DUART E DASHURISË DHE RRËMUJA SHPIRTËRORE E TYRE
Nga Timo Mërkuri
Poezia “Ëndërr për duart e tua” e Ilirian Zhupës shfaqet që në leximin e parë si një himn i ndjerë dhe i ëmbël dashurie, i mbështjellë me një muzikalitet të butë dhe një nostalgji të thellë. Ritmi i qetë dhe përsëritja e vargjeve krijojnë një melodi të brendshme, e cila ngjall mallëngjim dhe përcjell një dhembshuri të ndjerë. Shfaqja e duarve të së dashurës , realizuar me tonalitet delikat dhe të përzemërt, mbush poezinë me një ndjesi të brishtë melankolie, duke i dhuruar lexuesit një përjetim emocional që mbetet gjatë në kujtesë. Kjo melodi poetike risjell kujtime e përjetime shpirtërore që kapërcejnë kohën. Lexojeni këtë poezi si një këngë të ngrohtë himariote dhe do të ndjeni thellësinë e saj; një tingull që nuk mund të harrohet lehtë.
I-Në poezinë e tij, Ilirian Zhupa shfaqet si poet novator, sjell gjithmonë diçka të re, qoftë në formë apo përmbajtje, duke mbetur thellësisht i rrënjosur në poetikën moderniste. Në poezinë “Ëndërr për duart e tua”, i jep një rëndësi të jashtëzakonshme duarve të së dashurës, duke i shndruar ato në simbolin qendror të ndjenjës së dashurisë dhe kujtesës së saj. Përmes kësaj qasjeje, Zhupa sjell një risi në poezinë e temës së dashurisë, ku tradicionalisht elemente si sytë, zemra apo buzët zenë vendin kryesor.
Në këtë poezi, duart nuk janë thjesht një pjesë e trupit; ato shndërrohen në mediume që lidhin të kaluarën me të tashmen, duke mbartur një prani të fuqishme shpirtërore edhe pas largimit të së dashurës. Vargjet si “Duart e tua paskan mbetur te unë, si hiri i zjarreve në shpella” dhe “Hyjnë nën lëkurë dhe bëjnë rrëmujë atje brenda” i kthejnë duart në simbole të një dashurie që lë gjurmë të pashlyeshme në qenien e subjektit lirik. Këto vargje, me fuqinë e tyre imazhore, përçojnë një ndjenjë të thellë dhe të përjetshme mallëngjimi.
Përsëritja e vargjeve krijon një efekt refreni, si një këngë, duke i dhënë poezisë tonalitet melodik dhe ritëm të butë, por ngulmues. Ky refren shërben jo vetëm për të theksuar rëndësinë e duarve në përjetimin e dashurisë, por ngre një ndjenjë vazhdimë-sie dhe përjetësie, duke përforcuar idenë se dashuria dhe kujtesa nuk janë të lidhura me një moment të vetëm, por mbeten aktive dhe të gjalla në botën e brendshme të poetit.
Përqendrimi te duart ka dimension estetik dhe ekzistencial. Ato simbolizojnë prekjen, ndjeshmërinë dhe lidhjen e drejtpërdrejtë shpirtërore, po ashtu njëkohësisht përcjellin brishtësinë dhe fuqinë e dashurisë. Në këtë poezi, duart shndërrohen në ndërmjetëse mes shpirtërores dhe fizikes, mes intimes dhe universales, duke mbartur dashurinë si një formë përjetësie të rrënjosur në kujtesë.
Kjo qasje e Ilirian Zhupës dëshmon një ndjeshmëri të thellë poetike dhe aftësi të rrallë për të shndërruar detajet e përditshme në simbole universale. Struktura muzikore e krijuar përmes refrenit dhe shfaqia e vazhdueshëm e duarve i japin poezisë ngarkesë emocionale të veçantë, duke e kthyer atë në një perlë të poezisë shqiptare moderne të dashurisë.
II- Kjo poezi e Ilirian Zhupës mbart një kompleksitet të thellë modernist, duke u dalluar për disa veçori që e vendosin atë në qëndrën e poezisë moderne dhe novatore. Përtej përqendrimit te duart si simbol qendror, poezia mishëron elemente thelbësore të estetikës moderniste:
1.Poezia moderniste shpesh largohet nga shprehja e drejtpërdrejtë e emocioneve, duke u përqendruar te një detaj i thjeshtë për të përcjellur një spektrum të gjerë ndjesish dhe filozofish. Në këtë poezi, duart shndërrohen në bartëse të dashurisë, humbjes e trazimit ekzistencial. Zhupa i jep detajit të duarve një simbolikë të thellë, duke e ngritur atë nga konkretja në universalen dhe duke i dhënë veprës një përmasë filozofike unike.
2.Poezia nuk ndjek një narracion linear apo kronologji tradicionale. Përkundrazi, ajo ndërton një strukturë fragmentare, ku imazhet dhe ndjesitë ndërthuren për të krijuar një rrjedhë të lirë emocionale. Ky fragmentarizëm, tipar thelbësor i modernizmit, përçon jo vetëm subjektivitetin e poetit, por edhe natyrën kaotike dhe të copëtuar të përvojës njerëzore.
3.Duart, në këtë poezi, nuk mbeten në nivelin e një simboli fizik. Ato shndërrohen në metafora të kujtesës, prekjes dhe ndikimit të pashmangshëm të dashurisë së humbur. Imazhet poetike si “si hiri i zjarreve në shpella” dhe “si rrënjët e pemëve të shkulura në dhera” krijojnë një lidhje të fuqishme mes ndjenjave njerëzore dhe elementeve të naty-rës, duke reflektuar një nga veçoritë më të rëndësishme të modernizmit: unitetin mes shpirtërores dhe natyrores, mes intimes dhe universales.
4.Nëpërmjet përvojës personale të humbjes e mallëngjimit, poezia ngre pyetje thelbëso-re ekzistenciale. Duart nuk janë vetëm kujtim i një dashurie të humbur, por janë prani e gjallë që vepron në thellësitë shpirtërore të subjektit lirik. Vargu “bëjnë rrëmujë atje brenda” shfaq trazimin e brendshëm, duke reflektuar krizën ekzistenciale të moderni-zmit:përballjen me humbjen, kalueshmërinë e kohës dhe pashmangshmërinë e ndryshi-mit.
5.Përsëritja e vargut “Nuk përqafohemi më” krijon një efekt ciklik dhe një ndjenjë të ngrirë, të ngurtësuar të kohës. Në këtë poezi, koha nuk rrjedh në mënyrë lineare, por rikthehet në formën e një përjetimi të pandryshueshëm emocional, një tipar i njohur i poezisë moderniste, ku ndjesitë mbeten të ngurtësuara në një cikël të përhershëm kujtese dhe mallëngjimi.
6.Natyra, në poezinë e Zhupës, nuk shërben thjesht si sfond dekorativ, por si një zgjatim i botës shpirtërore të poetit. Shirat, era, rrënjët këto elemente natyrore nuk janë vetëm përshkrime vizuale, por bartin ngarkesë emocionale dhe filozofike, duke ndërtuar një dialog të vazhdueshëm mes gjendjes shpirtërore të subjektit dhe universit të jashtëm.
Pra, veçantia e kësaj poezie qëndron në aftësinë e poetit Zhupa për të sintetizuar emocionet personale dhe ato universale përmes simbolikës së pasur, një strukture të hapur dhe një përjetimi filozofik të dashurisë dhe kujtesës. Kjo poezi shndërrohet në një hapësirë reflektimi ekzistencial dhe estetik, duke afirmuar një karakter të thellë modernist dhe novator në letërsinë shqipe.
III-Poezia “Ëndërr për duart e tua” e Ilirian Zhupës ndërthur në mënyrë të hollë dy rryma madhore të modernizmit: ekspresionizmin dhe ekzistencializmin. Kjo sintezë, që në pamje të parë mund të duket kontradiktore, është në të vërtetë një harmoni perspe-ktivash të ndryshme që bashkëveprojnë për të ndërtuar një univers poetik unik.Më konkretisht po e zberthejme si më poshtë:
- Ekspresionizmi: Rrëfimi i gjendjeve të brendshme në këtë poezi merr formë përmes figurave të ngarkuara emocionalisht, të cilat depërtojnë me forcë në ndjesitë e lexuesit. Poezia shfaq dramatizim të ndjenjave, ku peizazhet e brendshme të shpirtit reflektohen në imazhe poetike të fuqishme dhe simbolike:
a.Simbolika e mjegullë te vargjet: “Po duart e tua, e dashura ime / M’u ulën mbi flokë si mjegulla” ku mjegulla simbolizon turbullimin e mendjes dhe shpirtit, një gjendje e errët dhe e pakuptueshme. Prekja e duarve, krahasuar me zbritjen e mjegullës, përfaqëson kujtimet dhe mallin e paqartë që mbështjell qenien, duke krijuar një ndjenjë delikate dhe të pashmangshme. Ky imazh është tipik për ekspresionizmin, sepse konkretizon trazimet e brendshme përmes një metafore të fortë dhe dramatike.
b.Simboli i hirit të zjarreve: “Duart e tua paskan mbetur te unë /Si hiri i zjarreve në shpella” këtu shndërrohet në një kujtim të heshtur, një gjurmë të dashurisë së shuar, por ende e pranishme në shpirtin dhe mendimet e heroit lirik. Figura ndërthur dy elemente: zjarrin që ka ekzistuar dikur dhe hiri si dëshmi e një përjetimi të pashlyeshëm. Dramaticiteti i këtij imazhi bart një dhimbje të mbetur pezull, duke i dhënë poezisë një forcë ekspresioniste të jashtëzakonshme.
c.Metaforat për fytyrën si peizazh: “Rrjedhin brigjeve e lugjeve të fytyrës sime / Si shirat e vjeshtës përzënë nga era”,ku fytyra e poetit shndrohet në një terren të ndjenjave të stuhishme. Lotët shfaqen “si shirat e përzënë nga era”, simbolizues të trazimit të brendshëm dhe trishtimit të madh përjetues. Peizazhi shpirtëror shfaqet i lëvizshëm dhe dramatik, duke pasqyruar thellësinë emocionale të ekspresionizmit.
- Ekzistencializmi: Dialogu me kohën, kujtesën dhe humbjenshihet në këtë poezi që eksploron marrëdhënien e njeriut me kohën e kujtesën, duke ngritur pyetje të thella mbi kuptimin e ekzistencës në përballje me humbjen.
a.Simboli i rrënjëve të shkulura te vargjet: “Duart e tua paskan mbetur te unë / Si rrënjët e pemëve të shkulura në dhera” shfaqet si një imazh që prek thelbësisht filozofinë ekzistenciale: ndërprerjen dhe shkëputjen e një përvoje që, pavarësisht mungesës fizike, mbetet e rrënjosur në thellësitë e shpirtit. Ky simbol përcjell ndjenjën e një humbjeje që nuk mund të harroet plotësisht, por bëhet pjesë përbërëse e qenies.
b.Metafora e ujërave te vargjet: “Po duart e tua, e dashura ime, / Humbasin si ujërat / Hyjnë nën lëkurë dhe bëjnë rrëmujë atje brenda…” realisht shfaq përjetimin intim të dashurisë dhe ndikimin e saj të përhershëm. Kujtimet rrjedhin nën lëkurë, duke trazuar shpirtin në një mënyrë të ngjashme me rrjedhën e kohës, të pandalshme dhe të pakuptueshme. Kjo metaforë përfaqëson ndërgjegjësimin ekzistencial për pasojat e ndjenjave në qenien njerëzore.
c.Vargu kulmor:“Një jetë të tërë / Pres të dalin prej meje duart e tua/ Të më qetësojnë mua” përmbledh filozofinë e poezisë: përpjekjen e përjetshme për të gjetur qetësi dhe kuptim përmes kujtimeve. Dashuria kthehet në një metaforë ekzistenciale të përballjes me humbjen dhe të kaluarën, duke e lënë heroin lirik në gjendje pritjeje dhe nostalgjie të pafund.
- Figurat artistike në këtë poezi u ngjajnë prizmave gjeometrikë shumëfaqësh që përthyejnë e reflektojnëdritën e diellit në shumëngjyrshmëri. Le ti shohim “prizmat” e figurave artistike tek përthyejnë dritën e ndjenjave dhe reflektimeve filozofike. Simbolet dhe metaforat nuk ekzistojnë të izoluara, por bashkëjetojnë në dialog të vazhdueshëm midis ekspresionizmit dhe ekzistencializmit:
a.Simboli i mjegullës shfaqet si një gjendje shpirtërore e turbullt (ekspresionizëm), por njëkohësisht sugjeron edhe humbjen e orientimit dhe kuptimit në ekzistencën njerëzore (ekzistencializëm).
b.Hiri i zjarreve përfaqëson një dashuri të shuar (ekspresionizëm), por edhe një kujtim të përhershëm që mbijeton përtej kohës (ekzistencializëm).
c.Metafora e ujërave dhe rrënjëve ndërthur brishtësinë emocionale me filozofinë e pashmangshme të humbjes dhe kujtesës që mbetet e ngulitur në shpirt.
Pra, poezia “Ëndërr për duart e tua” e Ilirian Zhupës nuk kufizohet brenda kornizave të një rryme të vetme, por ndërthur mjeshtërisht ekspresionizmin dhe ekzistencializmin. Përmes figurave të pasura dhe imazheve poetike, poeti krijon një vepër emocionale dhe filozofike, ku ndjenja dhe reflektimi bashkëveprojnë në një dialog të pandërprerë. Kjo poezi, në thelb, është një rrëfim i shpirtit që përpiqet të përballojë peshën e kujtesës dhe të gjejë kuptim nëpër mjegullën e ndjenjave të përjetuara. Prandaj, përmes një estetike të lartë dhe një ndërtimi të kujdesshëm poetik, Zhupa na ofron një univers modernist të denjë për vëmendjen dhe admirimin e lexuesit bashkëkohor.
IV- Poezia “Ëndërr për duart e tua” e Ilirian Zhupës është një vepër që mbart në thelb ndjenjën e përbashkët njerëzore të dashurisë. Nëpërmjet një gjuhe poetike të ngjeshur dhe figurash të shumëfishta simbolike, poeti ngre një përvojë personale në dimension universal, duke i dhënë jetë ndjenjave që jetojnë në përjetësinë e shpirtit njerëzor. Ajo që bie në sy që në leximin e parë është aftësia e poezisë për të përqafuar ndjenjat më të përhershme të njeriut: dashurinë, humbjen, kujtesën dhe përpjekjen për të rigjetur veten përmes hijes së një kujtimi.
1.Dashuria, si një ndër temat më të përjetshme të njerëzimit, mbizotëron në këtë poezi jo në trajtën e saj të lumturisë dhe plotësisë, por në mungesën që lë pas, në kujtesën që rëndon si një zjarr i fikur. Vargjet “Duart e tua paskan mbetur te unë / Si hiri i zjarreve në shpella” përçojnë idenë e qartë se gjurmët e dashurisë së humbur nuk treten kurrë plotësisht, por bëhen një pjesë e pandashme e qenies. Poezia, në këtë rast, kap esencën e një përvoje që i përket çdo kohe dhe çdo kulture: dashuria mbetet gjithmonë si kujtim i pashlyeshëm, një shenjë që i mbijeton përkohshmërisë së njeriut.
2.Universaliteti i kësaj poezie qëndron në përdorimin e kujtesës si një mekanizëm që ndërton dhe ruan ekzistencën njerëzore. Në vargjet “Një jetë të tërë, / Pres të dalin prej meje duart e tua, / Të më qetësojnë mua”, poeti rrëfen një pritje të përjetshme, një përpjekje për të gjetur paqen në kujtesë. Kjo përvojë nuk i përket vetëm autorit, por çdo lexuesi që ndalet në përballjen me mungesën, ikjen e të dashurës. Kujtesa shndërrohet në një dimension ekzistencial, ku njeriu kërkon ngushëllim dhe përmbushje përmes diçkaje që nuk mund të rikthehet më. Përmes kësaj, Zhupa ndërton një urë të fuqishme mes përvojës personale dhe përvojës universale.
3.Në këtë poezi, natyra e dyfishtë e ndjenjave njerëzore është e pranishme në çdo varg: butësia dhe dhimbja, prania dhe mungesa, qetësia dhe trazimi. “Si shirat e vjeshtës përzënë nga era”, vargu që ngërthen brenda vetes një imazh lëvizjeje të pandalshme, një humbje të pashmangshme, pasqyron një të vërtetë të përbashkët njerëzore: ndjenjat më të thella shpesh lindin nga përvoja e dhimbshme dhe nga vetë ndërgjegjësimi për përkohshmërinë e jetës, madje mund të kujtojmë se simboli i dashurisë është një zemër e çpuar nga një shigjetë. Poezia nuk është thjesht një përvojë e izoluar e autorit, por një rrugëtim i përbashkët për çdo lexues që ndjen dhe reflekton mbi fatin e tij të përkohshëm.
4.E rëndësishme në këtë poezi është edhe dimensioni filozofik që ajo mbart. Kujtimet për duart që kanë lënë gjurmë “si rrënjët e pemëve të shkulura në dhera” i japin lexuesit ndjesinë e humbjes së rrënjëve, të një lidhjeje që është ndërprerë përfundimisht. Kjo ide, e cila shtrihet përtej kohës dhe vendit, e vë njeriun në qendër të një udhëtimi ekzistencial ku mbetet të përballet me boshllëkun e krijuar nga mungesa. Në këtë pikë, poezia fiton një thellësi universale, sepse çdo njeri në një moment të jetës përballet me këtë zbrazëti: qoftë si mungesë e dashurisë, qoftë si përballje me vetminë e ekzistencës.
5.Ky universalitet nuk është thjesht një karakteristikë stilistike, por thelbi i vetë artit të Zhupës. Poezia e tij nuk ndalet në të veçantën, në përvojën individuale të një personi apo një vendi të caktuar, por arrin të kapë atë çka është e përhershme në shpirtin njerëzor. Ndërthurja e imazheve poetike me simbole të fuqishme si “hiri i zjarrit”, “shirat e vjeshtës” apo “rrënjët e shkulura” i jep lexuesit një ndjenjë universale njohjeje dhe përjetimi. Këto simbole nuk lidhen vetëm me kulturën apo kohën në të cilën autori jeton , por me një përvojë që flet për të gjithë njerëzimin në të gjitha kohrat.
6.Në këtë mënyrë, rëndësia e universalitetit në poezinë e Zhupës qëndron në aftësinë e saj për të krijuar një lidhje të pandashme mes lexuesit dhe poetit, për të bërë që lexuesi të gjejë në vargjet e tij diçka nga vetja, një copë kujtese apo ndjenje që e ka shoqëruar dikur apo gjithmonë. Poezia e tij flet për të përjetshmen që gjendet në të përkohshmen, për dashurinë që qëndron në kujtesë si një hije, për mungesën që shndërrohet në një prani të pashlyeshme. Në këtë përmasë, ajo nuk i përket vetëm autorit, por gjithë atyre që guxojnë të ndjejnë dhe të kujtojnë.
Kjo është fuqia e artit të madh: të shndërrojë individualen në universale, të ngreje përvojën e zakonshme njerëzore në një lartësi ku ajo bëhet e përjetshme. Dhe është pikërisht kjo aftësi që e bën poezinë e Ilirian Zhupës një dëshmi të thellë të shpirtit njerëzor dhe të përjetësisë së artit të vërtetë.
V- Duke lexuar datën kur është shkruar e botuar së pari kjo poezi shohim i përket realitetit shqiptar në fillimet e trasformimeve demokratike, ndaj dhe mendojmë se poezia i përket botës shqiptare. Ajo nuk shfaq tipin e vuajtjeve të ndonjë “djaloshi Verter” dhe as të dashurën si ndonjë vajzë pasive, pse ajo dhe në mungesë bën “rrëmujë me duart e saj”në mendjen dhe shpirtin e djaloshit. Gjithashtu në jetën shqiptare janë të shumta rastet që vajzat detyroheshin të tërhiqeshin nga dashuria e tyre për shumë arsye dhe ta vuanin të dy partnerët këtë tërheqje, këtë mungesë në dashurinë e njeri tjetrit, pavarësisht se poeti flet vetëm për përjetimet e djaloshit. E parë në këtë aspekt themi se: poezia e Zhupës përbën një lidhje ndërmjet artit shqiptar dhe botës europiane, duke e vendosur Shqipërinë jo vetëm si një hapësirë të kulturës, por si pjesë e një tradite të gjerë letrare, ku poezia, emocionet dhe përjetimet nënkuptojnë diçka më të gjerë se sa vetë kufijtë e shtetit dhe të kombit. Janë të shumtë poetët europianë që kanë shkruar për duart e të dashurave, mdje duke i hymnizuar e hyjnizuar ato si: Charles Baudelaire (Francë) te poezia “Himn bukurisë” ai shkruan: “Duart e tua janë një altar/ku dëshirat e mia luten.”,Janis Ricos (Greqi) te poezia “Nën hijen e duarve të tua”:“Hijet e duarve të tua mbulojnë fytyrën time/si gjethet e një peme të lashtë./Ato fshijnë pluhurin e kohës/dhe më kthejnë në fëmijërinë e dashurisë.”, Paul Éluard (Francë)te poezia “Duart e dashurisë”:“Duart e tua, si ura të bardha,/lidhin dy brigjet e shpirtit tim./Ato mbajnë në pëllëmbë heshtjen e natës/dhe më çojnë drejt vetvetes.”, Federico García Lorca (Spanjë)te poezia “Kënga e duarve të tua”: “Duart e tua, dy pëllumba të bardhë,/fluturojnë mbi fytyrën time./Ato më prekin sytë,/më pikturojnë qiej të gjelbër/në një mbrëmje plot ëndrra”, Pablo Neruda te poezia “Soneti XVII”:“Më pëlqejnë duart e tua,/sepse ato përmbajnë gjithë botën time” por ndryshimi është se këta shkruajnë për duart fizike që i shohin dhe i prekin, ndërkohë që Charles Baudelaire i sheh si të shenjta duart e vajzës. Vetëm Konstandinos Kavafis (Greqi) ka qasje me poetin tonë, kur në poezinë e tij: “Një kujtim” shkruan: “Kam mbetur me duart e tua në kujtesë,/duar që mbanin tërë botën,/kur ti më prekje pa thënë asnjë fjalë./Më shumë se fjala, ato folën për gjithçka”, por të mos harrojmë se Kavafis është nobelist me ndikim të madh në poezinë europiane. Ajo që duam të themi me këtë rast është fakti se poeti Ynë Zhupa është poet i “oborit” europian dhe ne këtë nuk e kemi ditur.
Ja pra, njësoj si te poetët e mëdhenj europianë një nga elementët kryesorë të poezisë së Zhupës është përdorimi i imazheve të cilat janë përfshirë në një natyrë të pasur simbolike dhe abstrakte. Duart, te ai, si pjesë të jetës së përditshme, marrin një kuptim shpirtëror,bëhen shprehje të dashurisë, shenjë e lidhjeve shpirtërore, si dhe pasqyrim i thellësive të ekzistencës njerëzore. Kjo qasje, që e përdor elementin fizik për të treguar shpirtin e njeriut, e lidh poezinë e Zhupës ngushtë me traditën poetike të modernizmit europian, ku poetët (si Rainer Maria Rilke, Paul Éluard, dhe Federico García Lorca) kanë përdorur metafora të ngjashme për të pasqyruar pasionet dhe ndjesitë, por dhe ata e kanë folur për duar fizike.
Veçori e dallueshme në poezinë e Zhupës është dhe përpunimi i detajuar i subjektit të përjetësisë së dashurisë. Ky aspekt është i pranishëm në poezinë e poetëve modernistë të tjerë, ku theksi vihet mbi natyrën efemere të qenies njerëzore dhe lidhjet që krijohen përmes saj. Në mënyrë të ngjashme, Zhupa përdor figura të tilla si duar dhe hijet për të paraqitur proceset që ndodhin brenda shpirtit, duke e bërë kështu poezinë e tij një pasqyrim të gjendjes shpirtërore të individëve të modernitetit, të cilët janë të mbërthyer nga pasiguria dhe kërkesa për thellim në kuptimin e jetës.
Poezia e Zhupës ka një element të thellë të reflektimit mbi kohrat, që është i ngjashëm me teknikat e përdorura nga poetët modernistë si T.S. Eliot, të cilët përcjellin ide të shkatërrimit dhe rinovimit, të kaluarës dhe të tashmes, të njohurës dhe të panjohurës. Në këtë kontekst, Zhupa përdor figura të qasëshme për të ndërthurur realitetin shqiptar dhe atë europian, duke krijuar lëvizje të vazhdueshme mes dy dimensioneve, që i jep poezisë së tij një nuancë të gjallë dhe të vazhdueshme. Ajo që duam të shtojmë është se bota shpirtërore e heroit të Zhupës gjithsesi mbart një shpresë e besim (të mjegulltë) për një rikthim të dashurisë.
Kjo qasje e thellë dhe ndërkulturore e ndihmon Zhupën të ketë një zë të rëndësishëm në letërsinë europiane, duke e bërë atë një poet që shfaq realitetin shqiptar, por që nuk ngurrohet të përqafojë botën më të gjerë të kulturës dhe letërsisë evropiane. Poezia e Zhupes është një lloj “shkrimi universali” që i mundëson lexuesve, pavarësisht se nga vijnë, të lidhin ndjesitë dhe idetë që ai përshkruan me përvojat e tyre vetjake. Ky universalitet, që bazohet mbi thellësinë e emocioneve njerëzore dhe përdorimin e simboleve të pasura, e bën poetin Ilirian Zhupa një figurë që mund të shihet si një “ambasador” i artit shqiptar në Europë, duke e vendosur Shqipërinë në një hapësirë më të gjerë kulturore dhe intelektuale. Ai nuk është thjesht një poet që shprehet në një gjuhë të veçantë, por është një artist që shpërndan mesazhe dhe ndjenja të përbashkëta që arrijnë lexuesit nga të gjitha shtresat kulturore dhe sociale, duke e bërë poezinë e tij një pjesë të rëndësishme të trashëgimisë letrare europiane. Ai shpie në Europë poezinë shqipe si të barabartë dhe konkuruese me poezinë europiane dhe kjo nuk është pak..
Sarandë, më dhjetor 2024
Ilirian Zhupa
ËNDËRR PËR DUART E TUA
Nuk përqafohemi më,
S’shikohemi.
Po duart e tua, e dashura ime,
M’u ulën mbi flokë si mjegulla.
Duart e tua paskan mbetur te unë,
Si hiri i zjarreve në shpella.
Nuk përqafohemi më,
Mallohemi.
Po duart e tua, e dashura ime,
Rrjedhin brigjeve e lugjeve të fytyrës sime,
Si shirat e vjeshtës përzënë nga era.
Duart e tua paskan mbetur te unë,
Si rrënjët e pemëve të shkulura në dhera.
Nuk përqafohemi më,
Harrohemi.
Po duart e tua, e dashura ime,
Humbasin si ujërat.
Hyjnë nën lëkurë dhe bëjnë rrëmujë atje brenda…
Një jetë të tërë,
Pres të dalin prej meje duart e tua,
Të më qetësojnë mua.
(Botimi i parë, gazeta “Drita”, 14 qershor 1992)