12/12/2024

Familja Kurmemaj dhuroi 70.000 euro për personat me diabet në pesë komuna të Malit të Zi

0
Familja-Kurmemaj

Nga Gjekë Gjonaj

Çifti bamirës  Dina dhe Ahmet Kurmemaj, bashkatdhetarë që jetojnë dhe punojnë në Shtete të Bashkuara të Amerikës,  për herë të dytë radhazi  dhuruan  mbrëmë në Tivar 70.000 euro .  Përfitues të  këtij donacioni janë  70 persona me diabet të tipit 1 të kryesisht të moshës së re  nga Komuna e Ulqinit, Tivarit, Plavës, Gucisë dhe Rozhajës.  Komuna e Tuzit ashtu sikurse edhe vitin e kaluar  nuk tregoi interesim  për këtë donacion për , siç thanë organizatorët, arsye të panjohura.

Në emër të Komunës së Tivarit falënderoi kryetari i saj Dushan Raiçeviq, i cili theksoi çifti Kurmemaj  edhe pse nga rastësia dhe rrethanat  e  caktuara jetësore e gjejnë lumturinë e tyre larg   qytetit tonë, kurrë nuk e  harruan   vendlindjen e tyre. “Ahmeti dhe Dina Kurmemaj janë të tillë, biznesmenë të suksesshëm, të cilët suksesin e kanë arritur jo vetëm në SHBA, por në mbarë botën. Ata asnjëherë nuk kanë harruar se nga kanë ardhur dhe se duhet ndihmuar të gjithë ata që janë në nevojë. “, tha Raiçeviq.

Ai shtoi se   në emër të Komunës së Tivarit ishte privilegj bashkëpunimi me familjen Kurmemaj dhe Fondacionin Humanitar “Trojet tona” për të tretën herë radhazi dhe kujtoi se ky partneritet ka nisur vitin e kaluar, me donacionin e parë për personat me diabet, dhe vazhdoi në fillim të këtij viti me prezantimin e donacioneve të vlefshme për Spitalin e Përgjithshëm në Tivar. “E gjithë kjo flet shumë se sa të suksesshëm janë njerëzit të cilët i admirojmë sonte, për faktin se madhështia e tyre matet pikërisht me numrin e donacioneve   të realizuara. Këto aksione bamirëse  nuk përfshijnë vetëm grumbullimin e burimeve të caktuara financiare, por efektet e tyre do të përmirësojnë kushtet e jetesës së shumë njerëzve dhe do të lehtësojnë sfidat me të cilat përballen, si dhe do të përmirësojnë kushtet e kujdesit shëndetësor në qytetin tonë”, u shpreh Raiçeviq.

Në emër të Qendrës Shëndetësore të Rozhajës  falënderoi  Dr. Jaho Pepiq, kurse në emër të Qendrës Shëndetësore në Plavë Dr. Armen Pejçinoviq. Në emër të familjes Kurmemaj të pranishmëve iu drejtua mjekja e nderuar nga SHBA-ja doktoresha Senada Kacila. “Falënderimet e veçanta nga Dina dhe Ahmeti i dërgoj Komunës së Tivarit dhe kryetarit  Raiçeviq, të cilët e njohin rëndësinë e këtyre donacioneve humanitare. Jemi të bindur që ngjarje të ngjashme do të ketë edhe në të ardhmen”, tha doktoresha Kacila. Duke folur për jetën e familjes Kurmemaj, ajo në veçanti iu referua faktit se ndjenjat e humanizmit dhe atdhedashurisë janë të thurura thellë në qenien e tyre dhe se ata nuk kanë harruar kurrë se kush janë, çfarë janë dhe nga vijnë. Mjekja Kacila përcolli një mesazh të rëndësishëm për të gjithë diabetikët nga Dina Kurmemaj, e cila e vuan edhe vetë  këtë sëmundje. Diabeti nuk guxon të jetë pengesë për realizimin e aspiratave, dëshirave dhe sukseseve profesionale”, theksoi ajo.

Veneradna Gjonaj, njëra nga përfitueset e këtij donacioni e cila jeton me këtë sëmundje plot 36 vjet  falënderoi përzemërsisht dhe me shumë emocion  bamirësit e mirënjohur  Dinën  dhe Ahmet Kurmemaj  dhe Fondacionin “ Trojet tona” të cilët  i njohën problemet e tyre dhe mundësuan blerjen e senzorëve të vlefshëm për të lehtësuar  jetën  e përditshme të diabetikëve. Ajo theksoi  rëndësinë jashtëzakonisht të madhe  se diabetikët    falë çiftit të përmendur me zemër të madhe nuk janë vetëm në  sfidën e tyre aspak të lehtë  me sëmundjen e sheqerit, e cila kërkon mjaft  shpenzime materiale,  disiplinë të fortë dhe respektim të këshillave të mjekëve specialistë  endokrinologë.

Në këtë ceremoni bamirëse  morën pjesë një numër i madh  i të ftuarve nga pesë komuna të Malit të Zi.  Mes të tjerëve, në  këtë  mbrëmje të donatorëve morën pjesë edhe drejtori i Spitalit të Përgjithshëm të Tivarit, Dr.Igor Karisik, familjarët  Dina Kurmemajt, si dhe të ftuar të shumtë, miq dhe të afërm të kësaj familjeje. Aktiviteti humanitar përfundoi me një koktej të rastit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok