërsinë shqipe dhe që mbeten piketa udhërrëfyese për brezat e rinj të krijuesve.

Një përshëndetje të veçantë përcolli kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, prof. dr. Shyqri Galica, i cili erdhi në Vlorë me përshëndetjet më të ngrohta e më të sinqerta të krijuesve kosovarë. Në fjalën e tij, ai vlerësoi simbolikën historike dhe kombëtare të Vlorës, duke e cilësuar atë si një mjedis ku flamuri ynë i shenjtë, flamuri i Skënderbeut, i Ismail Qemalit dhe i Adem Jasharit, është mbajtur gjithmonë lart. Ai solli në vëmendje sakrificat e brezave të shqiptarëve për lirinë, dinjitetin dhe bashkimin kombëtar, duke theksuar rolin e luftëtarëve, shkrimtarëve dhe idealistëve në ruajtjen e identitetit dhe të vetëdijes kombëtare.

Një vëmendje të veçantë në përshëndetjen e tij zuri bashkëpunimi ndërmjet krijuesve shqiptarë dhe domosdoshmëria e organizimit të tyre në struktura të përbashkëta.

Sipas prof. dr. Galicës, formimi i Lidhjes së Bashkuar të Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë, me në krye prof. dr. Mujë Buçpapajn, përbën një akt konkret të bashkimit të njerëzve të letrave dhe të artit.

Në cilësinë e nënkryetarit të këtij asociacioni, ai shprehu kënaqësinë që ishte i pranishëm në këtë veprimtari, duke përcjellë urimet dhe përshëndetjet e tij për organizatorët dhe pjesëmarrësit. Kjo përshëndetje i dha veprimtarisë një dimension të veçantë kombëtar, duke e vendosur letërsinë jo vetëm në funksion të komunikimit artistik, por edhe të afrimit shpirtëror e kulturor të shqiptarëve.

*     *     *

Një nga pjesët më të bukura të veprimtarisë ishte interpretimi i poezive nga aktorët vlonjatë Asnit Mënaj, Loris Sinanaj, Çlirim Hoxha dhe Rudina Papajani. Përmes interpretimit artistik, krijimet poetike të autorëve pjesëmarrës morën një jetë të re, duke u përcjellë te publiku me emocion, ndjeshmëri dhe ngjyrim skenik.

Në këtë veprimtari u interpretuan poezi të autorëve:

Merita Kuçi, Esma Rama, Theodhori Proko, Mirela Agalliu, Vullnet Bilbili, Kadri Tarelli, Kozma Billa, Lindita Doda, Rudina Papajani, Jorida Dauti, Hamdi Hysuka, Bajram Sulejmani, Enrieta Sina, Andrea Petromilo, Alma Feruni, Vladimir Muça, Arbnesha Kelmendi (Draga), Idajet Jahaj, Bardhyl Toda, Kujtim Skënderaj, Luto Memokondaj, Elona Tabaku, Sinan Elmazi, Shon Malaj, Agim Bajrami, Elona Basha, Elidona Hoxha, Trandafile Molla, Çlirim Hoxha, Ilir Mborja dhe Adem Zejnullahu.

Shumëllojshmëria e autorëve dhe e tematikave poetike dëshmoi larminë e zërave krijues dhe pasurinë e përjetimeve që sjell poezia bashkëkohore shqipe.

Interpretimi skenik i dha kësaj pjese të programit një atmosferë të veçantë, duke dëshmuar se poezia, kur bashkohet me artin e interpretimit, fiton një dimension tjetër komunikimi me publikun.

Moment i rëndësishëm i veprimtarisë ishte shpallja e fituesve të çmimeve të “Vjeshtës Poetike” 2026.

Kryetari i Jurisë, poeti Ruzhdi Begaj, në fjalën e tij vlerësoi rëndësinë e çmimeve si një formë mirënjohjeje për krijimtarinë poetike dhe si nxitje për të ecur më tej në rrugën e bukur, por jo gjithmonë të lehtë të artit. Ai theksoi se kjo veprimtari duhet të shërbejë si urë bashkimi ndërmjet poetëve të afirmuar dhe talenteve të reja, ndërmjet përvojës dhe frymëzimit, traditës dhe së ardhmes.

Në emër të jurisë, ai shpalli këto vlerësime:

Çmimi i Parë: Theodhori Proko.

Çmime të Dyta: Elona Basha dhe Kadri Tarelli.

Çmime të Treta: Lindita Doda, Arbnesha Kelmendi dhe Elona Tabaku.

Një tjetër moment domethënës ishte ndarja e titullit “Anëtar Nderi”, me motivacionin e kontributit në fushën e letërsisë kombëtare, veprimtarisë në shërbim të poezisë dhe kulturës, si dhe bashkëpunimit me Shoqatën e Poetëve dhe Shkrimtarëve “Petro Marko” Vlorë.

Këtë vlerësim e morën: Prof. dr. Shyqri Galica, kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës;

Hamdi Hysuka, kryetar i Klubit Letrar “Pjetër Budi” Mat, poet dhe publicist; Agim Bajrami, kryetar i Shtëpisë së Shkrimtarëve dhe Artistëve Durrës.

Ky vlerësim përbën një shprehje të respektit për kontributin e tyre në jetën letrare dhe kulturore, por edhe një vlerësim për marrëdhëniet e bashkëpunimit e të miqësisë ndërmjet institucioneve dhe organizimeve letrare shqiptare.

*     *     *

“Vjeshta Poetike” 2026 në Vlorë ishte më shumë se një takim poetik. Ajo ishte një dëshmi e gjallë e nevojës për komunikim, bashkëpunim dhe solidaritet ndërmjet krijuesve shqiptarë.

Në një kohë kur letërsia ka nevojë për më shumë vëmendje, promovim dhe vlerësim, veprimtari të tilla marrin një rëndësi të veçantë. Ato krijojnë mundësi për prezantimin e autorëve, për njohjen e vlerave të reja dhe për ruajtjen e lidhjeve kulturore ndërmjet shqiptarëve kudo ku jetojnë e krijojnë.

Meritë e veçantë i takon Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Poetëve “Petro Marko” Vlorë, kryetarit Myrteza Mara dhe gjithë bashkëpunëtorëve që mundësuan organizimin e kësaj veprimtarie, duke dëshmuar përkushtim ndaj fjalës shqipe dhe kulturës kombëtare.

Urime fituesve të çmimeve! Mirënjohje organizatorëve, interpretuesve dhe të gjithë pjesëmarrësve! Qoftë fjala shqipe gjithmonë e gjallë, poezia gjithmonë frymëzuese dhe arti një dritë që na bashkon!

Hamdi Hysuka,

Klubi letrar “Pjetër Budi” Mat

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

YouTube
YouTube
Tiktok