Dita Kombëtare e Arumunëve – një festë për traditën dhe kulturën

Nga Ajrina Dimo
23 Maji është një datë me rëndësi për arumunët. Prej shumë vitesh kjo datë njihet si Dita Kombëtare e Arumunëve dhe përveç se në Rumani e në vendet e Ballkanit, ka nisur të festohet edhe në Perëndim, Australi e SHBA. Në këtë ditë anëtarët e komunitetit festojnë, synojnë të ndërgjegjësojnë edhe shoqëritë ku janë pjesë për veçantitë e tyre kulturore dhe identitare si dhe premtojnë për vazhdimësinë e kulturës dhe traditave dhe zakoneve etj.
23 maji shërben edhe si një ditë homazhi për të gjithë ata që kanë kontribuar në përcjelljen e trashëgimisë duke nderuar dhe lartësuar identitetin arumun etj. Në vendin tone me Ligjin nr. 96/2017 për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare në Republikën e Shqipërisë, miratuar më 13 tetor 2017 arumunëve u është dhënë statusi zyrtar si pakicë kombëtare.Lidhur me disa prej karakteristikave identitare të arumunëve do të veçonim: gjuha, origjina e së cilës është latine, përkatësia fetare në besimin ortodoks, roli i rëndësishëm në tregti, zotësia në rritjen e gjësë së gjallë (dele, kuaj), pjesëmarrja në jetën aktive të shoqërive ku janë pjesë, endogamia- martesat brenda komunitetit, eugjenia- mbrojtja dhe ruajtja e trashëgimisë gjenetike etj. Ata njihen për cilësitë shpirtërore, për energjinë mendore dhe për tiparet morale mjaft të qarta, ku forca e karakterit plotësohet edhe me inteligjencën. Arumunët kanë një prirje të dukshme për të mos e deklaruar origjinën gjë që duket në rregjistrimet e popullsisë. Kjo lidhet edhe me një lloj kompleksi inferioriteti edhe pse gjuhën dhe origjinën e kanë ruajtur me force. Kjo prirje është e njohur dhe lidhet ndoshta edhe me vetë të kaluarën dhe mënyrën e izoluar të jetesës së arumunëve etj. Edhe në vendin tonë familjet arumune e kanë ruajtur gjuhën dhe mjaft prej zakoneve të të parëve. Në ceremonitë festive apo dhe në përkujtimoret e njerëzve të ndarë nga jeta, traditat arumune vijojnë dhe u përcillen më të rinjve apo më të vegjëlve. Pasioni dhe lidhja e arumunëve me natyrën shprehet edhe në festat në natyrë. Akademia Rumune vitin e kaluar doli edhe me një komunikatë lidhur me identitetin dhe unitetin historik të rumunëve ne veri dhe në jug të Danubit.

Sipas kësaj komunikate të botuar në faqen zyrtare të Akademisë (ëëë.acad.ro ) më 25 korrik 2018 thuhet se: “Akademia Rumune rikonfirmon këndvështrimin lidhur me identitetin historik dhe gjuhësor të rumunëve në veri dhe në jug të Danubit. Sipas të vërtetës historike, populli rumun ka katër degë historike: dako-rumunët, arumunët, megleno-rumunët, istro-rumunët – folës të dialekteve të gjuhës rumune: dako-rumune, arumune, megleno-rumune dhe istro-rumune. Të gjithë këta rumunë formojnë një unitet etnik dhe flasin të njëjtën gjuhë. Dialektet rumune: dako-rumun, arumun, megleno-rumun dhe istro-rumun- takohen në një hapësirë të gjerë, nga Maramureshi dhe Karpatet veriorë në veri deri në Epir dhe Thesali në jug, nga Istria, Deti Adriatik në perëndim deri në Detin e Zi dhe përtej Nistrës në lindje. Folësit e tyre janë pasuesit e popullsisë autoktone të romanizuar nga Perandoria Romake e Lindjes.

Të vërtetuar në të kaluarën në një territor të përbashkët, në veri dhe në jug të Danubit, dialektet rumune gjatë kohërave janë izoluar, si pasojë e depërtimit të sllavëve në Gadishullin Ballkanik duke nisur nga shekulli VII, fakt që ka përcaktuar disa lëvizje të këtyre folësve në këtë hapësirë gjeografike në periudhën e Mesjetës. Dako-rumunët janë pasuesit e rumunëve të veriut të Danubit, ndërkohë që arumunët, megleno-rumunët dhe istro-rumunët janë pasues të rumunëve në jug të Danubit. Uniteti i dialekteve rumune u mbështet në mënyrë unanime gjatë kohërave nga gjuhëtarët më të rëndësishëm rumunë si: Ovid Densușianu, Alexandru Philippide, Sextil Pușcariu etj., dhe të huaj si: Ëilhelm Meyer-Lübke, Gustav Ëeigand, Matteo Bartoli, Giuliano Bonfante, Alf Lombard etj. Rumanishtja është paraqitur si një gjuhë e njehsuar, me të katër dialektet në enciklopeditë e huaja si: The Encyclopaedia Americana, vol. 23, 1919; Encyclopaedia Britannica, vol 19, 1911; The Neë Encyclopaedia Britannica, Macropaedia, vol. 15, 1981); Grand Larousse Encyclopédique, vol. 1, 1964; Brockhaus Enzyklopädie, vol. 17, 1981; Dizionario Enciclopedico Italiano, vol. 10, 1961.
Lidhur me numrin e arumunëve në vendin tonë, në faqen zyrtare të ambasadës rumune në vendin tonë, e cila i referohet Censusit në Republikën e Shqipërisë, të botuar në datën 13 dhjetor 2012, thueht se në vendin tonë egzistojnë 8.266 arumunë (0.3% e totalit të popullsisë brenda). Sipas Atllasit Demografik të Shqipërisë (i vitit 2003), numri i arumunëve është 139.065. Ndërkohë faqja e internetit e Komitetit Shtetëror për Minoritetet tregon një numër prej disa dhjetra mijë arumunësh. Në Ditën Kombëtare të Arumunëve vlen të sillet në vëmendje edhe lidhja e fortë mes Rumanisë dhe Shqipërisë. Kjo lidhje qëndron mbi faktet historike ku edhe arumunët luajnë një rol të rëndësishëm. Jo vetëm që në fillesat e shtetit shqiptar njihet ndihma e shtetit rumun, por nga viti 1993 e deri sot, Rumania ka ofruar bursa studimi të rinjve arumunë nga Shqipëria. Këta të rinj të diplomur në universitetet rumune me kthimin në Shqipëri e japin kontributin e tyre në vendin tonë.

Një tjetër kontribut që shteti rumun jep për komunitetin e të rinjve dhe fëmijëve janë kampet verore që mbahen në Rumani ku fëmijët nga Shqipëria marrin pjesë prej 10 vjetësh. I njohur si programi “ARC” në kuadër të të cilit organizohen kampet verore për fëmijë e të rinj është m mbështetja që Ministria për Rumunët Jashtë Vendit, Ministria e Rinisë dhe Sportit, misionet diplomatike të Rumanisë si dhe organizatat dhe shoqatat e ndryshme, japin edhe për fëmijët arumunë nga Shqipëria. Kështu ata kanë mundësinë të njihen me bashkëmoshatarët e tyre dhe të rrisin e forcojnë lidhjet me ta.
Duke filluar nga 1 janari i këtij viti e deri në 30 qershor Rumania po mban për herë të parë presidencën e Këshillit të Evropës. Në këtë periudhë po zhvillohen një seri aktivitetesh mes të cilave edhe ato që priten të mbahen në Fier ku jeton edhe një komunitet i konsiderueshëm.
