24/12/2024

DUKE KUJTUAR ÁT ZEF PLLUMIN NË DITËN E LINDJES SË TIJ

0
Hamiti-Pllumi

Nga Sabri Hamiti

Me Át Zef Pllumit u njohëm në Tiranë e Shkodër atëherë kur rinisi botimin e “Hyllit të Dritës”, e duke folur për Gjergj Fishtën edhe u bëmë miq. Miqësia me të është po aq e shtrenjtë sa miqësia me Lasgush Poradecin, Eqrem Çabejn, Anton Pashkun e Ibrahim Rugovën. Kjo është pesëshja e madhe e njerëzve të kulturës shqiptare, të cilët nuk janë më ndër të gjallët.

Në tërthoret e Atdheut tonë, e përtej tij, shkrimtarët njëzetvjeçarë shkëlqejnë si meteorë, tridhjetëvjeçarët ulin kokën, katërdhjetëvjeçarët i pushton idhnía; te më të moçmit trazohen të gjitha këto. Zef Pllumi është shembull tjetër. Veprën e parë e botoi kur kishte më shumë vite se sa Gjergj Fishta, i adhuruari i tij, kur vdiq. Zef Pllumi për rreth një decenie i shkroi të gjithë veprat e veta. Në këtë vështrim ky i ngjan më tepër Pjetër Bogdanit, që kryeveprën e tij Cuneus Prophetarum e mbaroi për një decenie në fund të jetës, apo Naim Frashërit, që të gjitha veprat në shqip i shkroi për një dhjetëvjetësh, para se t’i vinte fundi.

Zef Pllumi krijoi veprën monumentale “Rrno vetëm për me tregue”, një kryevepër të logorologjisë shqiptare, në trajtën e “shkrimit të jetës”, në një prozë me stil gegnisht, më e mbrama e madhe. Aty në një sistem të ndërliqshëm strukturohet “rrëfimi” me “dëftimin”, dëshmia për egërsinë që përplaset me indin e jetës, duke ruajtur moralin katolik të krishterë të misionarit të rebeluar për lirinë e njeriut. Pra, misionari dëshmitar kurorëzohet shkrimtar. Edhe me vepra të tjera: për Françeskanët e mëdhaj, për Fratin e pashallarëve, për Njerëzit fisnikë, për Sagën e fëmijnisë, ashtu dhe me shkrimet prohistorike që shndërrojnë legjendën në fakt dhe anasjelltas, Zef Pllumi është themelues i prozës dokumentare letrare në letërsinë shqipe.

Vepra e Zef Pllumit sot është kaq e pranishme kudo ku lexohen shkronjat shqipe. Në Kosovë, njëri nga autorët më të lexuar. I vlerësuar nga lexuesi e dijetarët, ajo tashmë është vlerë letrare e kulturore që mësohet në gjimnaze e ne universitet. Për vërtetësinë e për bukurinë e saj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok