24/04/2024

DUKA GJONI II KASTRIOTI

0

(PJESA I)

Nga Lutfi ALIA, Siena – Itali

Gjergj Kastrioti në moshën 46 vjeç, u martua me Andronika Arianitin 23 vjeçare, vajza e madhe e Gjergj Arianitit. Skënderbeu dërgoi mbles Gjin Muzakën, kunatin e Gjerjgj Arianitit. Dasma filloi në Kaninë dhe zgjati tre ditë (21 – 23 prill 1451). Skënderbeu shkoi i shoqëruar me 500 krushq [Barleci, Gjon Muzaka, Biemmi, Noli, Gega]. Ҫifti Gjergji dhe Andronika e morën bekimin ungjillor në kishën e Kaninës, në Qishë-Bardhë. Pas Kaninës, aktivitetet vazhduan në kishën Fjetja e Shen Maries në Manastirin e Ardenicës, ku më 26 prill 1451, ipeshkëvi Feliks e celebroi martesën me ritin ortodoks. Kurorzimin e martesës në kishën Fjetja e Shen Maries në Ardenicë e konfirmon Lorenzoni, i cili tregon: “Në një nga kodikët në bibliotekën e Manastirit të Ardenicës, lexova aktin e kurorëzimit të Skenderbeut.” [Giovanni Lorenzoni, Il volto e l’anima  dell’Albania, Secondo il  diario di un viaggiatore 1929 – 1939. Istituto Geograf. Milit. Firenze, 1940].

Pas ceremonive në Kaninë dhe në Ardenicë, çifti arrijti në Krujë, ku u prit me entusiazëm nga populli. Fan Noli thekson se ipeshkëvi Pal Engjelli e kurorëzoi martesën e Gjergjit me Andronika më 26 prill 1451 me ritin katolik në Katedralen e Krujës. [F.S. Noli. Storia di Scanderbeg. Lecce 1993, p.100].

Ditlindja dhe pagëzimi i Gjonit II Kastrioti.

Gjergji dhe Andronika patën vetëm një djalë Gjonin II. Për datën e lindjes të Gjonit II janë disa versione. Disa autorë bazuar në letrën e Senatit Venecian të 20 gushtit 1463, në përgjigjie të kërkesës të Gjergj Kastriotit për të pranuar Gjonin II tetë vjeçar anëtar i Këshillit të Madh të Serenissima dhe nga diploma e firmosur nga Dozha Kristofor Moro më 25 shtator 1463, i cili e cilëson se Gjoni ishte rreth 8 vjeçar, kanë sugjeruar se ishte lindur në vititn 1455. [Giuseppe Valentini. Acta Albaniae Veneta, Seculorum XIV – XV, Tomus XVII. Annos 1463]. [Ljubić (ed.), Monumenta vol. X pp. 275s]. [Gennaro Maria Monti. Il Privilegio di nobiltà veneziana a Giovanni Castriota Scanderbeg. Palaver 4 n.s. 2015. p. 181 – 182].

Një grup tjetër historianësh bazuar te M. Barleci, mendojnë se Gjoni II ishte lindur në vitin 1456, vit që përkon me tradhëtinë e Hamzait, i cili me lindjen e Gjonit, e humbte të drejtën e trashëgimit të Principatës të Kastriotëve. [Marin Barleti. Historia de vita et gestis Scanderbegi Epirotarum principis. Roma 1522] [F.S. Noli Storia di Scanderbeg], [A. Gegaj, L’Albanie p.114], [Vallone G. Aspetti p. 43 nt. 26. 195] [P. Petta, Despoti d’Epiro e principi di Macedonia, Lecce, Argo, 2000, pp. 30, 49].

Shumica e historianëve theksojnë se Gjon Kastrioti ishte lindur në prill të vitit 1454. Historiani Xhiankarlo Vallone, në studimin “Andronica e Giovanni Scanderbeg in Italia” [Studia Albanica, Nr. 1, 2018, f. 49 – 60], tregon se Mbreti Alfonso V, në qershor të vitit 1454, kishte ngarkuar Raymondo D’Ortosa të shkonte në Krujë për pagëzimin e Gjonit II Kastrioti (procuram factam Raymondo D’Ortosa ad baptizandum filium Scandaribech). Këtë informacion G. Vallone e ka marrë nga N. Barone, Le cedole di Tesoreria dell’Archivio di Stato di Napoli dell’anno 1460 al 1504, nt.7, pp. 607-608. Viti 1454 i pagëzimit të Gjonit është prezantuar dhe nga Capasso në Magno Sigillo, fol. 91, i cili thotë se kumbari i Gjonit II Kastrioti nuk ishte mbreti Afonso V si mund të mendohej, por i biri Ferrante I. [Capasso, Le fonti p. 215, nt.3].

Duke analizuar këto variante të vitit të lindjes të Gjonit II Kastrioti, është bindës fakti se ishte lindur në prill të vitit 1454, përderisa ceremonia e pagëzimit u zhvillua në qershorë 1454, periudhë kur Raymondo D’Ortosa ndodhej në Krujë. Pagëzimi duhet të jetë zhvilluar më 24 qershor 1454, ditë që përkon me festën e Shen Gjon Pagëzorit. Raymondo D’Ortosa ishte person i besuar i mbretit Alfonso V, i cili pas traktatit të Gaeta e kishte ngarkuar me funksione diplomatike, shtetërore dhe ushtarake në Albania. [L. Volpicella, Regis Ferdinandi primi Instructionum liber, Napoli, Società Nap. di Storia Patria, 1916].

Në traktatin e Gaeta më 26 mars 1451, firmosur nga noteri i mbretit Arnaldo Fonolleda dhe nga ambasadorët e Skenderbeut, Stefani ipeshkëvi ortodoks i Krujës dhe domenikani Nikolla Berguçi ipeshkëvi katolik i dioqe-zës së Krujës, Albania ishte vasale e mbretërisë së Napolit. Në zbatim të këtij traktati mbreti Alfonso V emëroi ushtarakun katalan Raymondo D’Ortosa, i deleguar i mbretit në zotërimet e Kastriotëve. [F. S. Noli Scanderbeg p. 100], [A. Cutolo, Scanderbeg p. 116.] Me dekretin e 31 majit 1451, mbreti Alfonso V, dërgoi komisar special në Albania Bernart Vaquer komandant i 100 ushtarëve në mbrojtje të kështjellës të Krujës. [Jann Tibbets, 50

Great Military Leaders of all time. Vij Books India Private limited, 2016, pp 571] [Athanas Gegaj. L’Albanie

et l’invasion turque au XV-e siecle. Bureaux du Recueill, Bibliotèque de l’Universitè, 1937, pp. 88]

Nga prilli deri në shtator 1452, Raymondo D’Ortosa ishte guvernatori i Krujës dhe nga shtatori deri në fund të vitit 1452 i emëruar zevendës mbreti i Albania, pra me rol parësor në marrëdhëniet e oborrit mbretëror me Albania. Gjatë vitit 1453 Raymondo D’Ortosa ishte kthyer në Napoli, por u rikthye në Krujë, ku qëndroi deri ne fund të muajit qershor 1454, si kuptohet deri pas pagëzimit të Gjonit II. [C. Marinesco, Alphonse V, roi d’ Aragon et de Naples, et l’ Albanie de Scanderbeg in Mélanges de l’ École roumaine en France I, Paris, Gamber, 1923, pp. 1-135.]

Gjoni II Kastrioti, anëtar i Këshillit të Lartë të Bujarëve Venedikas.

Jeta bashkëshortore e Gjergjit me Andronikën dhe me djalin Gjoni II, kaloi mes shumë peripecishë dhe vështirësishë të krijuara nga luftat e vazhdueshme kundër dyndjeve të ushtrisë osmane, që e detyruan Donikën së bashku me djalin të jetonin në malet e Arbërisë, larg rreziqeve, të mirëpritur, të nderuar dhe të mbrojtur nga familjet malësore. Gjoni II kaloi një fëmijëri të vështirë. Në ato rrethana të ndërlikuara edhe pse ende fëmijë, Gjoni II nderohej nga oborri Aragonez i Napolit, që kishte organizuar dhe ceremoninë e pagëzimit, ashtu si nderohej nga Vatikani dhe Venediku. Familja Kastrioti kishte raporte të vjetra miqësie me Venedikun. Princi Gjon Kastrioti, ishte aleati i Venecias dhe kishte nënshkruar marrëveshje miqësie dhe bashkëpunimi me Serenissimën. Në vitin 1413, Senati i Republikës së Venecias i dha princit Gjoni II Kastrioti titullin e trashëgueshëm “Qytetar Nderi i Veneto”, titull që e gëzonin dhe djemtë e tij. Sudiuesja Dorit Raines thekson se në vitin 1416, familja Kastrioti ishte në listën e patricëve të Venecias. Më 28 maj 1438, Senati i Venedikut i rinjeh Princit Gjon Kastrioti dhe djemëve të drejtat dhe privilegjet e patricit venecian. Për kontributet e shquara në rezistencën dhe luftimet kundër dyndjeve osmane, në vitin 1445 Senati i Serenissima, e shpalli Gjergj Kastriotin “Qytetar Nderi i Veneto”. Në librin e Artë të patricëve të Serenissima të vitit 1463Le famiglie ammesse al Maggior Consiglio a titolo onorifico”, rezulton e regjistruar familja Castriotto – Kastrioti. [Dorit Raines. Storia di Venezia Cooptazione, aggregazione e presenza al Maggior Consiglio: le case del patriziato veneziano, 1297 – 1797. In Storia di Venezia, I, 2003, pp. 3 -8]

Më 20 gusht 1463, Gjergj Kastrioti i u drejtua me një letërkërkesë Senatit të Venedikut, për t’i njohjur djalit Gjoni II Kastrioti, të drejtat e fisnikërisë Veneciane. Në shtator 1463, Gjoni II Kastrioti i shoqëruar nga ipeshkëvi imzot Pal Engjëlli shkuan në Venecia, ku u prezantuan para Senatit të Serenissima.

Më 25 shtator 1463, Senati e shpalli tetë vjeçarin Gjoni II Kastrioti, anëtar të Këshillit të Lartë të Bujarëve Venedikas, me diplomën e dhënë nga Dozha Kristoforo Moro. Sanudo tregon:A dì 25 settembrio 1463 fo preso parte in Gran Conseio che il magnifico e potente Juan Scandarbeg, fiol del signor Zorzi signore in l’Albania et sui eredi siano fatti del Mazor Conseio” – Ditën e 25 shtatorit 1463, mori pjesë në Këshillin e Madh i madhërishmi dhe i fuqishmi Gjon Kastrioti, i biri i të madhërishmit dhe i të fuqishmit Gjergj Kastriotit, Zoti i Albanisë, dhe si trashëgimtar i tij u bë anëtar i Këshillit të Madh dhe komandant i kontigjentit prej 1000 ushtarësh, nën komandën e Skendebeut (fiat et sit nobilis de nostro Maiori Consilio, e creandolo capitaneus del contingente richiesto di mille militi, sotto il comando di Scanderbeg).[Marin Sanudo il Giovane. Vitae dei Dogi 1423 – 1473. Venezia 1999, Tom. 1. pp.183].

Diploma origjinale e Dozhës Kristofor Moro, që shpalli Gjonin II Kastrioti anëtar i Këshillit të Madh të Serenissima është ruajtur nga Markezi i Auletta (D. Antonio Kastrioti Skenderbeg), një ndër pasardhësit e dinastisë Kastrioti në Napoli. Kjo diplomë është publikuar nga Cutolo, më pas nga Ljubić dhe nga Monti [Monti G. M, La spedizione pp. 319-320. Per il Ljubić, cfr. Petta Despoti p. 49 nt. 7; qui, sempre dal Ljubić, il 28.IV.1466 la sua nomina a «capitano delle truppe veneziane». L’arma della casada di Scanderbeg, per l’ammissione al Maggior Consiglio, è ora riprodotta in Nadin Venezia e Albania pp. 6, 8.]

Cristophorus Mauro

Dei Gratia Dux Venetiarum etc.

Universis et singulis tam amicis quam fidelibus et tam presentibus quam futuris presens privilegium inspecturis salutem et sincere dilectionis affectum. Ducalis excellentia nostra (assuetis) operibus (solita celeberrime) conversari tanto amplius personas magnificas et dignitatis honore conspicuas prevenire studet honoribus et dotalibus ampliare favoribus quanto Ducatui nostro amicabiliores operibus se ostendunt. Unde cum magnificus et potens Dominus Zuanus Castrioti filius magnifici et potentis Domini Georgij Castrioti nobilis civis veneti de nostro maiori Consilio Capitaneus expeditionis in partibus Albanie contra Turcos semper fuerit et sit dilectissimus et perfectissimus amicus nostris dominij sicut per laudabiles et notabiles affectus ostendit. Notum fieri volumus (unicuique qui omne) juris consiliorum et ordinamentorum nostrorum necessaria solemnitate servata prefatum magnificum Dominimi Zuanum Castrioti cum eius filijs et heredibus legitime ab eo descendentibus ad numerum et de numero nobilium nostri maioris Consilij recepimus atque recipimus et de nostro maiori Consilio fecimus et facimus atque pro nobile et de numero nobilium nostri maioris Consilij in Venetijs et extra ubilibet esse volumus et tractari. Ipsum sincere benivolentie brachijs amplexantes et firmiter statuentes quod eisdem libertatibus beneficijs honoribus et immunitatibus quibus alij cives nobiles nostri de nostro Maiori Consilio gaudent et perfrui dignoscuntur prefatus magnificus Dominus Zuanus et sui filij et heredes predicti in Venetiis et extra ubique locorum plenissime gaudeant perpetuo et utantur. In quorum omnium fidem et evidentiam pleniorem presens privilegium fieri jussimus et bulla nostra aurea pendente muniri. Datum in nostro ducali palatio anno doniinice Incarnationis millesimo quadringentesimo sexagesimo tertio mensis septembris die vigesimo quinto indictione XII.

Die 25, mensis septembris 1463.

Në këtë diplomë theksohet se Gjoni II Kastrioti gëzonte të drejtat dhe privilegjet si patric venecian.

Më 13 dhjetor 1463, ambasadori i Albanisë në Venecia Pal Gazulli, firmosi marrëveshjen me Këshillin e të Mençurve të Senatit Venecian, sipas të cilës, në rast se Albania pushtohej nga turqit e në se Gjergji, Andronika Gjoni II dhe pjestarët e tjerë të familjes detyroheshin të braktisnin atdheun, Serenissima i vinte në dispozicion tre anije që do të ishin në gadishmëri në portin e Durrësit dhe iu garantonte pension vjetor prej 500 dukate, mbrojtjen dhe jetesën e lirë në trojet e Venedikut, me të drejtë të zgjidhnin banimin në një nga ishujt, ose në një vend tjetër që dëshironin. [Giuseppe Bettinelli: Dizionario storico – portatile di tutte le venette patrizie famiglie. Venezia, 1780, f. 48] [P. Petta, Despoti d’Epiro e principi di Macedonia, Lecce, Argo 2000] [J. Pisko, Skanderbeg. Historische Studie, Wien, W. Frick, 1894].

Situatat e vështira që kalonte Albania në ato vite, me sulmet e pandërprera të hordhive osmane, përbënin rrezik për familjen Kastrioti. Në këto rrethana Gjergj Kastrioti gjatë vitit 1467 i dërgoi Andronikën dhe Gjonin II në Itali, të jetonin në feudet e tyre në Monte Sant Angelo dhe San Giovanni Rotondo, të cilat më 14 prill 1464 mbreti Ferrante I, ia dhuroi Gjergj Kastriotit në mirënjohje për ndihmën në mbrotjen e shtetit të Napolit në vitet 1460 – 1462 nga armiqtë e mbretërisë. Në vendimin e dhurimit të këtyre feudeve, Mbreti Ferrante I i më 29 prill 1464 i drejtohet “shumë i shkëlqyeri Gjergj Kastrioti, Zot i Albanisë dhe i trojeve të Sant Angelo dhe San Giovanni Rotondo, këshilltari, besniku dhe shumë i dashuri si baba”. Më 12 prill 1464, mbreti Ferrante I i akordoi Gjergj Kastriotit pensionin vjetor me 1200 dukate. [Gennaro Maria Monte, La spedizione in Puglia di Giorgio Castriota Scanderbeg e i feudi pugliesi suoi della vedova e del figlio. Palaver 4, ns, 2015 pp. 148 -151].

Në vazhdim po prezantoj një fragment të dekretit të mbretit Ferrante I, për dhurimin Gjergj Kastriotit të feudeve Sant Angelo dhe San Giovanni Rotondo: “Illustris Dominus Georgius Castrioti dictus Scanderbech Albanie Dominus ac factus novus dominus terrarum Montis Sancti Angeli et Sancti Joannis Rotundi personaliter prestitit in manibus domini Regis in forma sollemnj et consueta ligium homagium et fidelitatis debite servande sacramentum jn castello Novo civitatis Neapolis die XIIII aprilis MCCCCLXIIII. presentibus magnifico Joanne Cayni jllustrissimi domini Ducis Mediolanj Oratore. Roberto de Ursinis Comite Tagliacocij Albeque. Broccardo de Persico Comite Sablonete et alijs compluribus in numero oportuno. [Arch. Stato Napoli, Quinternioni, vol. 4, cc. fol. 196 a-200] [Gennaro Maria Monte, La spedizione in Puglia di Giorgio Castriota Scanderbeg e i feudi pugliesi suoi della vedova e del figlio. Palaver 4, ns, 2015 pp. 148 -151]. [Trinchera, Cod. Aragonese, I, p.33.] [F. Nardella, Memorie storiche di San Giovanni Rotondo… (1894), Brescia, Tip. Artigianelli, 1961.]

Gjatë vitit 1467, Andronika me Gjonin banuan në Monte Sant Angelo. Aty Gjoni 13 vjeçar ndoqi shkollën në kishën e Shen Mikele, ku studioi dhe përvetësoi italishten dhe latinishten. Në feudet e Kastriotëve, shumica e banorëve ishin arbër, familjet e 2500 ushtarëve të cilët në vitet 1461 – 1462 luftuan në mbrojtje të mbretërisë së Napolit dhe në përfundim të luftës nuk u kthyen në atdhe, por u stabilzuan në Monte Sant Angelo dhe San Giovanni Rotondo, pra dhe Gjoni jetoi në këtë mjedis arbëror. Gjoni gëzonte nderime nga familja mbretërore Aragoneze e Napolit, nga Vatikani, nga duka i Milanos dhe i Urbinos dhe nga Venediku.

Në një dokument të 26 tetorit 1467, rezulton se Senati Venecian i dërgoi Gjonit II një dhuratë të veçantë (missus a parte ad presentiam nostram), një mantel me qendisje ari, çka dëshmon se dhe në moshë adoleshente, Gjoni gëzonte nderimet dhe privilegjet e Republikës të San Marko. [Schmitt O. J. Actes inédits pp. 291. Parrebbe noto ai Monumenta di S. Ljubić, cfr. Petta Despoti pp. 28, 49 nt. 8.]

Në janar 1468, Gjergj Kastrioti shkoi në Lezhë, që ishte në zotërim të Venedikut dhe aty u prek nga malarja. Kur gjendja shëndetësore u përkeqësua nga ethet, i kërkoi proveditorit të Lezhës të merrnin Andronikën dhe Gjonin e t’i sillnin në Lezhë. Princi Gjergj Kastrioti, Zoti i Albanisë vdiq me 17 janar 1468. Vdekja e Gjergjit e tronditi Andronikën me Gjonin, të afërmit, tërë Arbërinë dhe miqtë e shumtë, si mbretin Ferrante I i Napolit, Vatikanin, Venedikun, dukën e Milano etj.

Vazhdon në numërin e ardhshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok