06/11/2024

Ditë më parë doli në dritë vëllimi poetik “Çka më thotë zemra” i Pren Ukaj

0

Shkruan: Lekë Mrijaj

Libri i Pren Ukaj, “Çka me thotë zemra ”, ditë më parë ka dalë në dritë, i cili libër është botuar nën përkujdesjen e redaktorit, Lekë Mrijaj, recensentve Pal Canaj e Milazim Maraj, lektorit, Mikel Gojani si dhe konsulentit, Tomë Paloka, (Major Nderi i Pavarsisë se Kosovës-2016 nga Nju Jorku), nën llogon e Shtëpisë Botuese “Lena Graphic” në Prishtinë.

Qe në fillim të librit autori paraqitet me parathënien e tij duke thënë: Ky libër del si një reflektim i imi, pikërisht si shqetësim e revoltë imja (edhe e kohës së okupimit të paraluftës) i përmbledhur prej kohësh, pra edhe disa sish, qysh nga fillimvitet ’90-ta, nga rrugëtimet e mia të shumta dhe të vendit tim heroik, rrugëtimet që edhe sot janë evidente në shoqërinë dhe jetën tonë aktuale. Vargjet e artikuluara në fjalë, siq thotë autori, janë vargje jo në përmasat e zhgënjimit, por me mesazhdhënëse me një pozitivitet, sepse do të ishte jo e mirë për një vend, si vendi im i dashur, që pretendon një të ardhme si një shtet i prosperuar në të gjitha segmentet të jetës kombëtare, kulturore dhe njerëzore.

Redaktorit i librit, Lekë Mrijaj, ishte ai i cili në mes tjerash për këtë libër tha: Poezitë e Pren Ukaj nuk kanë nevojë të flasin aq shumë ngase përbejnë një sagë me laryshi poezish të kultivuara mirë për lexuesit e tij të interesuar. Pikërisht lexuesit të cilët e admirojnë atë, qe do të thotë se autori i këtij vëllimi si një krijues përmes muzës e botës së tij reale në një anë, dhe imagjinare në anën tjetër, në reflektimet e tija poetike të shkruara qe nga viti 1992 e deri me sot, pasqyron apo jep një shkathtësi duke i realizuar e renditur vargjet e tija antologjike me lloji – lloji figura të ndryshme veshura dhe të pasuruara mirë ato me kolori ngjyrash të duhura diamanti. Pra ky vëllim i tij i parë poetik i këtij krijuesi, u vjen në dorë lexuesit si një vepër poetike për vlerat që përmban me plotë mesazhe përçuese në rrafshin letrar…

Ndërkaq recensenti, Pal Canaj për autorin dhe librin në fjalë ka shkruar: “Kërkoj një̈ njeri me emrin njeri”. – kishte thënë Diogjeni i urtë. Nga kjo prizëm e njohë që prej kohësh njeriun e urtë, atdhetarin e përkushtuar dhe dashamirin e dijes, me emrin, Prend Ukaj, i cili është ndër njerëzit e këtij nënqiellit tonë, i dalluar me qëndrimin e tij vertikal, përballë̈ vështirësive të jetës. I edukuar nga tradita e familjes, që në rini Prendi mori formësimin e bindjeve dhe të dashurisë̈ së madhe për kombin. Këto veti së bashku me arsimimin që mori i konkretizoj me synimin për lirinë̈ e Kosovës. Për shkak të bindjeve dhe veprimtarisë se tij atdhetare, Prendi përjetoi vuajtjet e burgut në kohën e regjimit jugosllav, peripeci të cilat kanë lënë gjurmë në jetën e tij.

Ndërsa recensenti tjetër i këtij libri, Milazim Maraj në mes tjerash tha: Familja e Pren Pjeter Ukaj njihet si familje që kishte përkrahur luftën për liri të shqiptarëve. Gjyshi i Prenit, Dodë Pjetër Ukaj, kishte strehuar luftëtarët e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare: Ndue Përlleshin,, Ukë Sadikun, Imer Berishën, Feriz Bojen, Zef Gjidoden, Shaban Kotorrin etj. Tani ata arrestojnë Prenin më vonë vëllain e tij Markun dhe pastaj edhe babën e tyre Pjetrin 60 vjeçar, të cilin e rrahin dhe e maltertojnë për të dorëzuar armë. Pjeter Ukaj nuk u lig as nuk e ndali aktivitetin e tij për asnjë qastë. Ai vazhdoj aktivitetin për liri të vendit dhe popullit të vet. Me vota të fshatit të vet, kryetar i aktivit të LDK në Kosh dhe vazhdoj aktivitetin për Kosovën Shtet të Pavarur në fund. Për Prenin nuk pati punë të vështirë apo të rrezikshme. Pren Ukaj përfaqësoj dinjitetshëm familjen e tij patriotike dhe mbeti shembull për gjeneratat e reja në familje dhe më gjerë.

Një vlerësim të tillë për autorin e këtij libri e kanë dhenë edhe Prend Buzhala, Florim Zeqa, Brahim Dreshaj dhe Jozef Frroku.

Konsulenti i këtij libri, Tomë Paloka, Major Nderi i Pavarsisë se Kosovës-2016 nga Nju Jorku, është ai i cili ka hartuar një biografi të shkurtër rreth jetës së autorit i cili thotë se: Prend Ukaj u lind më 4 prill të vitit 1961 në fshatin Kosh komuna e Istogut . Mësimet e para i kreu në Shkollën Fillore “At’ Shtjefën Gjeçovi” në Zllakuqan të Klinës, ndërsa të mesmen e kreu në QAMO- “Luigj Gurakuqi “ në Klinë – Drejtimi Kulturologji. Pas përfundimit të suksesshëm të shkollës së mesme në vitin 1981, ka regjistruar Shkollën e Lartë Pedagogjike në Gjakovë-Drejtimi: Gjuhë dhe Letërsi Shqipe dhe Histori. Mori pjesë drejtpërdrejtë në mënyrë aktive në demonstratat e vitit 1981, me ç’rast Preni përherë përcillej dhe ndiqej si anëtarë i një familje shqiptare armiqësore, familje e cila në epokë të ndryshme përherë kundërshtonte regjimet totalitare të MKS (Mbretërisë, Kroate e Sllovene) dhe asaj komuniste pushtues Jugosllave e cila dhunshëm edhe përmes Fuqive të mëdha evropiane kishte marrë pushtetin dhe një pjesë të trojeve tona shqiptare. Mirëpo pas regjistrimit në Shkollën e Lartë të Gjakovës, detyrohet dhunshëm të shkoj në shërbim ushtarak të ish-APJ-së. Gjatë kësaj kohe sa ishte në shërbimin ushtarak ish- Jugosllav, shumë herë Preni hetohej dhe përgjohej nga strukturat e larta hetuese të sigurisë së ish APJ-së. Pikërisht në shërbimin ushtarak mori pjesë atëherë kur ndodhnin vrasjet e ushtarëve shqiptarë duke veçuar njërin prej ushtarëve të vrarë siç ishte Ukë Ferizi, të cilin aparatura shtetërore vrasjen e këtij martiri i cilësonte si një vetëvrasje, ku edhe arkivoli i tij ishte i mbyllur sikurse arkivolet e shqiptarëve të tjerë të vrarë në APJ-së e qe ndaloheshin të hapeshin gjatë ceremonive të varrimit të tyre. Preni së bashku me disa shokë kundërshtuan dhe demaskuan sistemin e sigurimit Jugosllav, edhe ky ishte ndër ushtaret shqiptarë qe u burgos së bashku më 10 ushtarë të tjerë shqiptarë. Pas gjashtë muaj hetuesie, në Gjykatën Ushtarake Jugosllave në Lubjanë, ky grup është dënuar në kohëzgjatje prej 4-10 vite burg të rendë. Pas kryerjes së burgut, Prenit iu ndalua edhe vazhdimi i shkollimit universitar dhe pajisja me pasaportë si dhe çdo lloj aktiviteti intelektual, për të cilin ishte i lindur, rritur e aftësuar . Hyri në ilegalitet në kundërshtim dhe luftim të regjimit okupues serb. Aktivitetin e tij pavarësisht dhunës së ushtruar për asnjë çast nuk e ndërpreu edhe pse përjetonte bastisje, keqtrajtime, rrahje, dhe burgosje të kohëpaskohshme. Me formimin e LDK-së, si një lëvizje legale, lëvizje që kryesohej nga Presidenti Historik i Kosovës, Dr.Ibrahim Rugova, në ballë të saj u rreshtua dhe u bë pjesë e kësaj lëvizjeje në shërbim të kauzës kombëtare për Liri dhe Pavarësi të Kosovës. Pas luftës, Prendi dhe familja e tij mbetën të anatemuar nga të gjitha qeveritë e pasluftës edhe pse në kushtet sociale të rënda, për asnjëherë nuk e ndali asnjëherë aktivitetin e tij politik në të mirë të fshatit, komunës dhe më gjerë. Ky është libri i tij i parë ka edhe ka dorëshkrime të shumta të tjera me dëshmi të ndryshme, poezi që presin kohë më të mira për t’u botuar.

Për të mos vazhduar me tutje rreth librit dhe autorit të librit, nga ky çast po ua lë në dorë lexuesit qe ta japin vlerësimin e tyre rreth librit: “Çka me thotë zemra ” i autorit, Pren Ukaj, andaj edhe i deshirojmë suksese të reja dhe së shpejti të na dhurojë edhe libra të tjerë studimor, poetik, eseistik e monografik.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok