22/12/2024

DITA NDËRKOMBËTARE E GRAVE

0
Xhelal-Zejneli

„8 Marsi“

Nga Prof. Xhelal Zejneli

Në Gjermani, në një pllakat për Ditën ndërkombëtare të grave, të datës 8 mars 1914 shkruan:

„Këndej, me të drejtën e femrës për të votuar. Dita e grave, 8 marsi 1914. Grave, të cilat si punëtore, nëna dhe qytetare e plotësojnë detyrën e vet, të cilat tatimet e veta duhet t’ia paguajnë, si shtetit ashtu edhe komunës, për shkak të paragjykimeve dhe qëndrimeve reaksionare, u mohohen shumë të drejta qytetare. Lufta për këtë të drejtë të natyrshme të njeriut duhet të bëhet me vullnetin e fortë, të palëkundshëm të çdo femre, të çdo punëtoreje. Kjo luftë nuk duhet të ndërpritet apo të ndalet në asnjë çast. Prandaj ejani të gjitha, ju gratë dhe vajzat, të dielën më 8 mars 1913, në orën 3 pasdite, në tubimin e 9-të publik të grave“.

Dita ndërkombëtare e grave, në forma të ndryshme shënohet në shumë vende të botës. Me fjalë të tjera, është në datë me shtrirje ndërkombëtare.

Qarqe të caktuara konsiderojnë se kjo ditë ka rëndësi për Ditën e vetëdijes qytetare, për Ditën e grave dhe të vajzave, për Ditën e antiseksizmit dhe për Ditën e diskriminimit pozitiv. Kjo ditë festohet një herë në vit, më 8 mars.

Me Ditën ndërkombëtare të grave (Ditën e grave) ndërlidhen edhe festat: Dita universale e fëmijëve, Dita ndërkombëtare e meshkujve dhe Dita ndërkombëtare e punëtorëve.

*   *   *

Dita ndërkombëtare e Grave (shkurtimisht Dita e grave) shënohet më 8 mars të çdo viti. Atë ditë festohen arritjet ekonomike, politike dhe shoqërore të pjesëtarëve të gjinisë femërore.

Lindi si nismë e organizatave socialiste në periudhën para Luftës së Parë Botërore në luftën për barazi, për të drejtë vote si dhe për emancipimin e femrave.

Për herë të parë Dita e grave është shënuar më 28 shkurt 1909 në ShBA, me deklaratën që e nxori Partia Socialiste e Amerikës.

Ndër ngjarjet historike të rëndësishme, me të shënohet edhe zjarri në fabrikën Triangle Shirtwaist në Nju-Jork (New York) në vitin 1911, me ç’rast humbën jetën mbi 140 gra.

Pasqyra historike – Figura të njohura që ndërlidhen me Ditën ndërkombëtare të grave janë Klara Cetkin (Clara Zetkin) dhe komunistja gjermane Roza Luksemburg (Rosa Luxemburg, 1871-1919).

Shënim: Lindi në vitin 1871 si Rozalia Luksemburg në Zamoshq afër Lublinit, në Poloni, në një familje hebraike. U vra në Berlin më 1919. Ishte shtetase gjermane. Është teoriciene e marksizmit dhe e socializmit demokrat, teoriciene e Partisë Socialdemokrate të Gjermanisë, ndërsa më vonë e Partisë Socialdemokrate të Pavarur të Gjermanisë. Roza Luksemburg, Karl Libkneht (Karl Liebknecht) dhe Franc Mering (Franz Mehring) themeluan në Gjermani organizatën komuniste ilegale – Lidhja Spartakus (Lidhjes Spartakiste). Nga ky grup marksist revolucionar-demokratik nga i cili lindi Partia Komuniste Gjermane. Roza Lukssemburgu mori pjesë në revolucionin e pasuksesshëm në Berlin, në janar të vitit 1919. Kryengritja filloi përkundër mospajtimit të Roza Luksemburgut. Protesta u shua nga mbetjet e ushtrisë monarkiste dhe nga formacionet paraushtarake djathtiste, frajkorëve. Roza Luksemburgu, Karl Libknehti dhe qindra të tjerë u zunë, u torturuan dhe u vranë. Teoria revolucionare e veçantë e marksizmit dhe e socializmit demokratik – luksemburgizëm, buron nga emri i saj.

Karl Libkneht (Karl Paul August Friedrich Liebknecht, 1871-1919) studioi drejtësisnë. Ishte eksponent i ideve marksiste, bashkëmendimtar dhe bashkëpunëtor i Roza Luksemburgut dhe i Franc Meringut. Është i Partisë Socialdemokrate të Gjermanisë, një ndër themeluesit e Partisë Komuniste Gjermane. U ekzekutua pas revolucionit të pasuksesshëm në Berlin.

Franc Mering (Franz Erdmann Mehring; Slawno, Poloni, 1846 – Berlin, 28.01.1919) lindi në Poloni. Është revolucionr gjerman, marksist, gazetar radikal, historian dhe politikan, i Partisë Socialdemokrate të Gjermanisë.

*   *   *

Ideja për shënimin e Ditës ndërkombëtare të grave lindi për herë të parë në fillim të shekullit XX, në periudhën e industrializimit të shpejtë dhe të ekspansionit ekonomik kur për shkak të kushteve të rënda pune, shpesh organizoheshin protesta. Më 8 mars të vitit 1857, femrat e punësuara në industrinë e veshjeve dhe të tekstilit demonstruan publikisht në Nju-Jork (New York). Punëtoret e e tekstilit protestonin për shkak të kushteve të rënda të punës dhe pagave të ulëta. Demonstratat i shpërndau policia. Dy muaj më vonë, po këto femra themeluan edhe sindikatën. Më 8 mars, protesta organizoheshin edhe në vitet vijuese. Më e njuhur prej tyre është protesta e vitit 1908, kur 15.000 femra marshuan në Nju-Jork duke kërkuar orar pune më të shkurtër, paga më të mira dhe të drejtë vote.

Në vitin 1910 u mbajt në Kopenhagë konferenca e parë ndërkombëtare e grave. Kjo konferencë u organizua nga Internacionalja Socialiste. Me propozimin e socialistes së famshme gjermane Klara Cetkin* (Clara Zetkin) u caktua „Dita ndërkombëtare e grave“.

ShënimKlara Cetkin, mbiemri i vajzërisë Ajzner (Clara Zetkin, Eißner, Viderau, Gjermani, 1957 – Arhangelskoje, Bashkimi Sovjetik, 1933) ishte politikane majtiste gjermane me ndikim dhe luftëtare e të drejtave të grave. Bashkëmendimtare e Roza Luksemburgut. E mori mbiemrin e partnerit të saj, revolucionarit rus Osip Cetkin (Odesë, Ossip Zetkin, 1850 – Paris, 1889). Ishte aktive në Partinë Socialdemokrate të Gjermanisë (SPD). Më vonë hyri në Partinë Socialdemokreate të Pavarur të Gjermanisë (USPD) dhe i përkiste krahut ekstrem të majtë të saj – Lidhjes Spartakiste nga e cila më vonë lindi Partia Komuniste Gjermane (KPD). Gjatë republikës së Vajmarit, në vitet 1920-1933 ishte deputete popullore në Rajhstag. U shkollua për arsimtare. Prej vitit 1874 u lidh me lëvizjen e grave dhe të punëtorëve në Gjermani. Më 8 mars 1911 organizoi të parin kremtim të Ditës ndërkombëtare të grave. Në vitin 1920 intervistoi V. I. Leninin për “çështjen e femrës”. Vdiq në Arhangelskoje të Bashkimit Sovjetik. U varros në muret e Kremlit në Moskë.

*   *   *

Një vit më vonë, d.m.th. më 1911, Ditën ndërkombëtare të grave e festuan mbi një milion njerëz në Austri, në Danimarkë, në Gjermani dhe në Zvicër.

Këto njgarje përkonin me zjarrin në fabrikën Triangle Shirtwaist në Nju-Jork, me ç’rast, për mungesë masash përkatëse të sigurisë pati numër të madh viktimash.

Në fillim të Luftës së Parë Botërore, më 8 mars 1913, femrat e mbarë Evropën organizuan demondtrata paqeje.

Demonstarat me rastin e Ditës ndërkombëtare të grave në Rusi ishin hap i parë i revolucionit rus. Pas revolucionit të tetorit, revolucionarja dhe feministja bolshevike ruse, teoricienia e markizmit Aleksandra Kolontaj i kërkoi Vladimir Iliç Lenininit (1870-1924) që 8 marsi të shpallet festë shtetërore. Gjatë periudhës sovjetike kjo datë përdorej për të shënuar „heroizmin e punëtoreve“.

Por, në shumë shtete komuniste kjo festë e humbi bazën e vet ideologjike dhe u shndërua në rast për meshkujt për të shprehur dashurinë dhe respektin ndaj pjesëtareve të gjinisë së kundërt, duke shërbyer në shtetet perëndimore si amalgamë tipike e Ditë së nënës dhe e Ditës së Shën Valentinit.

Dita e grave në Çekosllovaki, gjatë regjimit komunist u shndërrua në parodi, kështu që pas revolucionit të plishtë, u hoq. Në Hungari ndërkaq, tradita për t’u dhuruar  lule femrave, u ruajt edhe pas rënies së komunizmit.

Dita e grave sot – Në shumë shtete, femrave sot, krahas urimit zakonisht u dhurohet edhe lule. Simbol i Ditës së grave në Itali është mimoza.

Dita ndërkombëtare e grave në botën perëndimore kryesisht pushoi të shënohet në vitet ’30 të shekullit XX, pjesërisht edhe për faktin se e ndërlidhnin me komunizmin. Në këto vende, çdo të dytën javë të muajit maj, shënohet Dita e nënës për nder të nënës dhe të të qenit nënë.

Dita e grave ka mbetur festë shtetërore në Rusi, në Bjellorusi, në Ukrainë, në Kazakistan, në Kirgistan, në Moldavi, në Mongoli dhe në Taxhkikistan. Shënohet me lule dhe me dhurata.

Por. në vitet ’60 të shekullit XX feministet përsëri filluan ta festojnë. Në vitin 1975 që u shpall si Vit ndërkombëtar i gruas, Kombet e Bashkuara, Ditën ndërkombëtare të grave filluan ta festojnë zyrtarisht.

Ditën ndërkombëtare të grave sot e festojnë shumë organizata në mbarë botën. Disa organizata kërkojnë që në vendet në të cilat kjo ditë nuk është festë shtetërore, të bëhet e tillë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok