E ZEZA DHE E BARDHA BASHKË, POETI DHE PAPA

0
Papa-Leoni-Bob-Dylan

Nga Visar Zhiti

“SKENA –

një nga ato që të lë pa fjalë”, ndërkohë ndodhi e kundërta, u derdhën aq shumë fjalë në mediat botërore për takimin e Papa Leonit XIV me kantautorin 85 vjeçar Bob Dylanin, poet që ka marë dhe Çmimin Nobel, i cili në vizitën e tij në Pallatin Apostolik në Vatikan ishte veshur në mënyrë të çuditëshme, krejt në të zeza, me kupuç të zi në kokë e dorashka të zeza, madje dhe me një çadër të zezë, “ndonëse atë ditë, në qytetin e shenjtë nuk kishte asnjë shenjë shiu”.

Papa, i buzëqeshur, me petkun e bardhë kishtar. E bardha e Papës është shenjë e dritës, e paqes, e një autoriteti që duhet të jetë në shërbim të njerëzimit.

Pse Bob Dylan nuk e hoqi kapuçin përpara Papës?

A ishte harresë? Pakujdesi? Një gjest rebelimi? Apo thjesht Bob Dylan ishte vetvetja, edhe në atë takim të jashtëzakonshëm?

Pati interpretine nga më të ndryshmet, veshja e poetit u pa dhe si një homazh për templarët, dhe si një nderim për Xhordano Brunon, si në statujen e tij në “Campo de’ Fiori” në Romë, në sheshin ku Inkuizicioni ngriti turrën e druve, të lartë sa ç’do të ishte piedestali më pas, etj, etj. Ndërsa Dylan si gjithmonë nuk shpjegoi asgjë.

DY BOTË BASHKË:

E bardha dhe e zeza – në një takim. Përtej asaj që u pa, dy botë të ndryshme përballë njëra-tjetrës u bënë natyrshëm bashkë.

Njëra përfaqëson atë traditë mijëravjeçare shpirtërore, tjetra një jetë në kërkime artistike edhe duke u rebeluar me këngë.

Njëri vjen nga altari, tjetri nga skena. Por të dy komunikojnë me ndërgjegjen e njerëzimit.

Edhe kontrasti duket sikur krijon një gjuhë: drejtpeshimi i të bardhës me të zezën, drita dhe hija, liturgjia dhe rruga, përjetësia dhe koha.

KODI S’ISHTE I FSHEHTË:

Ka një tundim për të kërkuar një kod të fshehtë. A ishte një rastësi apo e menduar? E zeza me kapuç e Dylan-it është pjesë e paraqitjes së tij të zakonshme e viteve të fundit. Ai nuk është që përshtatet me ceremonitë, as heq dorë nga identiteti për hir të protokollit.

E zeza e Dylanit nuk është domosdoshmërisht errësirë. Ajo lexohet si ngjyra e artistit që mban misterin e tij, heshtjen, përvojën dhe kundërshtimin.

Papa Leo XIV nuk e priti thjesht si një këngëtar të famshëm, por si shpalosje të një ideje të përbashkët: PAQEN.

Dylan vjen nga një traditë ku e vërteta kërkohet përmes poezisë, këngës, rebelimit dhe pyetjeve që nuk marrin gjithmonë përgjigje.

Papa Leoni XIV ka pas vetes një Kishë të tërë universale. Dhe të dy takohen në çështjen që njeriu nuk mund të jetojë pa kuptim, pa ndërgjegje, pa shpresë.

Papa nuk kërkon që poeti të heqë kapuçin për t’u afruar tek ai. Poeti s’ka pse të vishet me të bardha për të hyrë në Vatikan. Secili vjen ashtu siç është, pa e humbur identitetin e vet.

Dialogu nuk kërkon që të bëhemi njësoj, por të pranojmë njëri-tjetrin.

E bardha nuk ka pse ta mundë të zezën. As e zeza nuk ka pse ta sfidojë të bardhën.

Janë bashkë Papa dhe poeti, besimi dhe arti, lutja dhe kënga.

DHURATAT:

Papa i dhuroi Dylanit një rruzare. Dylan i dhuroi Papës librin e jetës së tij. Njëri i dha një udhë drejt qiellit, tjetri një dëshmi të udhëtimit mbi tokë. Dhe njeriu ka nevojë për të dyja.

Sa bukur: rruzarja e lutjeve me kujtesën, shpirti përballë biografisë, përjetësia përballë jetës.

Dhe dhuratë ishte dhe kjo, kuptimi i vjetër dhe i ri i të zezës së mbrëmjes me të bardhën e agimit, vazhdime të njëra-tjetrës, ku fundi nuk është veçse një fillim tjetër dhe drita, si do që të vijë, mbart si kumt të saj të dyja përvojat hyjnore.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

YouTube
YouTube
Tiktok