22/12/2024

Dinosaurët e rrezikshëm të Drejtësisë Shqiptare, duhet të përballen me ligjin

0
Drejtesia

Nga Themi J. Tushe

Është shumë me interes, që të sqarojmë dhe nxjerim në dritë, se kush ka qenë drejtësia shqiptare në kohën e monizmit dhe organet e gjukatave e të prokurorive. Çfarë pozicioni dhe vendi zinin ato dhe ç’rol luanin në shtetin e diktaturës? Cilët ishin kuadrot, specialistët dhe punonjësit e saj? Nga se duhet të udhëhiqeshin ata, si kanë punuar në realitet dhe çfarë pasojash shkaktuan në këtë drejtim, që lidhen me ta dhe mbajnë firmën dhe vulën e tyre? Sistemi i drejtësisë dhe legjislacioni ynë në periudhën moniste, ka qenë jo vetëm larg atyre europiane e botërore, por edhe mund të thuhet se në shumë drejtime nuk ka patur asgjë të përbashkët me to. Pikërisht kjo ishte fatkeqësia më e madhe, që ka kaluar dhe vuajtur njëkohësisht populli ynë, i ndodhur në mes të kulturës, qytetërimit dhe zhvillimit të gjithanshëm modern europian të kohës, pranë demokracisë e drejtësisë, por i fyer, burgosur dhe dhunuar tepër rëndë. Shteti komunist, me të ardhur në fuqi, në rrugë jo demokratike dhe me anë të forcës, me mendësi dhe veprime të papërgjegjëshme, ndryshoi të gjithë organizimin dhe strukturat juridike të drejtësisë, eleminoi fare një pjesë të tyre dhe sidomos avokatinë, institucionin më të rëndësishëm dhe të pa zëvendësueshëm, që siguronte të gjitha të drejtat dhe mbrojtjen e shtetasve shqiptar në rrugë ligjore, duke shkelur dhe devijuar nga parimet bazë dhe kryesore të drejtësisë. Në këtë periudhë, menjëherë u përmbysë e gjithë ligjëshmëria përparimtare, moderrne e kohës dhe kodet ligjore të saj, e në vend të tyre u vendos një legjislacion i “ri”, i tipit sllavo-komunist, që ishte instaluar në vendet lindore, të ish kampit socialist, ku cënoheshin hapur të gjitha të drejtat njerëzore e qytetare, të shtetasit tonë, i cili detyrohej të vepronte në kundërshtim të plot me mundësitë, vullnetin, dëshirat dhe interesat e tij. Ne ishim i vetmi vend në botë, që për shumë aspekte, ua kaluam edhe mësuesve komunist të lindjes, me lloj-lloj shpikjesh dhe eksperimente të reja e aventura të çuditëshme vetëvrasëse. Në legjislacionin tonë u futën e adaptuan ligje dhe norma juridike ç’njerëzore, antikombëtare, antishqiptare, si agjitacioni e propaganda armiqësore, arratisja jashtë shtetit, lufta e klasave, interrnim-dëbimet e tjerë, që krijuan mijëra viktima të pafajëshme në popullin tonë .Me urrejtje të pakufishme, hakmarrje ekstreme, pa kuptim dhe ta pa llogjikëshme, jo vetëm në përmbajtje, por edhe nga ana formale, u shkatërrua gjithçka e mirë, arritur me shumë sakrifica, si profesionalizmi, kultura dhe praktikat ligjore të punës e ato shkencore të saj në fushën e jurisprudencës. Kjo përvojë e vyer dhe mjaft e pasur u hodhë poshtë dhe u zëvendësua me forma e metoda gjoja të reja, regresive dhe brutale, si gjyqe me dyer të mbyllura, dënimet mesjetare pa gjyq, arrestime, interrnime dhe demaskime masive, për të mbjellë panik dhe për të frikësuar popullin.Nëpërmjet dhunës, me mënyra primitive dhe antiligjore, diktatura në pushtet, largoi nga puna dhe ju hoqi të drejtën e ushtrimit të profesionit, burgosi e dënoi pothuajse të gjithë kuadrot jurist, avokat, gjyqtar e specialist të tjerë të shquar, të aftë dhe me njohuri e kapacitete të mëdha intelektuale-shkencore, të përgatitur në universitetet më në zë të perëndimit, si në Itali, Francë, Austri, Gjermani, Angli, ShBA e tjerë, profesorët e parë, që themeluan drejtësinë shqiptare në ato kohë e kushte të vështira, në të cilat ndodhej vendi ynë, i zhytur në errësirë e prapambetje të plot dhe i pa zhvilluar, duke i dhënë jetë kësaj shkence dhe sakrifikuar gjithçka për fuqizimin dhe moderrnizimin e saj.Mbi këtë realitet mjaft të hidhur dhe tepër tragjik, ku kemi qenë për pesëdhjetë vjet, hedhin dritë të gjitha ndryshimet e bëra deri më tani gjatë tranzicionit për vendosjen e demokracisë, ku na është dashur shumë punë dhe një periudhë e gjatë kohe në kryerjen e reformave, për ndërtimin e legjislacionit të ri modern, forcimin e shtetit ligjor dhe ndryshimin e përsosjen e sistemit të drejtësisë, sipas standarteve dhe parametrave euro-perndimor. Të gjitha këto veprime, që u ndërmorën në atë kohë sipas një programi të caktuar dhe mënyrat e format, me të cilat u realizuan, i hapën rrugë inskenimeve dhe falsitetit të drejtësisë, krimit politik dhe dhunës së organizuar e sistematike, që ushtronte vet shteti monist me të gjitha levat dhe organet e tij në përgjithësi dhe atyre gjyqësore e juridike në vaçanti, siç ishin gjykatat e prokuroritë, të cilat nuk kontrolloheshin nga askush, dhe nuk i jepnin llogari askujt, bile as ligjit, për punën, veprimtarinë dhe aktivitetin e tyre.Në këtë fushë kaq të rëndësishme dhe delikate sic është drejtësia, ku lypen njohuri të veçanta intelektuale, profesionale, kulturë e madhe pune e shërbimi dhe shpirt human e njerëzor, u futën dhe u punësuan njerëz të pa aftë, pa arsim, me kurse javore e mujore juridike, që kishin garancitë politike për këtë vend pune dhe besueshmëri të lartë ndaj shtetit të diktaturës, që shquheshin për dhunë dhe krime të tjera qysh gjatë luftës. Këta zotrinjë e vazhduan profesionin e tyre vrasës, tashmë edhe si jurist, duke vrarë e dënuar edhe me anë të ligjeve, sipas dëshirës dhe vullnetit të tyre dhe për hirë të gjoja interesave politike të shtetit të diktaturës, shkelën hapur dhe abuzuan rëndë me ligjet e asaj kohe.Në sistemin e drejtësisë, no këtë sektor pune kaq të privilegjuar, të preferuar dhe lakmuar nga të gjithë, u hapën dyertë dhe dritat jeshile vetëm për fëmijët e ish Poli-Byrosë, anëtarëve të Komitetit Qëndror, Sekretarëve të I-rë, Kryetarëve të Komiteteve Ekzekutive dhe liderëve të lartë të shtetit diktator, ku sa për formalitet përfituan edhe disa pastrues komitetesh, sekretar partish, kryetar këshillash fshati, karrieristë e servil të korruptuar, që u bënin elozhe pushtetarëve të mëdhenj të atëhershëm, si dhe një pakicë e vogël njerëzish të ndershëm, që e meritonin dhe justifikonin me sjellje, aftësi, zotësi dhe punë këtë profesion dhe detyrë kaq të rëndësishme. Këta të fundit u lejuan që të hynin dhe u punësusan në këto organe, si gjyqtar e prokuror, për tu dërguar në rrethet e largëta dhe ato malore të vendit, me vështirësi të mëdha, atje ku nuk mund të shkonin dot pashallarët dhe të përkëdhelurit e diktaturës, të cilëve u bënte mirë vetëm klima e Tiranës dhe e rretheve bregdetare, ku kishte më shumë zhvillim, qytetërim e mirëqënie. Kjo ishte përbërja e kuadrove në strukturat e drejtësisë, ata që kanë patur të drejtë me ligj dhe që kanë kryer të gjitha shërbimet dhe procedurat juridike, që nga vlerësimi e gjykimi i çështjeve dhe problemeve, marrja e vendimeve dhe dhënia e sanksioneve të ndryshme e deri në lëshimin e urdhërave për ekzekutimin e tyre, sipas legjislacionit në fuqi të atij shteti.

Si kanë punuar në realitet punonjësit e drejtësisë gjatë diktaturës.

Mund të thuhet me kompetencë se kuadrot jurist, prokuror e gjyqtar, që kanë punuar në drejtësi, shumica e tyre ishin të paaftë, me mangësi të mëdha, pa kulturën e nevojëshme, pa përgatitjen e duhur profesionale, ndërsa një pjesë e mirë e tyre kanë qenë shkelës të hapur të ligjeve, fallsifikator, të korruptuar dhe inkriminuar gjatë ushtrimit të profesionit të vet, pavarësisht se në rradhët e tyre ka patur edhe të aftë e të ndershëm, të cilët megjithëse ishin të pakët, u përbyzën, injoruan, larguan nga puna, ndonjë edhe u burgosë qëllimisht nga diktatura në pushtet.

Ish gjyqtarët e atëhershëm, të zgjedhur nga populli e që duhej të mbronin interesat e tij, por edhe prokurorët e emëruar prej shtetit, kanë qenë të ngarkuar me kushtetutë dhe të detyruar prej saj, që në kryerjen e detyrës, të udhëhiqeshin nga ligji dhe vetëm prej tij, jashtë çdo ndikimi ideologjik, orientimi e drejtimi politik dhe presioni e detyrimi pushtetar e shtetëror, i çdo fuqie që të ishte dhe cilindo rrang që të përfaqesonte në shtetin monist. Drejtësia si pushtet më vete, është një shkencë e fushë delikate, që drejtohet nga ligje ekzakte dhe si e tillë, nuk  lejohet dhe nuk pranohet që të ndërhyj askush, apo të ndikoj sadopak dhe sidomos aq më tepër poliktika, pasi që nga ky moment, ajo deformohet dhe kthehet në dhunë, brutalitet, krim e padrejtësi. Në realitet është për të ardhur keq, që një pjesë e madhe e këtyre juristëve vepruan ndryshe, duke devijuar hapur dhe me dashje, e pa ndonjë arsye nga parimet e drejtësisë, bile dhe të ligjëshmërisë së asaj kohe. Juristët e ish diktaturës, të prirur nga karierizmi, etja për karrike, detyra dhe poste të mëdha, për të siguruar privilegje, favorizime dhe ryshfete të shumta e të kundërligjëshme, ata mbyllën sytë, ecën në rrugën e turpit, shkelën ligjin, u zvarritën dhe e vunë veten e tyre me dëshirë e pasion të madh, në kthetrat e politikanëve ekstremist dhe sekretarëve e liderëve të tjerë analfabet. Këta jurist, që gjyqtar e prokuror u thënçin, me zell dhe servilizëm të tepruar, pasi u puthnin dorën sekretarëve e kryetarëve për çdo mëngjez gjatë pirjes së kafeve, jashtë çdo kodi e norme moralo-ligjore, merrnin me vullnet porosi, detyra e urdhëra nga ata dhe i aplikonin në punën e profesionin e tyre. Një praktikë e tillë  ishte shkelje e rëndë e ligjeve të atij shteti, që të paktën nga ana formale i dënonte veprime të kësaj natyre, që e dëmtonin drejtësinë e pavarur. Megjithatë duhet theksuar, se në organet e drejtësisë ka patur edhe jurist të ndershëm, të aftë, të pakorruptuar, të vendosur e guximtar, që në profesionin e tyre janë udhëhequr gjithmonë vetëm nga ligji, të cilët nuk u ndikuan aspak nga politika dhe presionet e saj, por edhe luftuan kundër tyre, jo vetëm në monizëm, por edhe me vonë në demokraci. Të influencuar nga politika dhe me orientim të saj, gjyqtar e prokuror kanë dënuar për dekada të tëra me privim lirie, qindra dhe mijëra njerëz, shtetas shqiptar, që nuk ishin aspak fajtor, që nuk duheshin mbyllur nëpër burgje, që duheshin mbrojtur e shpëtuar prej akuzave politikie, të pa bazuara e fallco, veprat e të cilëve nuk atakonin ndonjë ligj, nen, apo kod të legjislacionit shqiptar. Pa kryer ndonjë vepër penale, pa shkelur ndonjë ligj dhe vetëm me komente, teorizime e interpretime të dyshimta monstruoze, u dënua një pjesë e mirë e popullit dhe e rinisë shqiptare, pse mbanin flok të gjata, pantallona të gjera, xhaketë të çarë, pse dëgjonin muzikë, këndonin, apo vallzonin si moshatarët e tyre europian, pse shkruanin vjersha, pikturonin e lexonin libra të huaj e të autorëve shqiptar, pse kritikonin politikanët, drejtuesit e shtetit, sekretar, kryetar, drejtor, për më shumë liri, art, sport, kulturë e mirëqënije, pse dashuronin, pse ishin nacionalist e të tjera.

Në legjislacionin komunist, nuk ka patur asnjë ligj, apo nen, që t’ja ndalonte këto veprime, dëshira, apo të drejta minimale, qytetarit dhe shtetasit tonë, por që në fakt, ai ishte i privuar prej tyre, në një kohë kur bota e qyteteruar, me legjislacione moderrne, kishte qindra vjet që këto probleme, jo vetëm i kishte lēnë në dorën e personit e të shtetasit të saj, por edhe i mbronte me ligj ato. Pra kështu delë qartë se dënimet e mijëra njerëzve në Shqipëri janë bërë apriori, me fjalime e dëshira politikanësh dhe jo me ligje, krime këto që rëndojnë vetëm mbi kalemxhinjtë e “oratorët” primitiv (gjyqtar e prokuror), që e kanë dhunuar hapur dhe rëndë kushtetutën e atij shteti. Po prej këtyre gjyqtarëve u dënuan padrejtësishtë shumë shtetas të tjerë shqiptar me dënime tepër të rënda dhe që duhet të kishin marrë dënime e sanksione minimale e mesatare dhe sidomos ata që kishin kryer vepra penale me rrezikshmëri të vogël dhe jo të theksuar shoqërore. Shumë njerëz dhe veçanrisht ata me përbërje, apo gjoja qëndrim të keq politik, u dënuan me sanksione të ashpëra e ekstreme në krahasim me të tjerët që kishin kryer të njëjtën shkelje, figurë krimi, apo thyerje ligji. Është tepër e pa falëshme, e pa tolerueshme dhe zor se do të shlyhet nga mendja e njerëzve dhe e popullit tonë, praktika antiligjore, kriminale e diskriminuese të ndjekur nga gjyqtarët dhe prokurorët e monizmit, të cilët për vepra të shumëta e të ndryshme penale, kanë dënuar vetëm njerëzit e thjeshtë, puntor, bujq, roje, barinjë, magazinjer e tjerë, dhe kanë veçuar e përjashtuar nga dënimi, duke i marrë edhe në mbrojtje, përgjegjësa , drejtor e kryetar, që kanë qenë autor të vërtet, apo bashkpuntor krimesh, që vidhnin me makina pasurinë e popullit, për vete dhe shefat e tyre në sferat e larta të shtetit komunist. Këta ish kuadro të privilegjuar, jo vetëm që nuk dënoheshin për krimet që kryenin, duke e çuar në greminë ekonominë, por përkundrazi hipnin në detyra e përgjegjësi më të mëdha partiake e shtetërore, deri në sekretar, apo kryetar komiteti, në një kohë që duhej të përballeshin me drejtësinë dhe të jepnin llogari para saj. Të dënoshë njeriun e thjeshtë, puntor, roje, apo magazinjer e tj, për mungesë vigjilence, pse vidhte përgjegjësi, drejtori, kryetari e sekretari i partisë, që jepnin urdhëra me shkrim e me gojë, kjo ishte një ç’menduri që ndodhte vetëm në Shqipëri.

Gjyqtar e prokuror të asaj periudhe, si vegla qorre në shërbim të poliktikës, gëzonin privilegje të shumëta, jetonin në banesat me komode të  kohës, vidhnin dhe merrnin ryshfete të mëdha e të majme nga populli ynë, që vuante prej urisë e që ishte në prag të katastrofës së saj. Të veshur me pushtetin gjyqsor deri në dhëmb, nëpërjet brutalitetit, arrogancës dhe injorancës së tyre profesionale në fushën e dënimeve, krijuan një hije të rëndë dhe u bënë njerëzit më të frikshëm dhe më të urryer të asaj periudhe dhe lanë pas pasoja tepër të hidhura. Nuk mund të mendoje dhe as të shpresoje për drejtësi nga gjyqtar e prokuror të tillë,  qe gjithë ditën e kalonin nëpër magazina, punishte tregëtie e grumbullimi, klube, restaurante e kafene, me shërbëtorët e tyre sekser, mashtrues, vjedhës, grabitës, amoral e të degjeneruar, duke mos paguar kurrë asnjë peni e mos e futur dorën në xhep. Për çdo mbrëmje këta darkonin nëpër turizmet e shtrenjtë (high class) me lakenjtë e tyre besnik, ku bënin pazaret dhe caktonin shumën e lekëve, që donin të merrnin si ryshfet e mitëmarrje, për çdo çështje që kalonte në duart e tyre tepër të pista, që ja u mundësonte profesioni, detyra dhe vendi i punës , dhe që ja u kishte dhuruar Partia e diktatura.

Gjatë asaj periudhe në Shqipëri, pêr gjoja të meta e dobësi, që fryheshin e zmadhoheshin shumë nga liderët politik intrigant dhe që cilësoheshin si mungesë vigjilence, apo shkelje të rëda, u larguan nga puna, liruan, kalbën burgjeve dhe u pushkatuan qindra specialist e kuadro të zot, të ndershëm e patriot, që donin atdheun e tyre, ish oficer të  ushtrisë, policisë, kufirit, hetuesisë, sigurimit, aviacionit, marinës e tjerë e tjerë. Për ti shpëtuar dhunës, torturave, dënimeve dhe vdekjes, si dhe për të bërë një jetë më të mirë e për më tepër liri, disa nga ata u detyruan që në rrethana të pavullnetshme e me dhimbje të madhe, të kryenin edhe arratisjen jashtë shtetit, duke e braktisur Shqipërinë.

Disa vjet para se të vinte demokracia, për arsye se u arratisën dy persona nga Çerma, që u ishte nxirë jeta në interrnim, duke i shpëtuan ferrit komunist, diktatura me në krye një mësues fshati katil me emrin Zylyftar Mahmuti(Ramizi), ish Zv. Ministër i Punëve të Brendshme, brenda një nate në rrethet Sarandë e Lushnje,  arrestoi 17 nënoficer, polic e oficer gjoja për shpërdorim detyre.

Ky person gjakatar që i mungonin arsimi, kultura, edukata dhe cilësitë për të kryer detyra të tilla, sëbashku me prokurorët dhe gjyqtarët tanë  servil, në mënyrë të rrufeshme  dhe krejt pa asnjë bazë ligjore, e pa kryer ndonjë krim, apo vepër penale i dënoi ata me burgime të rënda me qëllim që të forconin gjoja shtetin komunist, që po jepte shpirt në ditët dhe agonin e tij të fundit dhe pēr të frikësuar popullin dhe kuadrot e tjerë ushtarak.

Gjykatat dhe prokuroritë, si simbol i drejtësisë, pavarësisht nga sistemi monist, ato duhet të ishin bërë një barikadë e pa kalueshme ndaj çdo thyerje ligji, duke parandaluar, korigjuar dhe çuar në vend, të gjitha veprimet e nxituara dhe shkeljet e shumta e të rënda ligjore, që kryheshin nga administrata, organet e pushtetit, policia, sigurimi, hetuesia, por edhe prej punonjësve të saj gjyqtar e prokuror, si ndalime, arrestime dhe dënime pa baza, pa prova, me prova fallco e tjera dhe autorët e tyre ti ndëshkonte sipas ligjit. Ajo nuk e kreu dot misionin e saj të rëndësishëm, sepse njerëzit që e drejtonin atë, diktatatura në pushtet dhe platforma kriminale e punës(e poli-byrosë , për organet e punëve të brendshme), i përkrahnin hapur, inkurajonin, gradonin dhe merrnin në mbrojtje të veçantë këta jurist, që dënonin njerëz të pafajshëm.

Me ardhjen e demokracisë, ishe gjyqtar e prokuror, që i kishin shërbyer aq shumë verbërisht atij sistemi, të mbërthyer në panik dhe frikë të madhe, mbyllën shpejt dyertë e zyrave dhe i braktisën ato, formalisht ndryshuan ngjyrat(veshën pardesytë e bardha, si të liderëve hajdut të opozitës, së PD-së ) dhe format e veprimit, për të siguruar me tej vazhdimësinë e punës dhe të detyrës së tyre, por tashmë në kushte të reja e në përshtatje me kohën. Si dinak që ishin, me një servilizëm neveritës, për të arritur qëllimet e tyre, këta jurist hodhën në veprim një sërë skenarësh të zgjuar, me perspektivë e mjaft  frutdhënës. Para dite filluan të rrinin si në gjemba në vilat dhe selitë rozë të PS-së në pushtet, pas dite qëndronin gjithë qef dhe me dëshirë nëpër “çadrat e PD-së” në opozitë, ndërsa në mbrëmje dhe gjatë errësirës së natës, vunë maskat si bandit dhe dilnin për gjah nëpër rrugica, vrima e skuta, duke mbledhur para, dhrahmi, lireta, marka e dollar me thasë, nga dallaveret, abuzimet, korrupsioni, shkeljet e ligjit dhe krimet e tjera që kryenin në ushtrimin e detyrës. Me ngjyrat e tyre fallco, herë rozë dhe herë blu dhe atë sterrë të zezë që kishin brenda në shpirt, tregoheshin të pafajshëm, demokrat e të rinovuar. Ky klan i madh juristësh i monizmit, shfrytëzoi me shkathtësi momentin, që nuk kishte shumë kuadro të tjerë në këtë fushë dhe pa vështirësi arritën të qëndrojnë në krye të zyrave e detyrave, pa u hyrë gjemb e ferr në këmbë, dhe pa dhënë llogari fare, për shkeljet dhe krimet e shumta, që kishin kryer me dekada të tëra. Ata duhet ti kishin kërkuar falje popullit për pjesën e fajsisë dhe në shenjë pendimi të jepnin doreheqje nga ushtrimi i profesionit të juristit. Si hileqar, fallsifikator dhe intrigant që ishin dhe tepër të aftë për të akuzuar të tjerët, të gjitha këto faje, gjunahe, tragjedi dhe krime të rënda që rëndonin direkt mbi ta, drejtësia shqiptare(ish gjyqtar e prokuror), arritën për bukuri tua faturojnë ato organeve të pushtetit monist e levave të tij, si ushtrisë, policisë, kufirit, hetuesisë dhe sidomos sigurimit, që padyshim kanë qenë fajtor, ndërsa veten e tyre e deklaruan të pafajshëm. Me një paraqitje joshëse dhe përqasje të neveritëshme, këta gjyqtar e prokuror u bënë të pëlqyeshëm, për të dy polet dhe krahët e politikës dhe pasi e siguruan e konsoliduan këtë fitore”historike” të tyre, ata ju futën  me pasion e përkushtim korrupsionit dhe po e vazhdojnë atë plot sukses pēr 17 vjet me rradhë, duke dëmtuar rëndë drejtësinë dhe demokracinë në Shqipëri. Të mbështetur dhe sëbashku edhe me lider politik të  korruptuar, ata jo vetëm që nuk u rinovuan e reformuan kurrë, por brenda një periudhe shumë të shkurtër, kanë vënë pasuri kolosale dhe janë kthyer në dinosaur tepër të rrezikshëm. Sot ata jotojnë nëpër vila tepër luksoze, kanë lokale e biznese mjaft fitimprurëse, disponojnë shuma marramendëse euro, lek e dollar në shtëpi, banka dhe të hedhura në aktivitet fitimi, brenda dhe jashtë shtetit, duke sfiduar edhe kolegët e tyre perndimor e euro-amerikan.

Shteti ynë demokratik-pluralist, jo vetëm që i favorizoi e privilegjoi gjyqtar e prokuror të monizmit, duke i lēnë në krye të detyrave, por edhe po i dekoron ata me medalje të ndryshme, që nuk i meritojnë dhe që mund të quhen medaljet e turpit. Nuk mund të dekorohet, zgjidhet parlamentar, apo emërohet në detyra të larta shtetërore, një gjyqtar, apo prokuror i asaj periudhe, mbi të cilët është vërtetuar se rëndojnë krime të rënda. Është në nderin e demokracisë dhe të Shqipërisë, që të dekorohen ushtarakët, policēt dhe zbuluesit e krimeve, të cilët si gjithmonë, në çdo kohë, atëherë edhe tani, kanë dhënë e dhe po japin edhe gjakun e tyre për interesat e Popullit Shqiptar. Puna, aktiviteti dhe gjithë veprimtaria e gjyqtarëve dhe prokurorëve në vendin tonë, duhet të ndërtohet mbi baza të forta ligjore, të ngjajshme me ato europiane, duke hequr çdo barriere antiligjore, që e pengon , frenon dhe çon prapa këtë proçes mjaft  të domozdoshëm, të rëndësishëm dhe demokratik. Ka vite me rradhë që e gjithë drejtësia shqiptare, është totalisht jashtë loje e zhytur në korrupsion të plot dhe mbanë lidhje të forta misterioze, e të padukshme me krimin. Aktualisht është e nevojshme dhe shumë urgjente, që të largohen sa më parë nga puna e detyra pa përjashtim, të gjithë ish gjyqtar e prokuror të pandershëm, të korruptuar dhe inkriminuar të kohës së monizmit ,  ata me kurse juridike si dhe me korespedencë që kanë punuar në ish Komitetin Qendror, komitetet e partisë së retheve dhe të kryhet një reformë dhe rinovim i plot, siç është kryer në ushtri, polici, hetuesi, Shërbimin Informativ Kombëtar(SHIK) e tjerë, veprim të cilin, po e kërkon me insistim edhe Kryeministri i tanishem i shtetit shqiptar .

Shteti Shqiptar (Qeveria, Parlamenti dhe Presidenti), për të qenë transparent me popullin e tyre, si dhe për të vënë në vend ligjin dhe drejtësinë, duhet që të hetojnë, provojnë dhe vërtetojnë sa më shpejt dhe plotsisht, se në çfarë rruge i kanë vënë milionat e dollarëve, që kanë ndërtuar vila e biznese këta jurist(ish gjyqtar e prokuror të atëhershëm e të tanishëm), dhe kush është me dyshime, si dhe ata që kanë shkelur ligjin, pa as më të voglin hezitim, ti kalojnë drejtësisë, tu hiqet leja e ushtrimit të profesionit dhe tu bëhet konfiskimi i plot i pasurisë së tyre. Pastrimi i drejtësisë nga element tillë, mjaft të rrezikshëm e mafioz, me bluza të zeza e aktivitet 60 vjeçar, do ta shëroj gjëndjen, forcoj shtetin, konsolidoj demokracinë, kthej besimin e popullit dhe përmirësoj situatën në Shqipëri.

Ky artikull, i shkruar në vitin 2007, për nga rëndësia që ka dhe problemin që trajton, pasi u korrektua përsëri u dërgua për botim.

Nga :

Themi J. Tushe

New York 10.10.2007

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok