21/12/2024

Enigmat e vëllimit poetik  dhe esse “Mbrapa heshtjes”  të Fani Duros

0
Fani Duro - Mbrapa

Nga Albert Z. ZHOLI, Shkrimtar – publicist

Pas librit të suksesshëm “Mbrapa heshtjes” , poeti Fani Duro vjen para lexuesit me librin e ri poetik  dhe esse “Më jep një endërr”.  Një titull provokues por dhe shumë shprehës. E kush nuk ëndërron? E kush nuk do që ëndrrat të bëhen realitet?! E kush nuk do që jeta të ecë në rrjedhën e vet si një ëndër e bukur?!   Ëndrrat janë pjesë e veçantë e jetës tonë, ku pothuajse çdo natë ne shohim nga një ëndërr. Shumicën e ëndrrave i harrojmë brenda 10 minutave dhe nuk na kujtohen më. Sa më shumë që i kushtojmë vëmendje ëndrrave aq më shumë i mbajmë mend ato. Prandaj është shumë e rëndësishme që të dijmë kuptimin e tyre. Ëndrra është një  oaz, një shtëpi,  një oborr i madh, një ombrellë për tu mbrojtur nga dielli ose shiu. Pra ëndrra është e shumëfishtë dhe plot befasira. Nuk ka jetë pa ëndrra dhe ëndrra pa jetë. Ato janë të ndërthurrura në një të vetme si vëllezërit siamezë.  Dhe jeta sipas autorit është një ëndërr e gjatë dhe e bukur. Ai ëndërron për një jetë më të mirë të familjes, të atdheut, të shoqërisë, të të afërmve, të miqve por edhe për njerëzit e gjithë botës. Poeti ka zemër të madhe pasi poezia i përket të gjithëve ndaj dhe poeti nuk e ka zvogëluar përmasën e ëndrrës por e ka hedhur në tërë kufijtë botërorë, për një botë të bukur, të paqtë, pa luftëra dhe pa varfëri. Gjithmonë poeti është në kërkrim të diçkaje të veçantë, specifike, që bota të anashkaloje problemet dhe të gjejë  rrugët e mirësisë dhe të dashurisë. Por mos vallë ëndrrat e poetit do të mbeten gjithmonë ëndrra dhe nuk do të bëhen ralitet?! Ai beson tek e drejta tek e bukura ku, dhe pse sheh zhgënjime sërish mediton për një botë të kristaltë si ajo e një ëndrre të bukur pranvere. Në këtë vëllim petik autori tenton të kërkojë  të panjohurën absurden, të padukshmen, që të gjejë fillin e Arjanës për  të përcjellë mes njerëzve dëshirat e një bote ku lufta të mos njihet. Si emigrant dikur, por edhe si njeri patriot në atdhe, autori mundohet të sjellë në poezi problematikat e jetës emigratore dhe ato shqiptare si malli, vuajtjet, shfrytëzimi, padrejtësitë, racizmin, por edhe punën e madhe të emigrantëve për të mbijetuar me djersë dhe krenari. Në këto poezi sheh dhe flet me dashurinë, me babanë, nënën, fëmijët, gruan, me problemet jetësore, me politikën e mbrapshtë shqiptare, me ëndrrat e parealizuara, etj… tematika dhe problematika në këtë vëllim është e gjerë, e thellë dhe plot zigzake siç është dhe vetë jeta në përditshmëri. Autori hyn në oazin e poetëve naivë, të drejtpërdrejtë, që nuk e sforcon mendimin por e jep të drëjtpërdrejtë siç ndodh ngjarja.   Por si shumë poetë edhe Fani Duro në poezi i kushton shumë vëmendje dashurisë dhe së bukurës. Ndoshta pasi aty gjen më shumë fryëzim. Ja një poezi:

Dehje e zgjatur

 

Bukuria jote për mua është dehje,

Një gjëndje gati kthyer në kllapi,

Sa mundet që të zgjasë, se di këtë çast prehje,

Narkozë e ketij shpirti mbetesh vetem ti!

 

Se di, ti frymën më mban dhe mbetem,

Mbetem për një çast dhe ndihmë kërkoj në shpinë,

Dikush të më godas, reagoj dhe kthehem,

Prap tek ty humbas, ndjenjat më përpijnë!

 

Bukuria jote për mua jetë ka mbetur,

Magji, çast, gjithçka e them pa frikë,

Fundi dhe fillimi brënda është tretur,

Dashuri e marrë, gjendje narkotikë.

E bukura është një vlerë po aq e rëndësishme sa e vërteta dhe e mira. Pjesë të një poezie  janë titulli, vargu, strofa, ritmi, metri dhe autori. Poezia është një zhanër letrar që përdor estetikën dhe cilësitë ritmike të gjuhës për të sjellë një ndjenjë të bukur te njeriu. Në përditshmëri shikon dhe dëgjon fjalë të vrazhda. Fjalë pa etikë, jashtë fjalorit normal që e zbehin fjalën e bukur, e rëndojnë poezinë. Sot në disa raste nuk janë të shëmtuara vetëm gjërat që na rrethojnë, por edhe gjuha, muzika dhe sjelljet tona janë të ashpra, të vetëqendërzuara dhe egoiste, a thua se e bukura dhe shija e mirë nuk kanë më vend në jetën tonë. Dhe autori me këtë poezi, këto veti do të kritikojë. Do ti largojë nga fjalori. Ai i jep rëndësi të bukurës, dashurisë. Bukuria është si dashuria është një nevojë që kërkohet të plotësohet.. Nevoja për dashuri, është ashtu sikur nevoja për uri, etje për kripëra apo vitamina. Dashuria është një nevojë shëruese. Është ajo që shëron shumë plagë. Ata që e lënë t’u ikë dashuria mbeten të zbrazët, sepse ajo nuk është një fenomen, mbi të cilin duhet të reflektojmë, por një nevojë e një realitet që kërkohet të jetohet.. Dashuria nuk i mohohet askujt, sepse secili njeri e ndjen nevojën për të qenë i dashur dhe që të dojë.  Kot nuk thuhet: E vetmja gjë nga e cila nuk ngopemi kurrë është dashuria; dhe e vetmja gjë që ne kurrë nuk japim mjaftueshëm është dashuria. Por në këtë vëllim dua të veçoj poezinë “Egoizmi” për vetë faktin se ky ves por mer përmasa të  mëdha…

Egoizmi

 

Ti s’mund te jesh kurrë e njëjta, as unë,

E mërzitëm veten, me fjalë , me norma, këshilla,

Ato çfarë kishim per ti thënë, i thamë, i përzumë,

Mbi krevat tani, nuk gjen më trendafila!

 

Dhe neoni tanimë shuhet vonë, shumë vonë,

Heshtja çelësin godet, shtyp nga nervozizmi

Emocionet rinë fshehur, s’ndihen, s’kane ç’thonë,

Tani rëndon në shtrat, rënkon veç egoizmi!

Sot në jetë egoizmi është shumë i përhapur. Por ka dy mënyra egozimi, egozimi normal dhe I shfrenuar. Egoizmi ka të bëjë me një sërë qëndrimesh dhe sjelljesh që kanë si synim të vetëm ndjekjen e interesit të subjektit që është autor i këtyre veprimeve. Pra ego nga greqishtja do të thotë unë. Në këtë kuptim përcillet si ide që unë jam gjithkush, di çdo gjë, jam i pari, jam i forti, unë, unë, unë. Një poezi e tillë është një fshikëllimë ndaj personave egocentristë dhe ultraegoistë që nuk përfillin asnjë realitet tjetër përveç vetes.  Pra, si në poezi edhe në praktikë rrënja e termit është fjala ego, që do të thonë unë. Njeriu përcaktohet nëse është egoist apo jo, nëpërmjet gjuhës së vet, të folurit, fjalëve të shprehura. Nëse keni dëgjuar shprehjen; ” të flet goja para mëndjes” është pikerisht e folura e pa-kontrolluar, e pa arsyetuar dhe pa gjykuar nga truri i një njeriut ku çdo fjalë e tij duket e drejtë dhe pse është e ashpër, apo provokuese. Në jetë  egoizmi është i dy llojshëm; I qëllimshëm kur bëhet me dashje, kjo për interes apo për t’i dhënë rëndësi vetës…..”shikoni kush jam unë”, dhe jo i qëllimshëm është për njerëzit që kanë të meta mendore, nuk kanë arsye të mendojnë, vetëm duan të flasin. Pra nëse dikush ju quan egoist, mund të mos ju duket kompliment. Kjo është fuqia e fjalës së kësaj poezie. Por në disa raste, psikologët thonë se të jesh pak egoist nuk është domosdoshmërish cilësi e keqe. Psikologët pretendojnë se është në natyrën tonë të mendojmë dhe të kujdesemi për nevojat tona më parë. Megjithatë, ky instikt ka krijuar një reputacion të keq dhe është bërë burim i emocioneve negative si frika dhe faji. Sot në botë egoizimi po përhapet me shpejtësi. Ky fenomen duhet frenuar pasi është në dëm të individit dhe të shoqërisë ndaj dhe autori me fjalë therëse dhe me shpoti thekson se tani në shtratin e ditës rënkon veç egozimi.

Si përfundim mund të them se:

-Vëllimi “Më jep një endërr”, i Fani Duros është një hap cilësor arstikisht më i arrirë se vëllimi i parë. Në këtë vëllim ai nuk është thjesht një soditës i realitetit, por edhe përjetues, orientues, kritikues, bashkëvuajtës dhe nxitës i zhvillimeve përparimtare. Ai në këtë vëllim është një zë i ri progresist që në emër të së bukurës dhe drejtësisë botërore kërkon më shumë paqe, begati dhe lehtësim shpirtëror. Në këtë libër ai është vetvetja dhe nuk tenton kurrsesi të marrë apo të vjedhë ide apo fabul, por të sjellë te lexuesi një poezi bio, të ngrohtë, ledhatuese dhe plot rrezatim njerëzor.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok