03/12/2024

Don Kishoti i Tiranës ia ofron Shqipërinë Serbisë!

0
Gani-Mehmetaj

Nga Gani Mehmetaj

Është hera e dytë brenda tetëdhjetë vjetësh që zyrtarët shqiptarë bëjnë përpjekje ta fusin Shqipërinë në Serbi. Një herë ishte Enver Hoxha ai që e luti Josip Broz Titon ta pranonte Shqipërinë në Jugosllavi, përkatësisht në Serbi  të zgjeruar, por rrethanat ndërkombëtare e penguan këtë krim. Herën e dytë ishte Edi Rama, ai që shkoi jo një herë, por katër herë në Beograd, Novi Sad, Nish e së fundi në Ohër që ta luste Vuçiqin ta pranonte Shqipërinë në Serbi. E tërhoqën zvarrë edhe sllavin e Maqedonisë Zaevin. A do ta pengoj dikush krimin për herë të dytë, apo këtu do të vuloset fati i kombit tonë?  Edhe kur Enver Hoxha donte ta shkrinte Shqipërinë në Serbi, edhe kur nipi i tij Edi Rama po përpiqet ta bënte të njëjtën gjë, e shpërfillen Dardaninë, madje shkelen mbi interesat e bashkëkombësve të tyre, duke mos ua pranuar asnjë pavarësi vendimmarrje a përfaqësimi. Për ta Dardania nuk ishte fare, Dardania u del para sysh kur duan të shesin përralla patriotike për budallenj.

Enver Hoxha kur ia kërkoi Titos bashkimin me Jugosllavinë shkeli mbi gjakun e 50.000 shqiptarëve të vrarë nga ushtria e policia e Josip Broz Titos. Edi Ram shkeli mbi gjakun e 12.000 shqiptarëve të vrarë nga ushtria e policia e Milosheviqit dhe trashëgimtarit të tij- Vuçqit, ashtu sikurse nuk i përfilli as 20.000 gra të përdhunuara. Edhe në kohën e Enverit zyrtarët shqiptarë nuk reaguan, nacionalistët e kreu i intelektualëve shqiptarë e paguan me kokë kundërshtimin e tyre. Reagimi i shkrimtarëve dhe intelektualëve shqiptarë kësaj herë, kam përshtypjen ( qofsha i gabuara) është i flashkët, ndërsa në kohën kur Enver Hoxha po e mbërthente shtetin në diktaturë, intelektualët shqiptarë reaguan më me vendosmëri. Dikur shkrimtari i madh Mitrush Kuteli, që ishte më i vendosuri kundër shkrirjes së Shqipërisë në Serbi (Jugosllavi), gati e pagoi me kokë kundërshtimin e tij,  e varrosën të gjallë, ishte rastësia që e shpëtoi nga vdekja.

Sot kur takimet e kreu të shtetit shqiptar me kreun e shtetit serb për bashkimin shqiptaro-serb janë intensifikuar, Dardania, shteti i dytë shqiptar është në gjendje lufte me Serbinë. Rrjedhimisht  edhe shteti i parë shqiptar do të duhej të ishte në luftë me Serbinë. Por ndodh e kundërta, shteti i parë shqiptar po kalon muajin e mjaltit me Serbinë.

Është në rregull kjo diplomaci struci? Ç’ është ky nxitim i Don Kishotit të Tiranës, që t’i kthejë rrjedhat shoqërore prapa? Kush qëndron pas tij? Lobi i fuqishëm serb në Tiranë? Rusët e ri fuqizuar në shtetin shqiptar? Kush është Sanço Panço e kush Dylqinja e Tobozës në këtë mes, sepse me Don Kishotin gjithnjë janë Sanço Panço, Rosinanti dhe një gomar mbi gomar. Do të shkriheshim gazit me Don Kishotin e Tiranës që i do aq shumë serbët , ashtu sikurse shkrihemi gazit sa herë e lexojmë Doni Kishotin e Servantesin , sikur Don Kishoti i Tiranës të mos bëhej i rrezikshëm për shtetin shqiptar, sikur të mos bëhej i pamëshirshëm për interesat strategjike të shtetit të Dardanisë.

Por ne i kemi fajet. I dha hapësirë e mundësi veprimi Don Kishotit të rrezikshëm nga Tirana kasta jonë shtetërore diletante, e paarsimuara dhe e paaftë, me dosje kriminale. I dhanë hapësirë zyrtarët qyqarë, që Don Kishoti nga Tirana i ka në grusht, herë tallet me ta, herë i fyen, herë i kërcënon e pështyn.

Kështu, shteti ynë i pa kokë  ia çeli rrugën diplomacisë së papërgjegjshme shqiptare që të na përfaqësoj pa na pyetur dhe pa i përfillur  interesat tona. I dhamë hapësirë kryeministrit që e bëri Shqipërinë vazale të Turqisë, që e bëri jugun poligon për shovinistët e tërbuar grekë, që e bëri rrëmujë shtetin shqiptar, që e shkëputi Shqipërinë nga Evropa.

A qëndron prapa kryeministrit të papërgjegjshëm edhe shteti shqiptar? Apo ai e ka uzurpuar shtetin shqiptar?  Kush e pengon presidentin të reagoj ndaj një veprimi si të kohës së Enverit? Kush e pengon opozitën shqiptare të jetë më e zëshme kundër shkrirjes së Shqipërisë në Serbi? Pse nuk organizojnë demonstrata masive në Shqipëri e në Dardani për të mbrojtur interesat kombëtare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok