Femra dhe lulja, mëkatueset e dëshirimeve tona dehëse të afshit përvëlak

0

Nga Albert Vataj

Magjepsëse si ëndja e një përjetimi platitës, e një pjesëmarrjeje dalldisëse dëshirash që na yshtin në vërshimin uturitës të epjes, dorëzimit, mëkimit, adhurimit.

Depërtuese si shpërthimi i një ylli të mbarsur më dëshirim qiellor.

Dehëse, si ngulmi i një ngasje idilike pasionesh frelëshuar.

E bukur, magjepsëse deri në dhimbje. Delikate dhe përplot ngulm joshës.

Asnjë spektakël i natyrës, asnjë përkujdesje forcash të epërme, kurrnji energji transformimesh, nuk mëton një shfaqje kaq të shkëlqyr dhe adhuruese, se sa bukuria e femrës dhe lules.

Lulet dhe femra, një kërshëri e ushqyer me kaq ëmbëlsim e bukuri, një adhurim i dengur prej kaq pasionesh shkulmuese, një lojë ngasëse dhe një betejë kacafytjesh titanike, një puhizë që tretet me asgjënë e josh gjithësinë.

Me një numër të kufizuar notash; tela të tendosur si vërshime të potërshëm gjaku, kur zemra flakërin në dëshirën e zjarrit;

gishta që ngasin me erën, t’u bien këtyre telave, të ladrojnë me këto taste siç bën flladi me fijet e barit dhe profilet e kurmeve;

mëkojnë atë melodi,

gërmëzojnë drojshëm fjalë që bien si fruta të pjekur prej buzëve që dridhen;

pëshpërisin dhe hukasin në vesh, si grimca joshëse që gurgullojnë nëpër gjokse të kreshpëruara e turravrapen nëpër cohën e hollë të lëkurës që skuqet e trucen në harbimin e një kafshe me uri prehistorike.

Është çasti i një përjetimi, i shprehjes më të pafajshme të një mëkatimi, është lindja e një ylli që shkëlqen si vesa në petalen e një luleje, si loti nën qerpik.

Janë në ëndjen tonë të harbuar këto bukuri, si nevoja me e epërme e manifestimit të admirimit dhe mirënjohjes së përkorë që ne i detyrohemi jetës.

Dashurohemi marrëzisht dhe gjithçka e përsosur lëvrin nën shpërthimit ndritës të këtij përjetimi.

Një çast sa një shkelje syri, është gjithësia që na përpin në epshin e kësaj bukurie, ngasëse dhe vrasëse, këtij hiri joshës dhe trandës, këtij kumtimi dëshirues dhe zemërthyes.

Jeto si një rreze dielli e jepi gjithçka që zemra jote dëshiron kësaj luleje, ledhatoje me çdo pikë djerse dhe loti gonxhen e mëngjeseve dhe petalen e mbrëmjes.

Jeto me të bukurën e dëshirimeve dhe jeton me hiret e adhurimeve.

DHE…

Kurrë në ëndjen tënde nuk do të mungojë bukuria e asaj lule që ujtis sytë e tu dhe të hov një energji përtëritëse që gufon së brendshmi.

Kurrë nuk do të shuhet ajo aromë që deh ëndjen tënde, e s’do të vyshket asnjë herë ajo petale, lule do të çel gjithnjë dëshirimi yt në epjen tokësore të kurmit që të thërret në qielloren e jetësimit të atyre shkrepëtimave që epshi i shndëron në yje.

Ti je një lule, e dehur nga joshja, harmonia, aroma, hiri… je e dashur, dhe dashuria tek ti është një dëshirim i bukurisë së përgjithmonshme që gufon prej shpirtit tënd dhe zjarmon në hukamën e çdo afrie që kredh.

Unë jam një çast përjetimi tokësor, një shkrepëtimë eterne që rrëzohet nga thellësia e territ të universit e bulon në gishtat e mi si një prekje që zbret në petalet e kurmit tënd si një gjurmë drite. Shkëlqe në sytë e ëndshëm të një zemre, ti bukuri që vjen në jetë me lulen, hyjnizohesh me femrën dhe meriton përjetësinë prej adhurimit.

Unë jam mirënjohja e këtij bekimi.

Tash e përgjithmonë!

Amen!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok