14/10/2024

Eli Fara: Muzikës ime, prezente për emigrantët shqiptarë

0

Këngëtarja e mirënjohur e muzikës popullorë shqiptare dhe e serenatave të bukura korçare rikthehet përfundimisht në vendlindje. Ndihep përsëri si emigrante, shprehet Eli Fara gjatë intervistës, sepse jam gjithmonë e pranishme më koncerte dhe mbrëmje pranë emigrantëve shqiptarë nëpër botë. Muzika "live" dhe ambienti familjarë dhe shumë atdhetar shoqëron mbrëmjet midis emigrantëve. Këngëtarja e mrekullueshme do të sjellë së shpejti një perlë me këngë të reja popullore. Albumi i ri do të vij me kompozime të reja për publikun shqiptar.Eli Fara do të ketë bashkëpunëtorë në realizimin e këtij albumi kompozitorë të njohur të muzikës shqiptare si: Josif Minga, Edmond Zhulali Sokol Serica, Shpëtim Saraçi etj. Këngëtarja shpreh se dëshiron që pas këtij albumi me këngë popullore të sjelli një album tjetër me sonata dhe serenata korçare të cilat janë më të preferuarat nga të rinjtë.

-Eli Fara vjen nga pushimet. Ndiheni e shlodhur dhe e kënaqur nga pushimet në Spanjë?
Po. Shkova një javë në Spanjë së bashku me vajzën time. Vendosa më në fund të pushoj pas disa vitesh që nuk e kisha patur këtë mundësi. Kanë kaluar dy apo tre vjet që nuk kam bërë pushime sepse kisha shumë aktivitete e nuk më ka tepruar koha. Këtë vit vendosa që të pushoja në një vend ku nuk kisha qënë më parë.
-Si ishin pushimet në Spanjë, më tregoni programin e ditës gjatë pushimeve në Spanjë?
Normalisht që ishin shumë të bukura, për vetë faktin që isha me vajzën time. Ishim vetëm ne të dyja në një vend kaq të bukur. Ishin pushime të veçanta pasi mua më pëlqen shumë muzika latine, zjarri dhe ritmi që ka ajo është shumë i bukur. U përpoqëm me vajzën që të shëtisim, të flasim për shumë gjëra, të pushojmë në det dhe të argëtoheshim.
-Vetëm java që kaluat në Spanjë i jep fund pushimeve tuaja këtë vit apo do të shkoni diku tjetër për të pushuar?
Në fakt kam rezervuar edhe një javë tjetër për të pushuar.
-Ndalemi pak tek kënga. Ku e ndjeni se jeni më e pëlqyer në publik me serenatat shumë të bukura që bëni apo me muzikën ritmike popullore?
Unë i dua shumë të dyja këto gjini. Muzika popullore është e vulosur për mua, nuk është e vështirë ndërsa serenatat janë më tepër për të rinjtë, janë më tepër romantike dhe më të qeta. Mua kjo më pëlqen dhe dua që të jem e pranishme me to.
-Sonata juaj që është e përfshirë në albumin tuaj të fundit është shumë e pëlqyer nga rinia dhe lançohet shumë në radio të ndryshme dhe në diskoteka.
Kjo sonatë është një këngë e bukur me të vërtetë. Në diskoteka ajo kërkohet shumë në Kosovë dhe është një këngë që mund ta këndoj disa herë në një natë pasi të rinjtë dëshirojnë që ta dëgjojnë dhe këndojnë që të gjithë së bashku. Kjo është një kënaqësi e madhe pasi është dëshira e të gjithë këngëtarëve, që publiku të këndojë me ne. -Serenatat Korçare. Ju keni zgjedhur ato më të pëlqyerat dhe më të goditurat, na fol pak për to. Kam zgjedhur serenatat më të pëlqyera por duke bërë një përzgjedhje të atyre që më përshtaten në ze dhe në interpretim. Kam kënduar serenatën sepse kam kujtime nga njerëz të ndryshëm, artistë të njohur korçar duke kënduar në rrugë poshtë dritareve. Më ka pëlqyer gjithmonë ajo atmosferë dhe kam dashur që ta kultivoj atë gjini. Në Korçë ka patur zëra mashkullor shumë të bukur të cilët këndonin në rrugë serenata për të dashurat e tyre. Shumë prej serenatave korçare kanë një histori të vërtetë dhe kjo i bënë më të bukura ato.
-Ju jeni larguar nga Korça. Sa ju mungon Korça juve dhe ju korçarëve?
Pjesa më e madhe e korçarëve janë larguar nga Korça dhe jetojnë në Amerikë. Jetojnë në Boston apo Detroit. Ndihem pak keq kur shkoj në Korçë dhe atje janë larguar të gjithë njerëzit ose të paktën shoqëria e vjetër. Ata pothuajse janë shpërngulur në Amerikë apo në vende të tjera për arsye që dihen tashmë. Megjithëse të lind dëshira për të shkuar, qoftë vetëm për të parë rrugët apo lokalet ku kemi qëndruar dikur. Të lind dëshira për të shkuar në pallatin e kulturës, për të takuar ata artistë që kanë mbetur atje për të komunikuar. Shkoj për të takuar edhe profesorin tim Josif Minga i cili ka qenë bashkëpunëtori im në të gjitha albumet. Ka gjëra që mq tërheqin për të shkuar në Korçë.
-Eli Fara largohet dhe rikthehet në Shqipëri. Jeni kthyer përfundimisht?
Jam kthyer në Shqipëri dhe më duket vetja sikur jam përsëri emigrante. Ka dy arsye që më bëjnë të ndihem kështu, e para është se erdha nga një botë tjetër në një botë tjetër dhe arsyeja e dytë është se kam shumë aktivitete jashtë dhe kthehem për pak ditë në Shqipëri. Vendosa që të kthehem ndryshe nga të tjerët sepse këtu mund të realizoja më shumë aktivitete dhe mund të nxirja albume të reja. Kjo është e rëndësishme për një artist, kjo i mban shpirtin gjallë. E pashë të arsyeshme që të kthehesha. Por nuk mund të rri pa thënë se e ndiej mungesën e një pjese të Një York-ut. Kam jetuar katër vjet atje.
-Sa kanë qenë për ju ato katër vjet shumë apo pak?
Më janë dukur shumë sepse kam jetuar çdo ditë atje.
-Shqiptarët që jetojnë atje e ndiejnë mungesën tuaj tani që shkoni vetëm për koncerte dhe ktheheni përsëri në Shqipëri?
Ndonjëherë ne bëhemi të çuditshëm. Kur nuk të kemi të kërkojme dhe kur të kemi neglizhojmë. Megjithatë nuk mund të kemë ankesa pasi kam patur aktivitete kudo që jam gjendur dhe jam ndjer mirë.
-Keni patur shumë aktivitete si në Shqipëri ashtu edhe jashtë. Cilat janë ato më të rëndësishme?
çuditërisht kamë qenë më shumë e angazhur në aktivitete për emigrantët e shumtë që ndodhen në Greqi. Kur jam kthyer në Shqipëri nuk e dija në sa dhe në çfarë aktivitetesh do të isha e angazhuar. Shkova për një koncert në Greqi dhe papritur ata u bënë dy pastaj dhjetë, njëzetë e ndoshta edhe tridhjetë. Atje jam gjendur para një publiku shumë të dashur. Interpretimet e mia në këto aktivitete kanë qenë "live". Atje organizohen mbrëmje festive ku këndojmë bashkë dhe ka patur raste që një mbrëmje ka zgjatur tre orë dhe kam kënduar "live" për njerëzit që kanë mall. është një kënaqësi e veçantë kur sheh njerëzit që vijnë me flamuj dhe këndojnë me ty. Pastaj ndihesh edhe e lodhur, por lodhjen e mposht kënaqësia dhe fillon gjithçka nga fillimi.
-Krijimtaria juaj ka përfshirë dy albume dhe së shpejti do të lançohet një album tjetër i ri juaji, do të jetë ndryshe nga të tjerët?
Kam pretendime në fakt për këtë album të ri. Kur jam kthyer kam patur idenë se duhet të bëja një album të ri. Kanë kaluar dy vjet dhe mendoj se kam arritur diçka deri tani. Albumet e para kanë qenë bashkëpunim me profesorin Josif Minga. Dy albumet e fundit kanë qenë një bashkëpunim me Edmond Zhulalin i cili ka bërë një çudi për mua. Jam mjaft e kënaqur nga bashkëpunimi që kam patur me të. Albumi që shpresoj ta realizoj këtë vit do të ketë krijime të reja. Mendoj se këto krijime mua më mbushin dhe më japin një tjetër ndjesi. Realizimi i një albumi mund të bëhet edhe brenda një jave por çfarë sjell, tashmë është bërë modë që të përsëriten gjithmonë të njëjtat gjëra. Nuk më pëlqen që këtë gjë t'ia bëj vetes. Kam dy krijime të reja në këtë album nga Josif Minga, një është baladë dhe një këngë popullore. Dy krijime janë të muzikantit të talentuar nga Elbasani Sokol Serica, do prek pak Shqipërinë e mesme. Një këngë e orkestruar nga Shpëtim Saraçi, me tekst të Jorgo Papingji dhe të një poeti tjetër që unë e kam përzemër Timo Flloko. Do të doja që të kisha një tekst nga Xhevahir Spahiu. Një material është realizuar me Florin, dy materiale të tjera që jam duke i punuar janë të kompozitorit Edi Balili dhe shpresoj që do të ketë gjëra të reja.
-Këngët e Shqipërisë së mesme ju i keni kënduar në një bashkëpunim me Merita Halilin. Sa do të bashkëpunosh me Sopotin apo më Edi Balilin?
Do të përpiqem që të sjell risi në këtë album pa bërë diferencime apo dallime këngë të Shqipërisë së mesme apo të jugut.
-Nëse në promovimin e albumit tuaj do të pëlqehet më shumë një këngë e Shqipërisë së mesme dhe jo e jugut si do reagoni?
Për mua do të jetë kënaqësia e dyfishtë. Dëshiroj që të kem sukses në këtë gjini. Përderisa ne në mbrëmje të ndryshme dhe në koncerte të ndryshme këndojmë këngë të trevave të ndryshme interpretimi në album i këtyre këngëve do të ishte diçka shumë e bukur.
-Keni zgjedhur për tekstet e këngëve tuaja autorë shumë të njohur. Shkruan Eli Fara poezi?
Nuk shkruaj fare poezi por më pëlqen shumë që t'i lexoj ato.
-Cila nga shtatë ditët e javës është dita juaj me fat?
Për mua të shtata ditët janë të njëjta. Në ditë të caktuara mund që të jem në lëvizje apo në një aktivitet por nuk ka një ditë për të cilën mund të them se është ajo me fat. Edhe dita e martë që konsiderohet si ditë ters për mua është e mbarë.
-Stina juaj e preferuar?
Kjo varet nga gjendja shpirtërore. Më ka pëlqyer dimri kur isha në Korçë sepse binte dëborë. Më pas nuk binte më shumë dëborë dhe nuk po më pëlqente më. Më pëlqen vera por kur gjendesh në këtë vapë të madhe ndryshon mendim. Pranvera është një stinë e bukur por edhe vjeshta.
-Stina më e lodhshme për ju e cila është e zënë me shumë aktivitete?
Dimri më lodh më shumë. Ndonjëherë më duket shumë i gjatë kur është i ftohtë.
-Kur do të vij Eli Fara me një koncert recital për publikun shqiptar?
E vërteta është që unë koncerte recitale jap çdo javë por realizimin e një koncerti këtu e marrë shumë seriozisht dhe nuk kam patur kohën e duhur për t'u përgatitur për një koncert ashtu si dua unë të përgatitem. Një ide kam që kur të realizoj albumin të bëj edhe një koncert recital me diçka të re duke shtuar edhe këngët e mia më të bukura të mia, megjithëse unë i dua të gjitha këngët, ka këngë që janë të spikatura dhe pëlqehen më shumë nga publiku. Atëherë do të ishte koha më e mirë për të realizuar një koncert recital.
-Në albumin tuaj të ri do të ketë materiale të gjinive të ndryshme. Në veçanti do të ketë balada në fomën e sonatave të cilat janë shumë të pëlqyera nga të rinjtë shqiptarë. Sa të tilla do të përfshijë ky album?
Nuk dua që ky album të jetë një përzierje këngësh, popullore dhe serenata. Kam më mendje që pas këtij albumi që do të jetë me këngë popullore të bej një album vetëm me sonata dhe balada. Sonatat që do të përfshihen në këtë album janë të tilla që i përshtaten atij. Ato nuk do jenë në tipin e serenatës. Sonata ka një lirshmëri, një gjerësi, një rrjedhshmëri, një butësi ndërsa serenata mund të jetë alegro, mund të jetë në të gjitha llojet e lëvizjes. Këngët që do të jenë në këtë album për mua janë balada. Nuk do të jetë as sonatë as serenatë. Balada është ndryshe nga të dyja, ajo tingëllon si këngë qytetare dhe unë do e trajtoj me një motiv popullor qytetarë që të jetë më afër me këngët e tjera të albumit.
-Eli Fara ka një zë të bukur, tekste dhe muzikë të bukur dhe është dhe vetë akoma më e bukur.Ku qëndron suksesi juaj?
Kur jemi të rinj gjithë ngulmojmë që të biem në sy dhe të na pëlqejë vetja. Unë i kam kaluar këto gjëra dhe e rëndësishme është që ndihem mirë. Më ndodh shpesh që të më bëjnë këtë pyetje. Përgjigjia ime është se unë jam gjithmonë në lëvizje dhe nuk kam kohë që ta shoh veten.
-Cili është mesazhi që i përcillni artistëve të rinj të cilët i hyjnë me pasion fushës së muzikës?
Mendoj se tek rinia gjenden gjithmonë talente. është fatkeqësia e tyre që nuk ka njerëz dhe institucione që mund t'i marrin seriozisht këta të rinj dhe t'i trajtojnë. Nuk ka një organizim në fushën e artit. Dhe për ne, këngëtarët me eksperiencë është një lodhje dhe stërmundim organizimi dhe ndoshta edhe nga eksperienca ia dalim. Të rinjtë nëse nuk i menaxhon dikush, nëse nuk përpiqet dikush që të ngrejë artin e tyre lart nuk është faji i tyre.
-Muzika shqiptare ka festivale të ndryshme. Nuk do të ishte mirë që të kishte edhe një festival për muzikën popullore e cila të shërbente si një lloj kursi për ta?
Natyrisht që realizimi i koncerteve të këngës popullore do të ishte diçka e mirë. Unë jam promovuar si këngëtare e muzikës popullore nga koncertet e Gjirokastrës. Mendoj se ndoshta për rininë tonë ky festival është i parëndësishëm dhe i dalë nga moda, sepse kjo rini dëshiron që të ndihet moderne por dikush që e ndien se është i talentuar duhet që të niset nga atje dhe të ketë shembull ata mjeshtra që këndojnë melodi aq të bukura, ta gjejnë veten dhe të dijnë si të vazhdojnë.
-Plani juaj më i afërt?
Plani më i afërt është që të shkoj përsëri për pushime. Vendosa që këtë verë të pushoj dhe të mos angazhohem me aktivitete.

Sot

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok