22/12/2024

Esat Mekuli, një dritare e hapur për secilin

0
u1_Esat-Myftari-Mekuli

?

Vepra “Profili politik i Esat Mekulit”/Monografi/ botuar në Shtëpinë botuese Saga, Prishtinë, 2018, nga autori Esat Myftari.

Esat Mekuli, një dritare e hapur për secilin prej nesh

/Vepra, në të cilën shkrihet biografia e papërfunduar dokumentare, hapë horizonte të reja mendimi për të fjeturat e mbetura sirtarëve më të skajshëm të arkivave, jo vetëm të intelektualizmës së këtij mjedisi ku jetojmë, por edhe përtej historiografisë sonë shqiptare, me verdikt saktësie për figurën shumëdimensionale të Esat Mekulit./

Shkruan Besim Perjuci

Duke këmbëngulur në realizimin e këtij projekti me vlera e nivele të pamohueshme e me pjekuri kërkesash, autori E Myftari, në thellësi të heshtjes së vet, do ta nxjerrë pyetjen më sublime të kohës: – Vallë, a mund të ndalet udha e nisur e historisë sonë? Besohet dhe mbetet e shkruar një JO e madhe. Prandaj, me ngrohtësi shpirti e kulturë intelektuali do të gërmojë me elegancë e qëndrueshmëri besimi të plotë në risjelljen e fakteve të paluejtshme, si dhe në rigjetjen identitare të kësaj figure poliendrike të kohës, me të vetmin synim që të shndërritet profili politik, dhe jo vetëm kaqë, por edhe kontributi i madh artistik e shpirtëror në fushën e letësisë shqiptare.

Jo rastësisht, korrespondenca e parë e autorit Myftari, niset nga kampi i Balshit për ta përuruar për detyrën që z.Mekuli e ushtronte në ASHAK, dhe jo pse ishte i internuar me të njëjtën shije, si dikur E Mekuli në kazamatët jugosllave, por ama, sepse informacionet andej e këndej murit shqiptaro-shqiptar, mungonin ose ishin tejet të kufizuara. Largësinë e lidhte jo vetëm me personalitetin e E.Mekulit, por shumë më tepër me Kosovën dhe njerëzit e saj me veçanti. Mosha e hershme djaloshare e ngacmonte përherë. Prandaj, një shkrepëtimë shprese sado e vogël dhe epizodike të jetë, për një lidhje mendimi e jete, do ta ngushëllonte fatin dhe qenien e këtij intelektuali, siç ishte z.Esat Myftari me aspirate të kahmotshme.

Shtysa e parë, në përpjekjet dy-trevjeçare për t’i mbledhë e sublimuar detajet më të rëndësishme deri në përimtësi të mundshme, nga jeta dhe profili intelektual, shpirtëror e politik i Esat Mekulit, nuk do të përplotësohen hëpërhë, për arsye të panjohura, thotë autori Myftari.

Titulli i lbrit “Profili politik i Esat Mekulit”është i shpupëluar dhe shumë i qartë, nuk ka figuracion metaforik, andaj dhe kuptohet lehtë e pa ndonjë lakim. Pra, libri, siç thotë autori, i takon zhanrit  m o n o g r a f i  studimore-shkencore.

Vjelja dhe hulumtimi i materialit nëpër sirtarët e kohës, sistematizimi i mundimshëm i gjithë kësaj djerse, me frymëzim e invencion mendimtari, do t’ia hapin rrugën e ndriçimit të biografemave të jetës dhe të veprimtarisë së kësaj figure madhore, siç ishte ajo e Esat Mekulit, e për të cilin shumë pak ishte shkruar dhe shumë pak kishte mbetur në analet e autoriteteve të kohës, /mendohet në intelektualet/ në mënyrë që e sotmja ta ketë të konfiguruar si personalitet të fuqishëm në aspektin e filozofisë sociale, shoqërore e humane, shkencore e letrare me nuanca, pashmangëshmërisht, atdhetare e kombëtare në

periodat më egërshane të kohës, madje me projekte paranoike asimiluese, shfarosëse e gjenocidale të një kombi, gjenetikisht të pastër, siç është kombi ynë shqiptar.

Këtë deficit të materialit dokumentar do ta plotësojë, strukturojë dhe menaxhojë mirë E.Myftari në monografinë e posabotuar “Profili politik i Esat Mekulit”, duke u

ndihmuar nga motrat Mekuli/Drita dhe Samira/si dhe xhaxhai Hasani, pastaj nga materialet arkivore, gazetat, letrat, ditarët, korrespondenca me kohanikët e Mekulit,

etj., për të arritur deri të profili gjithanshëm i artikuluar me saktësinë e të dhënave për te.

Ndryshe nga të tjerët, autori Myftari e tjerrë mirë lëndën, e pastron, e përpunon, edhe përtej kujtesës, dhe e shtron të kulluar fenomenin Mekuli me dimension kuptimësie, karshi të tjerëve, që me mjaftë kursim fjalësh e mendimesh, madje përmes një spektri të padiktuar dilemash shumë    të kufizuara, prekin indin jetësor e shpirtëror të E.Mekulit.

Janë, pra, të dhëna këto faktike historike shumë të huaja për lexuesin e sotëm të rëndomtë dhe opinionin e përgjithshëm kosovar.

Autori i tfilluar në rigjetjen e fakteve dhe argumenteve të pathëna deri më sot, nuk e gaboi udhën e nisur.

Në fokus të kësaj monografije, ka poetin dhe politikanin, të rikthyer nga harresa e kohës, nga e kaluara e largët dhe e afërtë e historiografisë së tij dhe e popullit tonë në përgjithësi, natyrisht duke e përjetësuar, postmortum, me korrektësi shkencore e mendim të argumentuar.

E.Mekuli si kërkues i paluhatshëm me lëverdi të çdo gjëje që ishte në të mirë të atdheut, kombit dhe gjuhës, i takonte rinisë së atëhershme revolucionare.

Po në këtë frymë edhe i shkroi poezitë e veta, dhe siç thotë autori Myftari, “për të dokumentuar kohën kur baheshin të gjitha përpjekjet për zhdukjen fizike të shqiptarëve, si dhe të mbështesnin nji orientim të ri ideologjik”. Fillimisht ai, për këtë që ishte dhe jo ndryshe, do të shpërblehet me burgun famëkeq të Gllavnjaçës e pastaj edhe me atë të Kullës së Sheremetit, ku edhe shkruan poezinë “Kushtrimi”/fq.58/, ku shpërthen me llavën e vet shpirtërore: /”Hej, çoji grushtat//populli im//ndër pranga//Coptoji kafazet//dhe dyert e burgut thyeji;//shembi muret//me duer të përgjakuna//e zemër shqiponje-/varrose përgjithmonë/të kaluemën dhe të tashmën”/. “Ishte vërtet një thirrje revolucionare, në frymën e ideologjisë së majtë, –thotë autori, dhe poetikisht e pëlqyeshme… si një provë e pjesëmarrjes së shqiptarëve në luftën kundër pushtuesit fashist”.

Duke shënuar në librin e tij nuancat jetësore të Mekulit, ai dekodon historinë e dhimbshme, jo vetëm të personazhit në fjalë, por duket sikur po shenon edhe diçka nga vetvetja, nga ajo e përjetuara e tij birucave e rruginave të nëndheshme /tashmë dihet historia dhe rruga jetësore e intelektualit pejan z. Esat Myftari/.

Thuhet se, e lehta dhe e vështira shkojnë pandam njëra me tjetrën, kur merr mbi vete përgjegjësinë morale e shoqërore për të shkruar për dikënd që, fatmirësisht ka merita të mëdha; – e lehta, sepse një personalitet i gjithëanëshëm si në fushën e kulturës letrare artistike, ashtu edhe në ate shoqërore politike e sociale, siç ishte E.Mekuli, njeri me begramë të palëkundshme e me gjurmë të lëna për gjenerata të ardhshme, dhe e dyta, e vështira qëndron në ate sepse materialet nuk ishin të kompletuara, ndaj është dashur të hulumtohen, zbulohen, përpunohen, analizohen, kategorializohen dhe sintetizohen për t’ua dhënë formën e zhanrit monografik, ku biografemat e Mekulit do flasin për rrëfime të kohës, për qëndrimin vertikal të tij nëpër hullinjtë e panjohura të jetës.

Dhe pikërisht një krijesë të tillë biografike do ta bëjë E.Myftari, me përkushtim e përpjekje sizifiane, me guxim intelektuali e njeriu të matur, dhe jo vetëm si diplomat me potencial meritor që mban për historiografinë dhe kauzën shqiptare, por edhe si një njohës i shkëlqyer i kursit të letërsisë dhe kulturës sonë shqiptare.

Organikën e narratives së angazhuar e përbën thellësia e mendimit dhe përpjekja e autorit që, këtë bjeshkë të palëkundshme ta materializojë me origjinalën e fjalës së bukur shqipe, me gjithë diversitetin e saj, në përshtatje të hollë “dialektore” të cilën autori me besnikëri dhe saktësi fonetike, morfologjike, sintaksore e semantike do ta shkruaj e flet në gjithë veprën.

Autori Myftari, e furnizon lexuesin edhe me informacione që kanë të bëjnë me mospjesëmarrjen e Mekulit nëKongresin e Drejtshkrimit më 1972, dhe njëherit përpjekjet për ta shigjetuar paradoksin e pakënaqësisë së qarqeve zyrtare të Tiranës.

Mirëpo, nga ana tjetër autori i gëzohet faktit që emri i E.Mekulit nuk figuronte në listën e firmatarëve. Po pse ndodhi kështu, mbetet për një analizë dhe kohë tjetër.

Mjeshtër i rrallë në lëminë e përkthimeve

Autori Myftari, me shumë kujdes e elegancë mendimi i futet thelbit të librit “Kurora e maleve” të P.P.Njegoshit, të përkthyer me kompetencë e mjeshtri të rrallë nga E.Mekuli /si njohës i mirë i gjuhës serbokroate me nuanca malaziase/. Mirëpo, në këtë përkthim mjeshtror do t’i gjendet pranë Zef Neka, një malësor, i cili për mrekulli e njihte të folmën e Veriut, gegërishtën veriore të popullit tonë, me veçanti posedonte një begati leksikore me forma sintaksore të gjuhës. Mekuli, poashtu nuk nguron me na dhanë shpjegime e komente të hollësishme për të gjeturat e rëndësishme, përsa i përket nxjerrjes në pah të vërtetave të besueshme për popullin shqiptar, mënyrën e interpretimit fund e krye armiqësore, tendencioze me tepri, si J.Cvejiqi, M.Lutovaci, Z. Brajeviç, dhe përkundër mendimit skajshëm antinjerëzor e shëmtues të pranuar të Qosiqit se: ”Rrena është aspekti i patriotizmit tonë dhe vërtetim i intelegjencës sonë të lindur”, nëpëmjet të së cilës bën mashtrimin më të monstruoz të opinionit të jashtëm e të brendshëm, me prapavijë fashizoide, me spastrim etnik e genocidal ndaj popujve josvllavë dhe trojeve të tyre, u shpërfaqen mendime të drejta nga personalitete të kulturës e të politikës malazeze, të cilët me mendje të shëndoshë e të zgjuar e kanë thënë të vërtetën që del nga “Kurora e maleve”, siç janë M.Gillasi, J.Bërkoviqi e Kilibarda, i cili mes tjerash shkruan: “…Por në Mal të Zi ende vazhdon praktika simbas së cilës poezitë e Kurorës së maleve shkarkohen mbi një popull të pafajshëm…, Ne duhet me pranue se në të gjitha genocidet që janë krye…, Njegoshi ishte në buzët e atyne që kryen genocid…”

Megjithatë, autori na thotë se “kjo retorik mesjetare e Njegoshit, nuk mund të merret si e dhënë njëherë e përgjithmonë”. Sepse autenticiteti dhe ndërgjegjja njerëzore do të ruhet vetëm atëherë kur e sakta dhe e vërteta e besueshme për historiografinë kombëtare, thuhet pa ia marrë asnjë pjesë të saj, por as pa ia shtuar diçka që s’i takon. Këtë na merr mendja po e bën pikërisht autori Myftari në librin “Profili politik i Esat Mekulit”.

Për mikun dhe autorin e këngëve “Ali Binaku”, të z.R.Zogoviq, Mekuli do të merr përsipër që t’i përkthejë dhe botojë këto këngë në gjuhën shqipe, edhe pse në atë kohë Zogoviqi ishte i dënuar nga partia me izolim shtëpiak, sepse kjo ishte një paraqitje e papritur dhe e habitshme për qarqet e atëhershme, ku në shënjestër e kishte politikën militariste antishqiptare. Dhe në rastin më të mirë, shkrimtari kroat August Cesarec do të shprehet: “Zogoviq, nëse letër nuk keni, të gjitha këto duhet t’i gdhendni në një shkëmb”. Ishte ky një qëndrim korrekt dhe pa tepri, shumë i drejtë ndaj çështjes shqiptare.

Mirëpo, dramaciteti që ndodh në marrëdhëniet miqësore mes R.Zogoviqit dhe E.Mekulit, kapin një kaptinë të veçantë, ndonëse heshtja e zbuluar është e vonshme.

Edhe përkundër përpjekjeve për ta portretizuar origjinalën e figurës së E.Mekulit, me të gjitha almiset e tija nëpërmjet shiritit filmik, në vazhdimin 28 e 29 të fejtonit të botuar,

në gazetën e kohës“Pobjeda”të Malit të Zi, Dushan Kostiqi nuk arrinë dot t’ia bëjë me objektivitet e pa animozitet patologjik që e kish mbërthyer mendësinë serbosllave.

I papërkulshëm para stuhive të kohës

Esat Mekuli e Ali Hadri përpilues të Enciklopedisë Jugosllave, të angazhuar për pjesën që i përket Kosovës, duke u prononcuar kundër falsifikimeve dhe të pavërtetave për popullin shqiptar e, si anëtar i Redaksisë Qendrore të EJ., do të shkruan:”Sa i përket rolit të individëve në historinë e një populli dhe vlerësimit të tyre, në Enciklopedi, duhet marrë parasysh rezultatet më të mira të historiografisë marksiste. Kjo vlen për të gjithë, prandaj edhe për figurat e mëdha të popullit shqiptar – Ali Pashë Gucisë, Azem Bejtes, Bajram Currit, Isa Boletinit e të tjerëve që trajtohen më vonë:. Për të vazhduar:”… Teksti i Enciklopedisë duhet me shpreh zhvillimin e vërtetë të çdo personaliteti të veçantë, roli i të cilit është qenësor për një popull”./fq.122/.

Pra, në këtë sfond të ngritjes dhe të bërit emër në aspektin rrethanor të kohës, E.Mekuli guximshëm e me dëshmi provash historike po e prishte ekuilibrin e shfrenimit antishqiptar dhe v e r s i o n i n shovenist serb për sfumimin e figurave historike shqiptare me peshë.

Esat Mekuli e kishte kuptuar tashmë se, metastaza e teknologjisë shoveniste serbomadhe e disa bashkëkohanikëve të tij, me të cilët mbante korrespondencë, i kishte përfshirë fund e krye dhe këtë helm, në stilin e propagandas gebelsiane po e shpërndanin me të madhe ndër masat e gjëra popullore.

Intensiteti i komunikimit dukshëm do të bie, madje-madje edhe përgjigjet do të mungojnë nga ana e Mekulit sepse diçka ishte përthyer në shpirtin e tij. E ajo, e dalura nga populli:”Buka që thehet një herë, më nuk ngjitet”, po i vërtitej në fronin e mendjes së tij, si një gërryes i padukshëm.

Esat Mekuli spikaste në analizën e rrethanave politike e jetësore të bashkatdhetarëve të vet që hiqnin të zestë e ullirit, dhe që rrënoheshin dita-ditës për një kafshatë buke për mbijetesë. Sidomos ia digjnin shpirtin sharraxhinjtë, punëtorët e krahut, pastruesit e rrugëve e të bulevardeve të Beogradit, hamajtë dhe qymyrngarkues-shkarkuesit e vagonetave në stacioninet hekurudhore. Këto pamje të mjerueshme sikur e ndiqnin, pajada, si një gogol prapa dhe pa adresë.

Në këtë labirint rrethanash, thotë autori Myftari, kjo lukuni bishore e tajgave të largëta, me mendësi të ndryshkur, mesjetare të ndëshkimit, po përpiqej t’ia digjte pikëpamjet, idetë dhe perspektivën e tij letrare artistike. Ta izolonte e ta plagoste rëndë në sytë e popullit të vet dhe më gjerë.

Korrespondeca hileqare e miqve të dikurshëm, të cilët ishin mbushur me terapi kancerogjene në frymën nacional-shoveniste, po ia kthenin shpinën E.Mekulit, mikut të tyre të vjetër, i cili edhe përkundër të gjithave që shpërfaqeshin, kurrë nuk ua ktheu përgjegjen ashtu siç deshën ata.

Kjo nuk do ta demoralizonte fare, ngaqë ideologjikisht ishte me ndërgjegje të pastër, kurse letrarisht si një talent i rrallë, që prodhonte punime të bukura artistike, me motive sociale, apo me mirë të themi krijime në frymën migjeniane.

Mekuli, pa hezitim, zgjodhi rrugën e papërkulshmërisë para stuhive të kohës, duke mos i bërë përshtypje karriera politike, e as mandatat diplomatike të ofruara, sfiduese për shumëkënd, për të mbetur kështu, vetëm një realitet i respektueshëm mendimtari paqësor që përkon me idetë dhe konceptet e identifikuara, tashmë, edhe përmes këtij libri, të ridimensionuar me logjikën e pasqyrimit të ngjarjeve të pazbuluara deri më sot.

Autorit, poashtu nuk i shpëton edhe fjala kritike për “ato që i la pa i thënë e duhej t’i thosht në shkrimet e veta me destinacion dëshmitë e kohës për brezat e ardhshëm”. Dhe për ta ilustruar këtë mendim, ai merr dy shembuj: poezinë ”Ramiz, o vlla” dhe “Maja e Llovqenit1951”. Për të dy këto raste zgjedh  h e sh t j e n  dhe nuk jep përgjegje! /Ilustrim pa tepri e as arsye se çka e shtyri t’i shkruaj/.

Nga ana tjetër autori Myftari bën një arsyetim të mendimit për kohën kur jetoi e veproi E.Mekuli, në rrethana kur përplasjet politike kishin filluar të nxjerrnin krye, do t’i shkruaj poezitë “Turk Elhamdurula”, “Betimi i nanës”dhe”Shiftar”, në cilat artikulon mendimin atdhetar e kombëtar si njeri i devotshëm karshi atdheut. Në poezinë e parë, gjithë opinionit jugosllavë do t’ia bëj me dije se respektojmë dhe nderojmë popullin turk, por turq nuk jemi. Kjo pati jehonë të madhe në qarqet e atëhershme, kur shumë pak shkruhej e dihej për popullin tonë. Apo thirrjet e pandalshme, drejtuar popullatës së robëruar e shpirtplagosur, që të mos ikët nga Kosova, që të mos lakmohet toka e huaj, sepse ajo më në fund të hanë e të tretë. Një shprehje e popullit thotë:” Guri peshon rëndë vetëm në vendin e vet”/”Betimi i nanës”/. Ndërkaq në poezinë Shiftar”, me shumë sens  guxim e sens intelektuali, sqaron emrin sh q i p t a r, duke iu drejtuar opinionit intelektual e gazetave ditore të kohës me: “Druzhe ne recimi shiftar”. Ishte ky një raagim njerëzor e moral i një politikani e shkrimtari që po hapte një dritare të rëndësishme për popullin tonë.

Kështu, brenda diskursit kohor i ndikuar nga rrethana politike, shoqërore e kulturore, mbetet si diçka e ruajtur me dëshirë, e pathënë, e pazbuluar. Mirëpo, kur të gjitha këto hulumtohen vëmendshëm e në thellësi, dhe kështu të përmbledhura në sfondin e kujtimeve, dokumenteve, zyrtare e jozyrtare, letrave korresponduese, materialeve dhe shkrimeve personale, si një krijues i mirëfilltë në hapjen e një kaptine të re në letërsinë shqipe në Kosovë, të shpërfaqur tashmë, dalin gati të rrëfyera, si tekst brenda tekstit apo

rrëfim brenda rrëfimit, duke e ndërtuar përhershmërinë e narracionit, nëpërmjet një filtri të mendimeve, që do të siguronin diçka më shumë se sa dihet për këtë kolos të mendësisë shqiptare. E kur të gjitha këto shumëzohen me zero, është e pamundur t’i besohet kësaj logjike të të menduarit, sepse dyshimet do të hiqen vetëm atëherë kur Mekuli të lexohet mes rreshtave.

Pra, autori Myftari i nënshtrohet mendimit dhe një të vërtete të pamohueshme, në kuptim të kapjes të sa më shumë fakteve e informacioneve për këtë figurë madhore të shek.XX.

Me interesim të madh autori Myftari i shfleton ngjarjet, kur Mekuli ishte Redaktor i Revistës “Jeta e Re”. Vetë emërtimi i kësaj reviste, me Jeta e Re, ka të bëjë me dy koncepte shumë të rëndësishëm; – e para, emri “jeta” do të përligjet me ekzistencën e një populli autokton e me një histori të lashtë dardane, dhe e dyta, “e re” përligjet me konceptin që lind si një frymë e re, që ia vizualizon një të ardhme të bukur e të përjetshme një populli, deri dje, të nënshtruar e pa adresë gjeografike, gjithnjë sipas mëndësisë serbosllave.

Mëtutje, autori shpjegon se si kjo revistë u pagëzua, në rrethana paradoksale në kafenenë”Moska”të Beogradit, nga emingranti Tajar Hatibi.

Si pandam i kësaj Mekuli do ta shkruaj poezinë”Drita që nuk shuhet”, poezi që tregon shkëputje nga e vjetra për të synuar kohën e re me vlera të mëdha e të sinqerta.

Autori posedon dije e shije me nuhatje të mrekullueshme, andaj me shumë kujdes na përcjell letrat e miqve, shokëve dhe të atyre që lidhja shoqërore e miqësore ishte tejet e dukshme, ngaqë intelektualizma e kohës e vlerësonte lartë kontributin e Mekulit, si në aspektin politik e më shumë në atë letrar artistik. Letërkëmbimet zakonisht mbështeteshin

në reciprocitetin bashkëpunues në fushën e përkthimeve, sidomos në gjuhën shqipe, meqenëse shkrimet e autorëve të mëdhenj të letërsisë klasike e bashkëkohore atëbotë

mungonin. Kjo prurje, na thotë autori, nuk i mungonte Esat Mekulit, sepse ai e njihte, por edhe komunikonte shumë bukur në gjuhën serbokroate. Kjo pa dyshim i kishte përparësit e veta. Njohja me shkrimtarët e mëdhenj si, Kërlezha, Zogoviqi, Daviço, Bërkoviqi, Kilibarda, Vasko Popa e të tjerë, me shkrimet e të cilëve po mbushej thesari i bibliotekave kosovare.

Për shumëçka e respektonin fjalën dhe mendimin e E.Mekulit. Edhe atëherë kur rraheshin probleme të mëdha që i tejkalonin përmasat e paprekshmërisë autentike kombëtare, edhe atëherë kur busolla e jetës tregonte kahje të kundërta që si dy pole nuk mund të afroheshin dot. Polarizimet kishin të bënin me historinë dhe historicizmin e atyre që të vërtetat përpiqeshin t’i kthenin në mite e legjenda të përrallëzuara, siç ishte Beteja e Kosovës e vitit 1389, humbje kjo, që sot, pa pikë ndërgjegje njerëzore, serbët e festojnë si të fituar.

Në fund të kapitullit XI, autori Myftari ka një porosi për “gjeneralet e sotëm” që Kosovën e shohin si njerkë e jo nënë, duke e ngrënë copa-copa, si bisha kur turret pa fre mbi gjahun e vet.

Simbol frymëzimi i harruar

Mekuli ishte simbol frymëzimi për shumë breza, por pikën e vlimit nuk e arriti askush, mbase për shumë arsye: ose nuk deshën ta ndriçojnë figurën e tij nga logjika për të kënaqur egon përfide, ose deshën ta lënë në harresë absolute, që pluhuri edhe mëtutje ta mbulonte, ose nga frika se mos vallë kjo figurë do të përjetonte ngritje mbi nivelin e të tjerëve, ose për arsye thjesht për mospërmendje dhe anatemim të tërësishëm.

Megjithatë, pena dhe mendimi i mprehtë në shpalosjen e fakteve, i ndërgjegjshëm për fjalën dhe sinqeritetin e tij, sakaq objektiv dhe me nivel intelektuali të kohës, krijuesi Myftari, do ta arrijë ta përkthejë borxhin kolegial e shoqëror ndaj kësaj figure të letrave shqip dhe të një politikani përvojash të mëdha, pa iu trembur ndërgjegjes se vet, se nesër do ta brejë.

Pra, rruga e gjatë e përshkuar nëpër tisin e një mjegulle që, për shumë dekada e vite e kishte mbuluar dritën e madhe, tani po ngrihej e bëhej shumëherë më e tejdukshme për dallim nga e para, dhe po priste dorën e njeriut me sens arti, për ta shndërruar në monument saktësie me identitet kombëtar.

Një shënim mjaft interesant na jep autori lidhur me mendimin shumë të çmueshëm e me peshë, shprehur nga i madhi Ismail Kadare për E.Mekulin, të cilin do ta quaj me epitet të rrallë/po e parafrazoj/”Qiriri i kulturës shqiptare në Kosovë”.

Ka shumë histori dhe episode nga jeta e Mekulit, na thotë autori. Materialin e grumbulluar duhet shtjelluar e trajtuar në mënyrën më adekuate, me sinqeritet dhe me besueshmëri . kërkesat e opinionit, sot janë të mëdha, reale dhe serioze, pa fraza boshe të ndërmjetme, pa sekuenca momentesh që prishin drejtpeshimin e mendimit të konfiguruar në biografemat e materializuara me fuqi nivelesh të njohurive për personazhin në fjalë.

Këtë det mendimesh për nismëtarin e shkrimeve të viteve ‘30-ta të shek.20, autori Myftari, do ta fiksojë fuqishëm në ndërgjegjen e tij, për t’i mbledhë të pathënat si kokrra gruri për ushqim, si copëza biografemash të tretura, për ta bërë tërësinë e kësaj monografie, si dëshmi kohe të sigurtë.

Nga  gjithë sa u tha e në kontekst të kësaj z.Myftari na del një si shkrimtar e publicist i kapaciteteve të mëdha, intuita e të cilit vrapon udhëve të largëta e të gjata për t’i rigjetë të fshehtat e humbura errësirave të pafund për njerëz e personalitete të kohës, intelektual të hershëm, shkrimtarë e poetë me bagazh të madh shkrimesh, siç ishte Doktori i veterinarisë z.Esat Mekuli, i cili për shumë vite udhëhoqi dhe e mbajti gjallë revistën letrare “Jeta e Re”.

Ky ndryshim nga e pakta tek e shumta, meriton respekt të veçantë, prandaj jam i prirur ta falënderoj me një grusht mendimesh, jo për lavde dhe epitete, por për fjalën dhe mendimin e fuqishëm të autorit, me bazë niveli inventiv intelektual.

Këta vrushkuj mendimesh të hedhura me aq dashuri, si të papërfunduara, por gjithsesi me përpjekje ndriçimi të figurës madhore të E.Mekulit do të mbesin si një thesar shumë i çmueshëm që do të rritet në monument të përhershëm vlerash letrare artistike.

Monografia është shkruar me një gjuhë të rrjedhshme të gegërishtës, me korrektësi shkencore e saktësi mendimesh të argumentuara.

Dhe krejt në fund dua të them se me vdekjen e Esatit Mekulit, Kosova e kuptoi se kishte mbetë pa figurën emblematike më të fuqishme intelektuale të kohës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok