21/12/2024

Duke u marrë me “punë të mëdha”, po harrojmë shqetësimet e fëmijëve tanë

0
Protesta-Femijet

Nga Fran GJOKA

Është thënë vazhdimisht dhe gjithnjë do thuhet se “Fëmijët janë e sotmja dhe  e ardhmja e vendit”.  Kjo nuk është formale, por një e vërtetë e padiskutueshme, të cilën e pranojmë të gjithë. Ndaj për fëmijët shoqëria njerëzore është përherë më e ndjeshme, sikurse dhe institucionet e saj, veçanërisht ato të arsimit, kulturës, shkencës apo dhe fushave të tjera që kanë prioritet të vazhdueshëm ndaj fëmijëve dhe edukimit, pajisjes së tyre me njohur të gjëra dhe të sakta sociale, shkencore, kulturore, artistike, humane dhe të traditës, drejtime këto që e shoqërojnë njeriun gjatë gjithë rrugëtimit të jetës.

Jo thjesht për të shuar kureshtjen, por si një obligim për fëmijët, për të ardhmen e afërt dhe të largët  të tyre, në këtë artikull do të veçnim idenë se, trinomi shkollë – familje – komunitet mbetet gjithnjë faktor primar dhe që kërkon vlerësim të vazhdueshëm për edukimin dhe mirërritjen e fëmijëve. Në realitetin e sotëm, kur shkolla po integrohet gjithnjë e më tej drejt standardeve bashkëkohore evropiane, kur tekstet e programet po  pasurohen dhe alternohen me përzgjedhje dhe cilësia e tyre vjen e rritet, pjesëmarrja e prindërve dhe ndihmesa e tyre në të mësuar po merr rëndësi të veçantë dhe po shfaq tipare e rrugë të reja  në menaxhimin sa më racional të kohës, për t’u dhënë ndihmë sa më të kualifikuar dhe efektive fëmijëve tanë.  Që të realizohet plotësisht dhe pa ekuivoke ky objektiv madhor, doemos që duhen investuar energji pune konkrete edhe nga prindërit,  familja që është baza e shoqërisë dhe që përgatit fëmijën  për t`u futur në rrugën e shkollimit, që ta përgatit atë si një lastar të  freskët, të drejtë dhe pa cene e  dëmtime fizike e biologjike. Kjo është një garanci e madhe që fëmija të integrohet sa më mirë dhe sa më natyrshëm në mjedisin shkollor dhe të ecë përpara drejt rritjes dhe zhvillimit të tij  të vazhdueshëm si qytetar i shoqërisë moderne.

Që të edukosh dhe të moralizosh, duhet të jesh vetë një shembull jete, pune dhe edukimi. Dhe, si i tillë, je në gjendje të ndihmosh fëmijën më shumë sesa me fjalën tënde, me veprën tënde, me të qenit qytetar dhe njeri, me karakter të fortë dhe të palëkundur për të përkrahur të renë dhe  përparimtaren, kërkesat e kohës dhe të zhvillimit. Kjo nuk do të thotë që të gjithë prindërit duhet doemos të jenë në kulmin e shkollimit, që të jen në krye të shkencave dhe zhvillimeve, sepse këto janë raste që nuk i gjen me bollëk, por në radhë të parë kërkohet që të jesh njeri dhe qytetar i denjë, që të transmetosh në jetë dhe në punë vlera njerëzore. Kjo varet nga gjithkush, nuk ka të bëj as me përgatitjen shkencore dhe sociale, por me qëndrimin njerëzor ndaj jetës, punës, njeriut. Kjo ka shumë rëndësi në edukimin e  njeriut dhe veçanërisht në edukimin e fëmijëve me vlera morale dhe humane, por edhe me përpjekje për të celur përpara fëmijëve horizonte tëreja, të zgjojnë kureshtjen e tyre si dhe dëshira dhe vendosmëri për të ecur në jetë dhe për të dhënë  secili ndihmesën  e  tij në këtë shoqëri  ku ne jetojmë sot.

Koha kërkon që  anëtarët e familjes të  jenë model në shfrytëzimin sa më racional të kohës për t`u marrë me edukimin dhe  mirërritjen e fëmijëve. Kjo do të ndikonte në mënyrë të drejtpërdrejtë në përgatitjen psikologjike dhe formimin me aftësitë dhe shprehitë më të nevojshme dhe më elementare për t`u integruar sa më lehtë dhe sa më natyrshëm në shoqërinë e sotme demokratike. Në këtë kuadër, fëmijët  t`i edukojmë të zbatojnë me rigorozitet një regjim ditor, që, është në përputhje me orientimet dhe këshillat e specialistëve, psikologëve dhe sociologëve, edukatorëve që kanë përvojën e punës frytdhënëse  e  që garanton të ardhmen e sigurt të fëmijëve.  Merr kjo përparësi kjo tani në kohën e pandemisë  së COVID-19 kur, jo vetëm vendi ynë, por e gjithë bota është mbërthyer në një krizë të gjithanshme social-kulturore dhe ekonomike dhe përpiqet të gjejë rrugët më efektive dhe më jetësore që fëmijët, si edhe të rriturit, ta përballojnë suksesshëm këtë të keqe që i kanoset jetës së njerëzve.  Natyrisht që në këtë periudhë janë krijuar edhe përvoja, madje edhe efektive në edukimin e fëmijëve, por, gjithësesi, ata janë dhe duhet të mbeten kurdoherë të veçantë dhe të trajtohen me përparësi nga familja, shoqëria, shteti dhe institucionet e tij të specializuara.

Dihet se fëmijët nuk janë të njëjtë  për të gjithë, sepse secili ka përgatitje e aftësi të ndryshme për të kapur me shpejt ose më ngadalë fjala vjen nivelin përvetësues të dijeve që merren në shkolla. Nëse nxënësve me prirje të veçanta dhe të talentuar, u mbetet më shumë kohë e lirë që të mund ta shfrytëzojnë për zgjerimin e horizontit, për të mësuar gjuhët e huaja për zbavitje, pushim etj., nuk ndodh kjo me ata që janë disi më të ngadaltë dhe që u mungon pasioni dhe dëshira, apo që edukimi i tyre i lihet spontanitetit, në radhë të parë nga ata prindër që, ose nuk i kanë kushtet e duhura ekonomike dhe sociale dhe arsimore, apo ata që neglizhojnë me edukimin e fëmijëve, duke u kënaqur vetëm me faktin se i kanë shpurë fëmijët e tyre në shkollat më të mira, se u japin para çdo ditë për të plotësuar kërkesat e tyre  etj. Një prind i tillë harron se, më shumë sesa biznesi i madh që drejton, më shumë sesa ato para që ai depoziton dhe shtonë përditë në bankë, investimi i tij më i madh është dhe mbetet në radhë të parë edukimi, mirërritja dhe shkollimi i fëmijës së tij, që ai të ndjek rrugën e drejtë të dijes për t`u bërë dikush në jetë dhe jo të mburret apo të jetojë me thërrimet apo emrin e babait të tij. Sigurisht që  është e domosdoshme të hiqet dorë nga privimi i fëmijëve nga aktivitetet  çlodhëse, që fatkeqësisht  praktikohet nga disa prindër. Pushimet e çlodhjes duhet t’u kushtojnë po aq rëndësi sa edhe mësimit sepse ato shërbejnë për freskimin e sistemit mësimor, gjë që ndikon për mirë  në përvetësimin e dijeve.

Psikologët e sotëm rekomandojnë që fëmijët  t`i mësojnë e realizojnë herë pas here administrimin e kohës, ato kërkojnë që brenda ditës nxënësit  të dijë se çdo të bëjë dhe çka bërë. Por fëmijët nuk e kanë të lehtë që të bëjnë këtë punë në rrugë krejtësisht të pavarur, ata kanë nevojë për ndihmën e prindit, që të ndërgjegjësohen se sa kohë kanë harxhuar për gjëra të parëndësishme në dëm të  problemeve mësimore.

Psikologu Alan në librin e tij që titullohet ” Si të arrini të kontrolloni kohën dhe jetën tuaj”, këtij problem i vë shumë rëndësi. Me pak fjalë ai thotë se njerëzit më të suksesshëm e dinë mirë se çdo të bëjnë ditë për ditë. Kur veprohet kështu , nxënësit do të mësohen ta shfrytëzojnë kohën me projekte produktive. Kjo ka rëndësi shumë të madhe jo vetëm për kohën e shkollës por edhe si përgatitje për jetën. Ka raste që fëmijëve ua marrin kohën edhe prindërit. Jo rrallë ndodh që ata t`i ngarkojnë  kohë pa kohë me punë të dorës së dytë, ose në dimër kur nuk i krijojnë kushte për studim  dhe ata detyrohet ” të përgatiten” për të nesërmen duke qëndruar pranë televizorit  apo komjuterit në mes bisedave të anëtarëve të tjerë të familjes. Vetëm ata që merren me studimin e këtij problem, mund ta dinë se si nxënësve u humbet koha që kanë në dispozicion për t’u përgatitur për mësime. Nxënësit nuk janë gjithnjë fajtor për të mësuarit me hope. Në këto kushte s`ka se si ndodh ndryshe. Në radhë të parë janë mësuesit pastaj vijnë prindërit që nuk përpiqen ta harmonizojnë punën, që përfundimisht ta shërojnë këtë plagë që po shfaqet dukshëm në sistemin e punës së nxënësve. Duke qëndruar  indiferent, të dy palët nuk mund të nxjerrin kurrë rezultate nga puna që po bën mësuesi. Prandaj lufta kundër të mësuarit me hope të nxënësve në shtëpi mbetet problem përfundimtar në rritjen e cilësisë së procesit mësimor. Edhe bota e jashtme akademike, këtij problem i kushtojnë një vëmendje të veçantë, aftësinë dhe dhuntinë natyrale të nxënësve të sotëm nuk duhet ta lëmë të na firojnë gjatë periudhës shkollore është edhe një nga objektivat  e reformës së sotme arsimore. Ndodh shpesh që të dëgjosh nga goja e mësuesve e prindërve akuza të forta si më zemërim thonë: “Janë të zgjuar , por nuk mësojnë “.Kjo akuzë prindërore ndaj mësuesve lëshohet nga ata që bëjnë pak ose aspak punë për t’i ndihmuar që të ndryshojnë qëndrimin e tyre ndaj mësimit. Kjo kategori mësuesish e prindërish harrojnë se shoqëria e sotme shqiptare  i  ka thirrur pikërisht ata që t`i edukojnë edhe këta nxënës me shpirtin e disiplinës shkencore në mësim. Psiko – pedagogët kanë  provuar se po  të orientohen mirë  edhe mjaft nga këta fëmijë bëjnë përpjekje për të kapërcyer vështirësitë. Mësuesit në bashkëpunim me prindërit duhet të punojnë për t`i kalitur vullnetin nxënësve , që të mund të përballojnë edhe vetë kryerjen e detyrave mësimore jetësore në rrugë të pavarur.

Kjo kërkesë vlerësohet si shumë e rëndësishme dhe  bën pjesë në kulturën e re të të nxënit. E parë në këtë këndvështrim me keqardhje vërejmë aty këtu në shkolla, ku mjaftohen edhe me akuza (këta janë nxënës që nuk mësojnë). Dhe s’bëjnë asgjë konkrete për t’i ndihmuar . Është fatkeqësi e madhe kur fëmijët bien në duar të disa prindërve dhe mësuesve të tillë. Prindërit e mësuesit nuk duhet të tërhiqen nga vështirësitë që paraqet puna më këtë kontigjent nxënësish, sepse po të punohet mirë vjen një ditë kur ata shpërthejnë. Mjafton të kujtojmë  edhe Ajnshtajnin që  deri në moshën 9 – vjeçare nuk fliste normalisht. Në shpirtin e çdo mësuesi duhet të ç rrënjoset mendimi antipedagogjik që dëgjohet ” Shyqyr që ikën, shpëtuam prej tyre!”. Kjo mënyrë e të gjykuarit ndeshet në disa shkolla të mesme sidomos tek mësuesit që punojnë me klasat e para dhe të dyta. Duhet të pranojmë se mbartësit e këtyre koncepteve nuk mund të quhen me edukatorë të vërtetë. Jeta shkollore dhe ajo prindërore ka provuar se po të veprohet me kritere shkencore dhe me përkushtim, kjo masë nxënësish mund të përmirësohet dhe të integrohet  në veprimtaritë mësimore dhe edukative. Kontrolli i shfrytëzimit racional të kohës ka mjaft vlera konkrete, se parandalon shpërdorimin e saj  që është shfaqja më e rëndë e keq administrimit të mundësive reale që ka secili për të ecur përpara. Për këtë problem në kohën e tij ka folur dikur edhe Gjergj Fishta” Si ka me u rritë, siç e lyp arsyeja e detyra po qe se prindërit nuk janë të qytetënuar e përparuar. Prandaj për në daçim që shteti shqiptar të përparojë në udhë të qytetenisë  së vërtetë, përpara çdo pune tjetër duhet pasë parasysh edukata e familjes shqiptare tue ba që prindët si dhe fëmija e tyne të jenë të qytetnuem”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok