“Epopeja” kundër shqiptarëve, me vrasje e djegie
Nga Kastriot Dervishi
Lexoni këtë pjesë të letrës së datës 22 prill 1944, të adjutantit të Shtabit të Korçës, Stefo Grabocka, mbi luftimet në Pogradec dhe Dersnik për të kuptuar se çfarë thelbi përbën në të vërtetë “lufta”, aspak nacionalçlirimtare, por vetëm civile:
“Nga robërit thuhet se janë dënuar dhe ekzekutuar 20 ballistë. Në Starovë thuhet se nuk kanë mbetur më shumë se 6-7 shtëpi. Ballistët janë tërhequr në drejtim të Podgories….Nga dy të plagosur të tjerë që erdhën mbrëmë në infermieri, mësohet se janë (zënë) 260 robër dhe ndonjë 100 të vrarë e të pjekur, pasi partizanët i dogjën të gjitha shtëpitë ku rezistohej, midis tyre dhe dy hotelet…
Batalioni i 3-të i Brigadës së 4-rt dhe Batalioni “Tomori” sulmuan Dersnikun. Nga ana tjetër, Batalioni “Skënder Çaçi” goditi postbllokun, në krahun e Orman Çifligut dhe në krahun e Turanit. Sulmi kundër Dersnikut u bë më ora 2.00 të natës. Sulmi ishte i furishëm, lufta vazhdoi 2 orë e gjysmë rresht, me bomba dore me qoshe. U dogjën afro 20 shtëpi e kasolle. Të vrarët nuk dihen. Nga ana jonë e Batalionit të 3-të mbetën 5 partizanë të plagosur lehtë. Pasi u hap dita, skuadrat e sulmit u tërhoqën nga katundi dhe lufta mori një karakter pozicional, kështu vazhdoi deri në ora 10.00. Armiku nga Korça s’bëri asnjë lëvizje.
Më datën 19.4.1944 ora 12.00 e natës, batalioni ynë në lidhje me dy kompani të batalionit “Hakmarrje” dhe Batalioni 3-të të Brigadës 4 sulmuese, sulmuan Dersnikun dhe pas pak orë luftimesh, partizanët hynë në fshat; dogjën disa shtëpi dhe plevica, se armiku rezistonte brenda…
Siç duket dhe nga një bisedim telefonik me komisarin e Batalionit “Tomori”, Shuaipin, goditja e Dersnikut, megjithë që kishte angazhuar shumë nga forcat tona, nuk përbën sukses. Dersniku është bërë si Casinoja, gjer sa të bëhet si Starova. Megjithatë prej Korçe ishin kënaqur mjaft, duke parë flakët e shtëpive të Dersnikut të ndritnin natën e errët”.
Bagëtia e “armikut”
Pjesë nga raporti i datës 29 prill 1944, i komisarit të Batalionit “Hakmarrje”, Hasan Selenica për Shtabin e Qarkut të Korçës:
“Para ca ditësh më kishit lajmëruar për tre partizanë të dezertuar të Brigadës së 4-rt sulmuese, që t’u zinim ose t’u sekuestronim (pasurinë), t’u digjnim shtëpitë. Që të tre janë tashmë në radhët e Ballit, prandaj ne u dogjëm shtëpitë e dy prej tyre dhe u sekuestruam ca bagëti e kafshë. Një prej tyre nuk kish as shtëpi, as katandi. Ata i kishin hequr me kohë plaçkat, bereqetin e shumicën e kafshëve, kështu që nuk gjetëm shumë. Intendenti i batalionit do t’u japë një raport shkoqitës të bagëtisë së marrë”.