Thaci-Krasniqi-Veseli-Selimi

Nga Ilir Çumani

Sot, në Hagë, u dha vendimi për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin. Katër emra që lidhen pazgjidhshmërisht me një prej kapitujve më të dhimbshëm, më të lavdishëm dhe më të debatueshëm të historisë së Kosovës.

Gjykata ka dhënë vendimin e saj, por drejtësia duhet të flasë me prova, me ligj dhe me arsyetim. Vendimet gjyqësore nuk zëvendësohen me emocione, as me këngë, as me brohoritje.

Në fakt, një vendim gjykate nuk e mbyll historinë. Përkundrazi, ndonjëherë e hap atë edhe më shumë, sepse pas pyetjes juridike vjen pyetja njerëzore. Pas aktgjykimit vjen kujtesa. Dhe pas kujtesës vjen përgjegjësia. Çfarë bëmë ne me historinë tonë?

Kjo është pyetja që sot duhet të na shqetësojë të gjithëve. Jo vetëm çfarë bënë ata, çfarë provoi apo nuk provoi gjykata, apo çfarë bëmë ne, shqiptarët, me njerëzit që historia i vendosi në ballë të një epoke.

Dikur ishin emra lufte. Pastaj u bënë emra politike. Pastaj u bënë kundërshtarë. Pastaj u bënë dosje. Dhe tani janë emra të një aktgjykimi në Hagë. Sa e çuditshme është rruga e historisë!

Ajo që dje ngrihej në piedestal, sot mund të përfundojë në bankën e të akuzuarve. Prandaj, një komb serioz nuk duhet ta ndërtojë kujtesën mbi adhurimin dhe urrejtjen, por vetëm mbi  provat, dëshmitë dhe faktet.

Pikërisht këtu fillon edhe përgjegjësia e politikës, sepse politika ka një zakon të vjetër: ajo është e prirur ta përdorë historinë për nevojat utilitare të së tashmes, duke marrë një plagë kombëtare dhe për ta kthyer në flamur partie. Të marrë një hero dhe ta kthejë në dekor, dhe një tragjedi ta kthejë në slogan. Të bëjë zhurmë aty ku duhej të kishte diplomaci dhe spektakël aty ku duhej të kishte shtet.

Një çështje kombëtare nuk mbrohet me folklor, por me diplomaci të rafinuar dhe të mençur. Me dokumente, me argumente, me miq, me aleanca, me durim. Me një strategji që nuk ndryshon sa herë ndryshon qeveria, sepse diplomacia nuk është duartrokitje, as këngë e valle, nuk është as tribunë. Diplomacia është ajo punë e heshtur që bëhet për vite me radhë, muaj e javë; ditë pas dite, orë pas ore, minutë pas minute e çdo sekondë, edhe atëherë kur kamerat nuk janë aty.

Ndoshta këtu qëndron një nga dështimet tona më të mëdha që kemi folur shumë dhe kemi bërë pak. Kemi kënduar shumë dhe kemi negociuar pak, fare pak, sepse kemi prodhuar shumë deklarata dhe shumë pak strategji, duke kërkuar duartrokitje kur duhej të kërkonim aleatë.

Kemi menduar se zhurma politike mund të zëvendësojë fuqinë e argumentit, por kjo nuk mund të ndodhë, sepse historia nuk funksionon  në këtë mënyrë.  As drejtësia dhe as diplomacia gjithashtu nuk funksionon kështu.

Sot, megjithatë, nuk është momenti për të shpallur fajtorë të tjerë dhe as për ta zëvendësuar një gjykatë me një gjykatë televizive. Nëse ka pasur krime, ato duhen gjykuar. Por nëse ka pasur padrejtësi, ato duhen kundërshtuar fort me argumenta dhe me ligj. Nëse ka pasur gabime, ato duhen dokumentuar.

Por sot, politika shqiptare seriozisht duhet t’i bëjë vetes një pyetje të pakëndshme: a ka bërë gjithçka që duhej të bënte lidhur me këtë çështje?

Kjo është pyetja që sot nuk duhet të shmanget, sepse ka një ndryshim të madh mes patriotizmit dhe përdorimit të patriotizmit.

Patriotizmi kërkon përgjegjësi. Jo gjithçka që dukej bukur në televizor dhe që sillte duartrokitje, apo gjithçka që i shërbente partisë, i shërbente interesit afatgjatë të shqiptarëve.

Përdorimi politik i kësaj çështjeje kërkon vetëm spektatorë dhe është e  vërtetë se politika zyrtare këtej dhe andej kufirit ka prodhuar më shumë spektakle dhe spektatorë sesa zgjidhje diplomatike, sepse na kanë munguar shtetarët, dhe jo vetëm.

Ka edhe diçka tjetër. Mirënjohja, kjo fjalë e vjetër që politika moderne shpesh e konsideron të padobishme. Por kombet nuk jetojnë vetëm me interesa, por edhe me kujtesë, me borxhe morale, me respekt për ata që kanë qenë pjesë e ditëve të tyre më të vështira.

Kjo nuk do të thotë se historia duhet t’i vendosë njerëzit mbi ligjin. Aspak. Do të thotë se një shoqëri duhet të jetë në gjendje të ruajë njëkohësisht dy të vërteta: respektin për historinë dhe respektin për drejtësinë. Dhe kjo nuk është e lehtë. Por, pikërisht, kjo është pjekuria.

Sot, përballë lajmit nga Haga, ndoshta duhet të ulim zërin dhe të heqim mikrofonat. Të mbyllim pak studiot dhe të mendojmë seriozisht, duke reflektuar, sepse ndoshta kjo nuk është vetëm dita e gjykimit të katër njerëzve, por një ditë ku historia na vendos përballë pasqyrës.

Dhe pasqyra ka një të keqe: nuk negocion. Nuk voton. Nuk këndon. Nuk duartroket, vetem tregon atë që kemi bërë.

Por pyetja mbetet aty, e ftohtë dhe e pamëshirshme: kur historia kërkoi prej nesh mençuri dhe urti, çfarë bëmë ne, dhamë urtësi apo spektakël? Kur kërkoi diplomaci, a i dhamë deklarata? Kur kërkoi kujtesë, a prodhuam politikë boshe?

Këto pyetje nuk kanë nevojë për përgjigje sot, sepse historia nuk nxiton. Ajo pret. Dhe, në fund, na kërkon llogari të gjithëve.

Ilir Çumani

Tiranë, 16 shtator, 2026

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

YouTube
YouTube
Tiktok