Edmond Zhulali: Këngën për Klinton e kisha bërë para 22 vjetësh, realizova ëndrrën më të madhe të jetës time
Të pathënat për tekstin dhe kompozimin e këngës që bëri të përlotej Bill Klinton në Tiranë
Nga Albert Z. ZHOLI
Jam shumë i lumtur që kënga u këndua para Skënderbeut të Perëndimit. Kur mora telefon pas këngës Manjolën ajo ishte entuziazmuar dhe plot emocione.
Dje në mbrëmje përpara Kryeministrisë u zhvillua ceremonia e dekorimit të presidentit amerikan Bill Klinton me “Yllin e mirënjohjes për arritjet publike”. Manjola Nallbani ka kënduar për Presidentin Bill Clinton në nisje të ceremonisë para Kryeministrisë me kompozim të Edmond Zhulalit. Ndër të tjera në këngë thuhet: Gjithë shqiptarët janë me ty. Për këngën “Gjithë shqiptarët janë me ty”” menjëherë pas ceremonisë bisedova me kompozitorin e këngës Edmond Zhulali.
Një ditë e veçantë për shqiptarët kudo në botë, por dhe për ju si kompozitor i një kënge të veçantë. Kënga juaj “Gjithë shqiptarët janë me ty” ishte shumë emocionuese për të gjithë kombin. Si të lindi ideja për këtë këngë dhe si u ndjetë kur u këndua para Klintonit?
Edmond Zhulali: “Ishte viti 2001 dhe unë kisha një kërkesë nga një djalë tropojan me banim në Amerikë (piktor në profesion) Nezhat Imeraj, i cili së bashku me një grup të madh djemsh kishin marrë pjesë në luftën për çlirimin e Kosovës në batalionin “”Atlantik 99”. Edhe titulli i koncertit ky është “Atlantik 99”. Nexhati kishte shkruar 12 poezi me temë nga lufta, të cilat i ripunoi me poetin e madh Gjok Beci. Nexhati donte të bënte një koncert me këto poezi duke i kthyer në këngë. Ashtu u bë: Manjola Nallbani Francesk Radi, Aleksandër Gjoka, Kastriot Tusha , Ledina Çelo, Dionis Delia do ishin këngëtarët që zgjodhëm. Ky ishte koncert recital i imi me këngë të muzikës së lehtë me ato poezi. Ky koncert me këto këngë u zhvillua në Pallatin e Kongreseve dhe u organizua ekskluzivisht për Kosovën. Mes këtyre këngëve kisha kompozuar edhe këngën për Klintonin. Kjo këngë është bërë para 22 vjetëve “Mbreti Botës për liri” e cilësova unë. Këtë këngë e ka kënduar shumë bukur Manjola,edhe pse kjo këngë është shumë e vështirë, që vetëm Manjola mund t’a realizonte. Kur ja besova këtë këngë ajo u emocionua. E kisha shumë dëshirë një këngë të tillë më tha. Bëmë shumë prova sa arritëm atë që donim. Në atë koncert është cilësuar kënga më e bukur. Sot kur e dëgjova u mahnita vetë. Ishte një moment shumë- shumë emocionues. Për mua Klinton është i paaritshëm. Ai për botën shqiptare mbetet një hero. Nuk vjen më udhëheqës si Klintoni për kombin shqiptar. Ishte ëndërr që kjo këngë t’i shkonte direkt Klintonit t’a dëgjonte.
E kishit menduar se një ditë Bill Klinton do t’a dëgjonte live dhe do përlotej nga vlerat artistike të kompozimit, teksti dhe interpretimi i Manjola Nallbanit ?
I kisha thënë dhe Manjolës që si të gjejmë mënyrën t’ia çojmë këtë këngë! Nuk na erdhi mundësia për më shumë se dy dekada. Por ja trokiti fati! Ajo ëndërr u realizua. Kënga erdhi para Klintonit. Kur pashë të emocionuar Klintonin qava. Manjola dha emocione të forta. Për çdo artist është një ngjarje shumë e rrallë një këngë për një personalitet botëror. Njëherë vijnë në jetë këto ditë, këto ngjarje. Këto këngë janë të rralla. Pak ka këngë të tilla. Ai ka një përmendore në Prishtinë. Tashmë ai është pjesë e historisë shqiptare. Jo vetëm për Amerikën, por ai është pjesë dhe e historisë shqiptare. Ka një kontribut për Kosovën, por edhe për kombin pasi ka hedhur një hap për bashkimin kombëtar. Ai është një shqiptar i madh i papërsëritshëm.
Ju njiheni si kompozitori i këngëve të luftës së Kosovës. Por dje kishit edhe heroin që vendosi fatin historik të popullit të Kosovës dhe Kombit shqiptar?
Nga ajo ditë që firmosi për luftën në Kosovë ai ka marrë një dimension të madh. Ne i jemi borxhli dhe duhet t’i jemi mirënjohës në jetë të jetëve. Ndaj them se sot ishte një emocion patriotik, pasi si shqiptar solla një këngë për shqiptarin e madh Klinton. Jam shumë i lumtur që kjo këngë shkoi aty për ku ishte nisur. Ne u lumturuam. Fati ishte me ne. Unë dje e mora vesh që do këndohej kjo këngë. Një evenimet dhe kujtim i rrallë. Më bën krenar kjo ditë. Më bën me krahë. Unë e konsideroj si Skënderbeu i Perëndimit për shqiptarët. Kur mora telefon pas këngës Manjolën ajo qante nga gëzimi dhe emocionet. Ishte dita më e bukur për mua më tha Manjola. Sigurisht një këngë për një President të rrallë që plotësoi një nga ëndrat më të mëdha të kombit tonë.