Édith Piaf, vajza që u rrit në një shtëpi publike, diva e zërit të magjishëm që u farkëtua në lavdi dhe dramë

0
Édith-Piaf

Nga Albert Vataj

Kjo zonjushë e vogël në foto, është Édith Piaf, që do të bëhej zëri i magjishëm i një shekulli, dhe jeta e stuhishme e një ylli, datuar rreth vitit 1918, pjesë e koleksionit të Getty Images, kataloguar nga Bridgeman Images.

Gratë e një shtëpie publike u kujdesën për të kur ishte fëmijë. Vitet më vonë, Franca do ta adhuronte si një nga zërat më të mëdhenj të këngës së saj, ndërsa Kisha Katolike do t’i mohonte një meshë funerale. Megjithatë, kur ajo u përcoll drejt banesës së fundit, rreth 40 mijë njerëz u mblodhën për t’i dhënë lamtumirën.

Historia e Édith Piaf nisi larg sallave madhështore, duartrokitjeve të pafundme dhe dritave të skenës. Ajo lindi në një botë ku varfëria nuk ishte thjesht mungesë parash, por një mënyrë e ashpër ekzistence, ku fëmijëria mund të humbiste shpejt dhe ku dashuria, kur shfaqej, bëhej një strehë e rrallë kundër pamëshirës së jetës. Përpara se të bëhej zëri që do të trondiste zemrat e miliona njerëzve, Édith ishte një vogëlushe që kërkonte përkujdesje, ngrohtësi dhe një vend ku të ndihej e mbrojtur.

Gjatë një pjese të fëmijërisë së saj, ajo jetoi në Bernay, një qytezë në Normandi, ku gjyshja e saj nga ana e babait drejtonte një shtëpi publike. Sipas rrëfimeve biografike, gratë që punonin aty u kujdesën për të, e ushqyen, e mbajtën pranë dhe i dhanë një përkujdesje që jeta e saj e hershme nuk ia kishte siguruar gjithmonë. Në një mjedis të gjykuar nga morali i kohës, këto gra i ofruan një fëmije të pambrojtur diçka thelbësore, vëmendjen njerëzore.

Është një nga ato kundërthënie që jeta i shkruan pa kërkuar leje nga paragjykimet tona. Ndonjëherë, mirësia vjen nga vendet ku shoqëria nuk e pret, ndërsa njerëzit që gjykohen më ashpër mund të bëhen strehë për dikë që nuk ka askënd tjetër.

Më vonë, Édith iu bashkua të atit, Louis Gassion, një artist rrugësh dhe akrobat, me të cilin nisi të shëtiste e të këndonte në rrugët e Francës. Ishte një jetë e pasigurt, e shenjuar nga lëvizjet, mungesat dhe përpjekja e përditshme për të siguruar bukën. Por pikërisht në rrugë, përballë kalimtarëve që ndaleshin ose vazhdonin udhën e tyre, zëri i saj nisi të zbulonte fuqinë e vet të shpërthimt.

Ajo nuk kishte skenografi, orkestër apo ndriçim teatral. Kishte vetëm zërin, një zë që dukej sikur bartte më shumë jetë nga sa mund të përballonte një trup i brishtë. Në atë zë, dhimbja nuk ishte një ushtrim interpretimi, por një përvojë e shndërruar në tingull. Çdo notë dukej sikur vinte nga një vend i thellë i shpirtit, atje ku vuajtja dhe dëshira për të jetuar nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën, por sfidonin.

Me kalimin e viteve, vajza e rrugëve u shndërrua në një nga këngëtaret më të njohura të Francës. E pagëzuar artistikisht me emrin Édith Piaf, ajo fitoi famë në skenat pariziene dhe më pas në skenat ndërkombëtare. Fjala “piaf”, në zhargonin francez, do të thotë “zog i vogël”, një emër që i shkonte shtatit të saj të imët, por që binte në kontrast me forcën e jashtëzakonshme të zërit.

Piaf nuk këndonte thjesht për dashurinë. Ajo e bënte atë të dukej si një fat që nuk mund të shmangej, nuk këndonte vetëm për dhimbjen, por sikur ta nxirrte atë nga thellësia e kraharorit dhe ta vendoste përpara dëgjuesit, të zhveshur nga çdo zbukurim, si një kundërvënie dhe ndeshje e fatit. Në interpretimin e saj, fjala fitonte peshën e një rrëfimi të jetuar, ndërsa melodia shndërrohej në një mënyrë për të thënë atë që shpesh gjuha e zakonshme nuk arrin ta shprehë.

Por fama, me gjithë dritën e saj, nuk mundi ta mbronte nga humbjet dhe thyerjet. Njeriu që mëson të jetojë mes duartrokitjeve nuk pushon së qeni i cenueshëm kur bie perdja e skenës.

Në vitin 1948, në Nju-Jork, Édith Piaf u njoh me boksierin francez, Marcel Cerdan, i cili më pas u bë kampion bote në peshën e mesme. Ai ishte i martuar dhe kishte tre fëmijë, por lidhja e tij me këngëtaren u shndërrua në një histori dashurie të njohur dhe të komentuar gjerësisht.

Për Piafin, Cerdan nuk ishte vetëm një dashnor. Ai u bë një nga ato prani të rralla që, për një çast, e bëjnë jetën të duket sikur ka gjetur pikën e saj të ekuilibrit. Mes turneve, udhëtimeve dhe lodhjes së skenës, ajo kishte gjetur një njeri tek i cili mund të kërkonte afërsi, përtej figurës publike që bota njihte dhe adhuronte.

Në vitin 1949, Piaf shkroi tekstin e këngës “Hymne à l’amour” (Himni i dashurisë), ndërsa muzikën e kompozoi Marguerite Monnot. Kënga lidhet ngushtë me dashurinë e saj për Cerdan dhe përmban një përkushtim që duket sikur nuk njeh kufij, as të largësisë, as të fatit.

Por jeta do ta kthente shumë shpejt këtë himn në një elegji.

Më 28 tetor 1949, Marcel Cerdan humbi jetën në moshën 33-vjeçare, kur avioni i Air France, në fluturimin Paris–Nju-Jork, u rrëzua në Ishujt Azore. Ai po udhëtonte drejt Nju-Jorkut për t’u takuar me Piafin. Vdekja e tij ishte e menjëhershme, e papritur dhe e pakthyeshme, një ndërprerje mizore e një historie që ende nuk e kishte shteruar etjen për të jetuar.

Atë mbrëmje, Piaf kishte një angazhim në skenën e kabareve Versailles, në Nju-Jork. E tronditur nga lajmi, ajo nuk e anuloi menjëherë shfaqjen. Doli përpara publikut dhe ia kushtoi interpretimin kujtimit të Marcelit, por dhimbja e mposhti ndërsa këndonte. Zëri që deri atëherë kishte mbartur emocionet e të tjerëve u bë zëri i një gruaje që po përjetonte vetë një humbje të pakapërcyeshme.

“Himni i dashurisë” nuk ishte më vetëm një këngë dashurie. Ajo u bë dëshmi e një përkushtimi të ndërprerë nga vdekja, por jo e shuar nga ajo. Në interpretimet e mëvonshme të Piafit, kënga do të ruante diçka nga ky mall, nga kjo përpjekje për ta mbajtur të gjallë një njeri përmes fjalës dhe melodisë.

Piaf vazhdoi të këndonte, por ajo humbje mbeti një nga plagët më të thella të jetës së saj.

Pas tragjedisë, jeta e Édith Piaf vazhdoi mes koncerteve, udhëtimeve, sëmundjeve dhe trajtimeve mjekësore. Aksidentet automobilistike, dhimbjet kronike dhe problemet e tjera shëndetësore e çuan drejt përdorimit të morfinës, fillimisht për lehtësimin e dhimbjeve, por më pas edhe drejt një varësie që do ta rëndonte gjithnjë e më shumë gjendjen e saj.

Trupi i saj po bëhej gjithnjë e më i brishtë, ndërsa skena vazhdonte të kërkonte prej saj atë energji që publiku e kishte mësuar ta admironte. Në jetën e Piafit, ky ishte një nga kontrastet më të dhimbshme, gruaja që u jepte të tjerëve emocione të jashtëzakonshme duhej të përballonte, larg syve të tyre, një betejë të vazhdueshme me trupin, kujtimet dhe humbjet.

Ajo nuk ishte një heroinë e paprekshme, as një figurë e ngritur mbi dobësitë njerëzore. Ishte një grua me pasione të forta, me zgjedhje të vështira, me plagë që nuk mbylleshin dhe me një aftësi të rrallë për ta shndërruar përvojën personale në art. Ndoshta pikërisht kjo e bënte interpretimin e saj kaq të fuqishëm, nuk dëgjoje vetëm një këngëtare, por një jetë që kërkonte të shprehej përmes saj.

Në vitin 1960, kur gjendja e saj shëndetësore dhe vështirësitë profesionale ushqenin frikën se karriera mund të ishte drejt fundit, Piaf u rikthye në skenën e Olimpias së Parisit, një prej tempujve më të rëndësishëm të muzikës franceze.

Ajo solli një këngë që do të lidhej përgjithmonë me emrin e saj: “Non, je ne regrette rien” – (Jo, nuk pendohem për asgjë).

Kënga ishte shkruar nga Charles Dumont, me tekst të Michel Vaucaire. Në zërin e Piafit, fjalët morën një domethënie që kapërcente tekstin dhe melodinë. Ato tingëllonin si një deklaratë e një gruaje që kishte parë shumë, kishte dashur fort, kishte humbur njerëz të shtrenjtë dhe kishte paguar një çmim të rëndë për jetën që kishte bërë.

A ishte ky një mohim i së shkuarës? Apo një përpjekje për t’u pajtuar me të?

Ndoshta, në interpretimin e saj, kënga përmbante të dyja. Të mos pendohesh nuk do të thotë medoemos të mos kesh vuajtur, as të mos njohësh gabimet e tua. Mund të nënkuptojë edhe të pranosh se çdo përvojë, e bukur apo e hidhur, ka hyrë në përbërjen e njeriut që je bërë. E shkuara nuk mund të zhbëhet. Ajo mund të përjetohet sërish përmes kujtesës, të kuptohet ndryshe dhe, në një çast të caktuar, të mos lejohet më të të mbajë peng.

Për Piafin, “Jo, nuk pendohem për asgjë” u bë më shumë se një këngë e suksesshme. U bë një lloj vetëportreti emocional, një formulë që publiku mund ta lidhte me jetën e saj, edhe pse nuk duhet marrë si një rrëfim literal i çdo ndjenje apo pendese që ajo mund të ketë përjetuar. Ishte arti që i jepte përvojës së saj një formë të përmbledhur, të fuqishme dhe të kuptueshme për miliona njerëz.

Dhe zëri i saj, pavarësisht dobësive të trupit, vazhdonte të mbante brenda vetes një forcë të jashtëzakonshme.

Më 10 tetor 1963, Édith Piaf vdiq në moshën 47-vjeçare, në Plascassier, pranë Grasse, në jug të Francës. Lajmi për vdekjen e saj tronditi botën e muzikës franceze dhe mijëra njerëz që e kishin ndjekur në skenë, kishin dëgjuar këngët e saj ose kishin gjetur në zërin e saj një pasqyrim të dhimbjeve të veta.

Por lamtumira e fundit u shoqërua edhe me një polemikë fetare.

Kryepeshkopata e Parisit refuzoi të organizonte ceremoninë e zakonshme katolike të varrimit, pasi Piaf ishte divorcuar nga këngëtari Jacques Pills dhe ishte martuar sërish, këtë herë me Théo Sarapo, në një ceremoni sipas ritit ortodoks. Sipas qëndrimit të atëhershëm të autoriteteve kishtare, rrethanat e martesës së saj nuk lejonin zhvillimin e një funerali katolik.

Megjithatë, një prift, kapelan i Bashkimit Katolik të Teatrit dhe Muzikës, shkoi në varrezat Père-Lachaise për t’u lutur pranë varrit të saj. Nuk u mbajt meshë funerale, por as lutja nuk mungoi krejtësisht.

Ishte një fund që zbulonte një kundërthënie të hidhur mes institucioneve dhe dashurisë popullore. Gruaja që kishte kënduar për dashurinë, brishtësinë, besnikërinë dhe dhimbjen, u përcoll pa ceremoninë fetare që shumëkush mund të kishte pritur për të. Megjithatë, mungesa e meshës nuk e zvogëloi madhështinë e lamtumirës njerëzore.

Më 14 tetor 1963, rreth 40 mijë njerëz u mblodhën në varrezat Père-Lachaise të Parisit për t’i dhënë lamtumirën. Sipas kronikave të kohës, turma vazhdonte të vërshonte mes varreve edhe pasi arkivoli ishte ulur në banesën e fundit. Njerëzit sillnin buqeta, trëndafila e lule të tjera, të tjerë qëndronin në pritje, të shtyrë nga dëshira për të qenë të pranishëm në atë çast.

Në atë turmë nuk kishte vetëm admirues të një ylli të madh. Kishte njerëz që, përmes këngëve të saj, kishin gjetur një gjuhë për të shprehur atë që vetë nuk dinin ta thoshin. Kishte zemra që kishin dashur dhe ishin zhgënjyer, njerëz që kishin humbur, që kishin duruar dhe që, në zërin e saj, kishin dëgjuar diçka nga vetja.

Vogëlushja që dikur kishte gjetur përkujdesje mes grave të një shtëpie publike po përcillej tani nga një turmë e jashtëzakonshme njerëzish. Jeta e saj kishte përshkuar një rrugë të pabesueshme, nga pasiguria e fëmijërisë te skenat e mëdha, nga varfëria te fama, nga dashuria te humbja, nga dhimbja fizike te një zë që dukej sikur nuk njihte kufij.

Por, në të vërtetë, nuk ishte fama ajo që e bëri të pavdekshme. Ishte aftësia e saj për t’i dhënë formë njerëzores, për ta bërë dhimbjen të këndohej, dashurinë të dëgjohej dhe humbjen të mos mbetej një përvojë krejtësisht e vetmuar.

Ka diçka thellësisht njerëzore në mënyrën se si Édith Piaf mbetet e lidhur me këngën “Nuk pendohem për asgjë”. Ndoshta sepse, kur e dëgjojmë, nuk dëgjojmë vetëm një grua që shpall se nuk pendohet. Dëgjojmë edhe një jetë që ka njohur mjaftueshëm dhimbje për ta kuptuar se e shkuara nuk mund të ndryshohet, por mund të pranohet si pjesë e qenies sonë.

Ajo kishte njohur varfërinë, kishte humbur vajzën e saj të vetme, Marcelle, kishte përjetuar dashuri të mëdha dhe ndarje të pakthyeshme, kishte parë shëndetin t’i rrënohej dhe kishte vazhduar të këndonte edhe kur jeta i kërkonte më shumë sesa dukej se mund të përballonte. Në këtë kuptim, kënga e saj nuk është domosdoshmërisht një deklaratë se çdo zgjedhje kishte qenë e drejtë. Është, më tepër, një përballje me faktin se jeta e jetuar nuk mund të fshihet e të fillojë nga e para.

Dhe pikërisht këtu qëndron fuqia e artit të saj. Ai nuk na premton një jetë pa plagë, por na tregon se edhe plagët mund të gjejnë një gjuhë, nuk na premton se dashuria do të na kursejë nga humbja, por na kujton se dashuria mund të mbijetojë në kujtesë, në një melodi, në një varg, në një zë.

Édith Piaf u largua nga kjo botë në moshën 47-vjeçare, por nuk u largua nga kujtesa e saj. Ajo mbetet në këngët që vazhdojnë të interpretohen, në skenat ku emri i saj përmendet me nderim dhe në zemrat e atyre që e dëgjojnë si të ishte duke kënduar për ta, për jetën e tyre, për dashuritë e humbura dhe për gjithçka që nuk mund të thuhet ndryshe.

Ndoshta ky është kuptimi më i thellë i pavdekësisë artistike, të mos e mposhtësh vdekjen, por të lësh pas vetes diçka që vazhdon të jetojë në përvojën e të tjerëve.

Dhe kështu, zëri i vogël i Édith Piaf vazhdon të ngrihet mbi kohën, me atë forcë që nuk vjen nga përsosmëria, por nga e vërteta e një jete të jetuar me gjithë kundërthëniet e saj.

“Nuk pendohem për asgjë”

Fjalë të kënduara nga një grua që nuk mund ta ndryshonte të shkuarën, por që, përmes artit, arriti ta shndërronte atë në një trashëgimi të përbashkët njerëzore. Dhe sa herë që zëri i saj rikthehet në ajër, Édith Piaf nuk është më vetëm një emër i shkruar mbi një varr në Père-Lachaise. Ajo është një prani që vazhdon të këndojë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

YouTube
YouTube
Tiktok