22/12/2024

DISA PIKPAMJE TË AT MESHKALLËS…

0
u6_Pjeter-Meshkalla

Nga Fritz RADOVANI

Në rrethet e rinisë “Shën Gjon Bosko” të themeluem në Shkodër në vitin 1934, si edhe atë të “Shën Pjetrit” në Tiranë në vitin 1937, Ai bani një punë të madhe me të rijtë, sidomos kundër ideve komuniste, fashiste, ateiste e antiatdhetare, që po përhapëshin në Shqipni.

Në pranverën e vitit 1940, kur Shqipnia ishte e pushtueme nga Italia fashiste, e cila veç tjerash kishte dhunue Flamurin tonë Kombëtar, Pader Mëshkalla, bashkë me At Gjergj Fishtën (që ndodhej për vizitë në famullinë e Tij në Tiranë), u folën nxanësve që ata mos me përshëndetë në mënyrën fashiste. Për këte Ai asht konsiderue “i padëshrueshëm” nga autoritetët fashiste. Kujtimet e nxanësve të Tij pasunojnë veprën atdhetare të periudhës së pushtimit fashist, nazist e ma vonë, atij sllavo-komunist, vepra për të cilat kanë shkrue e do të shkruejnë, se ata nuk e harrojnë asnjëherë mësuesin e tyne Pader Meshkallën. Madje, ata në shênjë nderimi për veprat e Tija, me rastin e katër vjetorit të vdekjës i kanë ndërtue edhe vorrin, ku sot prehen eshtnat e Tij.

Pikëpamjet e Tij politike janë kenë të shprehuna haptas dhe të njohuna prej të gjithëve pa dallim feje.

Ai ishte kundër çdo lloj diktature. Ishte antifashist, dhe këte, përveç faktit të sipërm, e vërteton edhe qëndrimi i Tij atdhetar dhe i premë kundër disa veprimeve në lidhje me ndonjë jezuit italian në Shkodër, gja për të cilën u transferue në Tiranë nga eprorët jezuitë në vitin 1937. Ai qëndroi në mendimet e Tij edhe në Tiranë. Këte e vërteton letra që Ai i ka dërgue Vatikanit për largimin e Delegatit Apostolik L. Nigris nga Shqipnia, për pikëpamjet e tij fashiste dhe antishqiptare. Ndoshta për këte komunistët e quejtën edhe “fashist”!..

Ai ishte kundër nazizmit edhe për këte flet fakti i strehimit të popullsisë së Tiranës në refugjion pranë qelës së Tij, kur ata po ndiqeshin nga forcat gjermane. Ishte Pader Meshkalla, ashtu si shumë klerikë të tjerë, tue perfshi këtu edhe misionarët Don Alfons Tracki e At Zef Maksen (të dy të pushkatuem nga komunistët si agjentë të nazistëve gjermanë), sepse u dolën me gjoks përpara ushtarëve nazistë, madje edhe ua kanë ndalue reprezaljet e tyne kundër shqiptarve. Kur u ba në 1944 një bombardim në Tiranë, në rrefugjio pranë Kishës u futne me popull edhe dy të rinj komunista… Dikush i kishte pa tue hy dhe njoftoi gjermanët. Ata shkuen me i arrestue. U doli para At Mëshkalla, dhe u foli atyne në gjermanisht, tue i kerkue që, kush asht aty asht në besë të Tij, dhe Ju lut mos me hy mrenda… Ata u larguen, e kështu, shpetuen ata dy të rijtë dhe një çifut i moshuem që banonte dikund afer Kishës së Jezuitve në Tiranë…

Edhe pse Ai ishte kundër diktaturës komuniste e, këte e vërteton gjithë jeta e Tij e martirizueme, Ai në shumë raste edhe ka nderhy per shpetimin e jetës së të rijve…

Në vitin 1945 Ai u takue në një shtëpi të Tiranës me Mehmet Shehun, që njihej një ndër terroristët e grupeve vullnetare të Spanjës, qysh në vitin 1936, dhe ishte Pader Meshkalla Ai që i tha troç, ndër sy, se çfarë do të banin komunistët në Shqipni, porsa të forcojnë paksa pozitat shtetnore. Kur Pader Meshkalla i tha: “Ju do të kërkoni me zhdukë Fenë me dhunë, se ky asht parimi i parë i ju komunistëve, aty ku ata marrin pushtetin, dhe Kishat e Xhamijat ju do t’i këtheni në klube dhe kinema.”, Mehmeti ju përgjegj: -“Kjo asht vetëm propagandë e atyne që nuk e duen pushtetin tonë popullor dhe kërkojnë me na armiqësue me popullin, kjo nuk do të ndodhë kurrë në Shqipni!”…Më tregonte dhelpninë e Mehmetit për me muejtë me hjekë një ashkël në kokën e Pader Meshkallës, në lidhje me shkëputjen e Klerit Katolik Shqiptar nga Vatikani dhe Papa. Përgjegja e preme e Pader Mëshkallës merret me mend cila ishte!.. Nuk i hiqej një lesker shkambit!

Melbourne, 30 Shtator 2021.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok