22/12/2024

ESAT PASHË TOPTANI

0
Processed with VSCO with ka1 preset

Processed with VSCO with ka1 preset

Nga Mustafa Kruja

Nji nga personalitetet shqiptare qi gjatë nji perjode tetë vjetsh (1913-1921) ka luejtun rolin mâ fatkeqin t’asaj kohe për kombin e vet. E qi, sikur mos t’i kishte pasë armatosun fat’i Shqipnisë dorën nji djaloshi të rrëmbyem prej patrijotizmit për me ia shkurtuem jetën, ndoshta do të kishte qênë thjesht fatal.

Por un due me e vûmë kënduesin qyshë tash në beft për sa i përket vlerës historike të gjykimit t’em mbi këtë njeri. Pikë së pari, un s’jam tue shkruem këtu nji bijografí. Janë tepër të shumta elementet qi më mungojnë për me ia hŷmë nji vepre t’atillë. E historija e kohës së tij lyp afat ende qi të shkruhet. Gjyq’ i historisë do të pështetet mbi deshmí të drejta e dokumente authentike. Un, kso dokumentesh s’kam në dorë asnji, e si deshmitar do t’i besoj vetëm kujtesës s’eme, të cillën s’kam asnji mjet për t’a kontrolluem. Për mâ tepër, me Esat Pashën kam pasun lidhní të ngushta familjare e kam qênë edhe vetë nji farë aktori në shkenën politike shqiptare ku ai ka luejtun rolin e protagonistit. Me gjithë këtê, për historinë kam nji koncept tepër te naltë për me qênë, në deshmit’e mija, i rrëmbyem prej çdo farë ndienje e çdo farë interese personale jashta së vërtetës.

Im ungj Xhiu (a Xhija) i Fajës (Haxhi Mustafa Gega) e im atë u kanë shërbyem dy vllaznet Esat e Gani, të bijve t’Ali Be Toptanit, me mish e me shpirt, me kokë e me gisht, dhe me gjithë kuptimin qi ka fjala nder në shqipet: si djelm përmbrapa kur ishin ende shumë të rij të dý palët; në luftën greko-othomane (1897) krahpërkrah me ta; im atë vetëm si djalë e qehajë konaku i Esatit ase qehajë çifliqesh; deri qi, në 1915, për shkak t’em, hŷni ndërmjet anmiqsija për gjithmonë, sikur qi do t’a shohim mâ vonë.

Un vetë e njoha Esatin për herë të parë në 1902 në Janinë. Ai ishte atje komandar i gjindarmrisë së vilajetit qi kishte për kryeqêndër administrative atë qytet dhe përfshinte bregun e detit nga Preveza deri te gryka e Shkumbînit, gjithë Çamrinë, distriktet e Meçovës, Konicës, Leskovikut, Gjirokastrës, Delvinës, Pogonit, Përmetit, Tepelenës, Kurveleshit, Himarës, Vlorës, Beratit, Skraparit, Mallakastrës, Fierit e Lushnjes. Gradën e kishte feriik (gjeneral divisjonar ase gjeneral major), pa pasë bâmë asnji ditë shërbim ushtarak e pa pasë qênë asnji ditë në shkollë, ndonse me kënduem e shkruem tyrqisht disi e kishte pasë mësuem i ati me mësues privat në shtëpí. Nji zakon i politikës së mbretnet othomanë me Shqiptarët ka qênë edhe ky: kur ndokush nga krenët e vêndit bâhej i mërzitshëm për pushtetet lokale a politikisht i dyshimtë për Stambollin, mâ të shumtën e mërgojshin në ndonji trevë tjetër të mbretnisë me nji zyrë a gradë ushtarake e rrogë të kënaqëshme, e rrallë ndonji edhe e internojshin pa tjetër. Të pashkollët e kishin vêndin në gjindarmrí, si Esat’ i ynë, Mehmet Pashë Deralla, Riza Beg Kryeziu, Bajram Curri, e tjerë; ndose i bânte sulltani ajutanta të vet, si Gani Benë, të vëllanë mâ të vogël t’Esatit. Nuk hŷjnë në këtë kategorí familjet e mëdhá feudale të shpërnguluna në të XIX qv. e nuk âsht këtu rasa me folë për to. Desha vetëm të dëftej se si u gjindte Esat Pashë Toptani në Janinë me nji gradë ushtarake aqë të naltë pa qênë i pajosun me ato merita personale qi lypte rasa.

Isha 15 vjetsh atëherë, kur im atë gjindej vetë në shërbim të pashës e më kishte thërritun edhe mue për me më shtimë në gjymnaz të Janinës. Ai banonte në konak të zotnisë së vet e atje m’a kishte përgatitun vêndin edhe mue për deri ditën qi t’u mbarojshin formalitetet për me hŷmë në konvikt. Kisha mbërrîmë në mbrâme e pasha kishte pasë hypun n’apartamentin e vet. Im atë më shtiu te shokët e vet, personeli qi flênte në konak. Këta më pritën e më përshëndetën përzêmërsisht. Por mue më bâhej sikur s’kishte për të më zânë gjumi pa pamë pashën. Më thonte kureshta ashtu, por s’qe e vërtetë: dý dit rrugë, Sarandë-Kalibaq e Kalibaq-Janinë me karrocë, më kishte dërmuem e më muer gjumi porsa vûna kret me flêjtun. Nesret mëngjes, kur pasha ishte tue dalë, im atë më qiti para tij për t’i puthun dorën. Kishte kohë qi un rrijsha tue e pikturuem në fantasinë t’eme sa herë qi më vente mêndja tek ai, e tash po e shihsha me të dy sŷt’ e ballit se, siç gjanë gati gjithmonë, figura e vërtetë e tij më duel krejt ndryshe nga ajo qi un kisha vizatuem me mênd. M’u duk burrë i pashëm e i dashun, dhe kontaktet e shumta të mâvonshme me tê më patën siguruem se s’më kishin pasë rrêjtun sŷtë. Më pyeti për shëndet e si e kisha bâmë rrugën, më kshilloi me studjuem mir’e me zell edhe i dha urdhën sekretarit privat të tij me më rregulluem regjistrimin në shkollë e në konvikt.

Pasksha pasë votun në Janinë me kâmbë të mbarë për pashën. Ky s’kishte pasë lânë gur pa luejtun për t’a bindun sulltanin qi t’a shpërngulte nga Janina në vilajet të Shkodrës. Por ai e kishte bâmë pashë e dërguem në Janinë mû për me e larguem prej qarkut të Durrësit qi e përfshinte Shkodra. Me gjithë këtê, aso kohe në mbretninë othomane s’kishte gjâ qi s’u bânte me mitë e me miq. Prandej edhe pasha i ynë kishte arsye me tënduem e shpresuem, mbasi as paret as miqt s’i mungojshin. Por ksaj here fatin ia prûni ke dera nji incident krejt banal e i papritun: nji grindje qi i gjau me valinë, Tatar Osman Pashën. Ky ishte nji oficer shtatmadhorije i shquem, me gradë feriik-u të Parë. Kishte mbi vete edhe komandën e gjithë forcavet ushtarake me shërbim n’atë vilajet e gjatë kufinit me Greqinë. Ishte pra, në Janinë, mâ i nalti pushtet civil e ushtarak i mbretnisë, ndërsa Esat’i ynë s’ishte veçse komandar i gjindarmrisë nën urdhnat e atij e me nji gradë ushtarake mâ t’ulët se ai. Grindja ndërmjet tyne leu prej nji ceremonije ushtarake ditën e kryevjetorit të thronzimit të sulltanit. Gjithça âsht gati n’orën e caktueme për zhvillimin e ceremonisë. Valiu mbërrînë në minutën e përpikët kur do të fillonte ceremonija n’uniformë ushtarake me parzëm mbuluem me dekorata. Me habí të madhe vên re se Esat Pasha nuk ishte atje. E me pritun nuk i përmetojshin as rasa, as karakter’ i tij, karakter’ i nji ushtari të përsosun siç ishte. Ep urdhën me filluem. Banda musikore nis me i ramë hymnit mbretnuer. Esat Pasha mbërrînë pesë minuta mâ vonë dhe hŷnë në radhë ku kishte vêndin i përvnerun prej krenijet të prekun pse s’qe pritun, në vênt qi t’i kërkonte ndjesë të parit të vet. Si bâhet me u nisun ceremonija pa qênë ai aty! Nuk e bân të madhe veçse përbehet me u shpaguem mirë nji ditë me Tatarin.

Tatar Osmani kishte nji mikeshë greke, të cillën e vizitonte herë mbas here kur i tekej e i gjente rasën. Ndër ato vizita, shumë delikate për nji pushtetar të naltë si ai e në nji qytet të vogël si Janina, sa të mundej përpiqej me shkuem i panjohun dhe merrte me vete nji djalë borshjot qi i shërbente në shtëpí, nji nga ata typa Shqiptarësh qi ku t’a kenë dhânë fjalën, sŷ veshë e gojë – mana kur âsht nevoja edhe jetën – s’i kanë mâ për vete! E quejshin Maliq.

Qe, mû në këtë shtek të ngushtë dau dhelpna e Tiranës me ia vûmë pritën vali pashës. S’kishte ndër mênd me i bâmë tjetër dhunë veçse me e turpnuem. Spijunët ia kishte lëshuem ndër gjurmat atij dhe Maliqit, pa harruem as shtëpín’e Grekes. E nuk iu desh me pritun gjatë: nji ditë u lajmue ia mbërrîni lajmi se Osman Pasha kishte votun e ishte atje, te bukuroshja e vet. S’humb minutën: merr katër djelm e turret atje. Por Maliqi ishte tue pritun përjashta ke dera. “Kapni-e!” u urdhnon djelme të vet pa ngurruem. Mirpo Maliqi kishte në brezt alltijen e tij e po mos t’a shkrepte në këtë rasë as jeta s’i duhej gjâ mâ. E nxuer e qe tue e shkrepun, pra, njimênd, dhe drejt e mbë pashën anmik; porse djelmt e këtij qenë mâ të shkathtë e i këcyen të katër përnjiherë mbë shpinë si rrufeja. Aty e mbrapa, për Esatin qe mâ e lehtë puna. Maliqi i çarmatosun, Grekja kapet e internohet në Prevezë si spijune e Athinës dhe dashunori i madh i saj mbet atje me Maliqin si nji kushdo, pa pikë gjaku në fytyrë e me nji “Jazëkllar ollsun sana!” (paç faqen e zezë) prej gojës së kundrështarit ngadhnjyes.

Esat Pashë Toptani e kishte shfrŷmë krenin’e vet kundra nji pashe tjetër mâ të naltë se ai. Por ç’do të bânte tash Sulltan Hamidi? Cillit nga të dy do t’i epte arsye e ç’ndeshkim tjetrit? Osman Pasha ishte i çëmuem fort prej atij vetë sidhe ndër qarqet e nalta ushtarake; por mb’anë tjetër, nëse Esati s’kishte kurrgjâ për t’u çëmuem, ishte i fortë për miqt qi e përkrahshin e i drashun prej Oborrit mbretnuer qyshë se qe marrë gjaku i Gani Beut n’urë të Gallatës tue u vramë mun i biri sadrazemit vetë. E Abdyl Hamiti kishte famë si nji mbret dinak e i zoti me pajtuem deri gjânat mâ të papajtueshmet. Valiu i Janinës ishte ndrŷmë në shtëpí e s’u shihte me askênd veçë zyrtarëvet mâ t’afërmet qi shkojshin e merrshin urdhnat e tij atje. Pallatin e kishte lajmuem premas qi ndërmjet tij e Toptanit çdo mënyrë e mundsí bashkpunimi kishte mbaruem. Dy muej ngjati kjo situátë. Tekembramja mbreti e dha vendimin e vet: Esat Pasha kishte kërkuem mâ se nji herë qi të shpërngulej në vilajetin e vet, në Shkodër, e pra le të shpërngulej atje dhe le të merrte fund kjo ngatërresë e shëmtuetë!

E pat! Esat Be Toptani ishte bâmë pashë e larguem prej vêndit të vet për me e lânë këtê të qetë e me u harruem, tue hŷmë në rendin e shumë pashallarëve tjerë, edhe asish qi s’e bâjshin nji ovull të kuqe, të mbretnisë othomane. Tashti po kthehej atje me nji gradë të naltë ushtarake e nji pushtet zyrtar të rândsishëm qi përpara s’i kishte pasun. Vështirë âsht me u thânë se deri ku kanë mundun këto rrethana me i influéncuem aventurat e mâvonshme të jetës së tij qi kanë pasun për shkenë shi vilajetin e Shkodrës, kryesisht sanxhakun e Durrësit e atê të Dibrës.

23 korrik 1908. Tyrqit e Rij shpallin në Manastir regjimin kushtetuer. Nesret shtrëngohet Sulltan Hamidi me e pranuem e me urdhnuem qi t’u shpallte zyrtarisht, me dekret mbretnuer, në kryeqytet e në gjithë mbretninë anembanë. Kërsitën kështu gjithkund topa gzimi përsjellë me manifestime brohorimtare e ceremoní të posaçme civile, ushtarake e fetare. Vetëm tre muej mbasi kishte hypun në thront (1876), i kshilluem kâmbëngultas prej disa personaliteteve me mênde të ndritun e të frymzueme prej regjimevet parlamentare të Francës e t’Anglisë, Abdyl-Hamidi II e kishte pasë pranuem e shpallë edhe nji herë tjetër nji regjim të këtillë, për herë të parë në jetën gjashtshekullore të mbretnisë othomane; por lufta ruso-tyrke qi pat plasun mbas dý vjetsh i pat dhânë rasë me e pezulluem. Ishte pra e dyta herë qi po e bâjshin Tyrqit këtë provë nën të njimêndin mbret e me të njimêndën kushtetutë, pa i ndërruem asnji fjalë.

Në të vërtetë, qe nji provë e guximshme për nji komb qi 600 vjet ishte mësuem me njohun vetëm pushtetin e nji mbreti absolut, me ndëgjuem për gjithë ditë të prende prej goje të hoxhëvet tue u falë në xhamí se mbreti ishte mbëkâmbës i profetit të mâ se treqind miljon myslimanëve në botë dhe “Hija e Perëndisë mbi Dhe”! Se ky vetëm kishte të drejtë me sunduem simbas urdhnimeve të sherjatit për nji komb qi nuk ishte nji popull homogjen, por i përbâmë prej nja dhetë popujsh me origjinë të ndryshme, me historí, me tradita, me gjuhë e me zakone të ndryshme. Por atypraty, të tânë këta popuj u dejën prej asaj gjâje të re qi as emnin s’ia kishin ndiem kurrë, u magjepsën nga fjalët e bukura propagandistike. Dhe kështu, nja gjashtë muej mbetën si të habitun, tue pritun mrekullitë qi do të bânte regjimi i ri.

Ndërkaqë, mâ i forti grup i Tyrqe të Rij, ai qi i kishte dhânë organizatës së vet emnin “Bashkim e Përparim” e qi kishte marrë pushtetin e regjimit të ri në dorë, pat mundsí me u organizuem mâ mirë e me u forcuem. Themeloi nji partí politike me të njâjtin emën, por nji partí politike qi s’ishte tjetër veçse maska e organizatës së vjetër revolucjonare e terroriste, e cilla drejtohej prej nji komiteti qendruer të fshehët, qi dihej vetëm se e kishte selinë në Selenik. Ishte ky komitet tashti qi vrânte e kthiellte në të katër anët e mbretnisë n’emën të lirisë, barasisë e vllaznisë si mâ parë sulltani n’emën të Perëndisë. Kush mbërrînte, e gati gjithkush mund të mbërrînte po t’a kishte ndopak xhepin të ngrohët, me marrë bekimin e nji komiteti, qoftë edhe krahinuer, të Bashkim-e-Përparimit, ai ishte i lamë prej çdo mëkati qi mund të kishte bâmë nën regjimin e vjetër.

Shi nën kët’ ajrí politike e morale qe, qi pashës s’onë po i çilej tash shteku drejt horizontesh mâ të gjâna për ambicjet e tija sesa kishte qênë der atëherë komanda e disa bataljonave gjindarmësh të shpërdamë nëpër gjithë tokën e nji vilajeti. Po u afrojshin zgjedhjet parlamentare. Ai paraqet dorhjeken prej zyrës qi kishte – grada ushtarake e titulli natyrisht i rrijshin – dhe vên kandidaturën për deputet në sanxhakun e Durrësit, qi përfshinte edhe distriktet Kavajë, Shjak, Tiranë e Krujë. Ishte qind për qind i sigurtë se do të fitonte, e ndoshta me të gjitha votat, pa asnji kundrështim. Un isha atëhërë student në të dytën klasë të Mylkijes në Stamboll. E atje, në kontakt e miqsí mjaft të ngushtë me mue, gjindej edhe Murat Be Toptani, i liruem nga internimi në Konjë t’Anadollit nën regjimin e përparshëm për arsye politike shqiptare. Murati ishte vllai i parë i Refikut e i biri i Said Beut, i cili kishte pasë qênë 30 vjet parandej piknisht deputet i prefekturës së Durrësit në Parlamentin e parë othoman. Murat Beu kishte bâmë edhe studime në Galata-Saraj të Stambollit dhe e flitte shumë mirë frëngjishten. Ishte poét dhe kishte shkruem do vjersha patrijotike mjaft të bukura. Ishte shum’i ndershëm e populluer. I kishte, pra, të gjitha cillsitë për me u zgjedhun ai, deputet i Durrësit, jo Esati. E nji ditë po më lutet me shkruem letra në Krujë qi të votojshin për tê. Hap sŷtë e e shikoj me habí. Isha djalosh gjithsej 21 vjetsh e t’im atë e kisha me shërbim në derë t’Esat Pashës. Ndër këto kushte, cilli Krutanë kishte për t’a ndëgjuem fjalën t’eme me votuem për Murat Benë kundra pashës? “Njeriu, tha Murati, ka borxh me bâmë atê qi i thotë ndërgjegja e qi i vjen për dore; a bân a s’bân dobí âsht tjetër gjâ, ndoshta edhe bân”. Sa për ndërgjegje, un po e ndiesha mirë fort se Murati meritonte çdo përkrahje e, mbasi nguli kâmbë, edhe tue e dijtun se ishte punë e kotë, i shkrova nji letër Jahe Gjelit qi t’ia këndonte parsisë së Vêndit. Por efekt’ i saj duel krejt ashtu sikur e kisha parapamë: të gjitha votat i shkuen pashës.

Qi Esat Pashë Toptani t’ishte nji deputet kâmb’ e krye i Bashkim-e-Përparimit gjithsa kohë qi ky të qëndronte në fuqí e i fortë dhe ai t’a ndiente veten shum’a pak të komprometuem me regjimin despotik të Sulltan Hamidit, mund të quhej nji gjâ normale ndër ato rrethana e për typin moral të tij. Por un nuk do t’a kisha besuem se nji burrë kryenaltë si ai, të cillin e kemi pamë të kapërthyem për vdekë me syprorin e vet Tatar Osmanin për nji pikë sedri pavênd, nuk do t’a kisha besuem, po them, qi ky njeri aqë kryenaltë t’a lênte veten me shkuem deri në paresën e spijunit t’asaj fuqije, të cillën me zêmër e përbuzte dhe e urrente. Mbase ky gjykim i im âsht tepër i rândë për nji fakt të vetëm qi kam për provë. Por mâ mirë po dëftej faktin qi dij e le t’a pleqnojë kënduesi vetë.

Nji ditë të prende pata votun me i bâmë nji vizitë, natyrisht vizitë nderimi e, eventuálisht, shërbimi po të më vinte për dore. Shkojsha shpesh me e pamë, gati për javë, qyshse kishte ardhun në Stamboll ku un bâjsha atëherë mësimet e nalta. Atë ditë m’u bâ sikur e gjeta të zhytun ndër mendime e porsa më pa u gzue e më tha: “Sa mirë u bâ qi erdhe, se kam nji punë me tý”. Banonte në Péra Palace, nji hotel luksuer, mâ luksori në lagjen evropjane, se nuk i kishte ardhun ende familja. E gjeta tue ndêjtun në hall-t. Nuk m’uli atje fare, por më prîni e më çoi në salonin privat të tij pranë odës ku flênte. Më tha se do t’i shkruente nji letër Rahmi Beut, qi ishte nji nga leader-t mâ të shquemit të Bashkim-e-Përparimit në Selenik. Do t’i thonte se disa Shqiptarë, ndër të cillët përmêndi të kushrînin, gjeneral Fadil Pashë Toptanin, e Haxhi Vildan Efendinë nga Dibra, ishin marrë vesht me bâmë së bashku nji vallim nëpër qytetet e Shqipnisë, hajsmi për të ndritun atë popull mbi regjimin e ri me takime private e konferenca; kurse në të vërtetë ata po shkojshin, simbas kallzimit të pashës s’onë, me shtimë keq për regjimin e me nxitun Shqiptarët qi të kërkojshin nji administratë autonome. “Këto janë fjalët qi due me shkruem në letrët: ti tashti merre në kalem si duhet dhe eja e m’a këndo”, konkludoi pasha e u tërhoq n’odë. M’u duk nji gjâ e mëndershme ky kallzim, por nuk pata guxim me ia mohuem shërbimin. Jo se letra do t’itte pa shkruem, edhe sikur mos t’a shkruejsha un; jo se ajo bâni ndonji dâm, sepse ata qi po u përgatitshin me shkuem në Shqipní shkuen se shkuen pa u hŷmë gjêmb në kâmbë: sado-kudo, regjim’i ri nuk ishte ai i Sulltan Hamidit. Me gjithë këtê, vepra në vetvete qe e keqe.

Me 12 prill 1909 plasi në garnizonin e Stambollit nji lëvizje reakcjonare me armë e me gjak kundra regjimit të ri, e frymzueme thjesht prej fanatizmet fetare. Por u fashit shpejt prej armatës së tretë të Rumelisë nën komandën e Mahmud-Shefqet Pashës, dhe Tyrqit e Rij të Bashkim-e-Përparimit përfituen prej ksaj rase për me shthronzuem Abdyl-Hamitin II, ndonse personalisht qe krejt i pafajshëm n’atë lëvizje, e me vûmë në vênd të tij të vllanë, Reshatin, qi ishte trashigimtar’i thronit. Ky akt revolucjonar formalisht u vendos prej parlamentit, të mbledhun n’Ajastefanos, sod Jeshilqoej, n’afërsinat e kryeqytetit; por frymzuesi ishte Bashkim-e-Përparimi e imponuesja ushtrija e Mahmud Shefqetit. Me kët’ akt, gjêndja bâhej shumë mâ delikate seç ishte në vetvete. Stambolli ishte ende praktikisht i paokupuem e garnizoni rebel i paçarmatosun. Hamidi e kishte prestigjin të madh, si në kryeqytet ashtu edhe përjashta. Garda mbretnore, nën komandën e Tahir Pashë Krajës nga Kraja e Shkodrës, s’ishte tue lypun nderë mâ të madhe se me dekun për mbretin e vet. Kjo gjêndje i kshillonte Tyrqit e Rij qi të veprojshin me urtí të madhe në zbatimin e vendimit për shthronzimin e Abdyl-Hamidit. E kështu bânë. Parlamenti zgjodh nji komisjon në gjí të vet të përbâmë prej burrash mâ përfaqsimtarë qi besonte se ka dhe e dërgoi këtê në Yilldiz për t’i kumtuem atij mbreti se… popujt e mbretnisë nuk e dojshin mâ e se prandej duhej t’abdikonte. Gjithë arsyeja qi më shtŷni me e përshkruem e diskutuem këtë ndodhí këty, tue shkruem mbi jetën e Esat Pashë Toptanit, âsht piknisht për me vûmë në dukje rolin qi pat ramë këtij vetë për pjesë me luejtun n’atë rasë. Jo vetëm qi Esat’ i ynë u zgjodh si mis i komisjonit për të cillin fola, por u ngarkue veçanë ky qi t’ia thonte sulltanit n’emën të komisjonit fjalët qi ishin caktuem me i thânë. E nga i vinte gjithë kjo rândsí e posaçme nji Esat Pashe qi dihej se ishte gati nji analfabet? E pse me dalë shi prej gojës së tij fjalët qi ishin për t’iu thânë mbretit, kurse tyrqishtja e tij ishte ajo qi ishte, dmth. e nji Shqiptari të pashkollë? Un, qi kam qênë vetë në Stamboll ndër ato çase kritike e qi i ndiej si të vulosuna në shpirt të gjitha rrethanat e asaj kohe, kështu mundem me i tfilluem arsyetë e rândsisë qi iu dha Esatit në shthronzimin e Abdyl-Hamidit II:

Delegacioni që shkoi te Sulltan Abdyl Hamiti II për me kërku abdikimin nga froni dhe një nga ata, Esad Pasha, që ia tha këtë sulltanit otoman.

Se Shqiptarët e Pallatit, tue filluem prej Tahirit, kishin për tê, si Toptan, si i vllai Gani Beut e si mik personal, nji konsideratë të veçanët; njiu ndër ta, Halil Be Krajës qi për rândsí e influencë në Pallat shkonte rrafsh me Tahir Pashën, i kishte dhânë nji vajzë për të birin, Veli Benë qi ishte ajutant i mbretit; me vênd pra ishte për t’u menduem se këta kurtizanë të fortë së paku nuk do t’a trimnojshin sulltanin për qëndresë tue pamë Esat Toptanin kundra tij.

Shqipnija, sidomos ajo e Veriut, njihej me të drejtë si nji fortesë për t’iu ruejtun e Sulltan Hamidit, dhe Esat Pasha besohej quhej si përfaqsuesi mâ ndëkues i atij vêndi.

Këto, besoj un, kanë qênë arsyet për të cillat iu ngarkue ajo barrë delikate pashës s’onë e jo tjetër. Edhe misjon’i tij përnjimênd pat sukces të plotë: Abdyl-Hamidi II iu shtrue vullnetit “të popullit” pa qëndresë, ashtu siç iu kërkue, edhe u internue në nji vilë, Vila Alatini, të Selenikut për nja tri vjet e gjymsë, deri në luftën ndërmjet Tyrqisë e pushtetevet balkanike në 1912.

Esat Pashë Toptani u ndêjt besnik Tyrqe të Rij qi ishin në fuqí aqë kohë sa ata qenë të fortë, siç e kam thânë edhe mâ nalt. Por mbrapa, kur e pau se ata muerën teposhten, se gati gjithë përfaqsuesit e popujvet allogjenë të mbretnisë në parlamentin njâni mbas tjetrit duelën e po dilshin n’opositë dhe kritikojshin qeverinë sa mundshin për paudhësitë qi gjajshin nëpër vêndet e tyne, kur edhe Shqipnija përditë mâ keq po kredhej n’anarqí e zâni i nacjonalistave shqiptarë po bâhej përditë mâ i fortë për të drejtat kombëtare, atëherë edhe Esat Pasha, qi, ndonse i pashkollë, ishte fort i hollë për mênd, u trimnue e haptazi filloi me ndjekun gjurmat e deputetne patrijotën e guximtarë si Ismail-Kemal Vlora, Mufid Libohova e Hasan Prishtina. Në luftën ndërmjet partizanëve të dý abecevet arabe e latine për gjuhën shqipe, e para e lypun kryesisht prej hoxhëvet fanatikë dhe e deshirueme e e përkrahun prej Tyrqe të rij dhe e dyta e përdorun qyshë shumë vjet parandej prej patrijotëvet shqiptarë, pasha i ynë nuk u përzie kurrë; nuk foli asnji herë ndër mbledhjet parlamentare e nuk muer pjesë ndër komisjone të kshillit: ai s’ishte i zoti për kso punësh. Karrjera e tij nën mbretninë othomane mbaron me komandën e divisjonit të reservistavet shqiptarë në Shkodër gjatë luftës tyrko-balkanike; por ky rol i tij përzihet i pandashëm me atê mâ të madhin qi ka luejtun si Shqiptar mbasi qe shpallë pamvarsija e jonë kombëtare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok