15/10/2024

Enkela Bisha: Kënga e popullit është e pavdekshme

0

Enkela Bisha ka filluar të merret me muzikë që në moshën 5-vjeçare. Ka mbaruar shkollën tetëvjeçare të muzikës, dega e violonçelos, më pas ka vazhduar shkollën e mesme të Muzikës, dega e solokëndimit, kurse më vonë ka regjistruar Akademinë e Arteve.
Deri tani ka regjistruar dy albume: i pari me titullin "Luleborë" përbëhet nga tetë këngë të zhanrit të muzikës së lehtë dhe qytetare, ndërsa albumi i dytë është përmbledhje e repertorit të këngëvë që këndon ajo, po ashtu nga zhanri i muzikës qytetare. Aktualisht po punon për përgatitjen e albumit të ri me këngë të zhanrit rock-pop.
Për disa vjet ka punuar në Shkollën e Muzikës në Ulqin, pastaj në produksionin artistik të TV 21 në Prishtinë, kurse momentalisht përveç këngës punon në një produksion marketingu dhe është menaxhere e restorantit "Klubi 212" në Prishtinë.

Koha Javore: Znj. Bisha, që disa kohë jeni larguar nga Ulqini për të jetuar në Prishtinë. Në qoftë se nuk është personale, cila ka qenë arsyeja e largimit Tuaj?
E. Bisha: Arsyet janë gjithmonë pozitive në jetën time. Ka qenë edhe arsyeja profesionale. Audienca e gjerë dhe lexuesit e gazetës suaj e dinë që unë misionin tim, një punë 10-vjeçare që kam dhënë në Ulqin dhe në përgjithësi te shqiptarët në Mal të Zi, e mbarova. Kam parasysh krijimin e Shkollës së Muzikës, krijimin e brezave të rinj në fushën e artit dhe të muzikës, një ecje përpara dhe integrim i artit në përgjithësi në audiencën dhe publikun e Malit të Zi.
Arsyeja që shkova në Kosovë ishte pasi që profesioni im u bë rutinë në hapësirat e këtushme. Nuk kisha një konkurrencë dhe kërkova diçka më të madhe, më të plotë, më të sigurt, më profesionale. Kjo ishte arsyeja kryesore pse unë vazhdova dhe kalova me familjen time në Kosovë.

Koha Javore: A e keni gjetur në Prishtinë atë që keni pritur?
E. Bisha: Kosova për mua nuk ishte diçka e paprekshme, sepse terrenin tim e kisha rregulluar prej vitit 1995. Që nga ky vit kam shkuar vazhdimisht në Kosovë, duke krijuar kontakte dhe shoqëri me njerëzit e artit atje.
Por, çdo fillim në një shtet është i vështirë. Edhe unë i kam kaluar ato vështirësi. Megjithatë mund të them se 90 përqind e kam gjetur atë çfarë kam kërkuar dhe atë për çfarë kam shkuar. Gjithmonë bëhet fjalë për idetë e mia, për qëllimet e mia në jetë, por që nuk do të thotë se janë realizuar 100 përqind, e megjithatë unë jam shumë e kënaqur me punën që bëj.

Koha Javore: Sa paraqet një qytet i madh si Prishtina mundësi për zhvillimin e një artisti, në këtë rast këngëtari?
E. Bisha: Nuk është vetëm Prishtina ajo që formon dhe të jep mundësi që të formohesh si artist. Është në përgjithësi e gjithë Kosova. Këtu nuk mund të anashkaloj qytetin e Gjakovës, që ka një traditë shumë të madhe në fushën e artit dhe të kulturës, pastaj Prizrenin, Pejën dhe Mitrovicën. Por kryesisht aktiviteti më i ngjeshur dhe më dinamik ka qenë në Prishtinë. Mund të them që aty kam pasur dhe kam gjetur një audiencë shumë të mirë, por edhe institucioni medial, në këtë rast punësimi im në RTV 21, më ka bërë një publicitet shumë të madh dhe në formimin tim si artiste.
Në fillim kam qenë një artiste anonime për një pjesë të audiencës kosovare, por me hyrjen time në televizion jam plasuar në mënyrë shumë të shpejtë. Kjo bëri të mundur që unë të njihem në një hapësirë shumë më të madhe duke kaluar edhe kufijt jashtë Kosovës.
Me rëndësi është që njeriu të dijë çfarë kërkon nga vetvetja, të jetë këmbëngulës, të ballafaqohet me vështirësitë, sepse dihet që shqiptarët në Kosovë po kalojnë nëpër një transicion në formimin dhe riformimin e shtetit të tyre.
Edhe arti dhe kultura janë të prekur nga këto probleme, por unë jam shumë optimiste dhe mendoj që viti 2007 do na gjejë me institucione, me të gjitha gjërat që kërkon dhe që duhet të ketë një artist.

Koha Javore: Po duke e krahasuar Prishtinën me Tiranën?
E. Bisha: Duke qenë si bijë nga Shqipëria dhe si ish-studente që kam jetuar kohë në Tiranë më duhet të them se Shqipëria ka artistë të mirëfilltë, artistë që me të vërtetë janë model, të them edhe për artistët në Europë.
Por, për mua Prishtina ishte shumë më afër se Tirana, natyrisht pa anashkaluar Tiranën. Unë sot bashkëpunoj shumë mirë me TV Klan, ku jam bashkëpunëtore pranë produksionit artistik të këtij televizioni.
Por, nuk përjashtohet mundësia që ta provoj edhe Tiranën. Për mua ajo do të ishte stacioni i fundit i karrierës sime dhe mund të them që do të ishte një kurorëzim dhe një fitore, në qoftë se do të kem sukses.

Koha Javore: Largimi juaj fizik sikur ka ndikuar edhe në largimin nga skena artistike këtu në Mal të Zi. Kohës së fundit ju shohim gjithnjë e më pak në skenat apo në mediat e këtushme. Cila është arsyeja?
E. Bisha: Është një pyetje shumë delikate dhe një pyetje që gjithmonë më prek, jo më pak se tre vite. Domethënë me tre vite të largimit tim, çuditërisht, "institucionet", shoqëritë kulturo-artistike këtu hezitojnë të formojnë numrin tim të telefonit që kam në Prishtinë. Ju duket më e afërt të ftojnë këngëtarët që kanë çmime shumë më të larta, të cilët vijnë thjesht për interesa materiale dhe jo për interesa artistike.
Jam shumë e brengosur duke filluar nga institucionet më të larta si Ministria për Popujt Pakicë, sepse jam në dijeni që janë organizuar katër turne jashtë vendit me shoqëri kulturo-artistike nga Ulqini.
Në vend të dytë, në këtë vështrim, vjen redaksia e Programit Shqip pranë RTVMZ. Unë kam qenë themeluese e programeve të mirëfillta, siç janë ato të Vitit të Ri dhe çuditërisht për tre vite kanë qëndruar indiferentë ndaj ftesës së drejtuar në emrin tim. Arsyen me siguri e dinë ata. Unë mund të flas me ndërgjegje shumë të pastër, sepse kam punuar me një frymë artistike, pa menduar në përfitimet materiale. Dhe mbi të gjitha, nuk jam e penduar pse kam humbur gjënë më të shtrenjtë që ka njeriu, kohën, pasi që e di se gjenerata që do vijë kurdo do ta përmendë të paktën emrin e atij njeriu të parë që i hodhi në rrugën e bukur, që është rruga e artit. Ata janë ish nxënësit e mi.
Ndërsa sa u përket institucioneve, jam shumë e dëshpëruar dhe nuk e di se a mund të jetë kjo e rastit apo është thjesht një neglizhencë, siç thotë një fjalë e urtë popullore "larg syrit e larg zemrës".
Por megjithatë, përderisa i bëhet ftesë një koleges sime në Prishtinë dhe nuk më bëhet ftesë mua, gjithmonë më ka ardhur keq dhe jam ndjerë me të vërtetë shumë e lënduar për këtë. Por, është me rëndësi që audienca e shqiptarëve në Mal të Zi akoma e ndjen kënaqësinë e muzikës që fal unë, gjë që vërehet me ardhjen time këtu gjatë stinës së verës, ku jam e angazhuar nëpër restorante të ndryshme dhe shihet që ka një interesim shumë të madh.

Koha Javore: Repertoari juaj është i gjithanshëm. Ju e këndoni njëjtë, si serenatën korçare ashtu edhe këngën shkodrane. Ndoshta kjo rrjedh edhe nga vetë jeta juaj. Jeni rritur në Korçë, shkolluar në Tiranë, pastaj keni jetuar në Shkodër. Megjithatë, cilat këngë i këndoni më me ëndje?
E. Bisha: Është e vërtetë pasi që, faktikisht, jam prodhim i një çifti shkodrano-korçar. Pra, babin e kam shkodran, ndërsa mamin korçare dhe gjithmonë kanë qenë të dy traditat në shtëpinë tonë. Unë jam rritur me këto dy tradita, me këto dy kultura të muzikës.
Më pëlqen serenata korçare dhe po ashtu edhe ariet shkodrane, domethënë muzika qytetare shkodrane. Me rëndësi është që të dy trevat e Shqipërisë kanë një kulturë.
Por, serenata korçare është ajo që më pëlqen më tepër. Unë e kam kaluar kohën më të bukur, kam filluar të rinohem, të piqem me ato këngë dhe i shikoj si shumë më të afërta edhe për publikun. Pra, është publiku ai që e imponon repertoarin dhe zhanrin e një këngëtari, nuk është këngëtari.
Fatmirësisht ka masë dhe kategori të njerëzve që e duan këtë muzikë, që e mbajnë dhe e ruajnë. Unë kam qenë shumë e kënaqur kur TV Klan realizoi "100 këngët e shekullit", ku 70 përqind e këtyre këngëve ishin këngë të cilat ne i kemi kënduar dhe i këndojmë. Domethënë nuk ishuim ne këngëtarët, por institucionet dhe produksionet që i risollën përsëri ato këngë që të bëhen të pavdekshme. Megjithatë, kënga e popullit, ajo që është krijuar te populli do mbetet gjithmonë e pavdekshme.
Me rëndësi është që serenata korçare është diçka e veçantë, pasi që tekstet i kushtohen më tepër dashurisë, të rinjve, natyrës. Unë nuk jam shumë tip nostalgjik, por në shpirt jam tip romantik. Prandaj, kjo ndoshta është ajo që unë më tepër e kultivoj serenatën korçare, sepse në brendësi të këtyre këngëve dhe teksteve është shpirti romantik.

Koha Javore: Duke pasur parasysh këngët dhe këngëtarët e sotëm, ku faktikisht mund të thuhet se këndon gjithkush, sa është i rëndësishëm për një artist, në këtë rast një këngëtar, formimi profesional?
E. Bisha: Si çdo degë dhe si çdo lëmi në jetë, është me shumë rëndësi që të ketë një përgatitje akademike, ashtu sikurse për një mjek që patjetër pasi kryen mjekësinë e përgjithshme duhet të marrë specializimin. Edhe për artistin kjo ka të bëjë shumë, sepse në radhë të parë formohet si njeri. E kupton atë thelbin e të qenurit artist, ku gjatë shkollimit të tij mëson gjënë më elementare dhe kryesore që duhet ta ketë një artist, domethënë kulturën skenike. Pastaj vazhdon edhe formimi dhe kanalizimi që bën këngëtari me zhanrin e vet që merr për ta vazhduar edhe më gjatë.
Fatkeqësisht, ka shumë pak këngëtarë të kompletuar si i themi ne, por megjithatë mendoj se në të ardhmen ky do të jetë një kusht që do tzi vihet këngëtarit. Vetë këngëtari duhet ta ketë si kusht që duhet të jetë i formuar artistikisht, sepse vetë koha dhe vetë jeta po shkon drejt zhvillimit dhe faktikisht iritimet e kohëve të fundit do bëjnë atë që çdo gjë të shkojë në vendin e vet. Dhe do të kemi institucione, do të kemi këngëtarë, do të kemi artistë që me të vërtetë e meritojnë që ta kenë atë titull, sepse sot është bërë emri artist ose siç ka dalë një modë më e re në Kosovë – VIP. Domethënë po bëhen yje brenda 24 orëve. Një ditë është njeri i thjeshtë, kurse ditën tjetër zgjohet dhe çuditërisht është një VIP dhe merr një vend të cilin një artist i mirëfilltë mundohet që ta përpunojë, që ta marrë atë titull ndoshta dhe për 30 vite me radhë.
Është shumë e nevojshme që një artist dhe një këngëtar të jetë i formuar dhe të jetë i kompletuar, sepse duke qenë i tillë atëherë çdo gjë do të jetë artistike, do të ketë vlera dhe mbi të gjitha do të ketë jetëgjatësi, do të thotë do të mbesë gjatë në mendjen e publikut, audiencës dhe, pse jo, do të jetë edhe pjesëtar i arkivit të madh të artit dhe të muzikës.

Koha Javore: Dhe në fund, çfarë jeni duke punuar aktualisht dhe cilat janë planet Tuaja në të ardhmen e afërt?
E. Bisha: Aktualisht paralelisht i kam tri punë. E para dhe primare është përfundimi i albumit. Po punoj shumë ngadalë që të dalë diçka shumë kualitative. Është fakt që unë punoj me studion Menkis, me kitaristin e njohur Menan Kiseri.
Puna e dytë është produksioni, në këtë rast kemi të bëjmë me produksion marketingu, spotet promovuese televizive. Dhe e treta është se jam menaxhere e restorantit "Klubi 212". Kam dëshirë që miqtë e mi, artdashësit e mi tzi mbledhë jo çdo mbrëmje, por çdo të dytën apo të tretën mbrëmje pranë klubit tim. Është më tepër një klub ku ne shoqërohemi, kalojmë mbrëmje të bukura.
Jam e kënaqur me punën që bëj. Për të ardhmen nuk dua të zbuloj gjëra të tjera, le të mbeten surprizë për artdashësit. Me rëndësi është që të kemi shëndet, të kalojmë bukur, të jetojmë çdo ditë më mirë se ditën tjetër.

I. Kallaba

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok