FESTA E PAVARËSISË SË KOSOVËS, PA FIRMËTARËT E SAJ!

NGA NDUE DEDAJ
Pavarësia e Kosovës u kremtua si s’ka më mirë, në krejt tokën dhe botën shqiptare, edhe nga më vogëlushët, veshur me xhadanin kuq e zi. 17 vjet nga dita e Pavarësisë, 26 vjet nga dita e Lirisë – dy ngjarjet më të mëdha historike të Kosovës në kohë moderne, njëra në kapërcyëll të shekullit XX dhe tjetra pak vite më pas, në fillimet e shekullit XXI.
Po a mund të bëhet dhe ndonjë vërejtje mbas një festimi mahnitës? Zemra sigurisht që nuk e pranon, arsyeja po. Në festë ishin të gjithë, ish – luftëtarë me dokorata në gjoks, udhëheqës të vendit që mbanin fjalime, krerë të subjekteve politike që duartrokisnin, popull i shumtë entuziat, miq të ardhur nga larg; mungonin vetëm ata, ish – krerët e UÇK – së në vitet 1998-1999, më pas figura kryesore politike dhe shtetërore të Kosovës në liri, ata mungonin dhe një vit më parë, dhe tjetrin e tjetrin para tij, që nga viti 2020, pasi ata gjendën në qelitë e Hagës, të akuzuar për krime kundër njerëzimit, por që, në dijeninë tonë, nuk kanë mjaftuar afro pesë vite për t’i provuar ato, përndryshe ata do të ishin dënuar!? Nuk dimë se si do të vejë drejtësia e këtij procesi deri në fund, ndërkohë që katër vite e gjysmë paraburgim nuk janë pak. Për me tepër, çfarë do të thuhej, nëse ata nesër do të shpalleshin të pafajshëm, çka dhe ka ndodhur me parë me të tjerë krerë të UÇK-së?…
Gjithsesi, ana juridike u përket juristëve ta analizojnë, ama që të mos iu përmendej emri, siç e meritonin, Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit në një ditë të tillë nuk na duket e drejtë, e arsyeshme dhe në dinjitetin e shtetit të Kosovës. (Në fjalimin e tij Kryeministri Kurti, Thaçin dhe Krasniqin i përmendi vetëm si firmëtarë të Aktit të Pavarësisë, më 17 shkurt 2008.) Ashtu siç, në ndonjë rast, kurorat u vunë në varre dëshmorësh, që iu ishte fshirë boja e bardhë apo e verdhë mbi emrat. Ishim vetë me 16 shkurt në njërin nga qytetet kryesore të Kosovës dhe e pamë me sytë tanë këtë gjë, çka rëndom e sheh dhe në varrezat e dëshmorëve në Shqipëri. Thua për një çast, sa rrimë e postojmë aq shumë simbolika, flamuj, poezi, foto, “zemra” për Pavarësinë, të marrim më parë furçën e bojën dhe t’i forcojmë shkronjat në mbishkrimet e varreve të dëshmorëve e heronjve. Gëzohemi fort dhe më të drejtë kur zbulojmë piktograme të lashta, themi çfarë boje duhet të ketë qenë ajo që u ka rezistuar mijëvjeçarëve dhe sa e dobët kjo e sotmja, që kuptohet nuk është punë boje, e trashë apo e hollë, por serioziteti i njerëzve që e kanë për detyrë të kujdesën për monumentet, bustet etj.
Por të vijmë te komandantët dhe komisarët e UÇK-së, që sot janë në burg. Është e qartë, jo nga “biografia”, por nga politika nuk ju përmendet emri në festë dhe askund. Jo rastësisht Thaçi qe shprehur para se të niste fushata e zgjedhjeve në Kosovë, se ai nuk do të ishte pjesë e saj, çka dhe mund ta bënte, pasi e ka partinë e krijuar prej tij. Tjetër është politika e ditës dhe tjetër historia. Kjo e fundit nuk mund të zhbëhet. UÇK ka bërë histori, ushtarë e komandantë së bashku. Asgjë, as dënimet e gjykatave ndaj një apo disa figurave të saj, nëse do të ketë, nuk e ndryshojnë atë, nuk përmbysin epopenë e shqiptarëve të Kosovës për liri, pasi tek e fundit ato jepën për fajësi ndividuale dhe jo kolektive. Ti i pëmend për meritat e provuara, që i kanë ngritur ata në funksionet më të larta të republikës, President, Kryetar Kuvendi e Kryeministër, pa i paragjykuar për çfarë mund të ndodhë nesër me ta në gjykatë.
Nuk duam të heqim paralele, por kështu ka ndodhur dhe dje, komandantët e brigadave partizane, që regjimi komunist në Shqipëri i fuste në burg, jo vetëm nuk pëmendeshin më në publik në festat e Çlirimit, por fshiheshin me bojë të zezë nga “historia”, iu retushoheshin fotografitë e kohës së Luftës, iu hiqeshin dekoratat, me fjalë të tjera zhbëheshin zyrtarisht si të atillë. Thaçi e Krasniqi janë firmëtarë të Pavarësisë së Kosovës, po sa firmëtarë të Pavarësisë së Shqipërisë më 1912 patën përfunduar në burgje e internime, pasi udhëheqësit në fuqi e donin zonën të lirë, edhe nga krijuesit emblematikë të shtetit të parë shqiptar, edhe nga të vetët, ish – komandantët dhe komisarët e Luftës.