21/12/2024
Don-Lec-Sahatcia

Nga Fritz RADOVANI

Don Leci asht prej Familjes së njohun të Sahatçive të Shkodres, që i ka dhanë disa klerikë katolik atij qyteti të nderuem në vitet 1800 – 1900.

Don Leci asht le në Shkoder, në Dhjetor të 1906. Ka ndjekë shkollen fillore dhe të mesme në Kolegjin Saverian po në Shkoder, dhe ka vazhdue edhe studimet e nalta teologjike në Padova t’ Italisë, ku binte gjithnjë në sy edhe atje, per natyren e Tij të prirun nga e mira dhe kamngulja per shkollë e dije.

Asht shugurue Meshtar në vitin 1931 dhe rikthehet me sherbye në Shqipni.

Emnohet famullitar i Abatsisë së Oroshit të Mirditës. Ma vonë emnohet në Blinisht, ku qendron deri në vitin 1942. Mbas vitit 1949, kur vdes në hetuesi Don Jak Bushati, atëherë Don Leci shkon me sherbye në fshatin Gziq. Ishte koha kur n’ Abatcinë Mirditës kishte shumë pak meshtarë, mbasi atje jo pak u arrestuen dhe u zhdukën, tue mbetë edhe pa drejtues mbas Imz. Gjinit. Don Leci mbas vitit 1965 shkon me sherbin në Nderfanë të Mirditës.

Atje qendroi deri në vitin 1967, që mbyllen perfundimisht të gjitha Kishat. Mbas mbylljes së Kishave në Shqipni, erdhi dhe qendroi në Shkoder deri me 17 Shtator 1976, që arrestohet nga Sigurimi i shtetit komunist. Qendron nën tortura dhe masa të rrebta të Sigurimit plot 225 ditë, ku trajtimi i Tij nuk ka asnjë ndryshim nga ai i viteve 1946, me të gjitha barbarizmat e veta.

Gjoja se asht kenë takue me të arratisun, kur ishte kah Mirdita, randohet perveç agjitacionit e propagandës kunder pushtetit, dhe tue i shtue edhe dozen e shpifjeve si gjithmonë, Sigurimi e dënon me 25 vjet heqje lirije.

E dergojnë Don Lecin, krejtësisht pafaj me ba dënimin në burgun e Tiranës. Aty rrinte pothuej krejtësisht i vetizoluem. E kishte shumë të kjartë sepse ishte arrestue dhe, per çfarë arsyeje ishte dënue me aq shumë vite burg.

Kenja e Don Lecit ndër famullitë e Mirditës, dhe qendresa e Tij gjatë të gjithë asaj kohe në hetuesinë e Tiranës, pa pranue asnjë akuzë, vazhdonte me kenë një nyje e vjeter e pazgjidhun e Sigurimit të shtetit, që me të gjitha masakrat e torturat e bame mbi trupin e Don Lecit, nuk arrijtën gati per një vit me e ba jo vetem me pranue po, as me tregue asgja per çka i kerkohej.

Dij të saktë se nder kontrollet e shtëpisë së Tij në Shkoder, kerkoheshin kopjot e letrave që Imzot Frano Gjini, Abat i Mirditës, që i kishte dergue me anën e ambasadave të hueja direkt Vatikanit. Edhe sot ato letra mbetën jo vetem të panjohuna, po edhe të padijtuna per mbrendinë e tyne dhe, ajo që kerkohej me kambngulje ishte rruga me të cilen u komunikue me Vatikanin gjithashtu edhe, ato letra perfundimisht “ku ndodhen sot?”.

Prej kerkesave të Sigurimit të shtetit, i cili nuk kishte kursye asgja per me dijtë perfundimin e atyne letrave me të cilat jo vetem, Imz. Gjini, po kush e di sa vetë do të hynin në Dosjen e Imz. Frano Gjinit dhe, me siguri do të pushkatoheshin si “bashkpuntor me Delegatin Apostolik të Vatikanit”, u kishin mbetë jashtë organeve barbare e terroriste të Sigurimit shtetit, po ajo “ma e pashpjegueshmja” ishte se: Nuk ishin aq pak ata që dinin sakt, jo vetem  permbajtjen e letrave, po edhe rrugen e mërritjes në Vatikan” e, ajo ma e panjohuna që ishte dhe mbetet edhe sot: “Përgjegja e Papës Piu XII”.

E njeni prej ma besnikëve t’ asaj kohë kur nuk tregoi asgja per “Letrat” asht kenë pikrisht Don Lec Sahatçia, që u arrestue, u torturue dhe vazhdoi me ba xhiro në oborrin e Burgut të Tiranës, edhe i dënuem 25 vjet, e pa tregue edhe sot asgja që i kerkonte brigada terroriste e Sigurimit të shtetit.

Më tregonte një bashkvuejtës i Don Lecit, në burgun e Tiranës komuniste:

Ishte njëditë shumë e bukur pranvere, kur po shetisnim rreth oborrit si zakonisht tue bisedue me kalue kohen. Bisedat tona me Don Lec Sahatçinë zakonisht gati asnjëditë nuk mbylleshin, po do të vazhdoheshin prap ditën e ardhëshme e kjo tregonte pafundsinë e atyne ngjarjeve që kalonim kohen.

Vetem pak minuta para se të hynim mbrendë u ndigjue një za: “Ndihmë, ndihmë bre Burra, se dishka i ka ra Don Lecit!”… U afrueme po, ishte fikë gjithshka! Don Leci e kishte mbyllë jeten e vet perfundimisht. Një klerik tjeter Ju afrue dhe i bani sherbimet e fundit.” U shperndame nder dhoma dhe vazhdueme me bisedue deri kah mesnata per Don Lec Sahatçinë…

Ishte data 4 Prill 1986: Ajo ditë kur edhe Don Lec Sahatçia, u rreshtue me Zamakët e Flamurit të Gjergj Kastriotit – Skenderbeut!

Melbourne, 19 Gusht 2022.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok