19/05/2024

BOMBAT E NATO-s DHE FUNDIT I PUSHTIMIT SERB NË KOSOVË

0

Përkujtesë historike: 24 mars 1999

Nga Jusuf BUXHOVI

Fushata ushtarake ajrore e NATO-s ndaj caqeve ushtarake dhe policore jugosllave në Kosovë dhe Serbi nga 24 marsi deri më 10 qershor 1999, paraqet një ngjarje  gjeostrategjike të përmasave botërore. Jo vetëm pse parandaloi soldateskën e Millosheviqit që çështjes së Kosovës t’i japë zgjidhje ushtarake në përputhje me projektin e pastrimit etnik të saj me mjetet e luftës, por edhe për atë se Aleanca Veriatlanike e drejtuar nga administrata amerikane, në pesëdhjetëvjetorin e saj, ndryshoi edhe karakterin, nga faktori i sigurisë veriatlantike, që kishte gjatë bipolaritetit blokist,  tek krijuesja e paqes.

Veprimi ultima ratio i NATO-s, ndonëse  theu edhe rendin e deriatëhershëm botëror të sovranitetit shtetëror, u bë me pretekste humanitare në përputhje me pikën shtatë të kartës së OKB-së, me të cilën parashihet ndërhyrja humanitare në rastet kur shteti përdor mjetet ushtarake kundër pakicave ose grupeve etnike. Vendet perëndimore në krye me SHBA-të ia dolën që në nëntor të vitit 1998, pas masakrave të forcave policore dhe ushtarake jugosllave në Drenicë, gjatë marsit, me ç’rast u masakruan familje të tëra (të Delijajve, Jasharëve e të tjera) si dhe ofensivës së verës  dhe vjeshtës ndaj grupeve të UÇK-së në gjithë vendin, në Këshillin e Sigurimit të OKB-së të nxjerrin një rezolutë (1153) ku bëhet fjalë për krizën humanitare që kërcënonte popullatën e Kosovës, veçmas zhvendosjen e mbi 200 mijë vetave që u ishin shkatërruar shtëpitë dhe pronat. Kjo, megjithatë, nuk e ndaloi regjimin e Beogradit, që përkundër marrëveshjeve  me OSBE-në, OKB-në dhe NATO-n, për ndërprerjen e luftimeve dhe kthimin e të zhvendosurve, duke siguruar kushie për to, të vazhdojë misionin për pastrimin etnik të Kosovës me anën e provokimeve luftarake, siç ishin masakra e Raçakut në janar të vitit 1999 si dhe krimet tjera në Rugovë të Hasit dhe pjesë të tjera të pambrojtura, ku përherë pretekste gjendeshin te ”provokimet” e njësive të UÇK-së, ndonëse në nëntor të vitit 1998, Millosheviqi kishte shpallur fitoren ndaj “terroristëve shqiptarë”.

Sjellja e tillë e Millosheviqi, në shkurt të vitit 1999, i detyroi vendet perëndimore në krye me SHBA-të, që luftën e deriatëhershme diplomatike ndaj Beogradit ta kthejnë në diplomaci të luftës. Kjo u pasqyrua më së miri me thirrjen e Konferencës ndërkombëtare të Rambujesë nga 6 shkurti deri më 18 mars, me ç’rast, delegacionit të shqiptarëve të përbërë nga përfaqësuesit e LDK-së, UÇK-së, LBD-së dhe dy përfaqësuesve të pavarur si dhe delegacionit të Serbisë,iu ofrua një pako kushtesh ultimative për ndërprerjen e luftimeve dhe krijimin e rrethanave të paqes, të cilat. Ato, në formë e një letre zotuese, u pranuan nga shqiptarët, por u refuzua nga Millsheviqi, me çka u krijua casus belli për fushatën ushtarake 78 ditësh, që përfundoi me marrëveshjen e Kumanovës  midis gjeneralëve të NATO-s dhe Armatës Jugosllave për tërheqjen e forcave policore dhe ushtarake nga Kosova. Marrëveshja ushtarake e Kumanovës e 10 qershorit ia hapi rrugën rezolutës 1244 të KS të OKB-së të 12 qershorit, me të cilën Kosova u vu nën administrimin ndërkombëtar  nën përgjegjësinë e misionit të KFOR-it dhe të UNMIK-ut. Misioni   zgjati deri më 17 shkurt 2008 kur Kosova shpalli pavarësinë.

Natyrisht se 24 marsi i vitit 1999, si ngjarje që pas fushatës njëmbëdhjetë javësh ajrore të NATO-s i dha fund pushtimit 87 vjeçar serbo-jugosllav të Kosovës, nuk duhet parë të shkëputur nga zhvillimet shoqërore politike që përcollën fatin e Kosovës dhe të pjesëve të tjera të etnisë shqiptare të shkëputura dhunshëm nga trungu i saj me vendimet e Konferencës së Ambasadorëve të Londrës të vitit 1913, atyre të Konferencës së Paqes të Parisit të vitit 1920, Konferencës së Jaltës dhe veçmas ato që solli përfundim i Luftës së Dytë botërore, pas intermexos së shkurtër të “bashkimit” të pjesshëm (1941-1944). Meqë ato vazhdimisht pasqyruan kundërshtimin pushtimit serbo-jugosllav me kryengritje, luftë kaçake dhe forma të tjera të rezistencës  popullore paçka se u përcollën me shtypje dhe terror të egër policor dhe ushtarak. Natyrisht se përpjekjet e shqiptarëve për bashkim kombëtar dhe përkatësi botës perëndimore nuk u shuan as atëherë, kur pas përfundimit të Luftës së Dytë botërore, ideologjia komuniste si dhe bashkëpunimi internacionalist shqiptaro-jugosllav në frontin e përbashkët antifashist në rrethanat e vëllazërim-bashkimit midis Tiranës dhe Beogradit, Kosovës ia riktheu pushtimin serb bashkë me metodat e njohura antikombëtare (terrorin shtetëror ndaj “kundërrevolucionarëve” dhe “kuislingëve”, kolonizimin e serbëve të përcjellë me shpërnguljen e shqiptarëve për në Turqi) si dhe metodat tjera të dhunës shtetërore, që vazhduan deri në vitin 1966. Në këto rrethana, në Kosovë pati lëvizje ilegale të mbështetura mbi koneceptin e iredentizmit ideologjik.  Kapitulli i iredentizmit ideologjik, megjithatë mori fund, ku në perudhën  postbrioniane, pas disfatës së unitarizmit serb,  dolën në pah kërkesat për barazi. Kështu, demonstratat e vitit 1968,  patën për moto kërkesën për Republikën e Kosovës, me ç’rast, me amandamentet kushtetuese të atij viti, Kosovës  iu hap kapitulli i  zgjerimit të identitetit kulturor, arsimor dhe zhvillimit ekonomik mbi bazat institucionale. Fryt i tyre ishte themelimi i Universiteti të Kosovës, Akademisë së Shkencave dhe Arteve, zgjërimi i veprimtarisë botuese, asaj hulumtuese-shkencore si dhe krijimi i instituciove të tjera kombëtare. Këto kërkesa për pikënisje kishin shkëputjen nga Serbia nëpërmes lidhjes me federatën jugosllave, siç do të arrihet me kushtetutën e vitit 1974. Kërkesa legale për barazi  në federatë nga klasa intelektuale dhe ato të grupeve ilegale, që vepruan vazhdimisht me platformën e çlirimit  dhe të bashkimit qoftë edhe me anën e irredentizmit ideologjika të bazuara mbi të drejtën e vetëvendosjes së popujve, u bënë kompatabile dhe u vunë në binarët e njëjtë politik, çastin që Beogradi, më 23 mars 1989, me anën e një puçi kundër kushtetutës federative, rrënoi me dhunë autonominë e Kosovës.

Me themelin  e Lidhjes Demokratike të Kosovës, më 23 dhjetor 1989, lëvizja e   rezistencës institucionale-paqësore (me shtetin paralel), në vitin 1997, me daljen në skenë të UÇK-së nga shtrati i guerilë së Kosovës si pjesë e konceptit të vetëmbrojtjes, vuri në veprim diplomacinë e luftës. Pra, angazhimi dhe mundi i shumë gjeneratave për barazi dhe liri, ku nuk u kursye edhe gjaku,  e mbi të gjitha përcaktimi që çlirimi nga Beogradi të bëhet me ndihmën e Perëndimit (SHBA-ve dhe NATO-s), këtij procesi historik ia siguruan suksesin, që solli edhe shtetin e Kosovës – të arriturën më të madhe të këtij shekulli.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok