26/12/2024

Dubrovnik: Te kluastri dhe varri i Tivarasit, një nga skulptorët dhe  arkitektet e Manastirit të Deçanit!

0
Mycha Tivarasi

Nga Jahja Drançolli

Kush ishte Mycha Tivarasi?!

Ai ndoshta ka lindur dhe është shkolluar në Tivar, pasi në çdo dokument të zyrës së Raguzës, ku përmendet ky skulptor dhe arkitekt, përmendet edhe vendlindja e tij: Antibar, Antiuar, Antibaro, prej nga vjen patronimi i tij, Tivarasi. Gjatë periudhës njëzetvjeçare që jetoi dhe punoi në Raguzë (1327–48), u shqua për punën dhe talentin e tij në këtë qytet. Veprat kryesore të Tivarasit janë mungada (klaustri) e Kuvendit Françeskan në Raguzë, si dhe disa skulptura dhe ndërtime në kishën e Manastirit të Deçanit. Përveç tyre, ai së bashku me disa mjeshtër të tjerë krijoi disa vepra më të vogla të realizuara në pallate dhe vila të famshme të Raguzës.

Ashtu si Frat Vita, kryearkitekti i kishës së Manastirit të Deçanit, Tivarasi, gjatë ndërtimit të kishës së Manastirit të Deçanit (1327-1335), kreu vepra të rëndësishme në artin e skulpturës dhe arkitekturës.

Sipas studiuesit gjerman të historisë së artit R. E. Von Edelberger (1884), “Mungada (Klaustri) e Miho Tivarasit është monumenti më interesant i ruajtur në Dubrovnik”. Ndërkaq, ngjashmëritë e stilit të tij në Raguzë dhe në Deçan, u vunë re nga disa studiues të paanshëm të historisë së artit. Pak vite më vonë (1887), e ndeshim Miho Tivarasin në studimin kushtuar zhvillimit të arteve në bregun lindor të Adriatikut, të britanikut T. G. Jackson (1835-1924), i cili flet për origjinën e tij arbërore: “Mjeshtër Mycha, një arbër i Antivarit (Tivarit)”.

Mungada e Kuvendit Françeskan të Raguzës dhe pjesëve të arkitekturës dhe skulpturës së Manastirit të Deçanit, për nga stili janë përpjekje për avancimin praktik të artit romanik në gotik. Për modelin e mungadës të Kuvendit Françeskan në Raguzë dhe kishës së Manastirit të Deçanit, Mycha Tivarasi mori elemente romane nga Italia dhe Franca, por gjithnjë duke ofruar freski me elemente të reja gotike, stil që në atë kohë kishte filluar të përhapej në viset lindore të Adriatikut dhe prej këtu në kishën e Manastirit të Deçanit.

Burimi: Mungada ose klaustri i Kuvendit Françeskan (Male Braće), në Dubrovnik dhe mbishkrimi gotik mbi varrin e Tivarasit (Foto, Mr. sc. Ruzhdi Panxha, medievalist)!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok