07/10/2024

Mark Nikollë Pjetrushi Lulgjuraj, njeri me vepra të mëdha bamirësie dhe atdhedashurie

0

Nga Gjekë Gjonaj

Një mik  imi i mirë nga  Bajza e Kastratit me banim në Tiranë,  gjatë një bisede  të përbashkët  në Ulqin më tha: ” Njeri i madh është ai që është njeri”.  Kjo fjali domethënëse më ra ndërmend  para se  ta   filloja këtë shkrim  për  mërgimtarin  dhe  humanistin   shumëvjeçar nga fshati Selishtë i krahinës  famëmadhe të Grudës – Malësi e Madhe, Mark Nikollë Pjetrushit Lulgjuraj, i cili afro një gjysmë  shekulli jeton dhe punon në Shtete të Bashkuara të Amerikës.

Sfidat në “ tokën e premtuar”

Jeta e këtij njeriu, me vepra të mëdha  bamirësie,  por shumë modest, ashtu si e  mijëra mërgimtarëve  të tjerë shqiptarë  në mërgim,  fillon  me sfidat e ambientimit me vendin e ri,  në “ tokën e premtuar” siç e quajnë Amerikën,  me gjuhën, kulturën dhe punësimin .  Këto vështirësi mjaft të mëdha  për këtë njeri fisnik e bujar, me zemër të madhe, duarartë dhe këmbëngulës  u bënë të tejkalueshme   më lehtë.  Mark Lulgjuraj , ashtu siç e njoh unë para se të  merrte rrugën e mërgimit, është sa biznesmen, aq edhe humanist,  atdhedashës , atdhetar dhe veprimtar i palodhur. Ai  gjatë gjithë jetës së tij mbanë gjallë dashurinë për vendlindjen  e tij Malësinë dhe  identitetin malësorë , tipare të cilat dallohen lehtësisht  në çdo veprimtari të tij shoqërore dhe në çdo bisedë të lirë me të.

Malli për vendlindje nuk i shuhet kurrë

Duke e parë  Malësinë  e tij të dashur ekonomikisht  ende të  pazhvilluar sa duhet,  largimin e të rinjve  nga vendlindja , zbrazjen e fshatrave të Malësisë, bashkëvendësit   e moshuar   më në nevojë, vendosi që një pjesë të fitimit të tij dhe të familjes në mërgim   ta investojë  në vendlindje.  Donacionet e tij  janë të shumta, dhjetëra mijë dollarësh,   të drejtuara   në   përmirësimin  ekonomik të vendlindjes  në shumë fusha dhe në zbutjen e situatës së vështirë  socio-ekonomike  të  familjeve shqiptare  më në nevojë të cilat  kanë vendosur të qëndrojnë stoik  në trojet e tyre stërgjyshore.

Mark Nikollë Pjetrushi ka bërë shumë për Malësinë.  Sa herë ka ardhur për vizitë  në vendlindje nga Amerika,  ka ndihmuar diçka nga djersa e familjes së tij.   Ndërtimi i  parkut jashtëzakonisht të bukur   në fshatin Selishtë, i pari i këtij lloji në Malësi,  ndërtimi i shtatores së Zojës Pajtore,  ndërtimi i shtëpive për skamnorët, zgjerimi i rrugës nga Kisha e Grudës  deri në Selishtë,  ndihma financiare Komunës së Tuzit në kohën izolimit  të saj total nga  virusi vdekjeprurës Covid-19 ,   donacionet në përmirësimin e  kushteve për mësim të nxënësve të shkollave shqipe në Malësi, sofrat e shtruara të bashkimit të shtruara nga ai, dhuratat që ua ndau   nxënësve të Malësisë me rastin e festave fetare,  organizimi i aktiviteteve  kulturore  në Malësi, Kosovë,  Shqipëri, Maqedoninë e Veriut dhe në Diasporë    janë vetëm  disa  nga  kontributet  që i ka financuar për bashkëvendësit dhe bashkëkombësit e tij.

Sinonim i dashurisë dhe mirësisë  njerëzore

Të gjitha  këto dhe   donacione të  tjera  vlerësohen nga banorët e Malësisë, dhe jo vetëm, duke u bërë kështu sinonim i mirësisë  dhe dashurisë njerëzore.   Kontributi i  këtij njeriu solidar  tregon se bujaria, fisnikëria e burrëria janë virtyte të larta shqiptare dhe se ato asnjëherë nuk treten veçse me shembuj të tillë forcohen ç’do ditë e më shumë. Kjo është nxitje, kultivim e zhvillim vlerash të cilat e ngritin në nivel të lartë edhe dëshirën e secilit për ndihmuar vendlindjen dhe  kombin,  por njëkohësisht edhe përkushtimin e secilit në raport me përgjegjësitë e besuara.

Të ruajmë identitetin kombëtar dhe gjuhën

Ky veprimtar  me zemër të çiltër me  mundësitë  e tij mundohet të nderojë dhe   të respektojë secilin njeri që e takon, pa llogaritur  asgjë dhe në asnjë kompensim. Satisfakcioni  më i madh i Mark Nikollë Lulgjurajt është  që ditën kur largohet nga Malësia, të largohet  i plotësuar në të gjitha aspektet , duke filluar nga dashuria vëllazërore, respekti i ndërsjellët fqinjësor  dhe shoqëror. Ai me shembullin e vet  u tregon bashkëvendësve dhe bashkëkombësve  në vendlindje se paraja nuk  sjellë kënaqësinë shpirtërore dhe as lumturinë jetësore, përkundrazi në disa raste  e bënë të kundërtën. Në bashkëbisedim me qytetarët e Malësisë ai  thekson efektet negative që sjellë jeta në mërgim-rrezikun e tretjes së qenies sonë kombëtare deri në asimilim.  Dëshira e tij është  që Malësia të lulëzojë, që rinia të mësojë ,   të mos  largohet nga vendlindja dhe të ruajmë  identitetin kombëtar dhe  gjuhën.( Koha Javore)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok