19/04/2024

Disa shënime pas një leximi

0

Nga Prof. Blerim Latifi

Para disa ditëve rastësisht më ra në dorë Kodi i Car Dushanit, zhupanit serb, i cili, duke përfitu nga rënia e kontrollit bizantin në Ballkan, e shpalli veten perandor. E gjeta një kohë dhe i hyra leximit.

Çfarë mund të konstatojmë pasi t’i lexojmë 201 nenet e këtij kodi?

Duke mos qenë origjinal, Kodi i Dushanit përbën një kopje të plotë ligjore të kodeve ligjore bizantine. Kjo shihet në dy rrafshe të tij: në atë politik dhe atë juridiko-penal.

Në rrafshin politik Kodi i Dushanit, njësoj si kodet bizantine, e normon pushtetin absolut të mbretit, nënshtrimin e feudalëve ndaj tij, si dhe pushtetin e madh të Kishës Ortodokse. Ky i fundit shihet edhe në nenet e Kodit ku urdhërohet persekutimi brutal i katolikëve dhe bogumilëve.

Ndërkaq, në rrafshin juridiko-penal, Kodi i Dushanit përvetëson nga kodet bizantine të gjitha format e ndëshkimit, të cilat sot, nga pikëpamja e humanizmit juridik, duken akte mizorie. Në shumë nene flitet për sakatime të trupit të njeriut, për prerje duarsh, prerje të veshëve, të hundës, të gjuhës, pastaj për nxjerrje të syve, djegie dhe kazanë me ujë të valuar si procedurë hetuesie. Kjo shumësi formash sakatimi është e mjaftueshme për të stimuluar imagjinatën e masakrës. Prandaj nuk është e rastësishme që ushtritë serbe, të cilat e masakruan Kosovën shumë herë gjatë shekullit të kaluar, e mbanin lart flamurin e Dushanit.

Të gjitha këto lloje dënimesh përmes sakatimit të trupit njerëzor, mungojnë në të drejtën zakonore shqiptare, e njohur si Kanuni i Lekë Dukagjinit. Kjo na tregon dy gjëra. E para, Kodi i Dushanit dhe Kanuni i Lekës kanë origjinë krejtësisht të ndryshme. I pari, bizantine ; i dyti, latine.

E dyta, derisa Kodi i Dushanit përbën një kod që normonte pushtetin e një sundimtari absolutist dhe të dy shtyllave të sundimit të tij, feudalëve dhe kishës ortodokse, Kodi i Lekë Dukagjinit e rregullonte jetën e malësorëve të lirë, që jetonin maleve, jashtë kontrollit direkt të sundimtarëve, qofshin ata bizantinë apo otomanë.

Derisa në Kodin e Dushanit autoriteti final në të gjitha çështjet është mbreti, në Kodin e Lekë Dukagjinit ky autoritet i përket kuvendit të pleqëve, të cilët delegohen nga fiset dhe vëllazëritë. Ky dallim ka elemente të dallimit midis autoritarizmit dhe demokracisë. Por edhe elemente të dallimit midis atyre që juristët dhe filozofët e së drejtës i quajnë “ligji pozitiv” dhe ” e drejta natyrore”. Sikurse dihet nga kjo e fundit është zhvilluar doktrina moderne e të Drejtave të Njeriut.

__________

Shkolla e parë shqipe në Ferizaj, e bërë shkrumb e hi sot. Kështu në mënyrë barbare ne e kemi trajtu trashëgiminë tonë kulturore gjatë gjithë historisë, prandaj sot objektet ma të vjetra historike në Kosovë, me ligj vendor e ndërkombëtar, quhen “trashëgimia fetare dhe kulturore serbe”. Dhe për këtë po e paguajmë shtrenjtë në tryezat e negociatave politike me Serbinë.

__________

Bashkë me Karl-Otto Apel dhe Jurgen Habermas, Ernst Tugendhat paraqet gjeneratën e filozofëve gjermanë, e cila pas Luftës së Dytë Botërore u përpoq ta shtëpizojë brenda kulturës filozofike gjermane filozofinë analitike të gjuhës dhe pragmatizmin amerikan. Ai vdiq para tre ditësh duke lënë pas një mënyrë inspiruese të të bërit filozofi. Aksioma e tij ishte: Vetëm duke reflektuar mbi strukturat themelore të gjuhës ne mund të hedhim dritë mbi mendimin njerëzor.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok