EPOKA KU LIGËSIA ECËN ME KOKËN LART
Nga Fahri Dahri
Epoka që po kalojmë, për fat të keq (nuk më pëlqen që shoqëria njerëzore mashtrohet lehtë, kryesisht në drejtim të gjykimeve dhe arësyetimeve të gabuara) na ka përfshirë në arësyetime, gjykime, qendrime krejt ndryshe nga sa është niveli kulturor.
Aktualisht jeta e shoqërive njerëzore nuk drejtohet nga dituria, mënçuria, nga ligjet si ato të trashëguara (të shkruara ose gojore) dhe këto të kohës tonë, jo vetëm shqiptare, por dhe ndërkombëtare. A nuk është anakronike kjo situatë ku të gjithë flasim, shkruajmë dhe veprojmë ndryshe nga sa i njohim dhe i dimë të vërtetat dhe mashtrimet?
Mundohemi të trajtojmë se, të vërtetat janë gënjeshtra, mashtrime dhe se mashtrimet e gënjeshtrat i trajtojmë të vërteta dhe këto qendrime me kokë poshtë, shoqërohen nga disa me dhunë dhe nga disa duke qeshur, duke i dhënë kuptim qesëndisjeje, sidomos këtë të fundit e ndeshim të shpeshtuar tek analistët, gazetarët, mediat në përgjithësi (jo të gjithë, por shumica e tyre). Ndërsa politikanët, si më të zgjuarit për marifete në tjetërsim të qendrimeve, me ndikim në miopinë e “turmave”, sigurojnë vazhdimësinë e zhvatjes së të mirave materiale dhe morale, tërheqin pas vetes militantët trima, si dikur me kobure në brez, apo mercenarë, pse jo dhe të shitur brenda dhe jashtë.
A ka spjegim, ose ku gjendet burimi, forca e një grup njerëzish që ju pret “palla” sa andej e këndej pa u dridhur qerpiku? Sigurisht dihet burimi i forcës së këtij grupimi. Nuk do shumë zgjuarsi për të ditur burimin, si të energjive pozitive dhe negative. Por për të zbuluar “folenë e grenzave”, duhet larguar pak nga teoritë, cilatdo qofshin ato. Psh të gjithë, në një mënyrë apo një tjetër, vlerësojmë thënien botërore se: “popujt përfaqësohen nga qeverisjet që u takon”. Sa e vërtetë është kjo, personalisht nuk e kundërshtoj, por për ta pranuar apriori, duhet analizuar çdo rast sipas kushteve konkrete. Praktika 82 vjeçare e shtetit tonë për vetë kushtet specifike nuk e vërteton këtë thënie. Duke qenë se është praktikë e njohur, e njëjtë, pothuaj permanente, me ndërrim e rrëmbim kutiash, me ndërrim “folesh” të deputetëve sipas orekseve etj, që janë bërë si “buka që hamë” nuk është e nevojshme per ti shtjelluar.
Atëhere ku është burimi i “mbretërisë” që u jep zemër të ligjëve për “ligësi”?.
Pa e zgjatur, burimi është pikërisht tek “Parimi i vendosjes së shumicës”.
Jam i vetëdijshëm që nuk shkon të thuhet kështu. Por ja që tek ne ky parim është i pa zbatueshëm në praktikë, megjithëse është shumë i rëndësishëm teorikisht. Tek shoqëria jonë mjeshtërisht është krijuar bindje se ky parim vepron gjërësisht, madje të gjitha palët politike e përdorin si bazë kryesore ku mbështesin politikat e tyre mashtruese. Si qendron e vërteta? Eh! E vërteta është një megagënjeshtër, megamashtrim si ndaj gjithë shoqërisë shqiptare, por është arritur të çorodisin edhe mendjet e miqve tanë të vërtetë.
Ndalemi për të kuptuar kamuflimin.
Me llogjikë, me gjykim dhe realisht shumica është e para, e preferuara, e përligjshmja.
Shoqëria shqiptare (shkrimi është për vendin tonë), në qendrimet e saj, sipas problemeve apo ngjarjeve, si kudo ndahet në shumicë dhe pakicë, ndryshe (me përjashtim mbrojtjen ndaj Atdheut) nuk ka si ndodh, sepse ndikojnë interesat individuale, të grupimeve, të shtresava shoqërore, politike, sociale, nivelet kulturore, ekonomike etj. Siç dihet në tërësi jemi një shumicë, por qendrimet ndaj interesave na ndajnë në shumicë dhe pakicë. Shumica shoqërore pjell edhe pakicën intelektuale.
Brenda shumicës, siç u tha kemi edhe një pakicë që janë intelektualët. Këta janë të shkolluar në profesione dhe specialitete të niveleve të ndryshme.
Kjo pakicë, e veçuar nga shumica e shoqërisë, pjell shumicë dhe pakicë brenda saj.
Gjithashtu intelektualët, brenda për brenda, kanë veçori profesionale, nivele të ndryshme kualifikimi, përvoje, karakteret specifike, ndjenjat, interesat, personalitetet, qëndrimet psikologjike ndaj veprimeve të kryera dhe marrjes së vendimeve.
Të gjitha këto cilësi krijojnë brenda shumicës intelektuale, e cila në shumicën e rasteve merr pjesë në drejtimin e shoqërisë, grupimet në shumicë dhe në pakicë. Hap pas hapi arrihet në një moment ku shoqëria në tërësi, i besohet një pakice brenda saj. Në detaj na rezulton se edhe kjo pakicë, brenda saj, përbëhet nga një shumicë dhe një pakicë.
Të dyja këto të fundit (shumicë-pakicë intelektuale) veprojnë duke mbajtur qendrime të ndryshme ndaj të vërtetave, mashtrimeve, gënjeshtrave, kamuflimeve, në vartësi të interesave ekonomike, politike, sociale. Që të kuptohemi saktë, na sqarojnë apo e vërtetojnë rastet e shumta, ku vendimet gjyqësore të të gjitha shkallëve, nuk bazohen tek ligjet, por tek numurimi i numurave të gjyqtarêve sipas përkatësime të institucioneve propozuese. Dhe në këto situata shoqëria fillon të presë vendimmarrjet sipas raportit të numrave, fjala vjen 4 me 3 apo 5 me 2. E vërteta dhe mashtrimi nuk vendosen me ligje, por me numra sipas interesave të atyre institucioneve që i kanë përzgjedhur.
Personalisht të tilla proçedura i konsideroj të papranueshme dhe si një “hall” i madh, telash shqetësues që po mbyt shoqërinë!!.
Epoka në të cilën po kalon shoqëria jonë në këto tre dekada, për fat të keq, nëpërmjet gënjeshtrave, mashtrimeve dhe manipulimeve është drejtuar me slloganin e “drejtimit të shumicës”, por de fakto është drejtuar nga “pakica e shumicës intelektuale”.
E shoh të arësyeshme se i përket vendit dhe kohës, që të sjell në dije të të gjithë shoqërisë një të vërtetë të padiskutueshme, të cilën na e tregonte një profesor i ynë në Universitet:
“Djema dhe vasha dëgjoni këtu: [Universiteti është si një furrë ku piqen gjellët. Nëse në furrë futet tepsi me bakllava, nga furra do nxirret bakllava i pjekur. Nëse në furrë do futet tepsi me kungull, nga furra do nxirret kungull i pjekur”].
Këtë fjali të mënçur e përdorte në ato raste kur ndonjë nga studentët nuk ishte i përgaditur.
Plot 60 vite më parë të dëgjuar në një auditor universitar, mu desh ta rikujtoj në auditorin e jetës si një këshillë për të gjithë, veçanërisht për pakicën e shumicës intelektuale.
Fahri Dahri. 13/01/2022