21/11/2024

“Dy botë” dhuratë ne lexuesve nga Elvi Sidheri

0

Nga Entela Binjaku

Romani “Dy botë” i autorit Elvi Sidheri na u paraqit për lexim në këtë prag vere të vitit 2019 si një ftesë për të hedhur vështrimin pas në kohë.

Që në fillim më duhet të them se duke qenë lexuese e rregullt e publicistikës së autorit dhe një admiruese e pasurisë së madhe të gjuhëve që ai zotëron, drejt romanit “Dy botë” shkova me shumë kuriozitet. Këtë e ndihmoi edhe fakti se edhe unë bëj pjesë në mesin e  atyre që i ndjekin fare pak autorët romancierët shqiptarë. Kjo  ka krijuar një boshllëk në drejtim të njohjes së letërsisë sonë bashkëkohore,  gjë e cila nuk më lejon të vlerësoj me kompetencën që kërkohet, ose më shtyn drejt paragjykimit. Por pikërisht edhe për këto arsye e mirëprita këtë roman.

Që në faqet e para spikati viti kur zhvillohen ngjarjet. Për një rastësi të bukur viti 1999 më duket sa afër, po aq edhe larg. Për shumë prej  nesh lexuesve ai përbën një kufi kohor të veçantë. Përkon me vitet e vrullshme të hapjes së vendit, rininë shqiptare në kushtet e reja, me aspiratat e shumë vajzave dhe djemve  për të vënë në lëvizje impulset e moshës, me pasiguritë dhe të papriturat, me besimin e palëkundur tek parimet e edukuara.  Përkimet me personazhin i pashë me nostalgji dhe për këtë merita është e autorit që arrin të zgjojë tek ne  disa emocione që flenë.

Mënyra se si përshkruhet atmosfera e Tiranës, gjuha e pasur dhe mjaft tërheqëse, situatat e papritura që kalon Livia, personazhi kryesor,  zgjoi sa kërshërinë, po aq edhe një lloj miratimi në heshtje për atë që shkruhej.

Autori ka përzgjedhur në këtë roman një personazh qendror femëror e cila në vetëvete përfaqëson tiparet e vajzës shqiptare. E etur për të njohur sa më shumë, e edukuar, e kalitur me vështirësitë, plot aspirata dhe dëshira kjo vajzë i qaset botës së madhe me të vetmen pasuri të saj: personalitetin. Siç edhe në libër lexohet situatat e vështira nëpër të cilat ajo kalon, mbështeten pikërisht në ato cilësi që nuk e lënë në baltë. Karakteristike për shumë vajza shqiptare,  njohja e sa më shumë gjuhëve të huaja përbënte në vetëvete dëshirën për sa më shumë dritare, mjetet për të njohur sa më shumë nga bota një nxitje për të dalë jashtë kufijve të vendit. Tek përpjekjet e Livias janë përpjekjet e shumë vajzave të tjera shqiptare, që të varfëra njohën në ato vite me shumë të panjohura, mashtrimin, nëpërkëmbjen, abuzimin, shfrytëzimin. Si një njohës i mirë i raporteve ndërnjerëzore autori e ka vendosur personazhin edhe mes dramës  familjare duke nisur që nga raportet e vështira me të atin, boshllëku dhe nevoja e paplotësuar që lë humbja e nënës, raportet me njerkën,  por pa lënë mënjanë edhe shoqërinë, që si në çdo kohë, dhe në atë moshë, ka një rol të rëndësishëm në jetën e secilit prej nesh.

Në prillin e vitit 1999 kur ndodhin ngjarjet e romanit,  Lufta e Kosovës ishte ende pranë dhe e prekur prej saj ishte i gjithë vendi. Ndjeshmëria tek Livia për këtë situatën dramatike që po kalonte komb, i nuk mund të mos ndjehej. Vështirësitë që kalon ajo që nga çasti kur vendos të largohet vënë në sprovë një jetë të mbushur me vështirësi e të panjohura. Nuk kishte si të mungonte tek ky roman i Elvi Sidherit ajo anë e tij si autor  e lidhur me historinë, apo me  kulturat e huaja, zotësinë në njohjen e të cilave  ai e ka treguar prej kohësh dhe e dëshmon në shkrimet e tij.

Arbëreshët janë një tjetër element me rëndësi në këtë roman.  Raportet e Livias me ta sjellin edhe njëherë në qendër pikërisht tiparet e kulturës së arbëresshve, rezistencën dhe vendosmërinë për të ruajtur thelbin e tyre: gjuhën dhe identitetin. Nga një individ i vetëm si Livia tek një komunitet i tërë sic janë arbëreshët, dalin në pah të përbashkëtat: përpjekjet për ruajtjen e thelbit tek vetevetja dhe  rezistenca ndaj shuarjes.

Në romanin “Dy botë” bie në sy shqipja  e pasur, e bollshme dhe plot shprehi që të befasojnë dhë te krijojnë më shumë respekt për këtë autor që është vetëm në sprovën e tij të dytë si romancier.

Duke u nisur nga kjo pasuri e gjuhës dhe e mendimit, natyrshëm ty si lexues  të duket vetja i paplotë dhe vetë ky krijim të nxit të reflektosh mbi këtë. Romani duke ruajtur unitetin e tij pavarësisht ngjarjeve,  të fton të shuash atë kërshëri mendore dhe shpirtërore që e kupton vetëm  kur ndodhesh përballë saj.

Livia është një personazh që ndërthur shumë të tjerë. Pas historisë personale që autori ka thurur për të, për të qëndrojnë jetë të panumërta vajzash shqiptare që në këto vite ndryshimesh u ndodhën përballë sfidave të panjohura dhe të pamenduara. Sic edhe ka ndodhur në një shumicë të  historive jetësore, edhe në këtë roman dinjiteti, krenaria, edukata mbijetojnë përballë gjithë vështirësve që kalon personazhi. Optimizmi për jetën tek personazhi nuk rresht dhe kjo e bën atë të ndjehet më pranë lexuesve, të cilët përditë jetojnë me sfidën mes dy botëve:  ajo që njeriu aspiron dhe ajo që detyrohet të përballojë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok