(E)MIRA QË VJEN NGA MANASTIRI
NGA NDUE DEDAJ
Sa herë bie fjala për Manastirin, ne e shohim si histori dhe në atë qytet shqiptar të Maqedonisë së Veriut shkojmë për Muzeun e Alfabetit, dmth për të kaluarën, për t’u parë me etërit e gjuhës shqipe të Rilindjes, themeltarët e Alfabetit. Mirëpo një dorë intelektualësh atje nuk e mendojnë vetëm si histori atë tempull, por dhe si të sotme e të ardhme kulturore të shqiptarëve. Njëra nga veprimtarët, më e dëgjuara e dy viteve të fundit, është një vajzë e re, Emira Selimi. Ajo ndërmori nismën befasuese për të ngritur bibliotekën e parë shqipe në qytetin e Manastirit, aty ku ishin rrënjët e abc-së. “Qyteti që priti Kongresin e gjuhës shqipe, nuk ka një mjedis me libra për shqiptarët”, kishte qenë pikënisja e saj, teksa ishte ende studente. Kështu ndërmori projektin për të dhuruar libra shqip “Për Manastirin” dhe për këtë shkeli kudo në Shqipëri dhe brenda një viti ishin grumbulluar 30 mijë libra, siç ajo deklaroi në emisionion televiziv “Opinion” të Fevziut.
Biblioteka mban emrin “Linkest” dhe u hap më 21 nëntor 2023, në njërën nga ditët e Kongresit të Alfabetit. Emira thotë se projekti është relizuar me mund, djersë dhe dashuri nga shqiptarët kudo në botë, pasi u dhuruan libra nga të gjitha trevat shqipfolëse dhe tash bibliotekën e njeh dhe e do e gjithë shqiptaria. Biblioteka është krenaria e kombit tonë, një dritë e dijes që nuk do të shuhet kurrë.
Emira Selimi është nga Shkupi dhe ka studiuar në Universitetin e Europës Juglindore për shkenca politike dhe marrëdhënie ndërkombëtare, njëherësh duke u marrë me gazetari e qenë veprimtare e shoqërisë civile. Edhe pse mjaft e re, ajo ka pasur guximin të ndërhyjë si një misionare e sprovuar në dobi të gjuhës shqipe, në një qytetin shqiptar ku kishte qenë themeli i alfabetit, teksa ajo po bjerrej nga dita në ditë. Ishte mbase amaneti i motrave të famshme Qiriazi, që “të lindej një njeri” njëqind vjet pas tyre, një motër e vogël e Nënë Terezës, që t’i kthente pak nga pak, me dashuri, durim e besim shkëlqimin Manastirit të historisë së alfabetit.
Biblioteka nuk është stoli, ajo ka filluar të flasë shqip në qytetin me shumicë shqiptare deri vonë. Fëmijët e Manastirit që kanë lexuar më shumë libra për vitin 2024 do të marrin medalje nga Shoqata për Arsim dhe Kulturë “Nentetium”, si dhe shpërblime të veçanta. Në një fotografi të postuar nga Emira më 28 Nëntor, ne i pamë ata veshur me bluzat kuqezi duke bërë me duar shqiponjën. Kemi pasur rastin ta vizitojmë Muzeun e Alfabetit, vite më parë dhe të takojmë veprimtarë të përkorë të shqiptarisë. Është fakt dhe fat që ata janë shtuar. Fotoja e fëmijëve që bëjnë shqiponjën, në sfondin e një librarie mbushur me libra shqip, është një lajm dhe për nesër.
Mirëpo nuk mjafton vetëm idealizmi i një vajze të re intelektuale për të qendruar në këmbë një ngrehinë kulturore që kërkon mbështetje, aq më tëpër kur jo nga të gjithë ka pasur e ka mirëkuptim. Biblioteka u planifikua të hapej në katin përdhes të muzut të Alfabetit, ku dikur ishin shitur pllaka për dysheme, por kjo nuk u bë e mundur, edhe pse në qeverinë e Shkupit ka qeveritarë të lartë shqiptarë!? Atëherë menaxhuesja e projektit gjeti një mjdedis me qera në qytet, në Shirok Sokak, që kushton 1500 euro në muaj, që ajo asesi nuk mun ta përballojë, për çka kërkon ndihmë nga të gjithë ata shqiptarë që i kanë mundësitë. Rëndësi ka vullneti i mirë dhe i atyre që kanë pak mundësi financiare. Një qytetare shkruan: “Jam e gatshme që për çdo muaj të paguaj 20 euro, duke uruar të lajmërohen shumë njerëz që biblioteka të qëndrojë dhe të rritet”. Antarësimi i gjërë nga radhët e bashkëkombasve shihet si një mundësi për mbështetje në vijimësi.
Sa herë vjen Nëntori, mendja na vete atje, datën 22 e kemi shpallur festë zyrtare dhe zhvillohen veprimtari nga ato akademike te klasa e parë fillore. Postojmë të gjithë fotografinë emblematike të nënshkruesve të Kongresit të Alfabetit, Mit’hat Frashëri, Gjergj Fishta e Ndre Mjeda (konsideruar nga gjuhëtarët si arkitektët e tij) etj., por ndërkohë do të ishte e udhës që të hapnim një “llogari” qytetare për bibliotekën e re të qytetit të Manastirit, me ato mundësi që kemi për të kontribuar. Kjo nuk do të thotë që institucionet shtetërore, duke filluar nga Ministria e Kulturës e Shqipërisë, por dhe ajo e Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, të mos japin ndihmesën e tyre për ata fëmijë që e duan shqipen e që Emira Selimi i quan “zogjtë e mi”.
Ajo na njeh hap pas hapi me këta “zogj” të bukur, ku njëri sosh është Eliza, vetëm 8 vjeçe, që ka arritur të lexojë pothuajse të gjithë librat për fëmijë në Bibliotekën Linkest. Që kur u hapën dyert e bibliotekës, Eliza dhe nëna e saj kanë qenë vizitore të rregullta, gjithmonë gati për të hyrë në aventura të reja. Pasioni i Elizës për librat është i jashtëzakonshëm. Çdo libër që merr e lexon nga faqja e parë deri tek e fundit, dhe gjithmonë kthehet me një buzëqeshje, gati për të marrë një libër tjetër, shkruan Emira në njërin nga statuset e saj në Facebook.
Na mbetet të mbushim duart me libra dhe të vrapojmë drejt Manastirit, ku zogj të vegjël të shqipes, ecin në gjurmët e etërve të Alfabetit.