14/10/2024

POROSIA E MADHE E FISHTËS PËR IDEALIZMIN SHQIPTAR

0

(Fletëzia fishtiane), 2

Nga Prend BUZHALA

-Fjalimi i Át Gjergj Fishtës në varrimin e Avni Rrustemit-

Fishta, duke pasur formim sa klasik aq edhe modern, këtë klasicitet e modernitet ai e shfaq edhe në shkrimet e tij publicistike, edhe në krijimtarinë e tij diskurzive. Dallohen Fjalimet e tij në Konferencën e Paqes në Paris (1919), fjalimet në Parlamentin shqiptar e, ndër to, edhe Fjalimi në varrimin e Avni Rrustemit në Vlorë (i vrarë nga një atentat, vdes më 22 prill, varrimi mbahet më 30 prill 1924).

1.

Nëse estetika mbështetet kryesisht në zgjidhje e problemeve Të kategorisë së të bukurës, nëse etika trajton etosin (veprimtarinë e lirshme të njeriut), moralin), atëherë njeriu ka nevojë që ta shqyrtojë edhe një fushë-veprimtari të veten, siç është e vërteta. Kësisoj, edhe te Fjalimet e Fishtës përgjithësisht, po edhe te ai për Avni Rrustemin në varrimin e tij, ne lexojmë edhe bukurinë

e shprehjes, edhe etosin kombëtar shqiptar, edhe të vërtetën që ai me aq pasion e kërkonte dhe të tri këto shëmbëlltyra të ndërgjegjësimit e të botës shpirtërore të njeriut, i thadron te shëmbëlltyra e Avniut.

Bukuria e Fjalës!

madhështia e etosit dhe

Lartësimi i të Vërtetës

janë tri majat e vlerave që Fishta i madh i trajton te ky Fjalim, i shqiptuar në një çast zie e krenarie shqiptare. Ai dëshironte të prekte jo vetëm ndjesitë më të përkryera shqipatre, po edhe ndërgjegjen e tij për përparim, atdhedashuri, lumni shqiptare. Te Bukuria e Fjalës ai shquan nmveshjen e saj me forcën e intelektit me sintetizime historike, duke nxjerrë në pah zinë shqiptare, krenarinë e saj dhe qëndresën e saj, idealet e saj demokratike dhe përparimtare:

“E zeza mori Shqipni, se shum ké pa e randë ké psue rrymes s’asaj vistre të gjatë kavaljetesh, neper të cilët pershkue âsht fati yt i mjeruem! Fort të bukur të fali Perendija, por – ofshe un i mjeri! – se teper pa mshirë e turp shemtuem të ká nieri. Zbathë, zdeshë e lakuriquem, pa buk e shujtë e e shame prej gjithkuej, sa me t’ardhë mârre me u quejt me emen tand, dikur aq të lumnueshem, nuk e di a kalue ká ndo’i faqe nieri, që ti la mos të jeshë anë gjak të ndo’i hasmit të mënîshem se në gjak të bivet tu, mizorisht çá e vrá ndermjet vedit. Neper ty, po, shunglluen ajri ato pyllnaje heshtash të gjakbâsvet Gal, kah idht të shporojshin parzmet e bijve tu: Neper ty, po, u ndenë gardh ato shpata e shkallme të skryefortë, të cilat i pa dhimë pritshin krênat e bijve të tue; mbi ty, randoi pesha e pushtetsis rromake që ty të ndrydhi fron e liri, e neper ty u pershkue, mbasandej edhè ajo dhuna e permnershme e Azis, që të dërmoi të gjallët e jetës e as frymë nuk të la mâ me marrun, e ti u bane gazi eplla e dheut pa u gjetë kush kurr, që me të pajtue varrët, që me të ankue hallin tand të kobshëm…” (…)

“Hajde, Avni, pra, tash me u da pergjithmonë. E sa per punë të Shqipnis mos ban merak: Un, që ti e din se nuk gënjej, po ta jap fjalën ktu mbi grykë të vorrit tand se ideali yt kombtar do të triumfojë e Shqipnija ka me perparue e lirë e lulzueme; pse në nji anë deka ka me herrë, ka me korrë, ka me shkmesë ket frrotë idiotash, egoistash, fanatikësh e farizejsh, neper kthetrat e të cilvet sod fati i atdheut âsht tue u pershku; në tjetrën anë Perendija i amshueshëm ka me shndritë mendjen e ka me dikue aq fort fuqî në zemër të moshës së re, që kjo, me punë, me ndigjesë ndaj ligjët e me nji atdhedashtnî të vertetë, ta mbajë Shqipnîn, ta bâjë me perparue e me lulëzue krahas me kombe të tjera të qytetnueme. Ka me pasë Shqipm! Do të bahet Shqipnija!”

2.

Trimëria, guximi, heroizmi, përbëjnë një etos të veçantë kombëtar, virtyt e dije, mendësi të veçantë të edukimit etnik, si një nga mënyrat më të sigurta për të realizuar e për të bartur mesazhe tek ndërgjegjja kolektive; të cilin etos krijimtaria popullore e ka memorizuar në kujtesën e kombit, nëpërmes këngëve e formave tjera të krijimtarisë. Nuk ishte thënë më kot që, në Antikën greke logos-i dhe ethos-i, dija dhe virtyti, ishin e njëjta gjë; ishin dy faqet e së njëjtës medalje. Ndërkaq, te madhështia e etist shqiptar, ai shquan idealizmin proverbial shqiptar,a tdhetarizmin, atdhedashurinë:

“Nder sa per bijt tuej – fat zeza moj Shqipni – po ishte faj me të dashtun ty, që aq të bukur të fali Perendija.

Jo, po, Zoja të ndritshme e Zotni vllazen shqiptarë, dashtnija ndaj Atdheut ktu në Shqipni po ishte nji faj, nji mkat, nji krim, nji delikt, nji xhinajet – e xhinajet i randë fort, edhè kjo kufomë e shkretë, e mjerueme që ktu po e kemi para sysh, na dishmon né si ndeshkohet faj i i Atdhedashnis. Atdhedashnija, po, kjè njajo, që ia hangri kryet ktij djalit të mjer të martirizuem – i pat dalë, të ngratit, zani, se ky po e donte Shqipnm, edhè i donte me gjith mend e me gjith zemër e me gjith fuqî të shpirtit të vet se per Shqipni jo gjaja, pse ksaj kurr s’i ka pasë lakmue, por s’i dhimbej jeta, të cilës s’i lakmonte per tjeter, veç per me i sherbye Shqipnis e me i u ba flî Atdheut. E pse kjo Atdhedashnî, e gjallë e të tanë zjarm, si furra zharitëse e nji diellit të djegagurit, kaq fort zu me i ndritë në báll, në ftyrë, e me i u kallë nder sy, sa per rreth tij, si hyj ma të vogjel per qark të nji diellit të shkelqyeshem, nisi me u mbledhë tok mosha shqiptare – shpresa e bardhë e Atdheut, e vuni besë – nji besë shqiptare se do të jetote, do të punote, do të diste per jetë e lulzim t’Atdheut. I vu ndokush shêj ksaj pune edhë nji të djelë mbas dite, ditën per diell, s’dij se për çfarë vorrit të mallkuem të Tiranës, po del nji kukuth, lugat i tmerrshem, i cili me armë të s’di se kuj, e vret e e len shakull mbi dhè.”

3.

Aty, në atë varrim ishte atdheu.

Ishte e vërteta.

Ishte shpirti i ri demokratik shqiptar.

Nëse pushka e tij në Paris uli përtokë synimet e planet grabitqare të fuqive të mëdha dhe t shteteve fqinje, rënia e tij tash po ngriste në këmbë një komb. Dhe Fishta mbështetej edhe te një Kult Oratorik i fuqishëm, te e vërteta që po shpalosej aty:

“Oh! Po, të mos ta kishte dashtë ky djalë Shqipnin, sod nuk do të kishin shkrehë burrat e dheut prej shkambit të Pejes e dër në kulm të Kepit të Stiloz, per me derdhë lot mbi varrë të tij të pashërueshme; por kuk te carani i votrës së vet do të kishin kja varret – edhè kto të pashërueshme – të kombit shqiptar, që me të mdhej hapa po avitet kah prendimi i vet” (…)

“Avniu s’mbaron jo! Njajo flakë atdhedashtnije, e cila, si zjarmi kullon arin, mbrrîjti me e shlye njollen e fajnîs n’ate vepër që m’herë të parë, në sy të gjyqtarit frangdo t’u dukte delikt i randë, ajo po, ká per ta ruejtë emnin e tij të padekshëm nder sa breznî, që rend mbas rendi do të vinë me gzue Shqipnin e lirë, e ky panagjyrë i madhnueshëm dishmon kjartas se un jam tue folë të vertetën. E njimend: o po kúr, pra, ditës së dekës të Gjergj Skanderbegut u pa nji verçallë ma i madhnueshëm, nji funeral ma i lulzueshem se ky i Avni Rustemit, -e të cilin pa nderlikim besimit, fisit a bajrakut, muer pjesë Shqipma mbarë?”

4.

Me Fishtën e Nolin gojëtaria shqiptare po hynte fuqishëm në zhanrin e oratorisë epideiktike. Arti i këtij Fjalimi, sa është lakrimonogjen. vajtimtar, aq edhe krenar, sa është shungullues, aq edhe ngushëllues, sa është i shqiptuar me intelekt, aq edhe i thjeshtë, komunkizues.Mbi të gjitha, ai është Art i të Vërtetës, i Bindjes: të flasësh bukur, bindshëm e hijshëm ta përcjellësh Porosinë e Madhe të Kohës.

========================

FJALA E PATËR GJERGJ FISHTËS

NË DEKË T’AVNI RUSTEMIT

E zeza mori Shqipni, se shum ké pa e randë ké psue rrymes s’asaj vistre të gjatë kavaljetesh, neper të cilët pershkue âsht fati yt i mjeruem! Fort të bukur të fali Perendija, por – ofshe un i mjeri! – se teper pa mshirë e turp shemtuem të ká nieri. Zbathë, zdeshë e lakuriquem, pa buk e shujtë e e shame prej gjithkuej, sa me t’ardhë mârre me u quejt me emen tand, dikur aq të lumnueshem, nuk e di a kalue ká ndo’i faqe nieri, që ti la mos të jeshë anë gjak të ndo’i hasmit të mënîshem se në gjak të bivet tu, mizorisht çá e vrá ndermjet vedit. Neper ty, po, shunglluen ajri ato pyllnaje heshtash të gjakbâsvet Gal, kah idht të shporojshin parzmet e bijve tu: Neper ty, po, u ndenë gardh ato shpata e shkallme të skryefortë, të cilat i pa dhimë pritshin krênat e bijve të tue; mbi ty, randoi pesha e pushtetsis rromake që ty të ndrydhi fron e liri, e neper ty u pershkue, mbasandej edhè ajo dhuna e permnershme e Azis, që të dërmoi të gjallët e jetës e as frymë nuk të la mâ me marrun, e ti u bane gazi eplla e dheut pa u gjetë kush kurr, që me të pajtue varrët, që me të ankue hallin tand të kobshëm.

E vertetë që tjera ndoshta kombe e fise e vende, e tjera mote e mndorje të» historis s’tyne, kan muejtë kshtu me psue si psue ké ti, e mjera moj Shqipni; po fis as komb, as vend nuk ká kund n’Europë, që, si ty, zemra gjak t’i két pikue! Mos tjetër të bijt e atyne kombeve, fiseve, vendeve, edhè m’atëherë kur i ndrydhte nji kambë e hueja, kan mûejtë me dashtë Atdhenë e vet, kan mûejtë me urue per té. Nder sa per bijt tuej – fat zeza moj Shqipni – po ishte faj me të dashtun ty, që aq të bukur të fali Perendija.

Jo, po, Zoja të ndritshme e Zotni vllazen shqiptarë, dashtnija ndaj Atdheut ktu në Shqipni po ishte nji faj, nji mkat, nji krim, nji delikt, nji xhinajet – e xhinajet i randë fort, edhè kjo kufomë e shkretë, e mjerueme që ktu po e kemi para sysh, na dishmon né si ndeshkohet faj i i Atdhedashnis. Atdhedashnija, po, kjè njajo, që ia hangri kryet ktij djalit të mjer të martirizuem – i pat dalë, të ngratit, zani, se ky po e donte Shqipnm, edhè i donte me gjith mend e me gjith zemër e me gjith fuqî të shpirtit të vet se per Shqipni jo gjaja, pse ksaj kurr s’i ka pasë lakmue, por s’i dhimbej jeta, të cilës s’i lakmonte per tjeter, veç per me i sherbye Shqipnis e me i u ba flî Atdheut.

E pse kjo Atdhedashnî, e gjallë e të tanë zjarm, si furra zharitëse e nji diellit të djegagurit, kaq fort zu me i ndritë në báll, në ftyrë, e me i u kallë nder sy, sa per rreth tij, si hyj ma të vogjel per qark të nji diellit të shkelqyeshem, nisi me u mbledhë tok mosha shqiptare – shpresa e bardhë e Atdheut, e vuni besë – nji besë shqiptare se do të jetote, do të punote, do të diste per jetë e lulzim t’Atdheut. I vu ndokush shêj ksaj pune edhë nji të djelë mbas dite, ditën per diell, s’dij se për çfarë vorrit të mallkuem të Tiranës, po del nji kukuth, lugat i tmerrshem, i cili me armë të s’di se kuj, e vret e e len shakull mbi dhè.

Edhè kshtu sod, që lulet janë tue shpërthye mbi dhé, ky në ma të miren lule të djemnîs së vet, lule po hin me u kalbë nen dhé. Pse? Pse pat dashtë Shqipninë! Kërcuna mori nana e vet, që ktij petriti të Lubohovës, dhanë i paska nji zemër bujare, fisnike; pse po zemra satrapit të tiranit ajo t’ia kishte dhanun, sod s’do ta kishte martue me tokë të zezë, por me ndo’i , zojë vashe shqiptare… I ziu more pedagogu i tij, që mbrenda ledhève të shkollës dikue i paska të gjith ate njomsi ndjesie ndaj virtytit, burrnis, beses, njerzis, pse po ta kishte msue aty se me kalem e letër mund të shkelen popujt e mund të pihet gjaku i tyne, sod vorfnue s’do ta kishte Libohovën nji qytetas i ndershëm, Vlonën me nji birë në shpirt, Kosoven me nji mik, mbarë djemninë shqiptare me kampionin e vet aq të dashtun e të drashtun!

Flaka, po, i perpiftë njato kangë e letra, të cilat, tue fry neper flî t’ ambël të kësaj gjuhe hyjnore tonen, e ndezkan zhari zemren e tij ndaj Atdheut, edhè kshtu para kohe e çuekan në vorr. Oh! Po, të mos ta kishte dashtë ky djalë Shqipnin, sod nuk do të kishin shkrehë burrat e dheut prej shkambit të Pejes e dër në kulm të Kepit të Stiloz, per me derdhë lot mbi varrë të tij të pashërueshme; por kuk te carani i votrës së vet do të kishin kja varret – edhè kto të pashërueshme – të kombit shqiptar, që me të mdhej hapa po avitet kah prendimi i vet.

Jo po; ky djalë po të kishte vu dorë e vjedhë nder pasuni të Shtetit, po të kishte rrëmbye tokët e hueja, po të kishte shnjerzue gjinden e huej e per qëllime të poshtërme politike të kishte djegë ndo’i malsî e rrenue ndo’i fshat, na sod ktu s’do ta kishim m’e pa, lamë me gjak, shtri mbi rrasë të vorrit, por gjetë do ta kishim me e pa tue u tallë fron më fron, sandalle më sandalle, kolltuk më kolltuk neper oda të shtrueme, e vesh më vesh me simahorë të ndo’i klikës së mshehtë, të ndytë, tue perpilue vistret e emnavet të njatyne atdhetarvet që do t’ u bajshin flî ambicjonit të poshterm të tyne. Por Avni Rustemi kjè burrë, kjè trim, kjè besnik, kjè zemër bujar e Shqipnin e desht me gjith fuqin e shpirtit të vet, prandej’ u la në gjak, prandej diq, shkoj, mbaroj.

Mbaroj thashë?…Më paska pasë rrshitë goja pahiri;pse Avni Rustemi s ka mbarue. Edhè aj jeton nder né edhè ka per të jetue dèri sa në ndo’i skaj sado të vogel të Shqipnis ku të ndihet tue kumbue e ambla gjuha jonë shqiptare. Burri i mirë s’des kurr. Fjal drejta hyjneshë e historis, kjo,në nji fletë të historis shqiptare emnin e tij ka per ta shkrue me shkrola arit, hkrola të pa shlyeshme. Ka me dalë ndo’i poet i kombit, i cili ate emën ka per ta këndue mbi lirë të vet të hyjnueshme; e ate emen atëherë mësuesit nder shkolla kan per të ia u permendë nxansavet të censhëm: kapun në valle djemtë e vashat shqiptare neper brohori kan per ta kndue at emën; kan per ta kndue barijt e blegtorët neper hije e mrrize të paqta të fushavet e të malevet tona, e mali e fusha e bregu e zalli kan me jehue nga ky emën e kshtû emni i Avni Rustemit, si ideali i tij, ka me mbetë i padekshëm në Shqipni. Âsht rrêjt, pra, tradhtari qe thau të rijtë e tij, per në pastë mendue, me nji plumb pushke të pagueme Avrnu do të mbarote.

Avniu s’mbaron jo! Njajo flakë atdhedashtnije, e cila, si zjarmi kullon arin, mbrrîjti me e shlye njollen e fajnîs n’ate vepër që m’herë të parë, në sy të gjyqtarit frangdo t’u dukte delikt i randë, ajo po, ká per ta ruejtë emnin e tij të padekshëm nder sa breznî, që rend mbas rendi do të vinë me gzue Shqipnin e lirë, e ky panagjyrë i madhnueshëm dishmon kjartas se un jam tue folë të vertetën. E njimend: o po kúr, pra, ditës së dekës të Gjergj Skanderbegut u pa nji verçallë ma i madhnueshëm, nji funeral ma i lulzueshem se ky i Avni Rustemit, -e të cilin pa nderlikim besimit, fisit a bajrakut, muer pjesë Shqipma mbarë?

Ktú ké shkëlqesa të Këshillit të Naltë edhè dhespoten fort ndershem; ké – aballarë, hoxhallarë, priften, freten e misa Kuvendit Kushtetues; bajraktarë e beglerë, qytetas e fshatarë, pasanikë e të vorfen, pleq e të rij, burra e gra, djelm e varza që kan ra e ardhë ktu në Vlonë per të kjasue loden e vet mbi’ vorr të tij. Kta, po, rrëfejnë se emni i Avni Rustemit e ideali i tij do të rrojnë të padekshëm në Shqipni të lirë.

Stolis, pra, me rreze të nji emni të padekshëm e pajis me perdhimtime t’ambla të mbarë kombit shqiptar, mos u tut, Avni, tue u djerrë në vetmi të vorrit të errshëm, e kshtu me u dá prej nesh pergjithmonë. E vështirë, ndoshta, të vjen puna, që me u shkepë prej gjivet të prindvet tuej, por, qe, Shqipnija ka hapë gjitë e vet e të lypë per vedi. Nuk ké çka ban, do të hish në gjî të saj; pse ti, sod e mbrapa, nuk jé i kurrkujt tjetër veç se i Shqipnîs. Edhè Shqipnija në gjî të vet ka me i strukë kocat tuej, që mos t’i lendojë furia e thellimit a ndo’i fuqî tjetër kundërshtare, e ti në ate gjî ké me pushue si dikur, foshnje, pushove në gjîtë nanës sate zemër rrënueme: Jo, po, edhè Shqipnija âsht nana, e si nanë ka me ta mbajtë kujdesin, që mos ta trazojë kush gjumin e dekës në gjî të saj.

O ju male të Shqipnis, lamtumirë po ju thotë Avni Rustemi, e nji amanet âsht tueju lan: që edhè sod e mbrapa t’ i rritni djelmë sokola, si dikur motit, me besë e me burrnî.

O ju fusha të Shqipnis, lamtumirë po ju thotë Avni Rustemi e nji amanet âsht tue ju lan: që mos të jeni dorështrêjt ndaj kombit shqiptar, por t’i jepni bukë e shujtë e mos ta qitni ma Shqipnin me shkop e me strajcë me lypë buk dyerve të kombevet të hueja. Ju falet nderës dhe per lulet e bukura që keni dergue per ditën e vorrimit të tij.

O ju njerzë të Shtetit Shqiptar e misa të Kuvendit Kushtetues, lamtumirë po u thotë Avni Rustemi e nji amanet âsht tue ju lan: që po kjé se âsht kush nder ju, që me nder dikasteret e nalt të shtetit ose në log të Kuvendit Kushtetues s’ka para sysh veç se punën e tagjîs, ta mbushë strajcën pikë e per maje me gjak të shtetit edhè të shmanget në punë të vet, e mos të rrijë ma me luejt harushë mbî shpinë të nji popullit të ngratë, që as frymë nuk po mund të marrë prej lotvet të gjakut.

O e bardhë shpresë e kombit – djelmëni shqiptare, lamtumirë po të thotë Avni Rustemi e amanet âsht tue të lanë:

Armët e mbushme mos me i dhanë

Shoq me shoq kurr mos me u xanë

Mos me u xanë as mos me u ngaë

Kurr ujët turbull mos me i raë

Fjalët per pajë kurr mos me i ndalë

Zemrës sëfrytë me i lanun dalë.

O zemërplasun prindet e tij, Avniu juej, qe, po ndahet pergjithmonë prej jush, edhè po ju lypë hallallin, per çka me fjalë a punë ka muejtë me ju pezmatue zemrën. Edhè ky ka kjenë çilimi, ka kjenë i ri, e prandej ka mûejtë me gabue. E ty babë i mjerë, amanet âsht tue ta lan, që kur të bajë motra me kja – qyqja motër per kaq vlla! – ta pajtojsh me fjalë t’ambla e të buta e mos ta lash, qyqen e natës, me i plasë zêmra prej dhimbjes per Avniun e vet.

Lirë e bekue po ju thotë të gjithve ju, që keni ba faqen e bardhë e ardhc m’e percjellë deri në ket vend pushimit të tij të mbramë. E ju, Zoja :e ndritshme po ju truhet per çka keni ma per zemër, që t’ia shmangni mamen prej vorrit e mos të shofë gazep me sy.

Hajde, Avni, pra, tash me u da pergjithmonë. E sa per punë të Shqipnis mos ban merak: Un, që ti e din se nuk gënjej, po ta jap fjalën ktu mbi grykë të vorrit tand se ideali yt kombtar do të triumfojë e Shqipnija ka me perparue e lirë e lulzueme; pse në nji anë deka ka me herrë, ka me korrë, ka me shkmesë ket frrotë idiotash, egoistash, fanatikësh e farizejsh, neper kthetrat e të cilvet sod fati i atdheut âsht tue u pershku; në tjetrën anë Perendija i amshueshëm ka me shndritë mendjen e ka me dikue aq fort fuqî në zemër të moshës së re, që kjo, me punë, me ndigjesë ndaj ligjët e me nji atdhedashtnî të vertetë, ta mbajë Shqipnîn, ta bâjë me perparue e me lulëzue krahas me kombe të tjera të qytetnueme. Ka me pasë Shqipni! Do të bahet Shqipnija!

(Rev. “Afrimi”, vjeti II, maj 1924.Vlorë)

Shkrimi u mor nga Át Gjergj Fishta: “PROZA” vëllimi i dytë 1923-1940, Botime Françeskane, Shkodër, 2006, f.135-139.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok