08/10/2024

DIASPORA, SHQIPTARËT PËRTEJ SHTETIT

0

(Përtej një urimi për 28 Nëntorin)

NGA NDUE DEDAJ

Diaspora janë shqiptarët e emigruar herët e vonë, në Europë, Amerikë e deri në Australi. Ata që kanë lënë Shqipërinë, Kosovën, trojet e tyre shqiptare në Mal të Zi e Maqedoni dhe janë vendosur me punë e me banim në shtete të tjera. Ata janë ne, kurse ne nuk jemi sa duhet ata, në kuptimin që nuk i ndiejmë siç na ndiejnë. Ne jemi për ta atdheu, kurse ata për ne nuk i janë “atdheu” ynë jashtë kufijve shtetërorë, atdheu jo prej territori gjeografik, por prej njeriu dhe dashurie! Kemi pasur në Tiranë dhe një ministri për Diasporën, që bënte botime të ndryshme etj., por shqiptarët jashtë kufijve nuk besoj se i kemi sjellë më pranë. Nuk ua kemi lehtësuar barrën e të qenit shqiptarë në dhé të huaj. Kjo se ne nuk i shohim më ata si tanët, paçka se nuk i shohim si të huaj. Nuk është se nuk duam, por mbase nuk dimë, nuk mundemi, nuk kemi fuqi si shtet për t’i mbështetur realisht dhe jo me fjalë. Mund të thuhet se është e mjaftueshme përformanca etno – folklorike e tyre, me simbolet kombëtare, në ditët e shënuara, por kjo nuk është thelbi. Më kritikët shprehen se diaspora është e përjashtuar. Në mos qoftë fiks kështu, e sigurtë është që nuk ka qenë e ftuar të jetë pjesëmarrëse e jetës publike këtu, në mënyra të ndryshme.

Para se të themi ndonjë fjalë për qasjen shtetërore, institucionale e shoqërore të Shqipërisë ndaj shqiptarëve jashtë vendit, nuk jemi ende të qartë mbi samitin e diasporës që u mbajt në Tiranë, për të tretën herë, javën e kaluar. Aty kemi parë më shumë shqiptarë të trojeve sesa të mërgatës, ndërkohë që shqiptarët e Kosovës, Ulqinit, Strugës, Tetovës, Preshevës etj. nuk janë diasporë. Që bëhet një kuvend mbarëshqiptar, kjo është me mjaft vlerë, por jo duke e quajtur si tubim të diasporës. Pallati i Kongreseve pati disa figura përfaqësuese nga trojet shqiptare, por salla më së shumti ishte e mbushur me arsimtarë të ardhur nga rrethet dhe nëpunës. Mund të jetë dhe një sallë më pak pozante dhe të ketë më shumë kuvendim se sa shou. Gjithsesi për t’u çmuar është se samiti bëri të flitet si asnjëherë tjetër në media dhe publik për diasporën. Diaspora është “atdheu” përtej çdo kufiri ku banojnë shqiptarët etnikë. Shkrimtari dhe filologu i njohur Mehmet Elezi na këshillon që në vend të fjalës diaspora të përdoret termi mërgata shqiptare.

Për mendimin tonë, ka disa probleme ku duhet më shumë vëmendje, vullnet dhe punë për “integrimin” këtu të pjesës tonë jashtë kufijve.

Problemi i parë. Çfarë dimë ne realisht për diasporën? Për mërgatën shqiptare? Jo atë të “qyqeve”, “reaksionarëve”, “diversantëve”, pasi sot nuk ka më një mërgatë politike, që e solli Lufta e Ftohtë, e cila përndiqej me ditë e me net. Kemi lexuar shifra se sa shqiptarë banojnë në çdo shtet e kontinent, por jo ndonjë studim të thelluar shkencor nga institucionet akademike, sidomos për emigrimet e këtyre tridhjetë viteve, duke i lënë shqiptarët e emigruar jashtë vëmendjes publike. Ndonjëherë ata shihen si “zogj shtegtarë”, që njëherë në vit (çdo verë) kthehen në atdhe. Por ata nuk janë miq, që u dashka për nder të tyre të organizosh ceremoni, ata janë ne. Për ta e me ta mund të bëhen veprimtari të përbashkëta herë pas here. Pa lamtumirë mes nesh. Shpesh atë që nuk e bëjmë ne për ta, e bëjnë ata për vendlindjen. Po sjellim një rast sa për ilustrim. Ka katër – pesë vite që dy emigrantë, Gjon Mëlyshi dhe Ndue Syziu, prej kohësh të vendosur familjarisht në Milano, e mbajnë të bashkuar komunitetin e fshatit të tyre të origjinës Malaj (Mirditë) dhe më gjerë, duke organizuar festa, botuar një revistë të ilustruar, ftuar artistë popullorë të japin shfaqje për shqiptarët në emigrim, sponsorizuar videoklipe të tyre, si dhe duke mbajtur një marrëdhënie të ndërsjelltë, në vijimësi, të komunitetit artistik mirditor me artistë të komunës së Vushtrisë në Kosovë. Në fillim i mbulonin vetë shpenzimet e veprimtarive, tash ato bëhen me kontributin e gjithë bashkësisë, sipas mundësive të secilit. Ndonjë reportazh televiziv do ta kishte treguar mbase më mirë këtë marrëdhënie, si një trup i vetëm, të këtyre emigrantëve me tokën e të parëve. Me siguri të tjerë kanë për të treguar plot raste të ngjashme, ku ajo që quajmë diasporë nuk është aspak diçka e largët, e tejbotshme, por e këtushme. Ky për mendimin tonë duhej të ishte dhe “protokolli” i institucioneve shtetërore që merren me mërgatën, që të nxitën dhe mbështetën sa më shumë nisma të tilla bashkëvepruese ndër shqiptarë, paçka se ku ata punojnë e banojnë.

Problemi i dytë. Sa e kërcënon mërgatën tonë, bjerrja e shqipes dhe identitetit kombëtar etj. Si mund t’iu vihet emigrantëve në ndihmë me botime, duke nisur nga abetaret, me logjistikë tjetër të përshtatshme. Diaspora e parë e kohës moderne ka qenë Rilindja Kombëtare, atdhetarët e së cilës i sollën abetaret nga Stambolli, Bukureshti, Sofja etj., kurse pas njëqind e pesëdhjetë vitesh na duhet neve që “shkronjat e shtypura shqip” t’i nisim për andej. Ky nuk është vetëm një shërbim i domosdoshëm që duhet ta bëjmë, por një mision kombëtar. Për të bërë shqiponjën duhen të dyja “duart” dhe e sigurtë është se ajo e mërgatës është përherë aktive. Shqiptarët e emigracionit përpiqën ta mbajnë gjallë ndjenjën kombëtare dhe për këtë mjafton të shohësh si e organizojnë festën e Flamurit, në Europë e Amerikë, e në radhë të parë Arbëreshët. Ka kohë që mërgata shqiptare e Amerikës i vesh kuqezi rrugët dhe sheshet e Nju Jorkut, ku në shfaqjet, sa tradicionale, aq dhe moderne, përformojnë dhe të rinj që kanë lindur në “Tokën e Premtuar”, disa prej të cilave kishin ardhur në Tiranë për të marrë pjesë në paradën e madhe të 28 Nëntorit, krahas 150 dërgatash nga mbarë trojet shqiptare, që dje festuan me madhështi në Sheshin “Skënderbej”. Zef Ndreka shkruan se në fundjavë, në Rosenheim të Gjermanisë, është folur e festuar shqip deri pas mesnate. 28 Nëntori bëri bashkë qindra emigrantë shqiptarë me familjet e tyre, veçanërisht ata nga Kosova. Falë organizimit të shoqatës “Shqiponja”, grupit artistik të këngëve e valleve popullore, recituesve të vegjël, pjesëmarrjes së ministres së Kulturës të Kosovës, konsulles së Përgjithshme të Shqipërisë në Mynih, bisnesmenëve kontribues, festa e Flamurit mori përmasa të papara, në vazhdën e punës së bërë më parë për hapjen e shkollës shqipe etj. E kjo është vetem njëra nga kronikat e festës së Flamurit jashtë.

Problem i tretë. Sa mërgata është e prekur nga kriminaliteti? Nuk janë tanët vetëm shqiptarët e suksesshëm, me emër në botën e artit, të shkencës, biznesit etj. që na bëjnë krenarë, por dhe ata që na bëjnë me turp, pasi nga shoqëria jonë kanë dalë dhe ata, nga shkollat tona të tranzicionit, nga keqeverisja e këtushme. Nëse punët do të kishin shkuar mirë në atdhe, njerëzit tanë nuk do të kishin krijuar shtëpi bari në Angli etj. Thënë ndryshe, nëse Shqipëria ndryshon, i bën përsëmbari punët, mërgata tkurret, njerëzit ikin më pak.

Problemi i katërt. Sa diplomacia jonë luan rolin e saj ndaj mërgatës. Nuk besojmë se ajo shkon me mendimin me e “mbajt afër” atë, si nëna bijën e martuar diku larg. Selitë e përfaqësive tona diplomatike normalisht janë vatra e tyre. Zor se diplomatat tanë e quajnë të përmbushur detyrimin e tyre me qokat e rastit me shoqatat atdhetare shqiptare në shtetet ku janë me punë, me mbajtjen e lidhjeve vetëm me disa personalitete të mërgatës. “Rrjeti i përfaqësive të Republikës së Shqipërisë, do të jetë sytë dhe veshët e shtetit shqiptar, dera jonë e hapur për çdo burrë e grua, të ri e të re në diasporë, që do të punojë e të kontribuojë që punët e shqiptarëve të ecin përpara”, tha në samitin e javës së kaluar ministri i Jashtëm, Igli Hasani. Ashtu siç do të ishte e vlefshme që Ministria e Jashtme t’i gjente dhe në mërgatë një pjesë të diplomatëve. Ndërkohë është thënë se nga radhët e mërgatës duhet të ketë dhe deputetë në Kuvendin e Shqipërisë.

Problemi i pestë (rënditja e rastit) është dhe kryesori. Mërgata bëhet pjesë reale e atdheut amë kur ajo voton për të, çka ende nuk është mundësuar dhe nuk shihen gjasët që do të ndodhë as në zgjedhjet e vitit 2025. Margata është gjysma e Shqipërisë jashtë, kështu që do t’ia vlente që me ligj të veçantë ajo të favorizohet dhe në rrafshin ekonomik, që të sjellë sa më shumë investime në vendin e vet. Emigracioni, para se të jetë financë për ne, duhet të mundësohet që të jetë kontribues në projektet e gjithanshme politike, sociale, ekonomike, arsimore dhe kulturore të vendit. Ne nuk kemi më shumë tagër se shqiptarët jashtë ndaj pasurive kombëtare. Edhe kur ata janë bërë nënshtetas amerikanë, italianë, gjermanë etj., “gjendja civile” e atdheut nuk mund t’i bëjë kurrë dalje, si çrregjistron dot nga trashëgimia e trojeve. Përkundrazi, një politikë e mirë bën që “treni” i lëvizjes të mos çojë njerëz vetëm përtej detit, por të sjellë dhe këndej nga të ikurit. Normal është një rrugëtim i ndërsjelltë, që i ka të dyja kahjet, edhe vajtjen, edhe ardhjen dhe jo vetëm ikjen prej këndej.

Kur flitet për shqiptarët jashtë që janë bijtë dhe vëllezërit tanë, njerëzit e shtëpisë nuk ka kurrëfarë kuptimi që të bëhet politikë mes pozitës dhe opozitës. Këtë e themi ne qytetarët, por jo dhe zotërit e politikës. Kreu i qeverisë, në samitin e tretë të diasporës, thirri në ndihmë dy nga figurat më të rëndësishme të përbashkimit të shqiptarëve, për të pickuar kundërshtarët e tij politikë: “Do të kujtoj Gjergj Fishtën, kur ai e siguron Gjergj Kastriotin të mos shqetësohet çfarë ndodh në Shqipëri, sepse për inat të djallit dhe atyre shqiptarëve që e mbajnë Skëndërbeun me fjalë dhe jo në zemër, Zoti ka me e mbajt Shqipërinë në këmbë me nder dhe lumni”, ku me “atyre shqiptarëve” ai kishte parasysh opozitën. Deri këtu të shkojë politika?

Shpesh emigrantë kanë qenë dhe politikanët. Nga mesi i viteve ’90 – të e mbrapa kanë përfunduar në diasporë, përkohësisht apo përgjithmonë, dhe disa shtetarë të lartë, të padëshiruar nga politika e këtushme. Pavarësisht rrethanave të pakrahasueshme, është një histori që mbartet që nga koha e Zogut, i cili bëri të emigrojnë kundërshtarët politikë, ashtu si pasardhësit në pushtet ia ndaluan atij atdheun duke e lënë ish-mbretin në diasporë deri në vdekje, bashkë me qindra nacionalistë që i përfshiu emigracioni politik pas Luftës së Dytë Botërore. Në mërgatë na kanë vdekur disa nga njerëzit më të lartë të Shqipërisë, që pastaj ua kemi tërhequr eshtrat kohë pas kohe. Por këtu nuk është vendi për histori, për homazh po.

Është e bukur “polifotoja” e 28 Nëntorit në mërgatën shqiptare nëpër botë, deri në Singapor, siç na e tregoi përmes një video interesante Blendi Fevziut, por nuk është fjala vetëm për një ditë e as vetëm për tubime festive. Emigrantët kërkojnë mbështetje, pasi nuk mund ta tërheqin vallen e emigracionit të gjithë njëlloj, ata duan trajtim sipas kategorive sociale: fëmijë, adoleshentë, gra, të moshuar, të arsimuar – të paarsimuar, të varfër – të pasur, të sëmurë etj.

Njëra “dorë” jemi ne, tjetra janë vetë ata…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok