22/12/2024

Festa e Nënës vjen bashkë me pranverën

0
Albert-Zholi

Gëzuar 8 Marsin nënat tona

Çfarë është për shqiptarët 8 Marsi dhe urimet e kësaj dite.

Flasin Meri Mezini, Irini Qirjako, Margarita Xhepa, Alida Hisku, Myfarete Laze, Enrieta Sina

Përgatiti Albert Z. Zholi

Sot është 8 Marsi, e njohur nga të gjithë si Dita Ndërkombëtare e Gruas e në Shqipëri, si festa e Nënës. Një ditë e rëndësishme kjo, në të cilën kujtohen arritjet e kushteve sociale, politike dhe ekonomike të grave në botë, por edhe dhuna dhe abuzimi, që shumë gra janë ende duke vuajtur. Dita Ndërkombëtare e Grave (DNG) festohet më 8 mars çdo vit. Ajo përkujton lëvizjen për të drejtat e grave. Ndërsa respektimi i parë i Ditës së Grave u mbajt më 28 shkurt 1909 në Nju Jork, 8 marsi u sugjerua nga Konferenca Ndërkombëtare e Grave 1910 për t’u bërë një “Ditë Ndërkombëtare e Grave”. Pasi gratë morën të drejtën e votës në Rusinë Sovjetike më 1917, më 8 mars u bë një festë kombëtare atje. Dita u mbizotërua kryesisht nga lëvizja socialiste dhe vendet komuniste derisa u miratua në vitin 1975 nga Kombet e Bashkuara. Ideja për “Ditën Ndërkombëtare të Grave u hodh fillimisht në fillim të shekullit të XIX-të, e cila ishte një periudhë e tronditur nga trazirat dhe shtimi i popullsisë, për botën e industrializuar. 8 marsi njihet si “Dita e Grave”, në të gjithë botën. Madje në shtete të ndryshme kjo ditë festohet si festë kombëtare. Kjo ditë shërben jo vetëm për bashkimin e grave pa dallim feje, race, kulture, gjuhe dhe prejardhjeje, por edhe për të kujtuar përpjekjet për barazi, paqe, drejtësi dhe ndërtim në gati 9 dekada.

Po si e komentojnë këtë ditë personalitete të njohura të vendit simbol për gjininë femërore? Cilat janë sot problemet me të cilat femra shqiptare ndeshet sot?

Meri Mezini, poete

Datën magjike do ta quaja 8 Marsin.

Gjith nënat sot marrin mesazhet më të ëmbla nga fëmijët e tyre. Po të bëja një sondazh në telefonat e gjithë fëmijve që ju dërgojnë nënava ai është.  Nëna ime je gruaja më e mrekullueshme që njoh, faleminderit për gjithçka që ke bërë dhe bën për mua. Je diamanti i çdo fëmije. “Dashuria e një nëne është vërtet e pakushtëzuar dhe nuk ka njeri, që mund ta zëvendësojë atë.” “Nëna jep jetën pa menduar dy herë për fëmijën e saj. Jam nënë vetë sot dhe këto fjalë i marr dhuratë nga fëmijët e mi. Këto janë nënat, heroinat e çdo fëmije. Nëna është gjithmonë aty për fëmijën e saj. “Dita e Nënës nuk është thjesht një ditë, është një kujtesë e vlerës së pamatshme dhe e pa krahasueshe e dashurisë së nënës.” “Mund të mos ketë mundësi një nënë, por do gjejë rrugën për ta gjetur atë mundësi për fëmijën “Dashuria dhe sakrifica e nënës është diçka që nuk mund të shpërblehet kurrë, por për të egzistojnë mirnjohja e fëmijës ndaj saj, ajo ka shumë vlerë për zemrën e çdo  nëne. “Nënat janë të dashuruar me mëmësinë. Gëzuar Ditën e Nënës për të gjitha nënat e mrekullueshme. “Gëzuar ditën e nënës, gruas që nuk heq dorë kurrë nga fëmijët e saj.

Në një shprehje thuhet;

“Zoti nuk mund të ishte kudo, kështu që ai krijoi nënat.” “Zemra e nënës është si xhamija, kisha, ku brenda saj do të gjesh gjithmonë falje. Kush e shëron fëmijën? Vetëm puthja e nënës”. Gruaja që jep jetë, rrit dhe edukon breza është vetëm nëna. Duke uruar të gjitha nënave të mrekullueshme  një ditë të mbushur me dashuri, lumturi dhe vlerësim. “Gëzuar Ditën e Nënës gjithë grave, janë vajza, motra, gra, dhe nëna të mrekullushme. Pa nënën s’do kishte jetë. Ajo e bën çdo ditë të ketë  jetë,  ajo është zemra e familjes sonë.

Gëzuar mbretëresha nënë!

 

Eh… sa shumë duron një grua,

në vënd të puthjeve, kafshohet me dhëmbë.

Trupi i saj s’merr prekje të ëmbla,

njolla dhunë, plagë në çdo vënd.

 

E sa gra i nënshtrohen fatit,

lindin fëmijët dhe s’i braktisin kurrë?

Bashkjetojnë me dhimbjen, lotojë në heshtje,

thonë për fëmijët do duroja më shumë.

 

Kjo është gruaja, e martë e mira,

jeton çdo ditë me shpirtin ndër dhëmbë

nuk bëri kurrë jetën që deshi,

jeton vetëm për të qënurit nënë.

 

Gratë gjejnë forcë dhe durojnë shumë,

por jeta me to është  hileqare,

disa prej tyre ju fali  parajsën,

disa të tjerave ju dha vetëm  halle.

 

Çdo grua dashuron pafund mëmësinë,

vendos pa frikë veten të  flijojë,

Ajo duron çfardolloj dhimbje,

që familjen e saj të mos e shkatërrojë.

 

Irini Qirjako

Qofshin të lumtura në sfidat e tyre të mëdha, të vështira.

Të bekuara qofshin nënat tona! Ato zemrën na e kanë mbushur plot me dashuri, fjala më e bukur. Në këtë ditë, urimi im vjen për të gjitha nënat e gratë shqiptare kudo që janë. Qofshin të lumtura në sfidat e tyre të mëdha, të vështira. Por si gjithmonë ato, nënat tona, të sakrificës, zemërgjera e të paepura për jetën, për familjen, pse jo, edhe për imazhin dhe integrimin e Shqipërisë sonë, që aq shumë e dëshirojmë, sado larg saj të jemi! Gëzuar 8 Marsin, nëna e motra, edhe pse ditë reflektimi e proteste!

Elsa Xhai, gazetare

Nënat që sakrifikojnë çdo gjë për fëmijët e tyre.

Një ditë më shumë, prej sakrificave të tyre të panumërta. Është një temë më vete të flasim për nënat, s’ditkam të bëj urim më të mirë sot. Nënat heroina, të pagjuma, plot mirësi dhe bujari. Nënat që sakrifikojnë çdo gjë për fëmijët e tyre. Tërë të mirat e botës ju uroj, shumë suksese në çdo hap!

 

Margarita Xhepa, “Nderi i Kombit”

“Pa femrat bota do ishte më e egër dhe më problematike”

“Një festë e bukur, një ditë e veçantë. Vitet ndryshojnë dhe kohërat po ashtu, por 8 Marsi mbetet po ajo ditë. 8 Marsi në Shqipëri gjate viteve të komunizmit u kremtua si festa e Nënës, teksa në mbarë botën mijëra gra bashkoheshin për të kërkuar të drejtat e tyre. Me hapjen e vendit pas rrëzimit të sistemit diktatorial, 8 Marsi filloi të merrte kuptimin e vërtetë në teori, sepse në praktikë ende sundohet nga lule, dhurata dhe dreka mes grave, duke u shndërruar në një ditë feste dhe jo në ditë apeli për të drejtat e tyre. Për mendimin tim, kjo ditë shërben jo vetëm për bashkimin e grave pa dallim feje, race, kulture, gjuhe dhe prejardhje, por edhe për të kujtuar përpjekjet për barazi, paqe, drejtësi dhe ndërtim në gati 9 dekada. Por padyshim, që kjo ditë mbart në vetvete edhe falënderimin dhe nderimin për gjithçka gratë japin në shoqëri, në rolin e nënës, motrës, mikeshës, apo në profesionin e tyre. Në këtë ditë të veçantë, femrat janë në qendër të vëmendjes dhe marrin dhurata, jo vetëm nga partnerët, por edhe nga fëmijët apo të afërmit. Në vend priten aktivitete të ndryshme në nderim të gruas, por këto aktivitete nuk duhet të jenë vetëm një ditë në vit për gruan, jo! Gratë janë shëmbëlltyra më e mirë e ideve të Zotit në tokë, pa të cilat bota s’do shumëfishohej, por përkundrazi, do ishte më e egër dhe më problematike. Nënat, burimi i jetës, mirësisë, ndjeshmërisë, vigjilencës, sakrificës, bujarisë dhe krenarisë. Për të arritur në këtë ditë që është sot, gratë shqiptare për të fituar të drejtat e tyre kanë kaluar nëpër kalvare vuajtjesh dhe sakrificash. Dikur me ferexhe, pa të drejtë vote, me të drejta shumë të kufizuara, sot shohim një grua shqiptare të emancipuar, civilizuar, e shohim zv/kryeministre, kryetare Kuvendi, deputete, ministre, etj. Pra, një grua që përballet bindshëm me burrat në çdo aspekt të jetës shoqërore. Për herë të parë, 8 Marsi në Shqipëri u kremtua në vitin 1942 të shekullit XX në grupe të vogla grash. Në fillimet e shtetit shqiptar, nuk ka ekzistuar e drejta e grave për të zgjedhur e as për t`u zgjedhur. Në ligjin për “Zgjedhjen e deputetëve” i datës 5 dhjetor 1920, në nenin 6, theksohet: “gjithë ata burra që kanë moshën 20 vjeç e përpjetë, paguajnë a s’paguajnë vergji, kanë të drejtë vote në çdo zyrë zgjedhjeje për zgjedhje të dytë”. Për herë të parë në Shqipëri, e drejta e votës për gratë është njohur në vitin 1945. Në Statutin e Republikës Popullore të Shqipërisë të vitit 1946, në kapitullin “Të drejtat dhe Detyrat e Shtetasve”, neni 14 theksohet: “Të gjithë shtetasit pa ndryshim seksi, kombësie, race, besimi, shkalle kulturore ose banimi dhe që kanë mbushur moshën 18 vjet, kanë të drejtë të zgjedhin dhe të zgjidhen në të gjitha organet e pushtetit shtetëror”. Sot kohët kanë ndryshuar. Gëzuar 8 Marsin nëna, motra dhe shoqe kudo në botë!”

Alida Hisku , këngëtare

Në vendin tonë, ende pozicioni i gruas nuk është aty ku duhet

Erdhi dhe Dita e 8 Marsit, dita kur gratë duhet të mendojnë për veten dhe gratë e tjera, të reflektojnë në atë se pa marrë parasysh se cilës kulturë, nacionalitet, familje i takojmë, jemi gra dhe jemi të njëjta. Unë jetoj prej vitesh në Gjermani dhe po e shoh sesi respektohen dhe çfarë vlerash kanë sot gratë në këtë vend. Gjermaninë prej afro 15 vjetësh e drejtoi një grua, Merkel, një zonjë e madhe, fisnike që ka pasur besimin më të madh në shoqërinë gjermane. Por sot në Gjermani ka dhe shumë si Merkel. Në vendin tonë, ende pozicioni i gruas nuk është aty ku duhet. Kemi jetuar në një shoqëri, ku femra nuk ka qenë, por dhe ende nuk është e barabartë me mashkullin, në të gjitha poret e jetës. Kishim një shoqëri ku femrës i imponohej mënyra e të jetuarit, mënyra e veshjes, daljes, qëndrimit dhe shprehjes se mendimit të lirë. Dikur femra nuk ka gëzuar të drejtën e shkollimit, apo nuk i mundësohej ajo. Kemi pasur një shoqëri, ku femra nuk ishte e përfaqësuar në mënyrë të barabartë në jetën shoqërore. Sot janë marrë hapa konkret në drejtim të barazisë gjinore në Shqipëri, por ende rruga është e gjatë. Këto ditë nëpër rrjete sociale kam parë që kanë filluar të urohen nënat, por në fakt duhet të urohen gratë. Është dita e gruas dhe jo e nënës. Në 8 Mars, duhen uruar nënat, motrat, gjyshet, e dashura, tezja dhe të gjitha gratë. Është dita e tyre! Meqenëse te ne kjo ditë shënohet në mënyrë solemne si në shtëpi, ashtu dhe në shoqëri, duhet një dhuratë, jo domosdoshmërisht e shtrenjtë, duke përcjellë urimin e të gjithë neve për më të dashurat tona. Dhuratat, e kam mësuar nga familja ime, nuk duhet të jenë të shtrenjta, në kuptimin financiar; dhurata duhet të jetë nga zemra, e menduar mirë dhe me përkushtim, sepse kjo e bën më të vlefshme. Gëzuar festën gratë vetmohuese të Shqipërisë dhe gjithë botës”.

Myfarete Laze, “Mjeshtre e Madhe”

Të këndojmë këngët për nënat, për sakrificat e tyre.

Kjo ditë vjen për mua me një këngë për nënat. 8 Marsi, një ditë e bukur, një ditë që ne si nëna e presim me mall. Kjo ditë më shumë sesa një festë, është një ditë reflektimi, por është edhe një ditë ku ne duhet të ndjehemi të lira, të kërcejmë vals, të gëzojmë, të këndojmë. Të këndojmë këngët për nënat, për sakrificat e tyre, për dhimbjet dhe gëzimet e tyre. Nënat duhen respektuar çdo ditë. Ato meritojnë shumë, pasi bëjnë punë heroike në heshtje”.

Enrieta Sina, shkrimtare

Nëna të qëndron pranë dhe të mëson të jesh njeri.

Trokasim në tryezat tona familjare për një tjetër gëzim të pakrahasueshëm: Festa e 8 Marsit! Gëzuar festën nënë! Edhe në këtë ditë feste rrëfenjat janë të ndryshme. Por, ne bëjmë urimet tona të përzemërta për më tepër lumturi në jetën e tyre. Duket se mimoza është përdorur si lulja simbol i Festës së Gruas nga italianët. Në vitin 1946, Unioni i Grave Italiane përgatitej për 8 Marsin e pasluftës. Kërkohej një lule që të simbolizonte këtë ditë. Ishin vetë gratë ato, që zgjodhën lulet e verdha, të buta dhe gjithë aromë të mimozës për festën e tyre. Prandaj dhe mes nesh buqetat e lulet e mimozave për nënat janë të pranishme kurdoherë. Mbeti kjo datë e trashëguar në jetën tonë si dita e Nënës. Dita e asaj pa të cilën bota nuk do të kishte të ardhme. E dimë mirë që ndjenjat dhe zakonet, që përbëjnë lumturinë tonë të përgjithshme formohen në familje dhe ne na i ka ushqyer më qumshtin e gjirit nëna, e ëmbla, e dhimbsura, e dashura, krenaria e jetës sonë. Nënë! Fjala më e bukur në botë! Gjithçka që bën një nënë nuk ka të krahasuar me asnjë vepër në jetë. “Sillu me prindërit ashtu si do të dëshiroje që fëmijët e tu të silleshin me ty”, LEOPARDI. Kupto që në çdo situatë një nënë di ta falë, sepse e tillë është ajo, për këtë ka ardhur në botë, por ti duhet ta duash shumë, sepse sakrifica e saj për fëmijët është sublime. Nëna të rrit dhe nuk lodhet duke kërkuar të mësojë qëllimin e jetës që fëmijët e saj t’i kushtojnë çdo përpjekje e mendim. Nëna të qëndron pranë dhe të mëson të jesh njeri. Të mëson si ambicia nuk pajtohet kurrë me mirësinë, të mëson të duash dhe të mos urresh, të mos bësh asnjëherë diçka të keqe, sepse e keqja edhe nëse është e fshehtë për të tjerët s’do të jetë e tillë në ndërgjegjen tënde. Ajo bën gjithçka që t’i lumturojë fëmijët , sepse e di mirë se njeriu atje ku jeton, atje mund të bëhet edhe i lumtur. Në çdo moshë, ne kujtojmë ditët e fëmijërisë si ditët më të lumtura ndofta, sepse ato janë ushqyer më vështrimet e ngrohta të nënave tona të mrekullueshme. Nënat janë fisnike në ndjenja, shikoje këtë brenda vetes tënde dhe do të shikosh vetëm emrin “Nënë!” Nënat mësojnë se si fëmijët ë tyre të bëhen të mirë dhe të ndershëm, sepse në këtë mënyrë nuk do të turpërohen kurrë. Vlerësoni dhe uroni zemrat fisnike të nënave, me këtë forcë do të largoni nga vetja çdo pengesë e ligësi. Forca më e madhe qëndron në një zemër të pafajshme dhe kjo është zemra e ngrohtë, e dashur, e palodhur e nënës! Gëzuar pra festat e 7 e 8 Marsit! Gëzuar Festën e mësuesit!  Gëzuar Festën e 8 Marsit nënat e motrat tona të dashura! Qofshi përherë të lumtura!”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok